U duk si socialist i mirë, por paska qenë “shejtan me brirë”


Prof. Dr. Eshref Ymeri


Para do kohësh qe botuar në internet informacioni në vijim:

“Pandeli Majko, sot ministër i Diasporës, i njohur ndryshe edhe si ministri i lojës “Mos u nxeh”, është akuzuar dhe lakuar nga politikanë të së majtës dhe së djathtës për fshehjen e 5 milionë USD para të pista në bankat e Qipros... Personi që dyshohet se e spiunoi për herë të parë Majkon, është Anastas Angjeli, i konsideruar si Mamuthi i korrupsionit në Shqipëri… Vite më vonë, Majko u shpreh:

“Diku nga viti 2000, unë kisha dhënë dorëheqjen si kryeministër, dhe kryetari i opozitës, zoti Berisha, në atë kohë bënte opozitën e dytë, ishte në kulmin e vetë të akuzave. Në atë periudhë doli në publik dhe tha që Pandeli Majko ka 5 milionë USD në bankat e Qipros. Dhe të them të drejtën, e mbaj mend mirë atë mëngjes që kam ardhur në Parlament, mendova se do më thumbonin, do më thonin “ç’janë këto histori, ku, tek, si…”. Kalova në këtë sallë dhe vajta në kafe dhe çfarë të shoh, “mirëmëngjesi” njëri, “mirëmëngjesi, o yll”, tjetri. “Ti paske qenë i madh”, më thoshin të tjerët. U ula në një tavolinë, që u çuan 12 veta në këmbë, duke më pritur dhe duke më thënë “eja dhe ulu”, dhe e di kush ishte konkluzioni? “Ne të dinim të mbaruar, por ti paske qenë tepër i veçantë”. Pra, kjo është psikologjia, mbi të cilën funksionojmë ne te kafja”…

Javët e fundit, ministria me në krye Majkon, ka bërë një tender skandaloz dhe fyes, duke blerë 2 mijë kuti “Loja mos u nxeh’. Edhe me këtë skandal Majko u përpoq të bëjë humor!” (Citohet sipas: “Pandeli Majko 5 milionë USD në bankat e Qipros, e spiunoi një ministër socialist”. Faqja e internetit “Pamfleti”. 08 gusht 2020).

Ky informacion, i cili më ngjalli një ndjenjë të thellë zhgënjimi, më nxiti të shtegtoj nëpër faqet e internetit për të mësuar se cili është jetëshkrimi i Pandeli Majkos, të cilin deri tani e kam pasë vlerësuar si një socialist korrekt dhe të panjollosur nga pisllëku i korrupsionit. Megjithëse një dyshim të vogël e kam pasur për figurën e tij, kur ca kohë të shkuara pati deklaruar se donte më shumë partinë socialiste sesa Shqipërinë. Asokohe nuk i pata vënë rëndësi asaj deklarate, por ma pati risjellë në kujtesë publicisti i talentuar me brumosje nacionaliste Erl Kodra, i cili e ka cituar në një shkrim të botuar më shumë se një vit më parë. Në atë shkrim ai rrëfehet, duke e vënë veten në rolin e Pandeli Majkos. Ja rrëfimi në vijim:

“A ju kujtohet një shprehje e imja, ku deklarova diçka me Partinë Socialiste dhe Shqipërinë? Më besoni, kurrë në jetën time nuk kam qenë më i sinqertë. Unë e dua Shqipërinë, por më shumë e dua Partinë Socialiste” (Citohet sipas: Erl Kodra. “Pandeli Majko “braktis” Edi Ramën”. Faqja e internetit “Syri”. 01 mars 2019).

Pra, ja ku fleka lepuri: Pandi do më shumë partinë socialiste, si një parti me udhëheqësi antishqiptare, kurse Shqipëria për të na qenkej e huaj, se ai, siç do të sqarohet më poshtë, qenka bullgar.

Më shumë se 11 vjet më parë, faqja e internetit “fv.al” e datës 27 mars 2009, pati botuar një material interesant për Pandeli Majkon, me titull “Origjina e Pandeli Majkos, ky socialist “i shquar””. Aty thuhet:

“Në verën e vitit 1991, në Ambasadën e Bullgarisë në Tiranë u paraqit një grup shtetasish shqiptarë me nacionalitet të supozuar bullgar, kryesisht me origjinë nga Gollobërda, Gora dhe Prespa, që qenë nismëtarë për krijimin e shoqatës “Ivan Vazov”, e cila do të bashkonte bullgarofonët e Shqipërisë. Në këtë grup qe dhe një djalë i ri, që binte në sy për dy veti që do të mbeteshin më të spikaturat për të edhe në të ardhmen, se flokët kishin filluar t' i thinjeshin shumë shpejt dhe se vazhdimisht qeshte. Kur i erdhi radha që të prezantohej, njeriu që kryesonte grupin, Namik Dokle (i cili, meqë ra fjala, më pas nuk pati më dëshirë që t’i kujtohet kjo aventurë bullgare, sepse familjarët e vet u bënë nismëtarë të orientimit të Gorës nga Serbia), me sensin e vet të njohur të humorit, e prezantoi djaloshin si inxhinier Pandeli Majko, bullgar i padyshimtë dhe i pastër, jo vetëm nga emri, por edhe nga shpirti. Pandeli Majko reagoi duke bërë të vetmen gjë që ai realisht di të bëjë, ai qeshi. Diplomati bullgar që i priste dhe të cilit i bëri përshtypje mbiemri i të riut, pyeti për origjinën e tij. Djaloshi Pandeli Majko tha se origjina e familjes së vet qe nga Prilepi i Maqedonisë ku pati lindur babai i vet, Sotir Majko”.

Në vijim, në atë material flitet se cila do të ishte ecuria e jetës së Pandeli Majkos, si inxhinier mekanik.

“Çfarë do të bënte djaloshi 24 vjeçar Pandeli Majko me diplomën e inxhinierit mekanik, diplomë kjo që në Shqipërinë e vitit 1991 vlente praktikisht aq sa njëzet centimetra lëkurë viçi me të cilën qe veshur, aq më tepër që Majko dhe notat i kishte të ulta? Sigurisht asgjë. Djaloshi Pandeli Majko qe në kërkim të një alternative. Atëhere qe koha kur në Shqipëri inicohej krijimi i gjithfarë shoqatave dhe organizatave të etnive dhe kështu Pandeliu një ditë dëgjoi për nismën për krijimin e shoqatës së shtetasve shqiptarë me origjinë bullgare. Atëhere thuhej se kjo shoqatë do të kishte mbështetje të madhe financiare nga shteti bullgar dhe diaspora bullgare në Perëndim, çka për Pandin do të thoshte një alternativë për të nxjerrë bukën e gojës pa shumë mund. Kështu që Pandi, të cilit iu kujtua historia familjare bullgare, e kapërceu “Rubikonin” dhe iu përkushtua çështjes nacionale bullgare, duke zgjedhur të qe një “minoritar” bullgar në Shqipëri. Por Pandeliut nuk i eci dhe aq në këtë aventurë, pasi grupi nismëtar i shoqatës “Ivan Vazov” u bë shpejt një fole intrigash, ku një zog ende pa pupla nuk akomodohej dot. Por, Namik Dokle, nismëtari i krijimit të shoqatës “Ivan Vazov” qe ai që do t’i hapte Pandit perspektivën e vërtetë, duke e lançuar djaloshin Pandeli Majko në politikë”.

Dhe Pandeli Majko, si edhe dikush tjetër nga radhët e neokoministëve shqiptarë, të cilët i ngjiti në skenën e politikës demoshëmtia dhjetoriste shqiptare, nga bankat e universitetit, me një diplomë inxhinieri krejtësisht formale në xhep, përfundoi në kolltukun e deputetit të Kuvendit, i cili do të çelte perspektivën ylberiane për shumimin e oligarkëve parazitë. Dhe Pandi, duke thënë me vete “kur të vjen e mira në derë, s’ka nevojë t’ia hapësh, se e mira e hap derën vet”, me siguri që duhet të ketë klithur nga entuziazmi kur ka firmosur listëpagesën e “ylefesë” së parë: “për hair më qoftë rroga e parë në jetën time si deputet!”. Dhe që asokohe, Pandi, për më shumë se 28 vjet rresht, vazhdon të firmosë listëpagesën për marrjen e “ylefesë” dhe as që është kujtuar më ndonjëherë për “diplomën e inxhinierit”, e cila i ka zënë myk diku në ndonjë “zgëq” të shtëpisë. Domosdo. Ç’i duhej Pandit puna e inxhinierit, i cili bukën e gojës e fiton me djersën e ballit, kur dihet që politika në Shqipëri është biznesi më fitimprurës, madje është kaq fitimprurës, saqë, pa derdhur fare pikë djerse, të bën milioner dhe miliarder, duke të ndihmuar që kapitalin financiar ta fshehësh nëpër bankat e huaja pa kurrfarë mundimi.

Në rubrikën “komente” për materialin e sipërcituar për Pandin, më bënë përshtypje të thellë dy ndërhyrje. E para mban pseudonimin “mirela”, ku thuhet: