top of page

TROKËLLIMA “PEGASIANE” QË NUK NDALON




Vladimir Muça: “PEGASIANE”,poezi, botoi SHB “ADA” – Tiranë, 2017

Vladimir Muça (1948), në opusin e tij krijues njihet si poet, romansier, prozator dhe studiues i përkushtuar, krijimtaria e të cilit është prezantuar në dhjetra përmbledhje të këtyre zhanreve letrare dhe shkencore. Të tillë, plot invencion, me kurreshtjen për çasje të parreshtur temave që e preokupojnë, e takojmë edhe në përmbledhjen e poezive “Pegasiane”. Ai, nuk shkruan sa për ta përmbushur kuotën sasiore, por në krijimtarinë e tij zënë vend shkrime të “shtrydhura” mirë, deri në shkallën e provokimeve për lexuesin në zbërthimin e çdo vargu e fjale, që pastaj në kontinuitet kohor të krijojnë imazhin e një bote të stërholluar mendimesh poetike.

Veçantia e leximit të çdo cikli poeti

Të rralla janë rastet kur brenda një libri poetik takon poaq libra të veçantë, varësisht në sa cikle poetike është e sistemuar ajo. Që në fillim krijohet përshtypja se të sillen vërdallë tema e ngjarje nga jeta, tradita, fenomenet e ndryshme natyrore e deri te raportet konvencionale të personazheve nga përditshmëria jonë, plot ngjarje e preokupime, qofshin ato edhe ditore, por që mbeten në kujtesën e autorit si diçka që ia ndrydh ndjenjat krijuese për të lënë gjurmë të përhershme në krijimtarinë e tij. Kjo, mbase njëherë dikujt do t’i reflektoj në kujtesë, qoftë si veti apo fenomen që mund të ndodh në kohëra të ndryshme, por me efektshmëri të njëjtë, sikur ta kujton momentin e pikërishëm që po jetojmë.

Strukturimi i librit në katër cikle, krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me paraqitjen e katër librave të veçantë, të vendosura nën një çati të përbashkët “Pegasiane”, që simbolizon hapërimin e pandalshëm në gjetjen sa më efikase të shprehjes poetike dhe komunikimit të gjërë përmes temave të përditshmërisë plot preokupime e ëndrra të reja, me lexuesit. Ciklet: “Erërat e shpirtit”,“Gjergjefi i shpirtit”, “Shpresë e thurje ëndrrash” dhe “Dhe gurët qajnë për një fjalë”, vijnë të rrjeshtuara si një trup i përbashkët, që brenda një pike komanduese hapërojnë shtigjeve të jetës, duke eksploruar efektshëm ngjarje e fenomene të ndryshme, që veç syri vigjilent dhe ndjeshmëria e hollë e poetit mund t’i fiksoj, madje edhe deri në imtësirat, që me teknologjinë bashkëkohore do të mateshin me njësitë e pikselave (të fiksionit) në brendësinë e thellë të objektit, a fenomenit që pikaset nga krijuesi.

Vladimir Muça, që në fillim, me “Erërat e shpirtit”, paralajmëron për gatishmërinë e tij që të ndjek kujdesshëm çdo veçanti që e karakterizon jetën dhe ndryshimet e shpeshta aty ku jeton dhe, gjithnjë duke frymuar shpirtërisht me ambientin e tij, të ngop “mushkëritë” krijuese me aromën përcëlluese, që ia mban të patjetërsuar kujtesën për të djeshmen, për bukuritë e ambientit, për familjen, e në veçanti për ata që i bënë “favoret” që të ndien përfundimisht vullkanin e gjakut të paraardhësve që e frymëzuan me emrin dhe virtytet e tyre.

Për ta zbërthyer më afër këtë që u tha deri këtu, për afrinë me njerëzit e tij dhe fuqinë reflektuese në jetën e këtej dhe përtej kësaj bote, po sjell në tërësi poezinë “Testament i babait”, që të shijohet dhe analizohet nga lexuesi si realizim i mirë që shpërfaq elemente të lidhjeve të ngushta me paraardhësit, përvojat e të cilëve reflektojnë fuqishëm edhe në gjeneratat e reja të trashëgimisë familjare:

“E kërkuan nga do…

E kthyen përmbys shtëpinë,

Të gjenin testamentin e trashëgimisë.

Në valixhen shekullore, mbyllur mirë

Me një Sezam,

Gjetën vetëm pasqyrën

Ku babai shihte veten

Çdo ditë në të gdhirë.”

(Po aty, - fq. 23)

Këtu pasqyra simbolizon vetëdijen e njeriut, gjithnjë duke e shikuar në çdo hap, me përcaktimin kohor të së kaluarës dhe në kontest të ruajtjes së karakterit dhe virtyteve të një kryefjale të familjes, barometër i saktë matës i veprimeve të prindit, përmes të cilit ecet tutje me pasardhësit, në kultivimin e kulturës së jetës dhe ruajtjen e vlerave të familjes së shëndoshë dhe vetëmohuese. Testamenti që flet me realitetet e jetuara, me vlerat e një pastërtie shpirtërore të mbyllura “Në valixhen shekullore”, transmeton mesazhin e fuqishëm të ruajtjes së traditave të çiltëra familjare në ndërtimin e jetës me nder e bujari.

Edhe poezitë: “Apokalips 1997”, “Emigrant”, “Fëmijët e romëve”, “Stinë e emigracioneve”, “E premtja e paqme”, “Elegji e një plaku”, “Të këqijat e emigrimit”, “Letër refugjati”, “Buzëqeshje mërgimi”,Vendlindja”, “Zaireja e nënës”,Shijaku”, “Dita e verës në Elbasan”, “Qyteza buzë detit”, “Festë në Gostivar”, “ etj. kujtojnë ngjarje e motive të shumta për atdheun që po përjetonte ndryshime të shumta. Këtu, kuptimi i jetës së njeriut vjen i pasqyruar me vuajtjet, emigrimin, ritet e zakonet, që mbështjellin si tis mjegulle vendin, të pasuar me pamje trishtuese, me dhimbje, etj. Sakaq kjo situatë rrjedh spontanisht, sikur është e kurdisur të pësoj humbjet e mëdha të njerëzve, që i ruan në kujtim edhe “Shkëmbi i Rodonit/ Si gisht stërmadh në breg,/ Dëgjon mite, legjenda uji,/ Mbytur diku thellë në det” (“Rodoni”, fq. 22). Nuk mund të anashkalohet as ndiesia e bukurive të vendlindjes, që vijnë të latuara përmes vargjeve për “Vendlindjen” për “Durrësin”, “Plepin e egër”, pastaj për“Pishat e prera” dhe “Erzenin”, që pasqyrojnë imazhin dhe bukuritë e vendit, pa mos e harruar asnjë herë më të dashurën, familjen, dashurinë dhe mungesën e ndonjërit prej pjesëtarëve të saj, që me besnikëri i paraqet përmes vargjeve në poezitë: “E ngrohta fjala jote”, “Ndarja me nënën”, e sidomos me poezinë nistore “Larg gruas në mërgim”. Mbresëlënëse vijnë edhe poezitë përkushtuese: “Mozaikisti”, “Çiftelia” dhe “Pavdeksi e shenjtëruar”, përmes së cilës e përgjithëson prezencën e personazhit, duke e trajtuar si të pandarë nga vendi ku u krijua, duke e mbrunë në shpirt mallin për të, si udhërrëfyes i brezave gjithandej: “Emëri Esad në ekuinoksin e viteve/ Poet ngadhnjyes në mitin tim;/ Më sjell si muzë vargje drite/ E më ndjekin strofave si vetëtimë”(po aty, fq.24). Një çasje kaq e përimtësuar këtij cikli poezish personifikohen katërcipërisht “Erërat e shpirtit”, ku, siç shprehet autori me vargun e tij “Duart e rrugnajës/ Drejt vendlindjes/ Më bjerrin gjithnjë” (po aty, fq. 35).

Qëndismat “Pegasiane” që nuk shterrojnë

Mbi dyzetë poezitë e ciklit “Gjergjefi i shpirtit” nuk pushojnë vrapin “pegasian” me shpirtërat e bardhë që farfurojnë ëmbëlsinë e shpirtit, për ta kurorëzuar me përjetime ëndërrimtare të jetës. Poeti e fillon me njëjsin vetës së parë, me poezinë “Thellë vetes time flejnë kujtimet” për të shpërfaqur atë që mund ta ndiej nga thellësia e shpirtit, pa mos e fshehur as edhe për një çast gjithë mrekullin që e përjeton në raste të tilla, siç do ta përmbyllte me vargjet: “Thellë vetes time flejnë kujtimet/ Nëse kush s’më gjëndet/ Ata i kam parë,/ Siç erdhi/ Me prapësirat e bëra buzë Erzenit/ Kur një mike më ndezi,/ E në shpirt më vuri zjarr/” (po aty, fq. 51). Pasioni i këtyre mrekullive e përshkon në vazhdimësi autorin, për të pikasur edhe çaste të shumta, që në poezinë pasuese e shpreh me fuqinë e njëjtë të sensit poetik:

“Pasionet e çastit i djegim si rrufetë

Tek gërvishten qiejt nga retë gri, pa shira,

Mbi mitet e Safos, ne botë të vërtetë

Shtrojmë lëndina ndjenjash, botë me çudira”

(”Dashuria nuk ka maskë”, fq. 52)

Vladimir Muça nuk mund ta anashkaloj pa e kujtuar kohën e kaluar, edhe tash kur kanë ikur mbi “Dyzetë vite ndarë, u zhdukën me magji”’, që siç do ta përshkruante në imtësira çastin e takimit “Tek vau i keckes”: “Puthje trëndafili këtu derdhëm tok,/ Një ditë gushti sfiduam trillimin/ E në lum u zhytëm atë mot” (po aty, fq. 53). Një tjetër situatë nga koha e ikur e shtjellon me poaq ndjesi e kujtim edhe tek poezia tjetër, ”Proskë e dashurisë parë”.

Ndërkaq, “Gjergjefi i shpirtit” pothuajse është qëndisma shpirtërore e përshkuar tej e tej me ëmbëlsirën e dashurisë, e cila vjen me trokëllimat e zemrës, që rrah edhe kur pushtohet nga befasia, edhe atëherë kur ndien mall e kur flaka e tundon pamëshirë, duke e pushtuar të tërën, si një hapësirë e destinuar për aterime të tilla ndiesore. “Akoma s’e di/ se si qesh ti,/ por di/ që në ata sy/ del qëndisur/ një gjergjef shpirti” (“Qeshja jote”, fq, 76). Në vazhdën e këtyre pamjeve të pasqyruara me vargun e tij, Vladimir Muça nuk ndalon me kaq, por ecën tutje me “Zjarrin e dashurisë” edhe në mot të lig“Natën nëpër shi”, duke ngarendur nëpër “një shi pranverorë” për të mbajtur “Peng” “…veç dy sy” (po aty, fq. 76). Aq ngusht e lidh këtë fije dashurie, sa nuk rresht së kërkuari edhe një “Premtim”, si shenjë besimi që gjithçka mund të shkoj mbarë, pavarësisht kujtimeve e “zënkave” të rralla të dashurisë: “Më premto!/ S’do vdesësh para meje./ Do vdesim/ në një minutë/ në një orë,/ në një ditë” (po aty, fq.83). Ky fiksim poetik flet më shumë se një dyzinë fjalësh e vargjesh tjera, se sa fuqishëm e ndien autori dashurinë e jetës dhe jetën plot dashuri. Mbase, ky duhet të mbetet udhëzim dhe “Dëshirë e dashurisë”!

Nuk mund të mos kujtohen edhe shumë nga poezitë me këtë motiv, që sjellin ngjyrime të bukura poetike, me petkun e dashurisë, që ndonjëra paksa mund të dalloj nga tjetra për cilësinë e realizimit, për trajtimin dhe veçantitë tematiko-letrare më të avansuara, si: “Kërkoj miken e vjetër”, “Veç syri s’plaket”, “Më trazove ndjenjësitë”, “Ti diçka fsheh”, “Zënkë flokësh”, “Qeshja jote”, etj.

Kalimi nëpër këtë farfuri ndjenjash me trokun “Pegasian” duke kaluar shumë shtigje, për të kuptuar se kah çon “Udha e dashurisë” me mallin e përhershëm mbushur me “Nostalgji erotike”, poeti sikur ia del ta përmbyll rrugëtimin atëherë kur do të. ketë arritur në pikësynimin tek “Dashuri e vërtetë”.

Gurët e fortifikimeve të një epoke

Dy ciklet tjera poetike:“Shpresë e thurje ëndrrash” dhe “Dhe gurët qajnë për një fjalë” shtrijnë gamën e veprimit në mes të njeriut që preokupohet me jetën aktuale, plot sakrifica e shqetësime dhe pjesës tjetër, që, pavarësisht kohës, kanë po të njëjtën fytyrë, me dallim të kostumit, me të cilin vijnë si maska të një kthese të historisë. E keqja asnjëherë nuk mund të shkëlqej, sepse është e mbështjellur me rrobën e zezë, si veprat që e identifikojnë.

Derisa cikli poetik “Shpresë e thurje ëndrrash” përshkohet tej e tej nga zëri kumbues i poetit, i cili përmes vargut të tij që nuk ndalon së kërkuari gjetje e tema të ndryshme, prek veset e smirëzinjëve, që asnjëherë nuk zgjedhin forma e mjete për t’ia arritur qëllimeve të tyre për përfitime të mëdha, fytyrat e të cilëve vijnë të pandryshuara, ashtu si karakteret që prezantojnë në jetën e tyre. Autori në shpërfaqjen e indinjatës së thellë ndaj këtyre veprimeve gjen format më të përafërta, për t’i pasqyruar përmes disa poezive që e ndërtojnë këtë cikël: “Dyert u kthyen në bankomatë, /Ku priten faturat e shtrimit./ fëmijët tanë/ Arnojnë plagët/ Në një cep/ Nën rrezet e diellit” (“Spitali publik”, fq.97). Poaq të trajtuara janë edhe poezitë: “Apokalips ushqimor”, “Pleqëria”, ”Poezi e kafshatës”, “Solidaritet”, etj. që rrëmbyeshëm krijojnë erozionin e pamëshirë të gllabërimit të gjithçkaje. Kështu, njeriu përballet me humbjen e durimit për ta takuar një tjetër kohë, që mund të konsiderohet “Shpresa e rikthimit”, nëse vërtetë do ta kenë fatin ta përjetojnë. Këtu mund të shtrohen shumë pyetje, duke prodhuar poaq përgjigje, por asnjëherë edhe një rrugë të qartë se cila është zgjidhja e shpejtë! Gjithë këto zhvillime kohore nuk i shpëtojnë syrit vigjilent të poetit, i cili “Si Homeri” do ta ketë fiksuar këtë situatë, meqë, siç beson dhe vet ai: “S’është e thënë të kesh sy/ Që të kesh mirësinë,/ Se sytë e shpirtit/ Flakërojnë trishtimin, mërzinë./ Ndaj Homeri s’e njohu verbërinë,/ Vetiu rilindi në gjithë njerëzinë” (po aty, fq. 102).

E një përmase të tillë shqetësuese paraqitet edhe pjesa tjetër e kohës, ndonëse e prekur me tranzicionin. Vladimir Muça ngre digë të pathyeshme mes njeriut të rëndomtë dhe atij të retushuarit, që ashtu i pispillosur ngarend gjithandej kah i arrinë hapi e i pikas syri, për ta rikthyer besimin në masë, për aq sa do të krijohen rrethanat e reja të kohës. Kjo, në parim është e tëra që pasqyron kohën e lartcekur, me personazhet, karakteret dhe gjithçka që e preokupon dhe e provokon autorin.

“Ata i kemi në mesin tonë

Vegjetarë të lashtë në histori

Dhe aherë kur i dimë të zhdukur

Spiunët ringjallen përsëri”

(“Spiunët”, fq. 113)

Kjo temë do trajtim edhe më, meqë ishte një uzinë e nxehtë e kohës, prej nga farkoheshin fate njerëzish deri në zhdukje. Të tilla janë edhe poezitë: “Djall-politikë”, “Epitafi i kurnacit”, etj. që sjellin pamje trishtuese të një makinerie politike që po shfrynte epshet me pangopësinë e saj, ku “Vdiq nga kurnacëria,/ Paratë i donte shumë;/ Një astar të ri xhybes/ Në jetë s’i vuri kurrë” (po aty, fq. 119).

Në këtë përmbledhje poezish prezantohen shtrirje të gjëra temash, poaq sa ka edhe cikle, madje dhe më shumë se kaq. Gama e gjërë e trajtimit tematik eksploron gjithandej hapësirave shqiptare, prej nga Vladimir Muça arrinë të shkund kujtesën për emra e personalitete të historisë, për veprimtarë të kauzës dhe për bukuritë e atdheut. Frymëzimet e tilla i gjejmë të shpërfaqura edhe në poezitë përkushtuese: ”Si zgalem me këngë armeni”, “Diçka do mbetet”, “Malle”, etj. Poashtu, gjejmë të trajtuara edhe ngjarjet për Mitrovicën, për luftën dhe sprovat e popullit të kësaj treve, që vazhdon të jetë temë politike dhe territoriale e vendit, përmes poezisë “Trishtimi i një qyteti”, për ta vazhduar edhe tek poezia me po këtë tematikë “Vaji i shelgjeve të Ibrit”.

Rikthimi në kujtesën e kohës së ikur dhe ngulitja në mendje e asaj periudhe për marrësin e vullnetshëm vijnë me poezitë: “Rikthimi në Libohovë”, “Vallëzimi i maturës mbas 40 vitesh”, “Xhelozi”, “Shtëpia buzë Torrës”, “Zgjim bleror”, “Amanet tim biri”, “I fundmi”, “Kënga e fshatarit-qytetar”, për të përmbyllur dhimbshëm nga qëndrimet e herëpashershme “Në vendlindjen e babait”, si e përshkruan poeti: “Nga shtëpitë/ Kanë mbetur/ Veç ca copëra muresh/ Që shpeh u themi muranë“ (po aty, fq. 174).

Elegji për një fëmijë” është dhimbja dhe realiteti në peshojë të kohës, ku një flakon serumi kushton një jetë njeriu, e pushteti bën sehir me situatën që e ka mbyllur në grusht dhe e shtrëngon sa herë i duhet arsyeja, me kërënimin se do ta ndrydh si vezën klluçe, që pastaj gjithçka mund të merr fund. Këtu preket tmerri me shpirt e me ndjenja! “Oh!.../ Kjo nënë me fëmijën e vdekur/ U ndoq veç prej vetmisë;/ Murlan’ i korrikut ia dogji xhanë,/ Lutjet i mbetën veç perëndisë” (po aty, fq. 135).

Kundruall gjithë këtyre ngjarjeve e bëmave të shtruara me kujdes e mjeshtri, poeti si duket një ditë do ta kërkoj pak kohë të mendoj edhe për qetësinë e vet, ose thënë ndryshe, për një intermexo pas gjithë këtyre peripetive. Këtë ikje e shpreh me fuqinë e vargut, në poezinë “Monolog për vdekjen”, ku siç thotë ai: “Do të iki, kur yjet të davariten,/ E muza e poezisë me vdekjen e saj/ Të më marrë./ Do iki,/ Kur kazani i rakisë/ Poezinë të vloj në llullajë;/ E vetiu të më derdhet boja,/ Pena të këputet si rrefajë” po aty, fq. 131). Ndofta kjo është prehja më e pranueshme, pas gjithë atyre tundimeve nëpër kohë e situata nga më të ndryshmet.

Dielli i mbuluar me shoshë dhe një hap përtej

Pavarësisht asaj që vlerësuam për librin, një ndalesë të tjetër do bëj tek Poema “Dielli s’perëndoi në rivierë”, ku paraqet një botë të veçantë nga kjo që takuam në të gjitha ciklet poetike të librit. Gjithnjë më bënte se e kisha lexuar edhe herë tjetër këtë poemë dhe ashtu doli. Ishte kohë e peozisë në Sarandë, kur po lexonim miqësisht edhe përtej orarit të leximeve. Kjo poemë ishte e freksët, poaq sa ishte i freskët edhe kujtimi për ngjarjet që po kujtoheshin nga krijues, njerëz të kulturës, studiues e familjarë, duke ndryrë në shpirt dhimbjen e një fatkeqësie në shumës, ku po hapej qielli e po rrëmbehej deti, atje ku jeta kishte kuptimin e ikjes. Netët e legjendave po thyheshin në suprinën e trazuar të Jonit e Adriatikut, poaq sa thyheshin edhe zemrat që ndaheshin, ndoshta, përgjithmonë.

Po ndodhte ndryshimi. Kjo ishte pritur kaherë, por shpërthimi erdhi i frikshëm, i shpejtë dhe jashtë çdo organizimi e rregullave. Mbi këto veprime u lëkund gjithçka nga vendi i vet. Edhe njerëzit në turma mësynin rrugët kah deti, rrugët e ënndrrave që besonin se do tu bëheshin realitet, por jo të gjithëve, sepse kishin një det në mes, që po u rrinte si humbellë e trazuar. “Në këto anë erdhi ora/ Që perëndimi si çiklikë të harrohet./ Muzgjet të zhyten/ në zhgunin e guackave,/ thellë,/ të mbartin mbi kurrize/ arkëmortin e mosqënjes,/ të bijvë e bijave bregdetas,/ lindur në shpërgëj lirie” (po aty, fq. 149), kështu do ta pasqyronte këtë gjendje përmes vargut plot shqetësim e dhimbje. Mëpastaj poeti, me tërë forcën shpirtërore thërret: “Ku shkomi o bij?/ O zot ku shkoni?”, duke shprehur shqetësimin e tij, gjithmonë duke aluduar në tejkalimin e kësaj gjendje, përmes situatave të krijuara. Sidoqoftë, kjo gjendje sa vjen e përkeqësohet, derisa vendi mbetet i boshatisur nga një pjesë e madhe njerëzish, të cilët ia mësynë vendeve tjera, ku: “Zogjtë e shpresave klithin,/ Si në motmote të përmbysura,/ Në qiejt e shpresave degdisur.” (po aty, fq. 155). Kjo përmbysje e gjithçkaje nuk mund të konsiderohej humbje e të gjitha shpresave, prandaj autori është këmbngulës e ende ekziston diçka që e ndalon të qëndroj në vendlindjen e tij, meqë e ftonte “Një fuqi Anteu më mban në këmbë,/ Nga fron i Zeusit në botën mitike;/ Po ajo vetëtimë ndriçon anë e kënd/ Çdo gjurmë joniane më bëhet mike./ Mbi krahë dallgësh mësyjnë shpresat tona/ Në Lukovë me një frymë;/ Mushkëritë joniane shfryjnë si Poseidoni,/ Vështrimi i kodrave s’ja ndan sytë.” (po aty, fq. 155). Një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, sa një shekull i tërë nuk e shemb durimin e autorit, i cili, përkundër këtyre situatave zezonë që e katandisën vendin, vazhdon të besoj fuqishëm se mbetja në vendin e tij, duke synuar arritjen e qëllimit të shembjes së një diktature dhe vënjen e themeleve të jetës së re janë vlerat kryesore të njerëzimit të kohës sonë, për të cilën, siç shprehet ai, me këmbëngultësi qëndron aty, ku ishin edhe të parët e tij prej shekujsh. Këtë veprim e arsyeton përmes vargjeve, ku arrinë të prek të gjitha skajet e gjeografisë së atdheut, të cilave u duhen dalëzotët e kohës:

“Shpirti pagan m’urtohet në k’to troje,

Ku eshtrat e Kosinës me to më ngjajnë,

Thirrjet stërgjyshore nën këmbë i ndiejmë

Nga Preveza, Pollogu, në lehonën Zarë”

(Po aty, fq. 156)

Poema “Dielli s’perëndoj në rivierë”, risjell në kujtesë kohën e ndryshimeve, të vuajtjeve dhe shpresave të reja, mbështjellur me boshllëkun mes dy kohërave që po përpëliteshin për jete a vdekje, duke i hapur rrugë dritës, që veçsa kishte zënë të vezullonte në fund të hapësirës shqiptare, për ta nisur fuqishëm një ditë të re të ëndrrave shekullore. “Vetmia në këto anë/ S’është më tabu/ Në fron të Zeusit/ Në majë të Vetëtimës./ Se edhe Virgjili kur u shemb nga dallgët/ Rrugën e gjeti nga ky burim i dritës.” (po aty, fq. 161), është fjala e fundit e një shprese të madhe, apo është fundi i një dikature të krijuar me dekada që po fundosej në dallgët e detit të trazuar?

…dhe fjala e fundit

Nga gjithë ajo që u tha më lartë, konsiderojmë se kemi të bëjmë me një materje poetike të mirëtrajtuar, duke sjellur vlera dhe mesazh të qëndrueshëm për marrësin letrar. Por, mbi të gjiitha, mund të konsiderohet si një vlerë estetiko-letrare e arritjeve me përkushtim, duke gërmuar thellë në kujtesën dhe traditën e lashtë, për tu paisur me mjaft figura e toponime, që pasqyrojnë abientet ku gjen frymëzimin poeti.

Vladimir Muça asnjëherë nuk i vë pikë fjalës së tij poetike, duke e lënë të rrjedh gurgullimë lumi që të ujisë në vazhdimësi pasionet artdashëse. Kështu, as këto fjalë modeste nuk mund të përcaktojnë përmbylljen e shkrimit, poaq sa nuk mund të besojmë se opusin e deritashëm nuk do ta pushtojnë edhe poezi e vepra të reja të autorit.

Asnjëherë nuk mund të konsiderohet se është përmbyllur gjithçka me një vështrim a përcjellje mbresash tek lexuesi, meqë çdo analizë a kritikë tjetër letrare mund të sjell edhe gjetje e vlerësime të reja “përmes rreshtave”, nga analistë e studiues tjerë, për ta zgjeruar gamën e njohurive edhe më rreth librit dhe vlerave të tij në vazhdimësi.

Prandaj, me plot të drejtë konsiderojmë se prekja e vlerave të reja edhe më shumë do t’na forconte miqësinë me poetin. Me besimin se kjo do të ndodh në vazhdimësi, këtij shkrimi i vendosa tri pika, si shenjë e portës së hapur prej nga do të vazhdohet me risitë dhe vlerat tjera poetiko-letrare.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page