top of page

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave


Gladiola Jorbus

Gladiola Jorbus

Pulitje sysh

Retë elegante vërshonin

mbi pandeminë e hipokrizisë.

Shpirtrat - të dehur pas epshesh tokësore

Mbyteshin në përqafime

të boshatisura dashurish.

Tronditëse...!

Sy të perënduar,

në ngërçe klithmash shurdhuese.

Dhe retë të mbarsura

me lutje të ngërthyera

botën gllabëronin,

në një pulitje sysh.

Epoka e dinozaurëve

Më mbaruan fjalët...

Tek ti u përmbytën

çastet dehëse të lumturisë.

Po iki...

Perënditë verbohen

nga vozitja hënore mbi ujëra të akullema.

I ngjaj muzgut të përgjumur,

trishtimit kapriçoz,

puthjes së lamtumirës.

Edhe dueli zemër – mendje u shua...

nga pasqyrimi gjigantesk i zhgënjimit.

Dashuria u zbeh, u zhbë...

si një krijesë prehistorike.

Për të mund të lexojmë

e ta hasim veç në libra,

njëlloj si epokën e dinozaurëve.

Komodina e vjetër

Në komodinën e vjetër

fshihen zbrazëtitë, puthjet e ndaluara,

trillet, premtimet e tua.

Gumëzhitja vjen nga mendja ime,

si mbrëmjet e mjegulluara

ku qiellin e shquan, në dritëhijet

e neonëve të shëtitores.

Melankolia – statuja kokëfortë

që nuk dridhet para askujt.

Stolis skajet e ndjenjës,

kujtimet e pezullta,

lumturinë në miniaturë,

stuhinë e fjalëve të pashprehura.

Dhe narracioni vetmitar i syve,

psalt për ëndrrën, që na vodhi jetën.

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave !

Krahët hap drejt qiellit,

pas angështisë së mostingëllimit.

Aroma jote,

bëhet hyjnore dhe e përjetshme.

Erërat e tua enden pa busull.

Nga njëshi te dymbëdhjeta,

secila syresh mbart një emër -

e acartë, e tërbuar, e ngrohtë, flladitëse,

e lehtë, e butë, e lagësht, e fortë,

e lindjes, e jugut, e veriut, e perëndimit...

Dhe trëndafili i tyre –

një tjetër krijim i përkryer i Zotit,

si trupi i hijshëm i gruas,

vishet me drithërima mëkati.

Trëndafili i dymbëdhjetë erërave!

Eremit i vetmuar i gjithësisë!

Llamburin mbi shpresat e përlotura

në yjësinë e mallit.

Petalet e tua ngjajnë si tafta e mëndafshtë,

me faqe të shndritshme.

Të çmuara - si qumështi i derdhur nga gjiri i Herës

mbi dritësinë spirale të Via Lacteas.

Krijesë e brishtë

Koha ndalet në sytë e saj.

Një grua e trishtuar - është historia

e mijëra grave zemërngrira.

Buzëqeshjet mbyten në lumenj lotësh.

Flokët e mëndafshtë struken në diell.

Dëshirat femërore shtegtojnë larg...

Përtej kufijve të asaj bote,

që e mbiquajti gruan,

krijesë të brishtë.

Romanca e hënës

Ëndrrat derdhen mbi romancën e hënës.

Metafora e dashurisë

shndrin mbrëmjen e përflakur.

Një copëz universi

gacullon në kalendarin e nostalgjisë.

Bardhësia e sferës qiellore

micëron errësirën, me pyetjen profane:

- Përse deti po mban zi?!

Jam poezi

Jam kurora e hënës,

Një perëndim i zhytyr thellësive.

Jam një lug i gjerë,

Murrak e vrungullues.

Mes dhembjes e lumturisë

Mes mëkatit e shenjtërisë.

Bëhem vello e gjatë

Mbi ëndrra të bardha.

Ngjizur ndër tinguj

Mes vargjesh kreshpëruar,

Si pëshpëritje dashurie

Mbi buzën e nxehtë të gruas.

Jam fantazma binjake e kupës qiellore.

Kështjella e fjalës krenare.

E brishtë,e pamposhtur,idhnake.


Jam poezi.

Dhe ti…

Le të themi që triumfove në karrierë, Me duzina çmimesh që shtyheshin njëri pas tjetrit. Dhe ti… vazhdoje të bëje dashuri me hijen tënde, e ngrije dolli me trofetë që të stolisnin zbrazëtinë e shpirtit.

Kur ninëzat e syve të saj Prej Monalize, Të ftonin të kridheshe në melankolinë e tyre. Dhe ti… gëlltisje si hape gjumëndjellëse Muzgjet e bruzta dhe agimet e purpurta. Me gjakftohtësinë e një mizantropi.

Dhe ti… harrove se në jetë dhembjet ndahen së bashku. Dhe fitoret gjithashtu.

Dhe ti… Përplasje fort derën Pas shpinës së saj Pa thënë një “mirëmbetsh”, as një “lamtumirë” Dhe ajri bëhej i cingërimtë.

Dhe ti… Mbete vetëm me mungesën e saj Që ngjan me nënkresën e akullt Të një nate të pambarimtë. Dhe ti … Po sheh Se si trofetë e tu njëri pas tjetrit po bien … Të sendërtuar në një grusht mizash trupeshpirt përqethëse. Dhe ti… Ke humbur jetën, veten, dashurinë…

Uvertura e hënës

Mbuzet nata. Sfera e përkryer sodit ëndrrat e mia. Të qëndisura me penjtë e argjendtë që iu përvodhën qiellit. Timbrin e zërit tënd gdhenda mbi violonçel. Mungesë drite në sytë e mi. Përgjëruese… në kufirin imagjinar, ku puthjet ndahen. Malli më lakohet ndër duar. I pezullt - qëndron mbi gishtërinj. Dhe uvertura në Do minor, si tingujt e shpirtit ngridhet.

Ti mos u trishto

Edhe sikur të m’i marrin të gjitha fjalët

Dhe të më mbeten vetëm disa tinguj të mbytur.

Ti mos u trishto!

Edhe sikur kumbimi i zërit tim

Të shkrihej me cicëimat e trishtilëve,

Dhe të shtegtonte në vise të largëta.

Sërish do të të flisja, me zemrën në duar.

Ndaj, ti mos u trishto!

Edhe nëse gishtërinjtë e mi do të këputeshin

Dhe s’do të kisha më sy për të të parë,

Ti mos u trishto.

Do të të përkëdhelja me sytë e shpirtit

Dhe qielli do të përndizej brenda trupit tënd.

Edhe sikur …në pambarim…

Ti mos u trishto!

Gjithmonë e gjen një mënyrë

Ai që vërtet, të do.

Strehëza jonë

Po e përshëndes strehëzën tonë. Piklat e shiut më veshin shpirtin.

Dje isha një Afërditë. E sot?! S’jam veçse një lypsare E kësaj dashurie të brishtë.

Zjarrin e lashë ndezur në oxhakun e braktisur. Sa kujtime po digjen në heshtjen tonë!

Po e përshëndes strehëzën tonë, Dhe këtë dashuri që mes flakësh perëndon.

34 views0 comments

Komentáře


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page