top of page

Trashëgimia dhe Diversiteti Kulturor në Rajonin e Mitrovicës


Trashëgimia dhe Diversiteti Kulturor në Rajonin e Mitrovicës - sfidë e së ardhmes

Abstrakt

Rajoni i Mitrovicës përfshin gjashtë Komuna si: Mitrovicë, Vushtrri, Skënderaj, Zveҫan, Albanik dhe Zubin Potok. Nga gjashtë komuna, tri të parat janë me popullsi shumicë shqiptare, ndërsa tri të fundit me popullsi shumicë serbe. Si rajon prezantohet në histori që nga neoliti e në vazhdimësi. Jeta ka vazhdimësi të pa ndërprerë, kjo pasqytohet përveç me gjetje të rastit edhe me trashëgimi ndërtimore, me një numër të madh monumentesh të gjinive të ndryshme.

Pozita e favorshme gjeografike, rrjeti i zhvilluar hidrografik, pasurit mineraro-metalurgjike, vegjetacioni i llojllojshëm e bënë këtë rajon të lakmuar për pushtuesit dhe përzierjes së popullsis, që trashëgoi edhe një diversitet sa i përket monumenteve të trashëgimis kulturore.

Në këtë punim paraqiten disa foto të monumenteve në periudha të ndryshme kohore dhe problemet që e përcollen për të punuar në këtë fushë sa e pasur aq edhe delikate përsa i përket diversitetit si mundësi bashkëjetese dhe ruajtje të vlerave të trashëgimisë.

***********

Qyteti i Mitrovicës, ndodhet në udhëkryqin e ndikimeve helene, romake, orientale e europiane, duke bërë të mundur që këtu të gërshetohen një varg kulturash të popujve e të traditave të ndryshme, pra gërshetim i traditës kulturore autoktone vendase me atë të ardhur, e bën këtë rajon shumë të pasur sa i përket trashëgimisë historike dhe kulturore. Mitrovica shtrihet në pjesën më veriore të Ultësirës së Kosovës, dhe është qendra më e madhe mineraro-metalurgjike e Kosovës. Pjesa më e madhe e vendbanimit, shtrihet në rrafshin aluvial ndërmjet lumenjve Ibër, Sitnicë dhe Lushtë, në lartësi mesatare mbidetare 508-510 m. Gjerësi gjeografike 42º 53’ e 13” dhe gjatësi gjeografike 25º 52’ e 21”. (S. Murati, 1971). Sipërfaqja e territorit të ngushtë të Mitrovicës është 326 km² dhe paraqet 3.25% të territorit të Kosovës, (CHëB Konservimi i Integruar), ndërsa Mitrovica me rrethinën e saj të afërt, sillet rreth 79 km² (Mitrovica dhe rrethina, 2000). Në trevën e Mitrovicës së sotme jeta, ka filluar shumë kohë përpara themelimit të qytetit. Identifikimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë do të arrihet duke theksuar unitetin e saj, pa marrë parasysh identitetin kulturor të cilit i takon. Megjithatë, të kuptuarit e vlerave kulturore të të gjitha komuniteteve në Kosovë duhet shtjelluar brënda kontekstit të diversitetit dhe tolerancës. Trashëgimia kulturore e Mitrovicës, është transformuar krahas sfidave të ndryshme politike dhe sociale të përjetuara në mënyrë të dyfishtë nga shoqëria kosovare, duke u përcjellë nga ripërcaktimi i kufinjve, rishpërndarja e njerëzve dhe nevoja për mirëkuptim të ndërsjellë mes kulturave të ndryshme, në nivele të ndryshme të shoqërisë. Dy dekadat e fundit, trashëgiminë kulturore të Mitrovicës e kanë lënë në gjendjen e saj të rëndë. Humbja e trashëgimisë kulturore, paraqet një kërcënim të madh për historinë kulturore dhe diversitetin e rajonit, si dhe rrezikon humbjen e mundshme të bazës së fortë mbi të cilën duhet ndërtuar e ardhmja përbashkët (Instituti Kosovar për Stabilitet. 2012).


Diversiteti kulturor në rajonin e Mitrovicës është dëshmuar t'i ngjajë më shumë një pengese, sesa një afërsie apo bashkëpunimi mes komuniteteve. Gjatë luftës së viteve 1997-99 pati dëmtime të mëdha të monumenteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë, u shkatërruan më se 200 xhami, 450 kulla, qindra e mijëra shtëpi banimi, një sërë kishash katolike nga shekujve 19 dhe 21. Në Mitrovicë u dëmtuan 19 objekte, pjesë e trashëgimisë kulturore, përfshi dy kinema, dy qendra kulture, një monument i trashëgimisë kulturore, (ndërtesa e ish konzullatës ruse, monument kulture, marr në mbrojtje në vitin 1080), nëntë kulla, katër xhami dhe një teqe (Komisioni Europian, 2000).

Legjislacioni ekzistues dhe politik për identifikimin, mbrojtjen dhe kontrollimin e aseteve trashëgimore ende nuk është implementuar në tërësi, shkak ky i ngatërresës institucionale mbi kompetencat. Deri në vitin 2006, moria e ligjeve mbi trashëgiminë kulturore përfshinte tre korniza legjislative: ligjin e vitit 1977 mbi Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, (Ligj, nr. 19/77, 1977) legjislacionin e Qeverisë së Serbisë prej vitit 1989, pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës, gjatë okupimit policor-ushtarak klasik të Kosovës, ndërsa pas vitit 1999 kemi legjislacionin e miratuar nga UNMIK-u. Në nëntor të vitit 2006, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin mbi Trashëgiminë Kulturore, i hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. (Instituti Kosovar për Stabilitet. 2012). Për monumentet e kulturës, arkeologjinë, apo edhe pjesë të tjera të trashëgimisë duhet që të fokusohet tek krijimi i një plani administrimi afatgjatë (Bejko, 2014). Me Udhëzimin Administrativ të UNMIK-ut, të nënshkruar nga Tom Conincsit në vitin 2001, filloi decentralizimi i institucioneve që merreshin me trashëgiminë kulturore. Nga ky decentralizim u formuan Qendrat Rajonale të Trashëgimisë anembanë Kosovës. Qendra Rajonale e Trashëgimisë në Mitrovicë themelohet në këtë periudhë kohore. Ajo në fillim, udhëhiqej nga i njëjti drejtor që udhëhiqte Muzeun e Qytetit të Mitrovicës. Mirëpo Muzeu ishte institucion vartës i Drejtorisë Komunale për Kulturë Rini dhe Sport, ndërsa Qendra Rajonale e Trashëgimisë ishte institucion vartës i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Drejtori i lartpërmendur, për disa vite i mbajti të dy pozicionet e drejtorit të Muzeut edhe të Qendrës Regjoinale të Trashëgimisë, duke i përzier kopetencat e njërës me tjetrën dhe duke i shkatërruar gradualisht të dy këto institucione.

Si rezultat i kësaj objekti i Muzeut "Hamami i Qytetit", monument i kulturës iu rikthye "ish pronarit", pas konservimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shtetit të Kosovës. Zhvendosja e artefakteve arkeologjike, etnografike, kulturore - historike etj, u bë pa kurrfarë kriteri dhe sigurie, që dyshojmë se qe shkaku edhe për humbjen e eksponateve me vlera shumë të mëdha arkeologjike.

Riorganizimi i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë pas daljes në pension të ish drejtorit, u plotësua me një staf të papërshtatshëm, jo profesionalist, mbi interesat klanore dhe partiake, larg nga trajtimi shkencor i trashëgimisë. Derisa në sistemin e trashëgimisë kulturore nuk do të infiltrohen prurjet partiake, dhe vendin e tyre ta zënë specialistët (Pojani 2013), asnjëherë nuk do të ketë të ardhme për këtë fushë.

Qendra Rajonale e Trashëgimisë përfshinë Komunat, Mitrovicë, Vushtrri, Skënderai, Zveçan, Albanik, Zubin Potok. Tri Komunat e para janë me popullësi shumicë shqiptare dhe tri Komunat e fundit me popullsi shumicë serbe.

Kjo ka sjellë probleme të shumta, sa i përket bashkëpunimit dhe pasqyrimit të monumenteve dhe diversitetit kulturor në këtë rajon. Identifikimi dhe dokumentimi indërtesave nënkupton mbledhjen e të dhënave grafike dhe të shkruara për një ndërtesë historike. Në përgjithësi në Kosovë ka shumë pak ndërtesa të dokumentuara. Nuk dihet saktë numri i atyre që janë dokumentuar, për shkak se materiali dokumentar është i pasistemuar dhe i ruajtur në vende/depo me kushte të pavolitshme. Ka raste që materiali arkivor është edhe i humbur (CHëB, 2010).

Regjimi serb gjatë viteve 1989/99 kishte instaluar në Kosovë strukturat e veta të dhunshme ku spastrimi etnik ndodhi në të gjitha rajonet e Kosovës. Shqiptarët e Kosovës nuk po e gëzonin autonominë e tyre kushtetuese, prandaj dalëngadalë po zhvisheshin nga të drejtat e tyre themelore.

Sistemi serb, i ngjashëm me atë të aparteidit, i flaku shqiptarët nga vendet e tyre të punës dhe prej sistemit arsimor, ua ndaloi atyre ndihmën qeveritare dhe inkurajoi burgosje masive dhe shtypje të rënda (C. McCurn dhe R. Hasimja, 2012).

Të njëjtin fat patën edhe punëtorët e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, largimin nga puna, dhe lënien e monumenteve të kulturës në mëshirën e kohës. Lufta solli shkatërrimin e shumë monumenteve dhe spastrimin e shumë vendbanimeve, ku asnjëherë nuk u kthyen banorët si pasoj e shkatërrimit, minimit të terrenit, largësisë nga qendrat urbane, infrastrukturës së dobët, kushteve të vështira për jetësë etj. Megjithatë, në ato vende mbeten shumë objekte që presin ndërhyrjen e shtetit që të identifikohen, dokumentohen dhe të mbrohen sepse ruajnë vlera e tyre historike.

Gjatë punës kam hasur në shumë monumente që ekzistojnë në listën e Monumenteve të hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por nga puna në terren kam konstatuar se nuk ekzistojnë fizikisht, ngase asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë nismë për të vlerësuar gjendjen e objekteve në terren, që dita ditës shkatërrohen nga vetë natyra dhe faktori njeri.

Nga kjo situateë duhet të nxjerrim mësim: duhet që urgjentisht të merren masa, të dërgohen ekipe në terren nga institucionet e mbrojtjes së monumenteve, të bëhet identifikimi, vlerësimi i dëmit, nevojat e ndërhyrjes parandaluese, fotografimi, matjet, dokumentimi dhe vlerësimi i tyre, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë nga terreni dhe të dimë se sa është numri i përgjithshëm i ndërtimeve me vlera që ekzistojnë ende dhe që meritojnë të shpallen monumente dhe të ruhen në të ardhmen. Ajo që duhet bërë urgjentisht, është ndërtimi i një rrjeti efikas për informimin dhe ruajtjen e këtyre siteve arkeologjike. (Bejko 2014).

Mitrovica, ky vendbanim i hershëm që prej epokës së neolitit dhe strehë e kulturave të ndryshme Ilire, Romake, Bizantine dhe Otomane, Shqiptare, sot paraqet mjaft dëshmi nga kjo e kaluar e pasur. Edhe këtu monumentet e trashëgimisë kulturore nuk kanë arritur t'i shmangen praktikës së përgjithshme së neglizhencës.

Mitrovica kishte nëntë monumente të mbrojtura:

1. Hamami i qytetit - (marrë në mbrojtje në vitin 1957)

2. Kisha katolike Shën Pjetri - në Trepçë - (marrë në mbrojtje në vitin 1958)

3. Xhamia me varre - Trepçë e Vjetër - (marrë në mbrojtje në vitin 1966)

4. Rrënojat e qytetit mesjetar të Trepçës - (marrë në mbrojtje në vitin 1966)

5. Qyteti i Trepçës - (marrë në mbrojtje në vitin 1966)

6. Rrënojat e kompleksit mesjetar në sipërfaqen e Trepçës së vjetër - (marrë në mbrojtje në vitin 1967)

7. Shtëpia e Ergin e Orhan Köroğlut në rrugën “Vëllezërit Dragaj” (ish “Ilia Birçani”, marrë në mbrojtje në vitin 1978)

8. Shtëpia e Bllagoje Gjorgjeviçit - (marrë në mbrojtje në vitin 1980)

9. Shtëpia në rrugën 300 Dëshmorët e 1903, (Konsullata Ruse) - (marr në mbrojtje në vitin

1980). (IKS, Mitrovica një qytet dy realitete et al CHëB, Kosova, 2011).

Përveç këtyre nëntë monumenteve, që kanë qenë të mbrojtura para suprimimit të autonomisë së Kosovës, një numër shumë i madh i monumenteve që i kanë plotësuar kushtet të jenë nën mbrojtje, nuk kanë qenë dhe ende as sot e kësaj dite nuk janë të mbrojtura.

Nga këta nëntë monumente, njëri nuk ekziston edhe gjurmët janë zhdukur. Një tjetër ka qenë në pjesën veriore të Mitrovicës të kontrolluar nga serbët dhe nuk dihet se në çfarë gjendje është, ndërsa, sa i përket monumenteve të Trepçës me rrethinë, ata janë të lëna pas dore dhe në mëshirë të natyrës pa përkujdesje, ndërsa Hamami në qendër të qytetit i është kthyer ish-pronarëve dhe publiku i gjerë nuk ka qasje tek ky monument. Lista e monumenteve e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme, hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2012, ndahet në:

I. Kategoria: Trashëgimia Arkeologjike

A. Nënkategoria: Monument/Ansambël

Në këtë listë janë të regjistruar 1181 monumente të ndara sipas kategorisë së parë: Trashëgimi Arkeologjike, fillon me nr. 1 dhe përfundon me nr. 86; Nënkategoria: Lokalitete Arkeologjike - Rezervat, fillon me nr. 87 dhe përfundon me nr. 354;

II. Kategoria Trashëgimi Arkeologjike,

A. Nënkategori: Monumente - Ansambël, fillon me nr. 355 dhe përfundon me nr. 1179;

B. Nënkategoria: Fushat e konservimit arkitekturor, fillon me nr. 1180 dhe përfundon me nr. 1181. Kjo listë është nënshkruar nga Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Memli Krasniqi, më 1 tetor 2012.


Në po të njëjten listë sa i përket rajonoit të Mitrovicës, përfshirë komunat Vushtrri, Skënderaj, Zveçan, Zubin Potok, Albanik (Leposaviq), në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme janë të ndara në dy grupe si më lart.

Vetëm Mitrovica me rrethinë në këtë listë përfshihet me 99 monumente të trashëgimisë kulturore, të vendosura pa kurrfarë kriteri dhe pa u bërë inventarizimi nga terreni por vetëm nga gojëdhënat dhe nga zyrat.

Një ndër sfidat më të mëdha për të ardhmen, sa i përket Trashëgimisë dhe Diversitetit, është riorganizimi i Administrativ i Kosovës, nga i cili iu dhanë kopetenca shumë të mëdha Komunave të formuara pas luftës dhe me shumicë të popullsisë serbe.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e detyruar të ndajë një buxhet për trashëgiminë kulturore nëpër Komunat me shumicë serbe, ndërsa këto komuna nuk japin kurrfarë llogarie se çfarë bëhet në monumentet që ajo ka nën juridiksion. Në veriun e Kosovës ndër monumentet e trashëgimisë kulturore gjenden një numër i madh që nga neoliti, antikiteti, mesjeta e deri të atyre të periudha më të vona.

Në këtë territor Instituti Arkeologjik i Beogradit bënë gërmime arkeologjike, duke mos i dhënë asnjë llogari Qeverisë së Kosovës, andaj është një sfidë shumë e madhe, që vetëm duke propaganduar diversitetin kulturor në këtë rajon, duhet të afrohemi tek monumenti dhe të fillojë bashkëpunimi sa i përket trashëgimisë kulturore.

Sa i takon mbrojtjes dhe konservimit të trashëgimisë kulturore duhet një bashkëpunim më i mirë mes pushteteve, atij qëndror dhe lokal. (Bejko 2014).

Një sfidë tjetër është themelimi i një njisiti policor, i cili duhet të jetë i gatshëm dhe të ketë për detyrë mbrojtjen e monumenteve dhe shpëtimin e tyre nga klandestinët, që janë duke e shkatërruar gjithë pasurin arkeologjike me gërmimin dhe shitjen e artefakteve me vlera të pallogaritshme për thesarin arkeologjik të Kosovës. Sfidë tjetër është bashkëpunimi mes qyteteve që e përbëjnë këtë rajon, me popullsi të përzier shqiptar dhe serb, duhet gjetur mënyrat e bashkëpunimit për të mirën dhe ruajtjen e monumenteve dhe zhvillimin e turizmit kulturor në këtë rajon.

Literatura:

Bejko, L. 2014. Parqet arkeologjike, nevojë urgjente për një rrjet mbrojtjeje dhe informimi, http://www.sot.com.al, 29 prill 2014;

Cultural Heritage ëithout Borders, CHëB, Kosova. 2010. Arkitektura Tradicionale dhe Metodat e Dokumentimit, Prishtinë;

Cultural Heritage ëithout Borders, CHëB, Kosova. 2011. Konservimi i Integruar, (Sfidat, mundësitë dhe përvojat e integrimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në planifikim hapësinor dhe urban në Kosovë, Prishtinë;

Cultural Heritage without Borders, CHëB, 2012. Kosova. Konservimi i integruar;

Instituti Kosovar për Stabilitet. 2012. Mitrovica: Një qytet, Dy realitete, Mitrovicë;

Komisioni Europian (KE). 2000. Vlerësimi i Dëmit në Kosovë, Grupi për Menaxhim Ndërkombëtar (IGM), Vlerësim i Ndërtimit të Kosovës, Komuna e Mitrovicës;

Ligji mbi Trashëgiminë. 1977. Miratuar nga Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në vitin 1977, nr. 19/77.

McCurn, C. Hasimja, R. 2012. Vlerësimi i nevojave të viktimave në Kosovë, Mitrovicë;

L. Berisha, J. Ceraja, F. Hajrizi, H. Barani, e të tjerë, 2000. Mitrovica dhe rrethina, Mozaik kulturor, Mitrovicë;

Murati, S. 1971. E kaluara e Mitrovicës së Titos në koleksionet e Muzeut Komunal, Mitrovicë;

Pojani, I. 2013. Sistemi i trashëgimisë kulturore të filtrohet nga prurjet partiake, vendin e tyre ta zënë specialistëst, http:// www.sot.com.al, 12 mars 2013;



183 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page