ZYHNI BEQIRAJ TRUMFUES MBI DALLGËT E JETËS
I njohur në jetën e përditshme për urtësinë, ndershmërinë, zemërbardhësinë, mençurinë dhe shpirtin artistik, i tillë paraqitet Zyhni Beqiraj edhe në librin e tij “Mbi dallgët e jetës”, ku është alternuar autobiografia me kujtimet. Për strukturimin e tij, ai mes dy llojeve në të cilin shkruhet kjo gjini; atij ciklik dhe atij linear, ka zgjedhur këtë të dytin, pra duke e nisur rrëfimin qysh nga fëmijëria. Biografi i njohur anglo, spanjo, hebre Filip Guedalla (Philip Guedalla, 1889 - 1944), ka shkruar njëherë se “Autobiografia është një mjet i mrekullueshëm për të thënë të vërtetën për njerëz të tjerë”. Por, jo; Zyhniu i qëndron besnik kësaj të vërtete, si kur shkruan për shokët, miqtë e kolegët me të cilët e lidhi jeta dhe puna, ashtu edhe kur tregon për vete dhe familjen e tij. Si të gjitha familjet ulqinake të Durrësit edhe ajo e Ustabeqirajve, shquhej për vlera të larta morale dhe atdhetare. Zyhniu mban në gisht një unazë e vitit 1820, të trashëguar nga stërgjyshi Mustafa, e cila me një shqiponjë të stilizuar dykrenore, simbolizon mësë miri mjedisin patriotik, në të cilin lindën, u edukuan dhe iu përkushtuan dashurisë për Shqipërinë, brezat e asaj familjeje të nderuar. Natyrisht që çdo jetë njerëzore, mund të jetë e denjë për t`u hedhur në letër. Por jo kushdo e ka edhe talentin për ta bërë këtë. Zyhni Beqiraj, “Nderi i Qytetit të Durrësit”, jo vetëm që e ka kulturën e duhur dhe përvojën e shkruarjes dhe botimit të disa librave të tjerë, por dhe detyrat që ka kryer, si arsimtar, drejtor shkollash, Shef i Drejtorisë Arsimore, Deputet apo Drejtor i Agjensisë Kombëtare të Privatizimit, janë një arsye më shumë që ai përvojën e tij, njohjet që ka pasur, përpjekjet për kapërcimin e vështirësive, si dhe rezultatet e arritura apo mësimet që duhen nxjerrë nga gabimet, t`ua përcjellë të tjerëve, qoftë edhe si një pjesë modeste e zhvillimeve në qytetin tonë e më gjërë. Lidhja, qoftë dhe gjenetike me detin, e ka shtyrë atë që edhe jetën e tij ta krahasojë me dallgët e detit, të cilin edhe pse mund ta duash deri në shenjtërim, përsëri shpesh të duhet t`u nënshtrohesh tekave të tij. Të parët e tij kishin ikur nga Ulqini i stërlashtë buzë Adriatikut, ku kishin ushtruar profesionin e marinarit, deri dhe kapedanë të dëgjuar, dhe kishin ardhur po buzë tij, por tani në Durrësin e historive të pafund. Zyhniu edhe formimin e karakterit, përveç familjes, e lidh me detin, deri dhe me natyrën e tij “rebele”. Dhe këtu e ka fjalën për revoltimin e një njeriu përgjithësisht të qetë e të butë, kur ndeshet me padrejtësi e veprime të papëlqyera. Zyhniu reagon ndaj të keqes, pasi ai në ngritjen e tij, nuk i detyrohet askujt. Pa tendencë ekzibicioni, pra për t`u dukur kur flet për veten, ai sqaron se ka pasur plot detyra të rëndësishme, por ato i janë besur falë cilësive vetjake dhe aftësive që ka treguar. Për këtë edhe vetë pohon: “Unë asnjëherë nuk kam trokitur në asnjë zyrë për t`i kërkuar ato”. Vetëm duhet theksuar se në çdo situatë ai mbeti njerëzor që nuk harronte kurrë se ishte rritur nga prindër të mrekullueshëm në një ngushticë torturuese. Duke lexuar këtë libër, dy gjëra të mbesin veçanërisht mendje: dashuria e pastër për të tjerët dhe kujtesa e admirueshme. I bindur se nuk ka gjetur strehë asnjëherë në hijen e ndokujt, ai krenohet se e ka krijuar vetë hijen e vet. Dhe hija e Zyhni Beqirajt, u bë e dukshme qysh në ato rrugicat e qytetit kur luante me fëmijët e tjerë, dhe që ai i përmend me aq mall, në shkollat ku mësoi, dhe ku një rol të padiskutueshëm luajtën ata mësuesit e përkushtuar që e quanin veten misionarë, me nxënësit kur jepte vetë mësim që edhe pse shumë larg, atje në Kukës, nuk shfaq asnjë ankesë për mungesa e privacionet e njohura të asaj periudhe, po ashtu si drejtor në disa shkolla, ku ndërtoi marrëdhënie të shkëlqyera me kolegët dhe ku nuk reshti së punuari për ngritjen e nivelit pedagogjik të tyre apo ngritjen e kabineteve dhe bazës materiale në pajtim me kërkesat shkencore. I tillë, pra i thjeshtë dhe i komunikueshëm mbeti ai edhe kur iu besua drejtimi i arsimit dhe kulturës në Rreth. Kur e lexon librin, do vëresh se ai gjithçka e lidh me punën e shokëve dhe vartësve. I përmend ata dhe sukseset e tyre emër më emër, sikur të ishin pjesë e një ansambli harmonik. Ai, duke folur për detyrimin ndaj tyre shprehet: “...unë do të shkruaj edhe për njerëzit me të cilët punova, duke i sjellë me kontributet e tyre, pasi puna dhe jeta e jetuar midis njerëzve e nëpërmjet punës, ka qenë e pandarë... pasi puna e përbashkët na vendosi në krah të njeri - tjetrit”. Dhe na shfaqen para syve, dhjetra e dhjetra emra mësuesesh e mësuesish të nderuar që vunë gjithë dijet dhe shpirtin e tyre për edukimin e fëmijëve tanë. Në këtë drejtim edhe mësuesit e rinj, kanë se ç`të mësojnë nga përvoja e tyre. Por Zyhiu u përfshi edhe në proçeset e demokratizimit të vendit, ku la përshtypjen e një politikani pajtues i cili e shihte qënien si drejtues i PS në Rreth, nënkryetar i Komitetit Pluralist, apo deputet i Parlamentit dhe drejtor në AKP, si shërbim ndaj çdo shqiptari pa dallim. Miqtë e tij, janë të ç`do krahu. Të gjithë e duan dhe e respektojnë atë dhe kjo duket qartë te përshtypjet që ata kanë dhënë për të në këtë libër. Zyhniu ka pasur bashkëpunim edhe me shumë politikanë të vendit ndër vite, edhe në situata aspak të lehta, ndaj na i jep ashtu siç i ka parë vetë portretet e tyre, me të mirat e të këqiat që kishin. Edhe pse shumë prej tyre i ka pasur kundërshtarë politikë, ai i ka përshkruar ata, realisht e pa asnjë mllef, pavarësisht edhe ndonjë padrejtësie që i është bërë. Familjar i shkëlqyer, ai i është mirënjohës gruas së tij Lidia që i ka qëndruar gjithmonë pranë për rritjen dhe edukimin e djemve të tij të mirë Mentorit dhe Artionit. Me këtë libër, figura e Zyhni Beqirajt del e plotë, por sikur të shtonim edhe faktin se ai edhe tani në pension drejton me kompetencë shoqatën “Ulqini” dhe kompozon këngë të bukura që i përmbledh në disa albume muzikore, do të shtoja se nuk gaboj po të sjell për të fjalët që Mark Antoni te Shekspiri, thotë për Brutin: “Elementet e karakterit shkrihen aq mirë brenda tij, saqë natyra mund të ngrihet duke i bërtitur botës mbarë: Ishte një njeri!”
コメント