TURPI NË RADHËT E TË PATURPSHËMVE



Nga Frank Shkreli

Ja dhe turpi i radhës në Shqipëri. Ndodhi prap “Turpi në radhët e të paturpshëmve”. (Në të vërtetë ky është titulli i nji libri anglisht (Shame among the shameless) që jam duke lexuar tani e që mund të jetë subjekt i një shkrimi tjetër më vonë, libër që ka të bëjë me krimet e komunizmit në Shqipëri), por titulli është aq i përshtatëshëm edhe për situatën aktuale politike në lidhje me miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në parlamentin shqiptar. Se, ai turpi i qershorit të vitit të kaluar nuk mjaftonte, as për politikanët shqiptarë as për ndërkombëtarët, siç duket. Ka të ngjarë që qershorin e vitit të kaluar, nuk e kishte marrë vesh e gjithë bota se si, vërtetë, organizohen dhe si mbahen zgjedhjet në Shqipëri.

Por, ja do shikoni tani se si, me ligjin e ri, do të mbahen zgjedhjet e vitit të vjen në atë vend. Sot, Kuvendi i Shqipërisë me shumicë socialiste miratoi, njëanshëm, ndryshimet e Kodit Zgjedhor për listat dhe koalicionet zgjedhore, ndërsa opozita jashtë parlamentit e quajti këtë një akt antikushtetues, që shkatërroi marrëveshjen e 5 qershorit, ndërkohë që “opozita” mbrenda parlamentit i dha shumicën e votave mocionit të shumicës socialiste. Nëqoftse jeni të konfuzuar, prisni se nuk kini parë gjë ende.

Shoh se po bëhen komente dhe po shfaqen reagime mbi miratimin e këtij ligji në parlamentin shqiptar, nga burime të mbrendshme dhe të jashtme. Unë nuk kam ndonjë reagim të ri, pasi nuk ka asgjë të re për të thenë, për diçka që jemi mësuar tanimë për 30-vjet -- se në Shqipëri nuk ka pasur, nuk ka dhe siç duket as vitin që vjen nuk do të ketë zgjedhje të lira -- me standarde ndërkombëtare -- e si rrjedhim nuk ka as nuk do të ketë as demokraci të mirëfilltë në atë vend.

Por, po u ofroj lexuesve -- atyre që nuk e kanë lexuar fillimisht -- reagimet e mia pas zgjedhjeve vendore të qershorit të vitit 2019 në shkrimin q; ;sht; botuar m; 3 Korrik, 2019 – dhe i cili, kryesisht, përmbledh reagimet e mia edhe në lidhje me zhvillimet e sotëme në parlamentin shqiptar. Titulli i shkrimit ishte: Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar!

Natyrisht, se disa të dhëna të shkrimit, më shumë se një vit më pare, pasqyrojnë zhvillimet me rastin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019 dhe janë jashtë afatit, por parimet dhe përfundimi janë të njëjtë: Shqipëria nuk ka marrveshje të të gjitha forcave politike për “rregullat e lojës” për të orgnaizuar due për mbajtur zgjedhje të lira, të drejta dhe gjithpërfshirse dhe as të ndershme.

Është vështirë të flitet për nder dhe ndershmëri, kur kemi të bëjmë me turpin që gjithnjë pasqyron e gjithmonë shoqëron organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Duke u bazuar në zhvillimet e deritanishme për përgatitjen e zgjedhjeve të vitit që vjen, as shqiptarët as ndërkombëtarët të mos presin një proces të ndershëm, as zgjedhje me standarde ndërkombëtare!

Frank Shkreli/ Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për Kombin shqiptar!

Gazeta Telegraf

3 Korrik, 2019

1845

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë

Ja erdhi dhe shkoi edhe 30 qershori i “votimeve” të Edi Ramës, sepse zgjedhje këto nuk mund të quhen, bazuar në asnjë standard ndërkombëtar. Gjatë viteve, nëpërmjet shkrimeve modeste, jam përpjekur të shpreh mendimet e mia modeste – për mirë e për keq – mbi zhvillimet politike të këtyre 3-dekadave post-komunizëm në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Prandaj, kësaj radhe, nuk dua të përsëris zhgënjimet e mia të njohura, në lidhje me klasën aktuale politike dhe mungesën e zhvillimeve të një demokracie të vërtetë në trojet tona shumë të vuajtura. Sepse po të bëja një gjë të tillë, do të mërzisja, jo vetëm lexuesin por edhe veten time. Prandaj, me këtë rast, dua të shpreh, shkurtimisht, zhgënjimin tim personal mbi votimet e fundit në Shqipëri – në përputhje, pak a shumë me reagimet e shprehura në media nga disa kolegë të mi të nderuar nga Amerika, si Profesor Sami Repishti, Profesor Nikolla Pano dhe Dejvid Filips. Në qoftë se këto fjalë të mia mund t’iu duken pakëz si të ashpra, iu kërkoj falje, por dalin nga zemra e një shqiptaro-amerikani, i cili e do Kombin e vet, dhe që mendon dhe beson, se Kombi shqiptar – pas njërës prej diktaturave më të egra komuniste në botë – meriton shumë më mirë se kaq. Në të vërtetë unë jam zhgënjyer edhe nga mos reagimet e diasporës e, sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me gjendjen e krijuar në Shqipëri. U garantoj se po të ishte imponuar kjo gjendje sot nga të huajt – nga sllavi, greku, turku ose italiani – shqiptarët e Amerikës do i shikoje me pllakata në protesta para Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe Shtëpisë së Bardhë. Por ç’të bëjmë tani, të protestojmë para botës, shqiptari kundër shqiptarit?!

Si mund të quhen zgjedhje, votimet me një pjesëmarrje prej më pak se 20% e shqiptarëve që kanë të drejtë vote, ndërkohë që në shumicën e rasteve, kandidatët socialistë ishin pa asnjë kundërshtar?

Çfarë qeverie, kudo qoftë, do të ndihej krenare për organizimin e një spektakli të tillë të shëmtuar?

Organizimi i tyre ishte i turpshëm dhe mbrojta e atij procesi, nga nivelet më të larta të qeverisë dhe të partisë në pushtet, është një ofendim i inteligjencës së shqiptarëve por edhe i ndërkombëtarëve, për të mos thënë poshtërsi për vetë procesin.

Ky ishte një ushtrim i kotë politik, krejtësisht pa asnjë vlerë. Një humbje e madhe për qeverinë dhe kryeministrin e saj! As opozita të mos festojë, se nuk ishte fitore as për opozitën e bashkuar. Mos mendoni se shumicën e 80% të shqiptarëve që nuk votuan të dielën që kaloi, i kini me vete, sepse unë e di dhe ju e dini mirë se nuk janë as me ju. Du