Tri Qafa, një histori!...


Zylyftar HOXHA


I vogël ka qenë fshati ynë, Qafa, në rrethin e Skrapari, por ka një histori interesante, me breza burrash, të moçmit, por edhe ata që arrita unë, punëtorë, të zgjuar, të shkuar dhe të bërë me njëri-tjetrin, por edhe shumë mikpritës. Nuk më rrëmben nostalgjia, apo se më vjen mirë kur shkruaj këto radhë, por ky ishte një realitet i dukshëm dhe i prekshëm për gjithë ata që kanë patur miqësi me qafallinjtë, të fshatrave fqinjë përreth, por edhe e atyre që u ka rënë rasti të kenë shkuar e të kenë bujtur në këtë fshat. Më duhet të theksoj gjithashtu se Qafa është edhe me një histori shumë të lashtë. E dëshmon këtë qeramika dhe gjetje të tjera arkeologjike në lagjen e sipërme të fshatit në arat e quajtura Evgjitkat, Qafa e Stanit, Ara e Malos, por veçanërisht në Dunckë, që janë me shumë interes.

Më vjen vërtet keq, dhe do të më ngelet peng për tërë jetën, që unë ose ndonjë tjetër nga fshati ynë, që pati mundësi për shkak të kulturës që kish marrë, të interesohej më tepër për Dunckat, arat tona të Qafës, që fshihnin nën tokë plot mistere antike.


Të vendosura rreth një orë larg nga fshati, në një gropë midis përrenjve që zbrisnin nga Gora e Potomit, këto ara jo vetëm kanë qenë hambari që mbante me bukë një fshat të tërë, por ato fshihnin poshtë tyre një thesar të vërtetë arkeogjik të një vendbanimi të lashtë, fshat apo qytezë, i cili, për fat të keq, u zhduk rreth viteve ’80, pasi aty dikujt i ra ndërmend të ndërtohej një ujëmbledhës që do të vadiste tokat e Qafës, Visockës, Gjergjovës dhe Potomit. Punimet vazhduan gati dy vjet dhe u ndërprenë, pasi erdhi koha e ndërrimit të sistemeve, kohë kur po prisheshin edhe ato që ishin ndërtuar, jo më të pyeste njeri për ato që ishin në ndërtim e sipër. Skrepa e buldozerë s’lanë asnjë gjurmë nga ky vendbanimi i vjetër, rrethuar nga kisha të shumta, mbi të gjitha dhe më interesantja, ajo në majë të Gorës së Potomit.

Kur ishim fëmijë, aty gjenim monedha antike, ca si çibukë balte, copa enësh balte të pikturuara e të pa pikturuara, qeramidhe pa hesap, qypa të mëdhenj të pa prishur me grykë e fund të ngushtë, që i merrnim nëpër shtëpira dhe hidhnim në ta zahiren e bagëtive, okërr, përcel, tërshërë apo hime. Sa për gjetjet, pasi ne shuanim kuriozitetin e çastit, i flaknim, se aq dinim në atë kohë. Ndërsa pleqtë, duke i rrotulluar këto objekte nëpër duar, i krahasonin me enët dhe veglat që përdornin vetë dhe flisnin me respekt për të parët që kishin jetuar në këtë vend, që dukeshin se kishin qenë punëtorë. Ata hamendësonin shpesh se shtatë burimet, që ishin në fund të arave, mund të kishin qenë dikur çezma dhe aty pranë punishtet e poçerisë. Në kodrat rreth arave të Dunckës kish varre, disave u kishin dalë edhe rrasat e mëdha të gurëve, por që asnjeri nuk i prekte se ishte gjynah.

Tani në këtë vend s’gjen asgjë, dheu i arave u hoq dhe u hodh në përrua, kështu që mundësia e një studimi apo zbulimi është vështirësuar së tepërmi. Megjithatë specialistë të fushës së arkeologjisë mund të gjejnë ende gjurmë dhe mund t’i bien në të, se cilës periudhe i përket ky vendbanim i lashtë.

I vetmi që është marrë me zbulime në këtë vend është specialisti Nuri Çuni, i cili në vitet ’80, në mënyrë vullnetare, kur ishte me punë në Potom ka bërë studime për Dunckën. Sipas tij dhe kolegëve të tij arkeologë, Duncka ka qenë e banuar në shekullin e 4-t p.e.s, dmth, në periudhën e hekurit, ndërsa gjetjet arkeologjike në Qafë, dy çekanë bronzi, i përkasin shekullit të 7-të p.e.s., dmth, periudhës së bronzit.

Për historinë e mëvonshme të fshatit ka shumë pak dokumente, i vetmi dokument i vjetër është regjistri osman i vitit 1431, në të cilin thuhet se Qafa (Ishkifti) kishte10 shtëpi, 1 vejushë (shtëpi pa burra) dhe 772 akçe si të ardhura vjetore. Ndërsa në një regjistrim tjetër zyrtar të çerekshekullit XX, atë të vitit 1920, del se fshati kishte 15 ekonomi (shtëpi). Edhe me kujtimet e pleqve nuk shkon dot më tej veçse në mënyrë të mjegullt nga koha e Ali Pashë Tepelenës e këtej, ndërsa për atë që fshati ka qenë i krishterë e dëshmojnë siç përmendëm më sipër kishat në Dunckë e rreth saj, por edhe disa toponime si Ara e Nikollit, Luadhi Gjinit, Veshti i Selagjinit, Ara e Brajkut etj.

Me që jemi te toponimet, është interesant fakti që një pylli të madh me disa lëndina në mes, që duken qartë që dikur kanë qenë ara, përballë fshatit nga juglindja, i thonë Skrapare, por askush deri tani nuk ka bërë ndonjë lidhje ose shpjegim nëse ka të bëjë apo jo me emrin e Skraparit si rreth.

Fshati ka qenë me banorë autoktonë, por nuk përjashtohen edhe familje të ardhura nga Labëria, siç thoshin pleqtë, ndoshta shumë më herët se koha e Ali Pashë Tepelenës, pasi po të ishin të asaj kohe do të mbahej mend ndonjë e dhënë që do të ish transmetuar nga brezat deri në ditët e sotme.

Për më vonë kam dëgjuar që shumë bashkëfshatarë kanë rrahur kurbetin, më shumë Selanikun, ndërsa të tjerët merreshin me bujqësi dhe veçanërisht blegtori, mbarështonin më shumë dhi, pasi për to kishte hapësira të mëdha kullote. Aq e vërtetë është kjo, sa nofka e familjes sonë ishte Xharo, e vënë për shkak të zileve e këmborëve, që bënin xhërr-xhërr ditë e natë.

***