Tre anglezë nga Oksfordi


Kostaq Duka


Kostaq Duka

Tregim

Orët e para të mbrëmjes. Taksia ndaloi përpara godinës së doganës. Perpara ishin 3-4 taksi e vetura private. Punohej në dy sportele. Qetësi. Hodha një shikim të shpejtë rreth e rrotull.Ndjeva kenaqësinë  e rregullit dhe sigurisë.Punonjësi i shërbimit, na përshëndeti me mirësjellje. Veshja dhe krehja bukur e flokëve harmonizoheshin me lëvizjet e shpejta të dhjetë gishtrinjve në tastierën e kompjuterit.Për dy minuta mbaruam punë. -Po më duket si ëndërr- I thashë taksixhiut tek makina fërshëllente nga shpejtësia në autostradën për në Selanik.Prisja tjetër gjë në doganë. -Sot ishte qetë…. -Sidoqoftë duket që ka rregull… -E po s’do mend….Do futemi në Europë! Por ti, ti që kur s’ke qënë këtej?! -Në qershor mbush 10 vjet…. Taksixhiu, më peshoi me shikim fund e krye. Veshur me bluxhinse dhe atlete  nga më të lirat  sikur s’i ngjasova me ata të perëndimit. Nuk doja të jepja hollësira…….Po futeshim në një nga tynelet  moderne gjithë dritë të autostradës. Ndjenja  e ndryshimit m’u ringjall e fortë. Donim s’donim perëndimi do krijonte portretin e vet dhe në këtë rip me natyrë të egër në dy anët e kufirit.                                                                            xxx Dhjetë  vjet  më parë dogana i ngjante një pazari kaotik pa formë, ku mund të shihje gjithë fytyrat e deformuara të veseve të liga, kontrabandistëve të mëdhenj me mauna, te vegjël me  kamionçina, që fryheshin si tullumbace, kryesisht me plaçkurina e zarzavate qe qelbnin që tutje, me këmbësorë me çanta të mëdha, me zyrtarë kravatashtrëmbër, e fytyra të lyrosura, me prostituta të llangosura tmerresisht në faqe , me shoferë fugonësh që prisnin të ngarkonin rrefugjatët e sjellë nga autobuzi blu me rrjeta te serta teli nga ana tjeter e doganës…..E  në një nga ditët me këtë pamje te zakonshme m’u desh të shkoja me një detyrë te posaçme në doganë. Rreth ores 1 pas dite, tre anglezë nga Oksfordi mbrinin me një makinë tip vene, të mbushur plot me vegla muzikore,violi,violincela,kitara e madje dhe një piano të vogël mësimore.Gjithcka dhuratë modeste për shkollën artistike të qytetit. Me cilësinë e drejtorit, emëruar jo shumë kohë më parë, më duhej t’i prisja tre anglezët duke u uruar mirëseardhjen.Ishte prilli i vitit 1998, vetëm një vit pas katrahurës së 1997. Mes rremujës së doganës, së bashku me doktor Janin,( mik i tre anglezëve  që ato ditë kur dy vjet më parë ata bënë një vizitë në spitalin ku ai punonte) , nuk po dija si të orientohesha.Një turmë e madhe njerëzish me fytyra të dëshpëruara, ngjeshur njeri pas tjetrit, me sytë mbërthyer tek dritarja, zgavër e sportelit.Të dukej se asgje s’lëviste përtej zgavrrës.Më tej taksi e vetura të të gjitha llojeve,ku dominonte e blerta e benz-mercedes të vitit 1992. Më në brëndësi dy maune që prisnin çdoganimin e mallit. Nisa të kërkoj ndonjë fytyrë të njohur doganieri që të më orientonte. Dhe vërtet diku mes nje grupi njerëzish ,mes tyre dy  që s’ngjanin vendase, shëmbëlleva dikë që dikur banonte në lagjen time. I’u afrova.Më dha të njohur. -Më fal- i thashë. -Jam vërtet bizi.Jam me  të Europës, specialistë për doganën. Si e ke hallin ? -Tre anglezë nga Oksfordi kanë sjellë ndihma për shkollën artistike. -I ke dokumentet? -Po. -Tregoja personit, tek trari, që të lejojë mjetin me ngarkesë. Ai do të ndihmojë dhe për veprimet e nevojshme. Mez i gjetëm shtegun për të shkuar tek trari ku mjete të ngarkuara pas veprimeve në doganën greke prisnin të hynin në tokën shqiptare.Jani nxitoi përpara, duke u drejtuar tek grumbulli i njerëzve  përtej trarit.U dhashë këmbëve për të mos mbetur pas. Jani ua bëri me dorë tre burrave, fytyrë qeshur dy të gjatë e të mbushur dhe një me shtat mesatar, por truplidhur. -Ata janë.Ç’njerez të mirë.Kane bërë tërë këtë rrugë të gjatë e prapë se bëjnë veten.-Tha Jani.Do ti njohësh. I treguam dokumentet punonjësit të doganës, një shkurtalaq i trashë që nga dhjamosja  mezi merrte frymë. -Nga Vijne ?-pyeti. -Nga Oksfordi. -Po pyes nga ç’vend. -Janë anglezë. -Këtë thuaj. Domethënë nga Anglia. Çfarë kanë në venë? -Vegla muzikore,violi,kitara, flauta… -Vegla muzikore? Ç’njerez ka bota?! Se për saze ka nevojë Shqipëria! Po pije, veshje kanë ? -Jo. Të gjitha janë të shkruara këtu. -Mirë, mirë këto çoji në zyra e doganës.Por këta byrazerët duhet te paguajnë . Janë të huaj, çdo turist i huaj duhet të lerë në doganë nga 40 dollarë. -Ej mik- ndërhyri Jani-Këta janë miqtë tanë që kanë ardhur nga larg, duke përdorur e ngarë mjetin e tyre që të ndihmojnë shkollën. Është turp për ne tu kërkojmë  të paguajnë.. -Ore unë po të tregoj rregullin. Janë të huaj e pikë. Në këtë moment shkurtalaqin dikush e zuri për krahu. -Ta fut ? –tha e tregoi diku në qoshe një kamionçinë, të mbuluar, anuar pak nga njëra anë, rrjedhojë e tej peshës. -Çfarë ka? -Si zakonisht, perime…. -Mirë, mirë…Po te pengoi kush, thuaji që ke biseduar me mua…..Sa për ju, shtoi shkurtalaqi dhe u kthye nga ne, s’kam çbëj. Ata nga Oksfordi duhet të paguajnë.Ka rregulla tani, s’hyhet veresie… -Lere këtë- tha në heshtje Jani- mbase ai miku tënd i europianëve  tani është i lirë. U bëra vrer. Tre anglezët pak hapa larg s’po kuptonin ç’po ndodhte. Në vend të niseshim drejt tyrë u kthyem prapa. Për fat te njohurin tim e gjetëm të lirë. Na mirëkuptoi dhe erdhi me ne. Me porosi të tij u dha lejekalimi. U përqafuam me tre anglezët. -Mos u mërzit-më tha anglezi i shkurtër. Vonesë dogane. Keqkuptime. E di ti sa barsoleta ka per doganierët..?!. Mora frymë thellë kur vetura personale e doktor Janit dhe fugoni  që na ndiqte pas u shkëputën nga ajo masë amorfë e zezë, që çdo emër mund të mbante veç doganë jo….Me sy  të trishtuar, shikoja godinat pa shije arkitekturore, të  fshatit-qytet Devollit, ku aty këtu shiheshin dhe gjurmët e djegjeve dhe rrënimeve te 97-tës…. Po i afroheshim Korçës. Ishte momenti  kur nga sallat e leksioneve te universitetit po dilnin grupe, grupe studentet, djem e vajza bashkë. E qeshura e tyre dhe hijeshia e parkut, gjithë blerim në këtë muaj prilli harmonizoheshin bukur si  për të thënë ka edhe jetë…Përsërita me mend emrat e tre anglezëvë John, Steve  dhe Jim.Kjo radhë vendosjeje përkonte me gjatësinë e tyre.John, veç shtatit të gjatë(për ta parë në sy unë duhej të ngrija kokën) kishte si shënjë dalluese dhe mjekrën.Steve ishte i dyti për nga gjatësia  ndërsa Jimi kishte bojën time, i shkurtër por pak më i mbushur, me një fytyrë rrumbullake gjithë tul. Pasi  sistemuam në shkollë ndihmat e sjella dhe vendosëm  në parkim fugonin në mjediset e Qendrës  Mësimore, tok me tre anglezët, ulur në sediljen e prapme te veturës së Janit shkuam drejt hotel “Korça”, hapur dy tre vjet më parë, në ish mjediset dikur pronë vetjake, pastaj shtetërore përdorur për zyra të gjithllojshme. Pronarët legjitimë, me biznese në Amerikë, njerëz patriotë e me vizione moderne për jetën, e restauruan dhe i dhanë një fytyrë te re godinës.Hotel  “ Korça” ka komoditet te admirueshëm të krahasuar me hotele të mira të Europës. Administratori i hotelit, lajmëruar më parë prej meje për ardhjen e anglezëve, na priti me mirësjellje. Anglishtja e tij dhe e sportelistit , e paster, paçka se me pak aksent lanë shije të mirë. Nice, very nice-tha gjatoshi,John- tek fërkoi nga kënaqësia mjekrën e kuqe, me fije të bardha aty këtu. -Po shumë mirë- miratoi Steve duke hedhur sytë nga ekspresi i kafes që porsa lëshoi fishkëllimën e zakonshme. Shikimi i tij, s’i shpëtoi  vëmendjes së administratorit. - Pas rrugës së gjatë një kafe ekspres do t’u bëjë mirë. -Po me kenaqësi, miratoi John, që me sa dukej luante rolin e liderit të grupit. Pas kafes, u ndamë me anglezët me të cilët do të takoheshim ditën e nesërme. Duke shkuar për në shtëpi, me makinë, shkëmbyem mendime me Janin. -Mos u mërzit, per ç’ka ndodhi në doganë- më tha- unë shkoj shpesh. -Janë të huaj….. -Ata e dinë ç’është ky vend….kaq s’është asgjë.Të ecë mirë çdo gjë  nesër….Dua të mbeten të kënaqur, së paku nga ne, të tre janë shumë të mirë .Në telefon para se të niseshin nga Oksfordi më flisnin me shumë eufori  dhe padurim për të ardhur. U kujtova se akoma vendi nuk ka qetësinë e duhur. Por, këtë s’e përfillën fare. Nga ora dhjetë e mëngjesit të tre anglezët  erdhën në shkollë.Ishin  veshur në mënyrë sportive, me atlete addidas,bluxhinse e këmishë të trasha me kuadrate.Në  se do të ishin të një boje do t’i merrje për trinjakë. Unë, posacërisht për ta kisha vënë kostumin e çelur, bojë qielli, që ma kishte dërguar kunati nga Greqia dhe kravatën pikaloshe që më shtrëngonte tmerrësisht. Ne sallën e mësuesve që përdorej dhe për koncerte u dha një shfaqje. Veç ti shihje si duartrokisnin të tre anglezët, me një entuziazëm aq të jashtëzakonshëm sa dyshoje: e kanë seriozisht?! Kulmi i entuziazmit të tyre arriti kur spikerja tha : dhe tani tre ekzekutime ,në violi, kitarë dhe flaut . Instrumentet janë dhuratë nga miqtë tanë nga Oksfordi.Gjatë lojës gjatoshi John çohej e bënte fotografi. Shumë herë dhe nga spektatorët nxënës e mësues. Me vlagën e entuziazmit te koncertit, përsëri me makinën e doktor Janit shkuam e bëmë një vizitë në fabrika e birrës. -A e njihni një vajzë këtej nga Korça me emrin Entela?-tha Johni- është në Universitetin e Oksfordit. -Vajzë e mirë-shtoi-Steve.Studion për mikrobiologji.E shkëlqyer. Do bëhet shkencëtare, shkencëtare bote. -Sikur kam dëgjuar – thashë-për të qënë pro idesë së tyre ekzaltuese.  Edhe këtë përshtypje e llogarita në “ fondin “ e përshtypjeve të mira që ata kishin e ne po përpiqëshim të stimulonim për ta në këtë vizitë.Administratori i fabrikës së birrës, njëkohësisht dhe bashkëpronar na priti në zyrën e vet e paisur me kolltukë meshini, ngjyrë vishnjë.Foli me pasion për historinë e fabrikës. Edhe pse me përvojë të gjatë si inxhinier kimist në sektorë të tjerë, të dukej sikur në fabrikë kishte  një jetë të tërë. Një punonjëse nga zyrat na serviri birrë në gota të rënda qelqi, ku shija e birrës së ftohtë ndihej më mirë. Me tre anglezët shkuam dhe në mjediset e fabrikës, aty ku fermentohej në kushte natyrore elbi për malto,në  tanket gjysme sferike prej bakri të zjerrjes,në repartin e mbushjes së shisheve… -Sekreti  i kësaj birre të famëshme në vend –shpjegoi në ecje e sipër administratori, thonë se veç të tjerash është uji. Uji me tubacione vjen këtu posaçërisht nga burime malore. Shihja në sy anglezët. Vërtet ata vlerësonin këtë fabrikë apo ajo u dukej e dalë kohe, ja si ato skodat me turi që fotografuan gjatë rrugës? A thua kishin vlerë këto paisje, që në vitet 30-të të kësaj fabrike, kur ajo ishte në pronësi  të një shoqerie italiane?! Anglezët nuk dhanë ndonjë mendim për fabrikën. Shkëmbyen karta biznesi me administratorin , bënë aty këtu ndonjë fotografi. Përsëri në shkollë.Shkëmbim mendimesh me trupën mësimore. E  pastaj….Nuk dita ç’tu thoja kur ata më kërkuan të shikonin të famëshmet kabina studio në katet e sipërme.Ngurimi im ra që tutje në sy.Por  s’u shmanga dot.Kabinat s’ishin gjë tjetër vecse ndarje me kompesato, me dyer te deformuara .Në to mungonte ngrohja.Dhe të mendosh, dimrin e egër të anëve tona.Gishtrinjtë e njomë të nxënësve thua ngjiteshin mbi telat e ftohtë të violive. Kaluam shpejt e shpejt n