top of page

TRINOMI I DREJTIMIT PEDAGOGJIK TË FRAN GJOKËS




NGA MEVLUD BUCI


Të shkruash për Fran Gjokën nuk është e lehtë.Kontributi i tij në arsim përmban mbi 50 vite punë e përkushtim si mësues në Ishull Lezhë,si drejtues në DAR Lezhë,si gazetar,studiues i arsimit dhe bashkëpunëtor i figurave të tilla në gazetarinë e fushës së arsimit ,si:Viron Kona,Zenel Anxhaku,Arian Kadiu ,Sali Hamzai,Ilir Kanini,Sadije Agolli etj.

Kjo plejadë gazetarësh të shkëlqyer,në radhën e tyre është edhe Frani,arriti të përçojë përmes shkrimeve dhe artikujve në gazetën “Mësuesi”përvojën e mësimdhënies,të japë e të përçojë ide sesi ngrihet më shumë dhe ecën më mirë arsimi.Atëherë gazeta “Mësuesi” ishte një dritare e mrekullueshme ku përhapej përvoja dhe mësuesit orientoheshin drejt pedagogjikishjt.Ishte e vetmja gazetë ku botoheshin rubrika nga më të larmishmet.

Unë si punëtor i mësimdhënies mbi dy dhjetëvjeçarë si mësues e drejtues në Dibër, si bashkëpunëtor i kësaj gazete,ndjeja atëherë një kënaqësi të veçantë dhe mësoja mbi arritjet e arsimit që përcilleshin përmes shkrimeve të Fran Gjokës dhe kolegëve të tij…

Frani,edhe pas mbylljes së kësaj gazete,nuk e shoi pasionin dhe kërkimin e tij shkencor mbi të ndodhurat në arsim,mbi rolin e mësuesit dhe psikologjinë moshore të nxënësit,mbi faktorët që ndikojnë në arsim, si rezultat i zhvillimeve të reja social-ekonomike.Prandaj do t`i gjejmë shkrimet e tij në faqet e gazetës “Nacional” ,një gazetë prestigjioze e me një lexues të shumtë…

Me Franin jam takuar në Ministrinë e Arsimit shpesh,por nuk më harrohet ai rast kur u takova me të në vitin 1986 dhe të dy morëm dinstiktivin :”Mësues i dalluar”,një titull i veçantë motivues në atë kohë,i dhënë mbi kritere të drejta dhe rreptësisht të përcaktuara, që matej me rezultatet në punë.

Natyrisht titulli më i madh është vepra.Dhe vepra e një mësuesi është e gjerë,ajo mban brenda çdo çast e çdo ditë e muaj e vite, misionin e dijes,transmetimin e saj ndër breza, që përcillet e ndërthuret brenda një trinomi:mësim,veprimtari e pasqyrim…Mësim i ndërthurur me aspektin e realizimit dhe konkretizimit të njohurive,pasyqyrim si model nxitës për motivim ndër të tjerë.

Frani ka shkëlqyer në këto tre komponentë…Ai e ka parë dijen jo si një stoli të jashtme,por si vlerë që krijon te njeriu aftësi teorike-praktike,si një rrezatim i gjerë i veprimtarisë në shkollë, po edhe jashtë saj,si pasyrim i vlerave që krijon traditë, si bazë për të krijuar një nxitje për të renë…

Arsimi shqiptar është ndeshur me vështirësi të kohës,por ai ka dalë nga to me sukses përmes punës titanike të mësuesve,përmes koordinimit të shkollës me komunitetin e prindërve.

Natyrisht, në kohërat e reja të tranzicionit, ndryshoi edhe në një farë mënyre qasja ndaj arsimit kur u krijua një psikologji e re,e cila kërkon metoda të reja,përdorimin e teknologjisë së informacionit,por edhe një impenjim më të madh…

Në shkrimet e Franit, që janë të shumta,mund të gjejmë dhe të konstatojmë me kënaqësi se ai ia njeh mirë radiografinë e problematikave në arsim,elementet përparues që i sjell vetiu koha,por edhe faktorët frenues që hasen në këtë tranzicion…

Në këtë vështrim të thelluar që ai i bën arsimit të sotëm, Frani sjell përvojë nga e kaluara jo e largët dhe kërkon forcimin e rolit të mësuesit,të tronditur paksa nga indiferenca e shtetit dhe e shoqërisë,shikon rrugët e shmangies së bullizmit dhe të dhunës në shkollë,jep rrugëzgjidhje sesi mund të punohet me nxënësin e vështirë dhe sesi mund të përkrahet nxënësi i talentuar…

Të gjitha këto jepen të detajuara e me konkluzione të sakta dhe krijojnë një vështrim ndryshe ,larg shtampave dhe recetave të gatshme që jep ndonjëherë literatura arsimore e përkthyer shablon nga literatura e huaj…

Çdo implementim en-bllok,duke shmangur traditën dhe kushtet sociale e psikologjike,natyrisht e dëmton arsimin dhe krijon një hutim për realizimet e tyre,kjo jo se nuk duhet përthithur e reja evropiane në arsim,por ajo duhet të studiohet mirë e të sillet në ato parametra e në atë përgatitje psikologjike për t`u futur shkallë -shkallë dhe pranueshëm në shkollën tonë.

Për Fran GJokën kanë shkruar shumë njerëz si: Viron Kona,Sejdo Harka,Ndue Dragusha,por ajo që mbetet e pashkruar për të, është shumë e madhe ,sepse përcillet në biseda e kujtime nga nxënësit,kolegët e të gjithë njerëzit që ia njohin mirësinë dhe përkushtimin e tij brilant.

Njeri i ditur dhe i pasionuar, punëtor dhe kurajoz,komunikues dhe i thjeshtë,i pajisur me vullnet të hekurt dhe me dëshirën për t`u njohur e për t`i pasqyruar të rejat,ky është Fran Gjoka,një personalitet i arsimit dhe pedagogjisë,i gazetarisë shqiptare në lëmin e arsimit dhe të dijes…

Kronist i kohës dhe i dijes,i veprimtarive dhe i lartësimit të njerëzve të punës,i zhveshur nga xhelozitë e tepruara dhe nga egoja që çaktivizon vullnetin, por i gëzuar për arritjet e të tjerëve,mund të themi se Fran Gjoka i ka bërë vend vetes në memorien kolektive të armatës së mësuesve dhe të nxënësve,që është memoria e mirënjohjes,por edhe të vlerësimit profesional të intelektualëve e profesionistëve të arsimit…

11 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page