top of page

Traboini dhe (anti)misoginia


Traboini dhe (anti)misoginia

Dr Fatmir Terziu



Poezia dhe tërë krijimtaria e shkrimtarit, poetit dhe kineastit të talentuar në vite, Kolec Traboini është jo thjesht një depozitim në kulturën e gjerë e të begatshme letrare shqiptare, por një mesazh tejet i artë në tërë lëminë e trashëgimisë. Si e tillë vepra e Traboinit meriton respekt për disa arsye. Me vëmendjen tek respekti për këtë krijimtari le të fillojmë me radhë argumentin në analizën tonë. Është së parinjë dashuri dhe jo një misogini (akt urrejtje) që vjen nga vargu dhe krijimtaria e Traboinit për seksin e kundërt. Dhe kjo dashuri brenda dhe jashtë disa kornizave letrare të misoginisë gatuan me vetë penën e krijuesit shqiptar mesazhin që ia lë në hyrje ‘bedenave letrare’ të “Itaka Grua” ku thekson “... do mbledh të gjitha lotët e grave të botës të bëj me to një varëse për Diellin...”. Pas këtyre vargjeve të koduara vetë dekodimi i tyre kulturor është një akt që kryhet në dimensionin e respektit dhe tërë lidhjeve me shpirt-krijimtarinë e tij artistike. Le të sqarojmë paksa lidhjen dhe tendencën e pikës së parë, si një kundërshti, por edhe si një përdorim në vlera të kapshme dhe të tendosura filozofike për lidhje-jetën. Është kjo lidhje dhe kundërshti mes vetë misoginisë. Si e tillë misoginia (loja/apo nga origjinalja në gjuhën greke mɪsɒdʒɪni) është në thelb mospëlqimi i grave, ose urrejtja ndaj këtij seksi. Misoginia pra siç e cituam vjen nga gjuha greke, një term që herët në poezinë greke zuri një vend dhe debat, i cili u vazhdua më tej edhe nga poetë të tjerë dhe kritikë e analistë perëndimorë, që ndërtuan lidhje të tërthorta mes fjalës misoginia (μισογυνία) nga misos (μῖσος, urrejtje) dhe gynē (γυνή,grua). Pra në lëminë e poezisë edhe pse ky person që i rrëfehet këtij termi lidhet me atë që në thelb është ‘se i urren gratë’ dhe quhet një misoginist, në thelbin letraro-poetik ai, pra poeti ndërton një marrëdhënie emocionale të tillë për të rrëfyer më shumë se urrejtja dhe dashuria. Një poezi e përafërt me këtë tematikë, dhe për të ndërtuar më mirë kuptimin dhe thelbin e saj është poezia e poetit Richard Moore. Poema e tij “MISOGYNIST'S LOVE” (Dashuria e misoginistit) ka marrëdhënie të tilla që lidhen me moshën, kur dashuria përkeqësohet, dhe me faktin që seksi i kundërt mbetet një anatemë mes vargut “Tani ju: një person i mirë!”. Dhe pastaj vazhdimi që pason atë mes një stigme statike dhe misoginie reflektuese, të acartë shpirtërore: “Mirësi, ndjenja të thella të përbashkëta/kur unë isha përgatitur tërësisht/për një tjetër femër bandite./Unë nuk jam i sigurt që unë mund ta duroj.”

Një poezi e tillë le dyert hapur për të kuptuar edhe poetin Traboini, sidomos tek poezia e tij “Ikja e fundit” të cilën për hir të kësaj lidhjeje dhe për ndihmë të lexuesit po e sjellim të plotë: “Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet/puthjet s’mund t’i shkulim nga buzët/as t’i ndukim nga mendja/sa kohë gjallë jemi përmbi dhe/idili ynë me ne do të vdesë/kur rrugën të marrim për atje.../në shkofsha i pari, do kthehen në kujtim/në imazhe dashurie që rrojnë ende.../edhe për ikjen e fundit paska një ngushëllim/puthjet që tek buzët e të dashurave le.” Siç shihet në thelb autori nuk le shenja misoginie në këtë poezi, veç faktit që kuptohet nga filozofia e saj mes termit të pashfaqur, simtomë e ndarjeve, apo ‘urrejtjeve’ pa shka që fshehin dhe herë mbulojnë e zbulojnë dashurinë dhe misogininë e autorit. Autori zgjedh fundin të plotësojë mesazhin e tij, por edhe të japë një akt të ndjeshëm në këtë pikë analizë.

Së dyti poezia e poetit Traboini në këtë rast është një poezi e shkruar nga një kënd burrëror, (mashkullor), ku elementi i ndërthortë i gjinisë karakterizohet nga dashuria dhe refleksi respektues për të. Dashuria dhe marrëdhëniet gjinore në tërë strukturën e poezisë së Traboinit karakterizohen nga lidhje të forta njohurish dhe njohjesh të agravuara historike. Kjo shihet tek poezi të tilla si “Kuti e vlerave”; “Visoret e Diellit” etj. Tek kjo e fundit është kjo tërthori që sjell qartë mes vargut “të marrët!/edhe Homeri mbase kështu thoshte/teksa në fantazinë e të verbërit/i përndizej Helena e Artë/të marrët/të marrët/të marrët”. Po të vërejmë me kujdes këtë fuqi të vargut të Traboinit, të cilën e lexojmë edhe me gjuhën e kritikës shqiptare të Jorgo Bulos (1976), kur citon se ‘problemet e traditës sonë letrare janë shprehje e ndërgjegjes së njësisë etnokulturore të popullit shqiptar’; me analizën e Anton Berishës, që e sheh tek ‘pasionet dhe shfrimet e zemrës’ (1978) apo edhe tek kritika e Rexhep Qosjes që e sheh këtë si një ‘kult të së shkuarës’(1968). Duhet theksuar se ashtu si Bulo, Berisha, Qosja dhe mjaft të tjerë që pasojnë kritikën shqiptare në vite, emra të tillë si Fetiu, Aliu, Vinca, Jasiqi, Mekuli, Hoxha, Matoshi, Kraja, Kryeziu, Ismajli, Hamiti, Gashi, Shita, Dërvishi, Gega, Jaka, Rugova, Agani, Latif Berisha, Doda, Hysa etj. kanë pasur parasysh një fakt sublim atë që në shekullin e 17 kjo risi në krijimtarinë Perëndimore u hap me një aspekt të ndryshimit të madh social e cila arriti kulmin në ekzekutimin përfundimtar të mbretit Charles I në vitin 1649. Kjo krijoi një atmosferë të konfliktit që i dha shansin të përhapet më shumë në segmente të caktuara të letërsisë së periudhës. Shkrimet e John Donne janë plot ndjesi me këtë ‘konflikt’, duke shprehur e duke reflektuar me përmbajtjen e tyre një pamje të dashurisë por dhe një analizë të ‘grave radikale’. Në këto krijime shihet edhe një shfrim me cinizëm të ndryshuar nga ajo që brezat e mëparshëm të poetëve na kishin dhënë. Kështu nga analistët krijimtaria e John Donne, sidomos ajo që lidhet me fenomenin e dashurisë është parë si e devijuar shumë nga filozofia mesjetare e dashurisë, e cila kishte qenë e shprehur në poezinë e dhënë nga sonetet e gjigantëve të tillë poetik si Sidney dhe Petrarka.

Pa u zgjatur në këtë lidhje historike, por pa vënë itinerar ndjesor apo ngjashëm kundrinues, tërë aspekti që lidhet me shfaqjen simbolike të dashurisë së poezisë maskuline të Traboinit dendet mes vargjesh të tilla “Plasa t’i bind miqtë e mi piktorë/se shqiptarka e Italisë/ka sisët më të bukura në botë/e se Udha e Qumështit zë fill/në thithkat e saj...” (Sisët a Anave); në poezi të tilla si “I dashuruar me një karficë”; “Tundimet e Circës” etj. Kështu një shembull i qartë i universalizimit të dashurisë është parë në "Maria Laforët" me vargjet e saj “mendo për një çast të mos kishte Marie,/përtej të tashmes do të kish veç pikëllim/çdo mëngjes më me gëzim zgjohemi/kur shpresojmë me Marien të kemi takim...” Ne shohim një marrëdhënie shumë më të balancuar të shprehisë së dashurisë dhe fuqisë saj tunduese, por edhe ndjejmë emocionet nga këndi maskulin edhe në vargje të tilla si “Pasioni për të gjetur nëpër më botë më treti/amëlsia e flladit, çdo mëngjes e mbrëmje/më ngjall shpresën/se një ditë do të dalësh prej detit...” (Për një nimfë ëndërroj).

Emocionet e Traboinit janë përshkruar shpesh duke përdorur imazhet sezonale, me të shpeshta kontraste midis të nxehtit dhe të ftohtit, midis asaj që autori e quan “Përrallë nga koha e rinisë”: “tek rrinim në muzg, të dy shtrirë mbi bar/tek liqeni i Tiranës të brendshmet m’i la/e iku e xhndosur nëpër natën me erë...”.

Shpeshherë Traboini, dhe kjo është pika e tretë, krijon një ton shumë ironik, në të cilën ai shkund dhe sintaksën më të fortë të gjuhës, dhe shkërmoq mendimet veç e veç, për të dhënë imazhin e atyre idealeve të ndërtuara kallp. Poema “Çamja e bukur” fillon me, “Zura mike një belhollë/çame e bukur nga Filati/zgjuar ëndrash, ik mes klithmash/përmes flakësh edhe zjarrit/” duke na dhënë kallpin e ‘Zervas kur u erdh tek praku’ dhe kur me ‘plumb vriste fëmijë’...

Por kryesore dhe tejet e rrëndësishme është forca e vargut të Traboinit tek perspektiva me të cilën janë parë gratë në poezinë e tij. Poezia e tij ka detajuar dhe nga detaji i saj e ka shkurtuar distancën e akullt me të cilën gratë shihen dhe konceptohen nga elementi mashkull. Por në fakt (nga një perspektivë moderne), kjo çon shpesh në pasazhe dhe ndjenja të cilat mund të përshkruhen si lidhje misoginistike. Spektrit të opinioneve të tij poetike, megjithatë, duket se i është afruar një gjuhë me një gamë të lakueshme që rreket mes mishërimit dhe barazisë inekzistente të dashurisë. Traboini në mjaft poezi të tilla si “Trillet e ngjizjes” apo “Hymn klithmës”, e vendos objektin e dashurisë mbi një piedestal të lëvizshëm si në ‘lumenj’ apo edhe tek ‘koha jonë sizifiane’. Por, Traboini në një kënd tjetër ridimensionon me një kthesë të fuqishme tipike të vargut të tij deri në përshkrimin më të fuqishëm figurativ poetik didaktin e normave shoqërore. “Fjalë pa fund” apo edhe “Zogjtë e shiut” janë metafora të fuqishme që përmbyllin deri në efektin më të plotë këtë marrëdhënie intuitive të vargut në perspektivë.

E kam theksuar edhe më parë në analizat e mia për poezinë e këtij poeti, se ‘poezia e Traboinit shkon tek syri i lexuesit e stolisur, dhe jo e mbingarkuar, e zbukuruar për të nusëruar...” (Terziu, 2009). Por me sa duket në këtë ‘nusërim’ fjala që lidh shpirtin poetik dhe vargun tipik të Traboinit në një fushë të begatë e të plortë delikate është më shumë se respekt, një përkushtim.


17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page