top of page

TRISHTIMI I BACË HYSENIT



(tregim)


Nga Përparim Hysi Bacë Hysenin e kemi patur komshi,kur banonim në Petovën e re ( kështu quhej se jo vetëm qe i ri si fshat,por dhe se banohej vetëm nga jabanxhinj),se qemë ngjitur si mbi shpinë të fshatit të madh,banuar nga vendas,që dhe ky fshat quhej PETOVË dhe për t'u dalluar nga njëri-tjetri,quhej PETOVA e vjetër. Petova e re qe fshati im.Aty më ka rënë koka.Kam kaluar fëmijërinë dhe kam jetuar aty deri në vitin 1959, kur u zhvendosëm familjarisht nja 4 km afër FIERIT, në MBROSTAR-URA. Shkova nga shkova,por nga këmbët deri tek koka mbeta :p e t o v a r a k. Kam punuar mësues në këtë fshat gati për 25-vjet me radhë dhe, me të drejtë,them në një nga shkrimet e mia:- Shtëpitë e PETOVËS dhe, po mbeta qorr, i gjej me tahmin. Çdo shtëpi atje më priste dhe më pret me derë hapur dhe kam mall për fshatin dhe gjithë bashkëfshatarët e mi.

* * * Petova e re kish gjithësej 33 shtëpi (ndryshe nga Petova e vjetër me mbi 100 e ca shtëpi) dhe qe fshati më heterogjen që kam njohur,Kish skraparlinj, kosovarë,shqiptarë nga TREVAT SHQIPTARE të MAlit të ZI,boshnjakë dhe çamë. Bacë Hyseni qe i moshuar (gati sa im atë) ndaj i thërrisja Bacë. Qe nga fshtatrat shqiptare të Malit të zi. Jetonte vetëm me të shoqen, nënë FATIMEN dhe fare vonë e mora vesh,se ky çift ruantte një sekret: BACË HYSENI, një besimtar i thekur mysliman (çdo të xhuma(të premte) ai e mbante frymën në xhami,se këtë ditë falen myslimanët),në rini të tij paska qenë i flakës. Kish rënë në sevda me një malazeze me emrin MARIA dhe sevdanë e realizoi,duke e rrëmbyer MARIEN e bukur dhe,kur sosi në PETOVËN e re,ku ngriti shtëpi të re, MARIA qe konvertuar në myslimane dhe quhej FATIME apo FATIMA siç thirrej në fshat. FATIMJA apo nënë FATIMJA qe grua e zonja aq,sa pak apo fare pak, dallonte nga një burrë. Qëlloi atë kohë(aty fillim viteve '50-të) që Hysenin e morën ushtar rezervist dy muajor.Dukej qe kohë të mbjellash dhe FATIMJA,njësoj si burrat,mbreu qetë dhe jo vetëm e plugoi arën, por e mbolli njësoj sikur aty të ishte vet HYSENI. Ku ish parë kund në fshat që një grua të plugonte tokën dhe FATMIJA u"rrittë" para syve tanë. Sado që në vitin 1959 ,familjarisht u larguam nga PETOVA, ne me të gjithë ata që banonin në PETOVË të re,mbetëm miq. Këtë miqësi, më shumë se kushdo nga pjesëtarët e familjes,e mbaja unë.Kthyer mësues në fshat dhe, në këtë kohë për të cilën flet tregimi im (në vitet '70-të shekullit tjetër), vajza e vetme e HYSENIT dhe FATIMES,qe nxënësja ime në klasën e tetë,kështu që xhëku dukesha shpesh tek BACË HYSENI. Më prisnin që të dy (si BACA dhe FATIMJA e mirë) me krahët hapur dhe,ngaqë timatë e kish mik, shpesh "villnim" kundër partisë dhe Enverit. BACA Enverin nuk e donte,se i mori tokën dhe kërkonte që BACA të hynte në kooperativë, por BACA tokën e dorëzoi dhe në kooperativë nuk u fut asnjë ditë. Jo vetëm kaq,Enveri i mbylli xhaminë dhe BACA shante dhe stërshante duke gulçuar dhe një ditë, gati buzëplasur, më tha:- Kaq hajn sa aj(nënkupto:Enveri),nuk ka qenë as tartari. Tartari,me ardh,-shfryu,- s'ka me e arritë çetë! Qeshte tërë mllef dhe si sot feks para syve të mi një dhëmb prej floriri midis dhëmbëve të tjerë. Shpesh herë ka hapur barkun para meje

dhe, këtë radhë, për çudi,e gjeta duke i rënë kavallit. I vetmi që i binte kavallit,një fyell gati një pëllëmbë.Tek e gjeta duke i rënë kavallit mbi qerren që e ruante dhe e grastonte me merak, me siguri, mendova,do ketë një gëzim. Sa më pa,ndaloi. Hapi ata krahët aq miqësorë (eh,sa më mungojnë ata krahë aq të ngrohtë!) dhe më pushtoi me mall. * * * Kam ardh në kohë të mirë,BACË,- fola unë. -Po qe besa,si me të thanë. Po ja, BACË, po i bije kavallit dhe pa tjetër ke një gëzim. -Jo, mor jaran, por kavallit isha tuj ranë,se due me nxjerr trishtimin prej shpirtit. Dhe unë për të qenë më afër trishtimit të tij,pyeta:- BACË, a mundem me e nda bashkë atë të keqe që të ka gjetë? - Jo, jaran, nuk mundesh. -Bacë, po unë jam djali i HAZIZIT dhe nuk të ndahem pa e marrë vesh. - Jaran,-tha BACA, jam i trishtue,se mora vesh që sot më ka vdekë "hasmi!!!". Tani qe radha ime që të befasohesha dhe i them:-Por ky është gëzim, mor BACË e jo trishtim. Për ty po e për mue,jo. Dhe ma digjo këtë fjalën teme se kurrë nuk do të dalë keq. * * * Secili i gjallë,- tha Baca,- e ka ndonjë që ia do të ligën. Njeriu i mirë të ligën (apo njeriun që e ka kundërshtar),e mposht apo e mund me punën e vetë të mirë. I ligu, në çdo çap të jetës,asht tuj të përgjue dhe don me të pa keq e më keq. Ja,BACA yt,erdhi prej së largu dhe, ndërsa"hasmi" donte me më pa pa shtëpi e katandi,unë,së pari,e hapa bunarin(pusin) dhe,kur hasa në ujë,vendosa edhe ngrita shtëpinë. I bleva nja dy kie(qe),ti mban mend mirë si ishin,si dy"pashallarë me tuje" dhe kierre të re dhe"hasmi" që përgjonte gati po i plaste buza. Me këto dy duar dhe të FATIMËS e qendisëm një bahçe që nuk e kish kushi as në PETOVË të vjetër dhe as në PETOVË të re. Arën prei 35 dynymësh e thura sa askushi veç meje e zogjëve fluturues mund të hynin në të. Bëja bereqet me hangër 10 vetë. Të gjitha këto i bëja,si çdo njeri i mirë dhe"hasmit" ia "shihja buzën që po i plas" dhe qeshë mirë e mos më mirë. Tatari (nënkupto,Enveri) ma mori tokën; m'i mori kietë (ata "pashallarët me tuje") dhe tash"hasmi"mend shqyhet gazit se po më sheh të dobët e disi skërmitet,por unë nuk dorëzohna. A të kujtohet,kur më gjete duke e garsatue kierren(qerren) dhe më the:- Bacë,por ty qetë t'i hangri"ujku",çfarë don me kierren? Por doja me i thanë"hasmit",ani që nuk e kam tokën; ani që nuk i kam kietë, por kam besimin tek ZOTI se një ditë, ka me u kthe"pllaka" dhe ti,"hasmi" im mos u gëzo kot. Se unë,jaran, due me rrojtë sa të kem"hasëm",se, po vdiq"hasmi", me kë do luftoj unë? * * * BACË HYSENI nuk u fut asnjë ditë në kooperartivë dhe ndërroi jetë,para "tatarit",por më shumë,siç duket u trishtua, kur i vdiq"hasmi". Unë tregimin e sjell, pikërisht, tani kur bëhet fushatë nga liderët e partive.Këta kundërshtarin e shpallin"armik" dhe, po të nxënë nga shembulli i BACË HYSENIT, duhet ta mundin vetëm me punë. E keqja është se disa prej "liderëve" i kanë bërë"marshalla punës" tërë jetës dhe pretendojnë të ulen shesh në karriken e pushtetit. * * * Në vend të epilogur për këtë tregim,po sjell një poezi timen për këtë fushatë: "Lufta" e partive Lufta e partive është si një lodër NJë lodër e ashpër që nuk mbaron kurrë Liderët e partive ta sjellin mendjen rrotull Secili prej tyre,betohet për"popullin","Atdheun" dhe për"flamur". Liderët e partive janë si xhambazët Që mallin kallp ta shesin për flori Atdheun dhe popullin e tallin Ç'po luajnë"arushë", me ty,SHQIPËRI! Shkojnë e ankohen në EVROPË e gjithandej Nuk lënë pa u ankuar deri në AMERIKË Sikur gjak shqiptari nuk kanë në dejë Të tillë, të paudhëve, mu në kokë një pikë Sikur nuk i shohim, pasqyra është përpara Kush ka fytyrë dhe kush ka surrat Kujtojnë se na ngopin me pallavra. Unë e di mirë votën time kujt t'ia jap.


Tiranë, 5 prill 2021

18 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page