
Nga Fatmir Terziu
E pikasëm me sy e miratuam me buzë,
duke e mishëruar lotin e qasur rubin,
kur trupat tanë u gazmendën prush,
e kuptuam se kishim korrur dashurinë.
Erdhe në sytë e mi si një stinë,
dhe mbete ashtu e çiltër çupëlinë,
edhe tani me vitet mbi shpinë,
e njëjtë je, më mban gjallë rininë.
Tridhjetë vjet shëtitëm në kopësht,
bashkë me kristalin në sytë tanë,
“të përskuqur” shijonim Botën,
krenarinë e mbanim pranë.
Nuk mund të gjejmë udhëtim tjetër
ku të shkruhen të gjitha stacionet
as në arkiva, as mbi ndonjë letër,
as aty ku u fëmijëruan racionet.
Ne ecëm duke bërë aritmetikë
udhëtimit tonë të pashkruar
një jetë që mban këto tridhjetë
si tufa karakaftesh në duar.
Më vjen mirë që ngritëm bashkë kët’ jetë,
ndaj ende mbajmë karakaftet e tua,
natyra na fali mes tyre dashurinë e vërtetë,
ku bashkë i huazuam për t’i pikturuar.
Dhe unë diku me to pikturoja sytë e tu,
larg në ditët me punëra të tjera,
ti netët i ktheje kanavac blu
kjo ndodhte me ty ngahera, ngahera.
E shihja Hënën të sillej si një glob
me Hënën të krahasoja në sy,
e zbrisja si një medalion në tokë,
zgjohesha duke e shtrydhur me Ty.
Në ditët me kujtime të tilla,
buzët ishin një lëm’ dashurish
e jotja dashuri u bë më e mira,
… dhe ndaj na bëri një mish.
Dhe ne tashmë jemi një pikturë,
mbi sofrabezin e ëmbël të shtëpisë,
ende digjemi për fëmijët tanë si furrë
në rrënjët që mbollëm prej dashurisë.
Diku në këtë pikturë bojalli
shoh grimca që ndërrojnë ngjyrime,
ngaqë ndjej dhe lotë në sy,
ndoshta ngaqë lexoj botën intime.
Në këtë rrumbullakosje tridhjetë,
s’mund të themi s’kemi pasur ndonjë mizë,
por kemi ditur si t’a largojmë vetë,
s’i ta flakim nga Shkumbini mbi Tamiz.
8 Korrik 1990 - 8 Korrik 2020
"Dhe ne tashmë jemi një pikturë…. " Të tilla piktura mund t'i krijojnë vetëm
dashuritë e mëdha, të sinqerta e me frymëzime të stuhishme…
Gëzuar e gjithë të mirat i shumërespekturi prof. Terziu!
Kozma Gjergji.