top of page

TRE FËMIJË VIZATOJNË ...


Odise Kote


QAN ERA ME LOGORI …

Qan era me logori, pezm a pendime në varre, shpirtëra a degë të zhveshura pemësh vajton? Harresat që s’fashiten, prushërat dhe zjarret, fshehtësira të nëndheshme a demonë?

Barin tharë prej fërgëllimit a sytë e bërë agull, qan era me logori, në ufëm mbytëse, në zhar. Nëpërdukjen e mjegullt, rrëmetin e gjakut, shpresën therur thikash a të vdekurit e gjallë.

Krahë të thyera nisjesh a keqkuptimet rigatë, jehonën nën dhe a gremisjen e gjumit. Qan era me logori, të pandreqshmin fat, shtiratën ulëritëse derdhur thellë atij unit.

Fillikatin e shpërfillur a goditur me gurë, lypsej një harresë, një fëmijëri tjetër. Zabullimën e jetës, të hidhëruarin muzg, qan era me logori një ëndërr të vdekur.

Qan era logori, oi, oi në shira pikëllimi, shpirt i njeriut bosh, si gufalle kërmilli…

TRE FËMIJË VIZATOJNË ...

Tre fëmijë atje në breg, luajnë, qeshin, ngjyrosin, tingujt që bredhin, pikëza vese. Lumin, pemët, qiellin, dhe ëndrrat e bardha, që i mban secili për vete.

Sa fshehtas e ngjizin gurgullimën e ujit, guralecat që cijasin, misterin. Aromat që preken në biskun e një peme, me gjurmën e artë të diellit.

Mugullimën, frymë të barit, cicërimat - shtjellave të ajrit, thellësinë e thellësive. Vizatojnë të ardhmen, ndaj e pamundur ti kuptosh, ngjyrat e tyre...

Tre fëmijë atje në breg ...



25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page