top of page

TRËNDAFILI I BARDHË


-tregim- NGA PANAJOT BOLI

Një gjumë i ëmbël më kishte kapluar. Dhe gjumi i mëngjesit pranveror ka një ëndje aq të bukur, sikur lundron në një copë parajse me llojshmëri lulesh e ngjyrash fantastike. Aq më tepër në fshatin tim, mes malesh i dehur nga aroma e luleve blu të sherebelit, kombinuar me lulet e tjera që e krahasoja me qilimat më të bukur të botës. Dhe ai fllad... Ah ai fllad kundërmonjës lulesh...Të shëron shpirtin... Kur zgjimi të afrohet tek sytë, ti nuk do t’i hapësh. Do të përkundesh edhe pak në këtë ekstazë lumturie. Ndjeva mbi ballë një dorë që më ledhatoi. I hapa sytë me përtim. Pashë siluetën e mamasë. U çudita. Nuk pashë krevatet marinare të shokëve në dhomën tonë të konviktit në qytetin verior ku studjoja. E mblodha mendjen dhe i thirra kujtesës. Dje në mengjes isha nisur nga skaji verior, kur shokët e dhomës më përcollën deri në autobuz. Do të bëja praktikën pedagogjike në një nga shkollat e rrethit tim. Katedra kishte bërë një lëshim për mua. Profesor Leka që ishte përgjegjes për praktikat pedagogjike, duke më dhënë shkresën për seksionin e arsimit shtoi i kënaqur ‘Një rast i mirë të vizitojmë edhe ne Sarandën e bukur’ Kurse Ligori, që ndanim krevatin marinar, me të qeshur më tha se më mbajnë me hatër. Edhe unë desha te isha bashkë më shokët. Po më tepër më rëndonte çështja ekonomike. Ndaj kisha bërë atë kërkësë. Lehtësoja pak prindërit që me veshtirësi e përballonin tarifën e studimit tim. Shokët e dinin dhe e pritën mirë lajmin që më dha shefi. Vetëm kur u nis autobuzi, pashë një hije keqardhje të shokëve, kur ngritën duart të më përshendesnin dhe kapa në ajër fjalët e Gazit që tha: -Do të na mungosh. Tani silueta e mamasë u qartësua. Ajo më shikonte e malluar duke mbajtur në dorë një gotë qumësht. -Hajde, bir, çohu, të vajti vonë për në qytet- dhe më përkëdheli me dashuri si atëherë kur isha i vogël. Pastaj e la gotën mbi komodinë duke u larguar me hapa të lehtë të mos bënte zhurmë te derrasat e dyshemesë -Lëre djalin të flejë edhe pak- dëgjova zërin e babait nga guzhina. Më sëmboi kjo ngrohtësi familjare. Shtriva edhe njëherë këmbët dhe u bëra gati të ngrihesha. Ktheva kokën nga dritarja të shikoja nga mali përballë. Rrezet e diellit kishin pushtuar majën e tij dhe dukej sikur i kishin venë një kësulë të praruar mbi kokë... Kujtova kur ishim të vegjël, kur mamaja na zgjonte të shkonim të mblidhnim sherebel. Që të na nxiste për herë të dytë, na thoshte: -Shpejtoni, dielli ka zënë majën Atë mal e kishim si orë. Rrezet në fillim zinin majën dhe pak nga pak zbrisnin poshtë drejt fshatit. Se ishte mali tjetër nga lindja. Kur dielli të kishte zënë mesin e malit, ne duhej të kishin mbushur një trastë. S’mund të rrije shumë në diell në mal, sidomos në behar kur mblidhej sherebeli. Nxitova të vishem që të kapja autobuzin për në qytet pasi duhet të bëja një copë rrugë me këmbë... Babai më priste me kafen gati në guzhinë -Ti e di që s’e pi kafen- i thashë -Pije tani, je burrë. I bëra qejfin duke e rrufitur shpejt e shpejt. Ç’është e vërteta kafen e kisha provuar nja dy-tri herë kohët e fundit kur kishim provimet. Zakonisht unë lexoja në bibliotekën e qytetit. Një ditë tek isha lodhur shumë dhe kisha një dhembje të shurdhët koke, vendosa të pushoja pak te lokali përballë... Dhe nuk e di si më erdhi që porosita kafe. E shijova. Sikur më çlodhi. E përsërita edhe nja dy herë të tjera. Tani e shijoja me babanë dhe më shkaktoi një ndjesi të veçantë. Nuk e di pse ndjeva një lloj ndrojtje dhe hutimi kur trokita në zyrën e shefit. Një punonjëse më çoi te dera dhe u largua si me frikë. Shefi, një burrë i shkurtër rodokop, me një këmishë të bardhë me mengë të shkurtëra, me fytyrë të mbushur ku i skuqnin mollëzat, seç shkruante mbi një bllok. As që e ngriti kokën për momentin. As unë nuk fola. Thashë të mos i këputja mendimin. Pastaj ai u kujtua se dikush hyri, çoi kokën si i bezdisur. Më pa si i hutuar. I zgjata zarfin dhe prisja. Isha ndeshur disa herë me këtë shef në shkrimet e mia për shkollat dhe muzeumet në shtyp që kur isha nxënës në gjimnaz. Pasi e lexoi, u ngrit në këmbë i kënaqur dhe tani më dha të njohur -Sikur erdhe me porosi... Një mësues letërsie është shtruar në spital. Dhe ne vrisnim mendjen ku të gjejmë një zëvendësues. Apo s’është një grinjar ai drejtor Titi... Më hëngri veshët... Ja rasti.Të dha mësim ty? -Jo, kisha mësuese Letën... Po unë do të bëj ... S’më la të vazhdoj. Kapi receptorin e telefonit dhe i telefonoi drejtorit të gjimnazit tim pa marrë miratimin tim. Ngela i hutuar. Ai më hodhi duart në sup dhe më uroi suksese duke shtuar : - Të pret drejtori. Do të fillosh që sot mësimin..Hajde edhe njëherë suksese. Dola në korridor i hutuar, pa më lënë të kundërshtoja. S’kisha çfarë të bëja dhe u dhashë këmbëve. ... Kur hyra në ngushticën e gjimnazit një dridhje ndjeva në trup. Ishte një ndjesi e çuditshme që më kaplonte. Gjimnazi im... Kujtimet m’u hodhën në qafë. Më dehën shpirtin. Ecja si i përhumbur. Para disa vitesh hyja si nxënës , tani do të provoja të isha kolegë me mësuesit e mi. Si do të më prisnin? Çdo hap që hidhja para meje kërcenin si të çartura vitet e mia në këtë godinë dykatershe të stërgjatur në formë L-je. Shyqyr që ishte kohë mësimi dhe shkolla ishte në qetësi. Drejtori më priste Kishte në duar planet mësimore dhe temat që do të zhvilloja atë ditë. Më zgjati dorën tërë mirësi -Është kënaqësi dhe krenari për ne , mësuesit e tu që do të bëhesh kolegu ynë. U gëzova shumë kur më tha shefi se do të bëje praktikën tek ne. Para se të vije ua thashë kolegëve. U gëzuan. Më shumë mesuesja jote e letërsisë, e cila do të jetë udhëheqësja jote. Tani eja të të prezantoj me klasën të cilën do ta kesh edhe kujdestari këtë muaj. Do të ndihmojmë edhe ne... Na rastisi që u sëmur keq mësues Peti... E shtruan në Tiranë... Drejtori nuk e zgjati shumë, por më udhëhoqi në klasën që atë orë kishin lëtërsi, klasa kujdestare e mësues Peti, që ndodhej në fund të katit të parë. Kur hymë në klasë nxënësit u ngritën në këmbë dhe filluan pëshpëritjet duke parë nga unë që rrija si statujë me një regjistër në dorë. Vështrimi i rreptë i drejtorit i bëri të heshtnin dhe ai bëri prezantimin. -Do të zëvendësojë për një muaj mësues Petin që është shtruar në spital. Erdhi për të bërë praktikën në shkollën tonë. Ka qënë nxenësi ynë. Në këto banka ka mësuar. Silluni mirë me të. Mos na krijoni probleme. -pastaj u kthye nga unë - Është nder për shkollën tonë që rrugëtimin në misionin tënd të nderuar e nis këtu, në këto banka që ke mësuar. Suksese... Klasa duartrokiti. Isha si i mpirë. Dëgjova derën që tërhoqi drejtori në të ikur. Si i ngrirë në këmbë rrija para katedrës së klasës me një dorë mbështetur te regjistri. Më ishte lidhur goja. Ndjeva një përskuqje në fytyrë. Nxënësit filluan të pëshpërisnin me njëri–tjetrin. Momenti më i sikletshëm për mua. Kisha provuar ankth dhe emocione në provime, kur mbaja kumtesa para auditorit, por ky ishte më i forti. Për një çast ra heshtja në klasë. 64 sy po më shikonin me kureshtje. Ca sy që më jipnin kurajo, ca sy mosbesues me një nënqeshje, ca sy ëndërrimtar. Vendosa të çaj rrethin e hutimit. Ktheva sytë nga dritarja. Jashtë gjallonte natyra magjike e pranverës. Aty ishin gjithë ngjyrat e jetës. Me tërë shkelqimin e tyre. Vetë jeta Aty ish letërsia..Padashur lëviza buzët dhe zëri m’u duk se s’ishte i imi -Ju pëlqen letërsia? Ajo pyetje më largoi si me magji hutimin. Lëviza nëpër klasë Tani po afrohesha me shikimet e tyre ëndërrimtare, hyja në botën e tyre kaq të çiltër, kaq të madhe ku gëlonte bukuria e jetës, ku gjallonin ëndrrat e tyre kaq të guximshme të praruara me agimet e së ardhmes. Nuk e di si u shkri ajo perde pas së cilës shikoja ato sytë e tyre. Hyra në botën e tyre kështu thjesht, pa kërkësa pranimi, pa lutje e prova. U miqësuam kaq shpejt sikur kishim vite njohje. Duke bashkëbiseduar kaq lirshëm,kapa ca copëza nga bota e tyre rinore. Dhe kuptova ç’përmasa ka fjala mësues. Ishte gjë e bukur të hyje në botën e tyre të çuditshme. Unë po trokisja lehtë dhe ata ma hapnin me tërë bujari. Një ndjesi e ëmbël po ma ledhatonte shpirtin Ndërsa u thosha mirupafshim, në sytë e tyre lexova një ngrohtësi e simpati të shoqëruar me një buzëqeshje fëminore të padjallëzuar. I irituar nga emocionet, ecja në korridor dhe nuk e vura re mësuesen time të mirë të letërsisë që më priste duke buzëqeshur. Më përqafoi duke më derdhur një lumë pyetjesh. Pastaj më mori prej krahu dhe më çoi te ish-klasa ime ku ishin tani nxënësit që kish kujdestari. Nxënësit pushuan gumëzhitjen dhe panë nga mësuesja e tyre që erdhi në klasë me një të panjohur . -Te banka e dytë nga dritarja ishte vendi yt, apo jo?-më pyeti mësuesja -Po –pohova unë. Një vajzë kaçurrele me sy të kaltëra që ish ulur aty buzëqeshi padashur dhe lëvizi pak nga vendi. Dhe për të shuar kureshtjen e tyre ajo u tha se ky (dhe më tregoi mua) ishte nxënës në këtë klasë , nxënësi im dhe tani kryen praktikë këtu. E kam koleg tani. Vajza që ishte ulur te vendi im ngriti dorën dhe iu drejtua mësueses: -Sille mësuese të na jap mësim -Patjetër- i premtoi duke qeshur mësuese Leta. Duke zbritur shkallët nga kati i dytë, ndalova dhe iu drejtova mësueses sime: -Dua të më ndihmosh ... e kam të vështirë... Ajo më pa drejt në sy. Heshti për pak dhe duke hedhur hapat ngadalë më tha: -Dëgjo. Ka rëndësi ta duash profesionin dhe të hysh në botën e fëmijëve. Recetë nuk ka. Ti ke patur mjaft mësues derisa arrite këtu ku je. Merr gjërat më pozitive nga ata dhe ndërto portretin tënd. ..Në drekë, ku hyja në autobuzin e nxënësve, doja të qetësohesha pak dhe zgjodha një vend nga mesi, megjithëse shoferi më lutej të ulesha në vend të parë. Doja t’i sistemoja pak gjërat në mendjen time. Gjithë ato sulme baticash e zbaticash emocinesh dhe ndjesish, më kishin turbulluar. Sot bëra hapin e parë për të provuar veten. Nuk mund ta shpjegoja atë gjë që ndodhte në shpirtin tim. ‘Mësues’ shqiptoja në mendjen time prej të satën herë. Dhe dhjetëra vështrime , të ngrohta, shpotitëse, ëndërruese, të bukura, lozonjare, të ëmbla...më ishin ulur këmbëkryq në imazhin tim. Nuk harruan ata të klasës sime të më thoshnin përshendetjen kur dilja nga ngushtica e rrugës së gjimnazit tim.. ...Tashmë i prisja me kënaqësi orët ku do të futesha në klasë. Dhe ato kalonin shpejt. Diskutonim, debatonim, komentonim librat e reja, organizonim aktivitete. Nuk e di si u krijua ky afrimitet i çiltër .Veçanërisht ata të klasës sime donin të më kënaqnin , të mos më mërzisnin dhe u bënë kompakt . Gëzohesha qe i shikoja kështu. Ia vlente të sakrifikoje për ta. Më të shumtit e djemve ishin tifozë sporti. Shokun e tyre , Bertin e kishin futbollisht , luante me skuadrën e qytetit ‘’Mësues, vjen pasdite të shohim Bertin në stërvitje?’ Dhe unë shkoja me ta. Sa gëzoheshin kur rrija me ta e ndiqnim shokun e tyre. ..Ishte ora e tretë. Kisha letërsi në klasën time. Nxitoja, kur një burrë me një kostum blu të thellë me vija të holla të bardha, me një bastun në dorë më ndalon -Ti je mësuesi i ri i letërsisë? -Praktikant... -E mora vesh. Ky është thashë, se të tjerë i njoh. Te klasa ...ke mësim? -Po- i thashë -Të vij edhe unë të shikoj djemtë e mi? E kuptova. Ai ishte mësues Peti. Balli i tij i gjerë, ca sy të futura thellë, me ca vetulla të zeza të trasha, me fytyrën e hequr. Më zgjati dorën dhe u takuam përzemërsisht dhe ecëm për në klasë. Një uaa shpërtheu klasa kur e pa. Ai mori një pamje serioze dhe gati- gati të zemëruar. Pasoi një heshtje. U mbështet te bastuni dhe iu drejtua klasës që rrinte e topitur. -Hë, tani dukeni se gëzoheni. Kujt ia punoni ju këto gjera? Nuk e prisja nga ju. U treguat të pabësë, tradhëtarë. Nuk flisni? Pandehët ju se s’do ta marr vesh? Nga Tirana vij. Tani rrini urtë e bëni sikur s’dini gjë. Kujt do t’ia hidhni? – Nxënësit hapnin sytë të çuditur e shikonin njeri-tjetrin kurse mësues Peti gjoja i inatosur vazhdoi: -Që thoni ju një ditë bie telefoni në spital. Ishin ata të Ministrisë. ‘’More Peti – më thanë-me që je në Tiranë duku këtej nga Ministria.’ Çalë-çalë vajta. Shoku i Ministrisë më nxjerr një letër kaq të madhe sa dërrasa e zezë këtu-dhe tregoi dërrasën e zezë. ‘’Na e dërguan nxënësit e tu. Në fund pasi të shajnë , kërkojnë të të zëvendësojmë. Ja ç‘thonë : Na e hiqni këtë plakush dhe na dërgoni një djalë të ri çapkën për letërsi . Nuk i pranon letërsia pleqtë grinjar’ Dhe fët Ministria ju dërgon një mësues fringo... Nxënësit e kuptuan lojën dhe shpërthyen në të qeshura. Ai nuk e mbajti seriozitetin u derdh dhe i takoi me dashuri të gjithë me radhë. Më kërkoi falje dhe u bëri pyetjen e fundit - Që në vështrim ju shoh se e adhuroni mësuesin e ri . Mua më vutë në qoshe. - Edhe ty të duam Ai u përul në shenjë respekti dhe më ftoi në pushim për kafe. Më priste e unë s’ia prisha qejfin. Kisha edhe një orë të lirë dhe kjo na dha mundësi të bisedojmë gjatë. Folëm për letërsinë. Ai ishte një mesues i talentuar dhe një erudit i shkëlqyer i saj. Me sa pasion fliste. Një kritikë dhe komentues i paparë. Ishte privilegj për nxënësit që kishin një profesor të tillë. E zilepsa. M’u duk vetja shumë i vogël para tij. Ai s’pushonte së foluri e pyeturi. Te “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” të Kadares e uli pak zërin dhe u bë i guximshëm për kohën. E shikoja në sy dhe shikoja thellë në to se si ato shdritnin Doja të mos mbaronte ajo bisedë. Dhe ai psherëtiu, më zgjati dorën dhe tha: -Sa me fat do të isha po të të kisha afër këtu, të flisnim për letërsinë kolegu im i nderuar. ...Po vinin ditët e fundit të praktikës sime , që në fakt përveç normës se Petit, zëvendesoja edhe kolegët e tjerë të letërsisë, të cilët gjetën rastin të çlodhen ndonjë orë. E kisha të vështirë të ndahesha nga Klasa ime. .Një ditë Elsa më tha: -Mos ik mësues Unë qesha. U ngritën edhe të tjerë -Mos ik mësues. Një lëmsh më erdhi në grykë. Ndjeva një dashuri për të gjithë ato vështrime të çiltëra rinore që buisnin kaq hareshëm të padjallëzuara Ato sytë e Elsës që shpesh harroheshin duke më kundruar, e kur takoheshin uleshin me ndrojtje me një përskuqje në fytyrë. .. Ishte dita e fundit. Nuk pranuan të më përshëndetnin në klasë. Më shoqëruan në autobuz. Çaste mallëngjyese. Seicili nga ata kishte zgjedhur nga një lule. Pas disa ditësh jipnin disa nga ata, një shfaqje me ushtrime gjimnastikore me lule për 1 Majin. Dhe e mbushën autobuzin me lule. Qeshte shoferi. Elsa më zgjati një trëndafil të madh të bardhë. Më pa në sy. Pashë që nga sytë filloi një lot. Ktheu kokën dhe nuk mundi të më thotë një fjalë. Vetëm kur u nis autobusi , ajo ngriti dorën e saj dhe më përshëndeti disa herë. Shoferi më shikonte me bisht të syrit dhe murmuriti ngadalë: -Shumë prekëse kjo ndarje. U ke hyrë në zemër. Rrija si i ngrirë. Mora trëndafilin e bardhë. Shikoja me kërshëri petalet e bardha. Sikur kundroja bardhësinë e shpirtit të nxënësve të mi. Në një fletë Elsa kishte shkruar:- Ti je mësuesi më i mirë. Ndjeva një gufim në gjoks. Në një petale tjetër diçka donte të shkruante, por e kishte fshirë. E afrova trëndafilin pranë gjirit. Ishte oguri i stafetës së rrugëtimit tim ... Po, po ... sa bukur... me një trëndafil të bardhë.

37 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page