top of page

TRYEZË TJETËR...


TRYEZË TJETËR BERISHA - NANO?! 4 mars 2004, Gazeta “Shekulli”

(Së pari Berishën e vunë në dyshim “të djathtët”, pastaj njerëzit “në qendër”, pastaj aleatët perëndimor...)

Ka një arsye të vetme që Berisha të ulet në bisedë me Nanon. Ka vetëm një "sepse" që Nano të bisedoj me Berishën. Të dy fjalitë e mësipërme njëjtësohen duke njëjtësuar padobinë e një marrëveshjeje tjetër midis më të fuqishmëve në politikën aktuale. Nano dhe Berisha e kanë humbur të drejtën për tu besuar në dialog. Nëse të dy bien në një mendje, të lejohen të ulen në një tryezë vetëm për të vendosur vetë-largimin e tyre nga monopoli mbi partitë bazë të këtij pluralizmi që na u imponua, nga monopoli absurd i autoritarizmit personal… Berisha dhe Nano kanë dhënë prova të mjaftueshme të pamundësisë së qeverisjes së këtij vendi nën “pozitat’ dhe “opozitat” e predominuar pafundësisht prej tyre. Mjaft një rikujtesë ç’ka është publikuar në dhjetë vjetët e fundit dhe kronologjia e politikës rrezikon të rezultojë si nekrologji për alternativat, pluralizmin politik por edhe për jetët e shpresën e shqiptarëve, demokratë e socialistë së bashku. Ka jo pak njerëz që mendojnë se s’mund të vihet shenja e barazimit midis Berishës e Nanos. Secili ka arsyet e pa/arsyet e veta, të shkuarën, këndvështrimin, kontributin, interesat krijuar e shfaqur përgjatë jetës. Argumenti i njërës palë, që Berisha gjithsesi është tjetër nga Nano, mund të ketë prioritet, por zor te pranohej i tillë duke radhitur rastësitë kohore që e bëjnë superior përballë Nanos. Argumenti i njërës anë nuk shërben dot si argument për palën tjetër. Ndokush mund të kujtoj se Berisha ishte në krye të PD-së në rrëzimin e kryeministrit të fundit komunist Fatos Nano dhe, pas kësaj, si mund të shtrohet ideja e largimit te tij njëherësh me Fatos Nanon?

Berisha erdhi ne pushtet në emër të së djathtës dhe të demokracisë, në emër të respektimit të së drejtës së shqiptarëve të nëpërkëmbur; Nano ishte në anën tjetër të barrikadës; Berisha ishte Njeriu i Perëndimit, Nano pranoi të printe Lindjen që perëndonte!

Në një analizë tjetër: Berisha sot nuk i gëzon më parametrat që ia dhuroi koha e shpresës, të cilat për vite i artikuloi me karizëm; s’mundi të mbetej në nivelin e asaj që premtoi sipërmarrja me të cilën ishte ngarkuar. Berisha është pa-pushim i mallkuar prej të majtëve, por më të zhgënjyerit prej tij janë të djathtët.

Nuk ka pse të imagjiojmë ç'ka ndodhur kulisave, por s'mund ta harrojmë atë që u shfaq shesheve në Shqipërinë e 1997-1998. Përballë ishin pikërisht këta të dy por, a s’erdhi një rezultante kohe kur të tëra "asetet" e Berishës, kaluan në dorë te Fatos Nanos?! Deri edhe mbështetja prej Atlantikasve!

A thua u harruan tërë ato që kishin bërë, apo deklaruar këta dy për rolin e amerikaneve në Ballkan (Berisha pro, Nano kundër), apo mënyra e formulimeve e distancimit të tyre nga diktatura (Berisha anti-Nano më-dyshës), dhe plotë momente të tilla thelbësore?

Berisha besohet se u nisë për të bërë diçka të madhe, por nuk i kishte këllqet për sipërmarrje të tillë, "i pa-shoq" në zgjedhjen e atyre që mbante afër dhe në ironinë e papranueshme ndaj bashkëpunëtorëve të cilëve "u jepte të drejtë të iknin nga PD (!)" sikur PD të ishte e hipotekuar në emrin e tij!

Së pari Berishën e vunë në dyshim “të djathtët”, pastaj njerëzit “në qendër”, pastaj aleatët perëndimor...

Në këtë “vetmi demokratike”, Berishës i erdhi momenti kur tërë Shteti i Tij iu shkërmoq në duar.

Deri edhe njerëz që kanë besuar tek ai njeriun e ndershëm e të palodhur, s’po kuptonin më ku qëndronte ndershmëria e tij, për çfarë ishte lodhur ai njeri?!

Nano ka natyrën e tij, të lë pamend në sjelljen kur bëhet me pushtet. Vetëm në raste krizash reale, apo të sajuara, ka rrezatuar paksa seriozitet, qëndrueshmëri e vullnet, por vetëm sezonalisht. Pjesa prej qytetari tolerant nuk arriti të shndërrohej në veprim të njeriut të përgjegjshëm politik, aq më pak si burrë shteti, sigurisht kur është fjala për shtetin shqiptar.

Ato që "mbeten" prej Nanos janë batuta humoreske, ato në raste tensionesh maksimalë. Pjesën tjetër të kohës ai e ka përdorur për ta pasur pushtetin si mundësi për të manifestuar "liberalizmin" vetjak, por liberalizmin në kuptimin që i jepej liberalizmit deri ne Plenumin e 4-t kundër shfaqjeve të huaja!

Edhe pse të ndryshëm, të dy, Nano dhe Berisha, kanë qenë "bashkë", prej fillimeve, madje prej "para-fillimeve" të pluralizmit të dytë shqiptar (pluralizmin e pare, atë të viteve '20-'30, as edhe Berisha s'e ka pasur qejf ta zinte ne gojë!). Së paku prej Triestes, duhej të niste bashkëpërgjegjësia e të dyve për atë që do të ndodhte në Shqipërinë e varfër me ëndrra si të rrallëkujt tjetër, së paku në Europë. Duke heshtur për të shkuarën e tyre në shoqëri pa liri, të përafërt, ata kanë lënë memecë ndjekësit e tyre, të turbullt tërë të tjerët të cilëve u ranë për fat si liderë të partive më të mëdha të këtij vendi aq të vogël sa çdokush mund ta futë në xhepin e vetë!

"Brenda dialogut" Berisha dhe Nano, s’merret vesh për çfarë kanë biseduar e vendosur: asgjë e mirë për Shqipërinë afatgjatë.

S’është se kanë folur për pronat e pronarët e vjetër apo të rinj, nuk kanë garantuar zgjedhje të lira e pluralizëm real, as kanë folur për Shqipërinë në Europë, pra as për punët e kuletat e shqiptarëve. Përkundrazi, Tryezën e Tyre e kanë përdorur për të mos qasur tjetërkënd në të! Fill pas rrënimit të dialogut midis, mëria dhe inatet midis e kane marrë Shqipërinë pas vetes në theqafjen politike. Nëse pak-o-gjë ç’kanë biseduar, le të vëmë re për çfarë grinden: Nano herë/herë e harron burgun, ia falë Berishës, por kur veza i gjendet ngushtë, brenda KPD-së a presione ndërkombëtarësh, e kthen Bënçën në Flamur të socialistëve shqiptarë, që nuk e dinë se çdo fitojnë nga inati i vjetër i shefit që, po ai, herë/herë kthehet në gjoja vullnet e dëshirë për dialog.

Asnjëherë nuk u ka folur qartë ndjekësve të vetë se çdo të thotë të jesh edhe ish-komunist i PPSH-së, edhe në Internacionalen socialiste të Blerit, pranimin në të cilën nxiton t’i gëzohet pothuajse vetëm familjarisht!

Berisha, në të gjitha përmendjet e burgut, ia kujton me të qeshur Nanos denoncimet e “të tijve” sipas të cilave ai s’mund të mos e burgoste “për korrupsion”! Ka qenë me faj Nano që u dërgua në Bënçë apo jo? Nëse po, përse më 1997 Berisha e përfshiu Nanon në amnistinë e këtij viti të mbrapshtë (për shqiptarët), pa u kujtuar se viti i korrupsionit apo i burgosjes së rivalit nuk përkon me atë të trazirave të 1997-ës?!

Kush i garanton shqiptarët që alternimi midis tyre, nuk do të përsëris të njëjtën farsë të turbullt në vend? Përsëri e përsëri si në vitin 1991: me rrëzimin e Nanos nga Berisha, me rrëzimin e Berishës nga punisto-socialisto-europianët e Nanos! Gjithnjë kështu: Berisha rrëzon Nanon, Nano Berishën! Bjerë e ngrihu për tu rrëzuar prapë, mbetet viktima e përbashkët, Shqipëria. E përse duhet vazhduar më tej kështu?

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page