Tre mesele në hava e një përtokë


NJË PAQETË CIGARE E NJË KILE KAFE...

Tre mesele në hava e një përtokë

1.- E THËNË… Është e thënë dhe e përsëritur sa herë bie shi... ...Dy shokë ia kishin marrë udhës në këmbë. Njeri kishte një çantë në krah e një ombrellë që e ngulte dhe e shultë në tokë si bastun. Tjetri ishte me duar në xhepa. Një re e zezë kapi kupën e qiellit, e pa numëruar deri në dhjetë, ia behu një shi me shtamba. Shi vere nga ato që të kapin e të lëshojnë si të luajnë dokrrash. Shoku hapi çantën dhe prej saj nxori një fësh-fësh-e të palosur me kujdes. Për vete hapi çadrën dhe e ngjeshi fort pas trupit që mos ia hiqte era që e përcillte brisk shiun... Nuk ecën gjatë. Shiu, si shi vere pushoi, dielli zhveshi retë. - Po mos isha unë do ishe lagur e bërë qull.- I tha pronari i fësh-fësh-es shokut i cili por fshinte pikat e ujit mbi fytyrë... ... - E dëgjove? Po të mos ishte fësh-fësh-ja ime... ... Shoku përsëri nuk foli. - Po të... - Po të mos ishe ti dhe fësh-fësh-ja jote a do të isha lagur më shumë se kaq? Tha dhe u hodh me gjithë rroba në një pellg uji mbledhur nga shiu i rrëmbyeshëm...

2.- DAMBE-DAMBE, DHAME E DHAME... Ka qenë një këngë. Thurur në ato kohë çudirash. Këngë me iso që e këndonin një dyzynë burrash e grash. Kënga lidhej me një ngjarje që asokohe zuri kryeartikujt e gazetave e faqe reportazhesh e telereportazhesh. Kooperativat e zonës jugore u dhuruan atyre të zonave malore tufa me dele e me dhi, me kuaj, mushka e gomarë. Kaq jehonë pati kjo ngjarje dhe kaq thellë kamares së gojës mbetën fjalët dhe notat e saj, sa refreni përsëritej aq shumë sa bubullimë të vinte në vesh e shkreptimë në sy. DAMBE E DAMBE... përcillej isoja shoqëruar nga daulle që ushtonin grykave të maleve... Delet blegërinin... Kecat kërcenin... Kuajt hingëllinin.. DHAME E DHAME... kthehej jehona... Kohë dhëniesh... Periudhë sadakaje...

3.- GALLOSHET...

Nuk e di a i jepni dum fjalës “galloshe”. Për sqarim teknik po ju them se galloshet janë një sajesë këpucë mbi këpucë. Mund të vishen mbi këpucë të zakonshme, po më të shumtën e rasteve bëhen me porosi. Psidhje u thonë këpucëbërësit. Bëhen si këpucë me qafa me lëkurë të hollë e pa taka. Vishen e futen në galloshe, kallëpe prej gome që asokohe prodhoheshin nga NISH-Goma në Durrës. Aty nga thatësira gjithnjë e më në rritje e ekonomisë shqiptare, diku nga viti 1988, Ramiz Alia gjeti një zgjidhje që nuk ishte e re, siç u quajt, por e vjetër, e provuar dhe e dështuar. Për zonën malore që prodhonte “Dy të tretat e prodhimit të përgjithshëm industrial të vendit” që të zhvillohej hoqi nga dikasteret qendrore kuadro të devotshëm dhe i dërgoi në zonën verilindore si dublantë të kuadrove nga rrethi në bazë. Dublantët u rrinin para e mbrapa shefave të seksioneve, kryetarëve të kooperativave, drejtorëve të ndërmarrjeve...ku ishin e ku nuk ishin. Rrodhe e baltë pas këpucëve. Dublantëve u ruhej vendi i punës atje nga erdhën. U jepesh 8 lekë dietë në ditë, u sigurohej ushqimi i mirë dhe cilësor në mensa të hapura me ushqim të zgjedhur, u sigurohej fjetja komode deri edhe në hotele me pagesë të plotë... Shkurt gjithçka që i afrohet mikut... Asokohe, si asnjëherë drejt Dibrës, me autoritetin e kuadrove të ardhura për ndihmë, vërshuan mallra të llojit frigorifer, lavatrice, televizor... sa në ëndërr nuk ishte parë asnjëherë. Mallrat vinin me kamion për dibranët dhe ktheheshin me mjete të rastit për miq e dashamirë në Tiranë. Legjendë qe bërë atëherë autobusi i klubit sportiv “Korabi” që përkulej balestrash nga pesha e tyre drejt Tiranës... Populli pyetje të parë që u bënte kuadrove të vet ishte: - Si e ke galloshen? - Në të thatë mirë-i përgjigjej,- por kur bie shi, qull bëhen këmbët.


NJË PAQETË CIGARE E NJË KILE KAFE...

Një ministre e qeverisë Rama dhe një deputet i partisë së tij u ngjitën dje plot pompozitet në tribunën e fundit për këtë vit të parlamentit shqiptar dhe njeri pas tjetrit u munduan të bindin njerëzit brenda dhe jashtë tij se vrasja qetësisht e të riut në Laprakë ishte aksident. E torën aq gjatë dhe aq hollë fillin sa nuk mbeti fije leshi në furkë. Plumbat mbi të riun, siç e deklaroi edhe prokuroria, nuk ishin aksident por vrasje me dashje. Aksident ishte vendimi i parlamentit për dhuratat në adresë të familjes e të familjeve të tjera kur të ndodhin kësisoj “aksidentesh”... Harruan një gjë, harruan se si shkohet në mort e se si ngushëllon “materialisht” populli... Harruan se në Dibër për mort shkohet me NJË PAQETË CIGARE DHE NJË KILE KAFE... Me NJË PAQETË CIGARE E NJË PAKO KAFE... Cigarja ndizet në konak... Kafeje, piqet e pihet e hidhët, pa sheqer, në ibrik bakri, e kulluar... DHAME E DHAME...

Abdurahim Ashiku

24. 12. 2020

20 views0 comments

Shkrimet e fundit