Trëndafila në pandemi



Tregim

Pajtim Xhelo

Ilioni ndjeu dhëmbje në mes dhe iu bllokua këmba e djathtë. Iu desh ta linte punën, u ul në verandë, po nuk ndenji ashtu as dytri minuta, sepse iu kujtua që i kushëriri i pat thënë muajin e kaluar që këto lloj sëmundjesh mposhten vetëm duke lëvizur. Nëse rri ulur apo shtrirë , ato të vënë poshtë për ditë të tëra, mbase edhe muaj.Ai e pat hequr në kurriz këtë, sepse nuk kish dëgjuar këshillën e një fizioterapisti.

Zbriti sërish në kopësht dhe nisi të lëvizte, duke u përpjekur të mposhtëte dhëmbjet. Një çast i ngriu muskuli i kofshës dhe ai i pulpës së këmbës, Dhëmbja qe aq e fortë, sa nuk e mbajti dot të bërtiturën, po nuk u ul. Nisi të fërkonte herë njerin muskul, herë tjetrin, po ata qenë forcuar si gur dhe çdo veprim ishte pa dobi.

Kjo zgjati pak kohë dhe gjithçka u kthye në gjendjen e mëparëshme, veç bllokimi i mesit dhe i këmbës nuk kish ndërmend ta lëshonte. Gjithësesi Ilioni vijoi të lëvizte ngadalë nëpër rrugicat e betonuara që ndanin lehet e kopështit. Po hante inat me veten, që qe i shtrënguar ta linte punën përgjysmë dhe vendosi ta mposhtëte dhëmbjen dhe bllokimin, që të mos merrej më të nesërmen me kopështin.

Në çdo hap që hidhte, i bëhej sikur dikush i ngulte një majë thike në zemër, po durimi dhe këmbëngulja nuk e tradhëtuan. Dikur gjymtyrët u mpinë dhe dalngadalë dhëmbja u largua, sikur ta kish hequr njeri me dorë.

Mori çapëzën dhe rinisë të gërvishte me të koren që kish zënë toka pas shiut që pat rënë tri ditë më parë.

Para se muzgu të rrëmbente zhurmët e rrugëve të qytetit dhe t'ia përplaste ato natës që mezi po priste të njehësonte botën në errësirë, ai drejtoi trupin, i hodhi një vështrim të kujdesshëm gjithë kopështit dhe si u duk i kënaqur me punën që kish bërë, u ul në në një karrike, me kujdes që të mos kujtonte dhëmbjet të ktheshin sërish.Pak kohë ndenji ashtu, se ndjeu që një qetësim ëmbëlsues i pushtoi të gjitha qelizat e trupit dhe i ndolli një përgjumje që nuk po e mposhtëte dot.

Dëgjoi hapat e të shoqes, që po zvarriteshin pas derës, në koridor. Zhurma e asaj zvarritjeje, e përmendi, e detyroi ta mblidhte veten.

-Mbarove? - e pyeti ajo.

Ilioni i tregoi me dorë kopështin.

- Ja, shikoje- ia ktheu- Si të duket?

Gruaja nuk i hodhi fare sytë andej nga i tregonte ai.

- Nuk është e nevojëshme ta shoh- i tha- Dihet që punën që bën ti nuk mund ta bëjë askush tjetër, po u lodhe shumë; ka ditë edhe nesër. Nuk ikën ky kopësht, aty është.

Ilioni qeshi.

- Puna e sotme nuk lihet për nesër; ti e thua gjithnjë këtë, pse sot ke ndrruar mendje?

Ajo tundi kryet:

-Sepse po u sëmure ti do na marrë lumi e deti të dyve. Kush do na ndihmojë pastaj? Njerëzit kanë hallet e tyre, nuk na i kanë ngenë.

Burri qeshi çiltër.

- Zoti do mendojë për ne. Kemi bërë vetëm të mira në këtë jetë, mendoj se do na shpërblehen. Zoti vonon, po nuk harron. Mos mendo të keqen e dashur.

Ajo u ul përballë tij dhe nuk po ia shqiste sytë.

- Edhe ky koronavirusi na u desh, se nuk i kishim boll hallet e tjera. Nuk kishim dëgjuar ndonjëherë që të mbylleshin njerëzit në të gjithë botën nëpër shtëpitë e tyre. Le, po nga frika e kujt? Nga frika e të padukëshmes që kërcënon me vdekje.

Ai e shikoi gjatë, pastaj e pyeti :

- Ke frikë?

Nuk mori përgjigje.

Ajo ishte e sëmurë që prej tri vitesh. Mjekët e mbanin me shpresë se do përmirësohej, po pritshmëria dukej se qe thjesht humbje kohe. Kish një sëmundje " të rrallë" siç thoshin ata, një plakje të parakohëshme të një forme më të lehtë se tipikja, veç nuk po dukej ndonjë dritë jeshile as afër, as larg për të nxitur besimin.

Dikur ajo u drodh lehtë.

- Mbrëmja u ftoh goxha - tha dhe hyri brenda.

Edhe Ilioni i shkoi pas.

Që kur qe sëmurur, e sidomos kur pat merrë vesh për llojin e sëmundjes, e shoqja fliste rrallë, ndonjëherë mund të rrinte për minuta të tëra në shoqërinë e saj dhe fjalët sikur nuk e gjenin rrugën për të shkuar nga njeri te tjetri. Herë të tjera ajo nuk të kthente fare përgjigje po të mos e përsërisje pyetjen, sepse humbiste në atë botën e re që pat krijuar jashtë vetëdijes , një botë egoiste dhe e mbyllur, që i përkiste vetëm asaj. Ilioni e sodiste me durim, vinte re lëvizjet kuptimplote të tipareve të gruas dhe përpiqej të depërtonte në bisedën e heshtur të atyre tipareve me pjesën e panjohur të jetës së saj.

Kish ditë që e shoqja gatuante, bënte edhe punët e shtëpisë, ngadalë, po saktë dhe me merak; për Ilionin këto qenë kohë feste.Ditë të tjera nuk dilte nga dhoma, madje as për t'u ulur në tryzën e shtruar për të drekuar apo darkuar, të cilën ai përpiqej ta bënte sa më tërheqëse dhe të këndëshme, duke menduar se kështu mund të nxiste kurreshtjen e të sëmurës dhe kësisoj e bindëte atë të merrte ndonjë gjë të vogël, të paktën për të mbajtur shpirtin gjallë. Në kontrollin e fundit, mjeku i kish thënë që duhet të bënte të pamundurën që ajo të bëhej pjesë e jetës aktive, që mendimet e gruas të vijonin të rridhnin lirshëm sa më afër mendimeve të njerëzve të tjerë, po Ilioni nuk mund t'i përkushtohej dot gjithë ditën gruas së tij; duhet edhe të punonte, edhe të mos shkëputej tërësisht nga bota tjetër, me të cilën e lidhnin qindra fije të jetës së vjetër e të re. Ishin dy në shtëpi, po ai duhet të kryente detyrat e tëdyve, sepse tjetra qe shumë a pak si hije që merrte frymë dhe ishte e pavarur nga qenia që dyzonte.

Ilioni i tregonte çdo mbrëmje për jetën jashtë shtëpisë së tyre për ta mbajtur në shtratin e një rrjedhe të zakontë, që të mos shkëputej nga e qenësishmja, për të mos lejuar atë botën e saj të re, egoiste, që të gllabëronte gjithçka që ishte para sëmundjes, për të mos lënë harresën të fshinte tërësisht kujtesën e largët, sepse kjo do të qe për të sikur ta kishin çuar në një planet tjetër, pa rëndesë, pa fushë manjetike, pa atmosferë, ku një qenie e gjallë jeton vetëm çastin, nuk ka as të kaluar, as të ardhme.

Të gjitha përpjekjet , jo pak të mundimëshme, Ilioni i bënte për të shmangur këtë. Kish edhe raste që binte edhe në mërzi, edhe në mosbesim, ndonjëherë shpresën nuk e shihte asgjëkund, edhe pse e këronte me qiri në një terr pa fund.

Po mëngjesi që vinte i pat lënë mënjanë të gjitha këto dhe niste nga e para gjithçka.

E vetmja gjë që gruaja nuk shpërfillte dhe nuk i largonte për asnjë çast nga dëshirat dhe nga prania në botën e saj ishin trëndafilat, që Ilioni i rriste me aq kujdes e përkushtim, sa që qe bërë i njohur në të gjithë qytetin me mbiemrin Ilioni i Trëndafilave. Këtë traditë e kish trashëguar nga gjyshja, e cila e mbante me vete kur punonte në kopësht me ta. Ai mësoi të krijonte lloje të reja që pa mbushur dymbëdhjetë vjeç. Në fillim e ngacmuan ngjyrat; arriti të rriste trëndafilë me ngjyrë të zezë, lejla, gri,blu, të gjitha nuancat e të kuqes, të të verdhës.

Si fitoi përvojën e duhur me ngjyrat, i hyri punës së vështirë të krijimit të aromave të ndryshme.

Me ngjyrat e kish patur të vështirë, po me aromat dukej çdo gjë e paarritëshme. Sillte ndërmend sa niste punën fjalët e gjyshes, e cila kish besim të palëkundur në aftësitë dhe këmbënguljen e të nipit dhe i thosh : "Nuk ka asgjë që nuk arrihet, veçse puna nuk duhet nisur nga e para çdo ditë; dita që vjen do kërkojë mendim të ri , por gjithnjë mbi përvojën e ditës së shkuar. Këtë mos e harro; asnjë përpjekje dhe arritje nuk duhet ta shpërfillësh, ndryshe do të gjejë si Penelopën e Odisesë, që atë që thurte sot, e shqepte të nesërmen, për të mos ndier mërzitjen e pritjes. Ajo priste të shoqin, kurse ti pret të arrish piksynimin tënd, kësisoj duhet të vijosh të thurësh atë që bëre dje, pa e shthurur.."

Në fillim Ilioni nuk i kuptonte këto që i thosh e gjyshja, po kur lexoi Iliadën dhe Qdisenë e Homerit, e kuptoi në thelb këshillën e saj dhe nuk lejonte askënd t'i ndërhynte për ta lënë pas dore atë.

Ishte i bindur që ajo qe kyçi i arritjeve të duhura, i përfundimeve të pritura. Me durim të jashtëzakonshëm, në moshën njëzetepesë vjeç Ilioni mundi të krijonte trëndafilë me gjashtë aroma të ndryshme, njera më e pëlqyer dhe më e kërkuar se tjetra.

Emri i tij tashmë pat laluar kufijtë e qyteteve të jugut. Kurreshtarë të ndryshëm kishin kërkuar edhe ta takonin, po e gjyshja, para se të vdiste, e pat porositur që të bënte kujdes nga lakmia dhe zilia e njerëzve të liq, të cilët do t'i shtireshin si dashamirës, po në më të shumtën e rasteve, do të qenë qëllimkeq dhe shkatërrues. Mes tyre kish qenë edhe një profesor i Universiteti Bujqësor, i vetmi fiorikulturist shqiptar, Abedin Çiçi, burrë i moshuar dhe çuditërisht me flokë të gjatë, që për sistemin ku jetonin qe sakrilegj dhe rebelim i gjykuar dhe i dënuar, i cili e ftoi për të këmbyer përvojë në rritjen e trëndafilave, po kur atij i qe mbushur mendja për ta pranuar bashkëpunimin, Profesori i çuditshëm tashmë qe larguar në pension. Gjithë të tjerët i priste dhe i përcillte me mirësjellje, po askujt nuk i zinte besë, sepse zilia ndihej qartë në shikimin dhe në fjalët e tyre. Për fatin e tij të mirë, para se të ndrronte jetë, gjyshja kish lënë testamentin, ku si trashëgimtar të vetëm të dymijë metrave katrorë tokë tokë përreth dy shtëpive pat cilësuar Ilionin.

Punët kishin vijuar mbarë, po martesa nuk pat qenë me fat. Djali i vetëm që patën, u iku nga jeta në moshën tetë vjeç dhe e keqja ishte që e shoqja nuk mund të bënte dot fëmijë tjetër, sepse kish hequr mitrën. U deshën disa muaj të një boshllëku tërësor të jetës në atë familje, në të cilin u harruan edhe trëndafilat, po një ditë gruaja i tha :

- Djalin nuk na i kthen më askush. Ajo që ndodhi, ndodhi, ne nuk kishim forcë ta ndalonim, po trëndfilat nuk janë fajtorë për këtë. Djali i donte ata njëlloj si ti, Mbrëmë e pash për të pestën herë në ëndër; m'u lut që trëndafilat mos t'i lemë të vyshken.

Ilioni qe përlotur dhe i ishte përveshur punës që atë ditë. Për dy vite rresht, me një këmbëngulje dhe durim mbinjerëzor punoi për të krijuar një lloj të ri trëndafili me tri ngjyra : blu, të bardhë dhe të kuq. Nuk fliste me asnjeri, thuajse nuk dilte fare në qytet...Madje qe larguar tërësisht nga jeta njerëzore, veç jo i zemëruar për ikjen e djalit, sepse për atë nuk qe fajtor askush mes të gjallëve; jo. Ilioni nuk i lejonte vetes lajthitje të tilla, që ta kërkonte shkakun e fatit të keq atje ku ai nuk ish. Nuk mund të mbante inat as me veten, as me të shoqen. Mund të kish prind që të mendonte ikjen e parakohëshme të fëmijës? Asnjëherë! Kjo nuk ndodh.

Kur e pat mbledhur disi veten nga fatkeqësia dhe qe pajtuar, ashtu si në mjegull, me ikjen pa kthim të djalit, Ilioni i kish vënë jetës tij një qëllim, për të përjetësuar kujtimin e të birit : të krijonte një lloj të ri trëndafili dhe t'i vinte emrin e tij.

Kish ditë të tëra që e bluante këtë në mendim dhe kur e shoqja i pat folur për amanetin e të birit në ëndrën e përsëritur, nuk e bëri të gjatë; nisi menjëherë të merrej me trashëgiminë e vyer të familjes së tij, trashëgimi që nuk mundi ta çonte më tej i biri, në rrugëtimin e tij të jetës.

Punonte dhe i bëhej se i biri ishte aty, mes atyre trëndafilave që flisnin pa zë, që fëshfërinin me atë fishkëllimën e drojtur e të pabujëshme që i biri përhapte ëmbël dhe lehtë mes ngjyrave dhe aromave që dehnin edhe ëndrat më të largëta e më flurore.

Lodhej sigurisht, po kur bëhej gati t'i nënështrohej tundimit të saj, fytyra e menduar e të birit dukej se i thosh : " Po trëndafili me emrin tim kur do të çeli? "

Ndërkohë e shoqja po fikej gjithnjë e më shumë , nga dita në ditë. Nuk ankohej, po një mbrëmje iu morën mëntë dhe u rrëzua në dysheme. Ilioni që po pinte kafe në verandë, ndieu zhurmën dhe u turr në kuzhinë. E mori para krahëve dhe e shtriu në divan, Ajo e mori veten dhe u përpoq të shtirej se nuk qe ndonjë gjë për t'u alarmuar, se mund të qe lodhja.

Atë mbrëmje edhe Ilioni u bind, po kur u përsërit edhe dy herë të tjera, e detyroi gruan të shkonin për kontroll mjekësor.

Që aty nisi zinxhiri pa kund i ecejakjeve për kontrolle dhe analiza , brenda dhe jashtë vendit.

Sëmundja e të shoqes ndonjëherë i linte edhe kujtimin e djalit në harresë, po kjo zgjaste fare pak...Puna për krijimin e trëndafilit të ri vijonte me të njëjtin vullnet dhe merrte të njejtën vëmendje, edhe pse Ilioni tashmë qe kthyer në një robot pune dhe përkujdesje ndaj gruas që përjetonte tmerrin e një fundi të pashmangshëm.

Trëndafili i ri tringjyrësh çeli mëngjesin që filloi karantinimi i detyruar nga pandemia botërore e covid 19.

Në mbrëmje ai i ndoqi lajmet jo shumë i shqetësuar, sepse, të themi të vërtetën, për të njëlloj do të ishte ky karantinimi, pasi kish disa muaj që e shihte rrallë qytetin dhe baret. Kafen e pinte vetëm një herë në javë në lokal, sendet e nevojshëme i merrte në dyqanin që ish përballë shtëpisë. E shoqja po bënte kohë që nuk largohej nga shtëpia, kështuqë për ata nuk do të kish ndonjë ndryshim të madh midis karantinës dhe jetës së mëparëshme..

Kur doli në verandë, ashtu, pa ndonjë kërshëri të veçantë , hodhi vështrimin nga lehet e trëndafilave.

Sytë i ndalën te diçka që e goditi menjëherë në shpirt dhe e bëri ta ndiente veten në qiellin e shtatë. Zbriti shkallët e verandës dhe iu afrua lehut ku qe trëndafili i të birit. Shtangu për një çast dhe mbuloi sytë me pëllëmbët e duarve , sepse dyshoi mos qe përfytyrim, shkaktuar nga dëshira që pritja e gjatë dhe e lodhëshme për çeljen e trëndafilit të ri të merrte fund njëheremirë.

I largoi pëllëmbët dhe fërkoi sytë. Jo, nuk ishte përfytyrim.

Trëndafili tringjyrësh kish çelur. Dukej si dhurata më e bukur që mund t'i bënte Zoti dhëmbjes së shpirtit të një prindi që kish humbur përgjithmonë fëmijën e vetëm, një nga arsyet më të fuqishme të njeriut të plagosur rëndë për të vijuar jetën e coptuar, që nuk bëhej dot e bashkuar në një të vetme si më parë, që do të shtyhej tej vetëm për hir të kujtimit.

Burri bëri kryqin dhe iu lut Krijuesit me zërin që i dridhej :

- Të falënderoj o Ati im, ty që ke në dorë jetën dhe vdekjen tonë. Të lutem, jepi frymë dhe përhape gjithandej nëpër botë këtë trëndafil që do të ketë emrin e tim biri! Më lejo ta quaj atë Korab!

Burri i mori erë. I ngjante aromës së mjaltit të sapo mbledhur nga kosherja e bletës. Pastaj numëroi petalet e secilës ngjyrë Të tri ngjyrat, e bardha, bluja dhe e kuqja kishin petale të barabarta.

Edhe pse e priste ta shihte një mrekulli të tillë të mendjes dhe të dorës së tij, ai falënderoi sërish Zotin; këtë herë pa zë.

Një javë më pas dhjetë rrënjët e trëndafilit " Korab" ishin ngarkuar tashmë me trëndafila tringjyrësh. E shoqja i tha se dihet t'i falte për shpirtin e të birit.

- Mos harro të shkosh në vorreza dhe t'i çosh një tufë Korabit - e porositi ajo kur po dilte me biçikletën, rënduar nga tufat e atyre trëndafilave , që mbase ishin të vetmit në botë në llojin e tyre.

Në rrugë vuri re vetëm tre kalimtarë, që po shpejtonin hapin dhe nuk i arriti dot që t'u jepte trëndafilat.

Ndaloi te një kryqëzim dhe priti dy gra që po afroheshin. I përshëndeti dhe u zgjati dy tufa lulesh. Gratë ndaluan dhe po shihnin të mahnitura.

- Artificiale? - pyti njera, duke prekur petalet dhe gjethet- Qenkan natyrale! - bërtiti ajo, pa e pëembajtur habinë dhe u bë gati të nxirrte paratë nga çanta.

Ilioni i bëri shenjë që ta mbyllte çantën.

- Po i shpërndaj falas, për shpirtin e tim biri - i tha dhe i zgjati një tufë edhe gruas tjetër.

Ato të dyja e shikuan me keqardhje. Njera e pyeti:

- Ku i keni gjetur këta trëndafila. Mendova se të tillë mund të ketë vetëm në Parajsë, apo në kopështin e Edenit.

Ilioni u përgjigj thjeshtë:

- Kisha dy vite që punoja për t'i krijuar. Më në fund çelën këto ditë. I kam quajtur me emrin e djalit, Korab.

Gratë e panë me keqardhje, po jo pa admirim.

Ato e pyetën ku e kishte shtëpinë, që të dërgonin edhe shoqet e tjera të punës për të blerë:

- Më duket se ju thashë që nuk i shes këto. Sidoqoftë, po s'u vonuat, do ju pres këtu.

- Pa dhjetë minutash - ia kthyen ato dhe nxituan.

Në rrugën kryesore nuk po shihej më asnjeri, as makinë, as biçikletë. Një qetësi e frikëshme zotëronte gjithçka, derisa një grup prej më tepër se njëzetë njerëzish u duk te kthesa e Shkollës Teknike. Ata nxitonin dhe heraherës kthenin kokën pas, sikur të druheshin nga diçka që i ndiqte.

U afruan me zhurmë dhe morën tufat e trëndafilave, duke lëshuar thirrje kënaqësie dhe habije për atë mrekulli që po ua falte ky njeri i panjohur, i cili merrte përsipër shpikësin e kësaj gjëje të rrallë.

Tashmë Ilionit i patën mbetur edhe tri tufa, po në çastin kur po dëgjonte falënderimet e atyre që morën trëndafilat, u afruan dy policë, të cilët u dhanë urdhër të shpërndaheshin urgjentisht, që të mos gjobiteshin për " mosbindje civile", urdhër ky i dhënë nga Kryeministri i vendit, për të siguruar mbrojtjen nga përhapja e Kovid 19.

Njerëzit u shpërndanë pa kundërshtuar. Atëhere policët iu drejtuan Ilionit.

- Do vish me ne në Polici Ke thyer urdhërin e karantinimit.

Ai u përpoq të shpjegonte arësyen përse po e bënte këtë, po policët nuk para ia vunë veshin. Në të vërtetë edhe atyre u bënë përshtypje ata trëndafila të çuditshëm, po as nuk morën mundimin t'i preknin, jo më pastaj t'u merrnin erë.

Ilioni u zgjati nga një tufë të dyve. Policët shikuan njeritjetrin, po dorën nuk e zgjati asnjeri.

Njeri prej tyre i tha :

- Sot po të falim, po mos dil më për asnjë arësye. I ndjek lajmet në televizion ti?

Ilionit i erdhi turp në krye të herës, nuk donte të pohonte që kish ditë të tëra që nuk e hapte fare televizorin. Sidoqoftë, iu përgjigj:

- Gruaja ime është e sëmurë, mua nuk më del koha as për të bërë gjumin e duhur. Nuk e hap fare televizorin. Mbase do më falni për këtë.

Policët i bënë shenjë që të largohej.

Duke u kthyer për në shtëpi, Ilioni takoi një çift që banonte në fund të rrugicës së tij. Gruaja u bë kurreshtare, mori në dorë njerën nga tufat, i mori erë dhe po e shihte e mahnitur këtë mrekulli të natyrës. Ai i zgjati burrit dy tufat e tjera dhe u tha :

-I keni të falura nga unë. Quhen trëndafilat " Korab" në kujtim të djalit tim që nuk është më në këtë botë.

Ata të dy e njihnin fatkeqësinë e tij dhe i shprehën keqardhjen.

- Ku i keni gjetur? - e pyeti gruaja.

Ilioni qeshi .

- I kam krijuar unë vet- u përgjigj me thjeshtësi- Kisha punuar dy vite të gjatë e të vështirë për këtë e më në fund ja dhe përfundimi : trëndafili me emrin e tim biri është ky.

- Dhe është aq i bukur, sa do ta kishin zili në gjithë botën- tha burri, duke shprehur pa u druajtur vlerësimin e tij.

E shoqja shtoi :

- Do njoftojmë gjithë lagjen, gjithë të njohurit tanë që të vinë ta blejnë këtë trëndafil , jo vetëm të bukur, po edhe me një aromë dehëse.

Ilioni i falënderoi.

- Prodhimin e parë do ta jap falas - sqaroi ai.

U nda me atë çift dashamirës dhe kur u kthye në shtëpi u ndie i kënaqur që trëndafilat tashmë do të ishin biseda e vetme në të gjitha shtëpitë e qytetit.

Edhe e shoqja që e priste në dritare u gëzua tek e pa ashtu, duarbosh; tufat e trëndafilave ishin shpërndarë të gjitha.

Ajo u ngrit me mundim dhe shtroi drekën e pëgatitur në tavolinën e verandës, gjë që ndodhte vetëm kur kishin ndonjë festë, apo ndonjë mysafir. Kish përgatitur pulë me patate në furrë, ushqimin e parapëlqyer nga Ilioni, po edhe nga i biri, Korabi. Ndau gjellën , solli edhe tre shishe me birrë Peroni.

Ilioni vuri re që ishte shtruar një pjatë e tretë dhe e pyeti :

- Presim njeri, apo ka ardhur ndokush dhe po ma bën befasi?

Gruaja, fytyra e së cilës shkëlqente nga një lumturi e pashpjeguar, ia ktheu :

- Është për Korabin, ai është këtu, sepse ky trëndafil që po fiton vlerësimin e gjithë qytetit u krijua për të dhe mban emrin e tij. Ti na i solle sërish djalin mes nesh. Kjo nuk është pak.

Tha këto fjalë dhe ngriti gotën me birrë.

- Gëzuar Ilion! Nga sot djalin do ta kemi përditë në këtë kopësht dhe në këtë shtëpi, emri i tij do të përmendet në gjithë qytetin e më pas në të gjithë vendin.

Kish të drejtë; ata që do të merrnin trëndafilin, doemos do të pyesnin përse kishte këtë emër dhe gjithë bota do ta mësonte që ata kishin patur një djalë që e quanin Korab, të cilin ky trëndafil do ta bënte të pranishëm kudo.

Ç'mund të bënte më tepër se kaq një prind për të ruajtur të gjallë kujtimin e djalit, që vdekja ia pat rrëmbyer me kthetrat e saj, akoma të parritur, duke u përkundur ëndrave të pafajësisë dhe dëshirave ëngjëllore për një jetë mes dashurisë dhe paqes parajsore?

Për të parën herë që kur e patën përcjellë atë për në banesën e fundit, Ilioni me të shoqen u ndien krenarë, pse jo, edhe të qetë, sepse kishin mbajtur premtimin e heshtur që i dhanë të birit për ta patur atë përjetësisht aty, mes tyre. Madje , e kishin tejkaluar atë premtim; trëndafili " Korab" tani do të qe i pranishëm te të gjithë njerëzit e , së bashku me të, në një farë mënyre, edhe djali i tyre.

Asnjë prind tjetër që kish fatin e tyre nuk pat arritur të bënte një përjetim kaq të fuqishëm.

Ata të dy e kishin bërë, kësisoj ishin të përligjur të ndiheshin krenarë.

Ilioni pa lotë që patën lënë shenja në faqet e të shoqes. Mori pecetën dhe ia fshiu lehtë.

- Nuk jam e trishtuar - e qetësoi ajo - Përkundrazi, janë lotë gëzimi.

Ai e përqafoi. Një çast pati ndiesinë që ajo ishte shëruar, nuk e vuri re plogështinë e mëparëshme, as krrusjen e shpinës dhe shtrembërimin e kockave të saj.

Mos kish ndodhur mrekullia, për të cilën mjekët patën hamendësuar disa herë?

Edhe fytyra i pat marrë një ngjyrë rozë të çelët, si dikur, në vajzëri, atëhere kur e lakmonin të gjithë djemtë e qytetit, po fatlumi ndër ta kish qëlluar ai, " djali i çuditshëm i trëndafilave", siç njihej Ilioni në gjithë atë qytet.

Atë mbrëmje ata shkuan më herët se netët e tjera për të fjatur; pas kaq kohësh, për herë të parë ajo pranoi të flinin në një shtrat dhe për Ilionin kjo ishte si ta niste jetën nga e para.

Në mëngjes gruaja u ngrit herët, përgatiti ca petulla me kos që të joshnin me rrumbullaktësinë e tyre dhe me aromën ngacmuese të përzier të kosit me gjalpin e tretur, nxori dhe dy kupa me mjaltë nga ai që i patën sjellë nipi dhe mbesa nga Qeparoi verën e shkuar dhe kur po sillte në tavolinë çajin e boronicës blu, e zgjoi Ilionin me një prekje të lehtë në gjoksin e zbuluar.

Ai u hodh menjëherë nga shtrati, ashtu si hidhej vite më parë dhe priste që e shoqja t'i jepte një të puthur të lehtë me çipin e buzës, në vend të " Mirmëngjesit".

Gruaja qeshi dhe ndenji e mëdyshur : t'ia jepte të puthurën apo jo, po Ilioni nuk priti vendimin e saj; i rrëmbeu një të puthur në buzë , e mbërtheu për beli, e shoqëroi deri te tavolina që po i priste ngacmuese dhe u ul përbri saj. Në të vërtetë nuk ulej asnjëherë pa bërë tualetin e mëngjesit, po sot sepse i pëlqente t'i shpërfillte të gjitha zakonet, të cilat e patën mbajtur rob tërë jetën; i qe mbushur mendja të rebelohej me gjithë botën e vjetër, duke u çliruar nga varësia e shumëfishtë e të përditësmes së bezdisur. Sot po provonte një dëshirë të pakushtëzuar për të shijuar një liri pa konture, që do t'i sillte gjithë kënaqësitë që i pati mohuar vetes, duke qenë ushtar i bindur i ligjeve të shkruara e të pashkruara zakonore.

E shoqja, që në një rast tjetër do i thosh rreptë të lante të paktën duart dhe sytë para se të hante mëngjesin, sot u pajtua me atë dëshirën e tij të çuditëshme për të qenë kundër gjithë botës së Kanunit, etikës dhe moralit njerëzor.

Nëse ato çaste do të ndodhej aty , pranë tyre, ndonjë njeri që i njihte, nuk do t'u besonte syve me atë që po ndodhte në atë shtëpi. Të krijohej ndiesia se e kaluara ishte larguar që andej për të mos u kthyer më.

- Kisha kohë që i pata harruar këto petulla që vetëm gruaja ime e rrallë di t'i bëjë! - tha ai duke u përtypur- Po këtë mjaltë ku e gjete, ku e kishe fshehur? Ky është mëngjesi më i shijshëm që kam ngrënë në jetën time.

Ilioni vuri re që edhe e shoqja po hante me të njëjtin oreks dhe i tha me shaka :

- Më duket se po hyn në pjesën time, pse nuk i ndave në dy pjata?

Ajo qeshi.

- Të ngrihem të të bëj të tjera? - e pyeti dhe u çua pa marrë përgjigje.

Ilioni donte ta kundërshtonte, po kur e pa që u ngrit e lehtë, si një sorkadhe, drejtoi trupin që e mbante krrusur prej kohësh dhe hodhi e sigurt disa hapa të shpejtuar, ndrroi mendim: " Le t'i bëjë - tha - Do t'i ha me kënaqësi, sepse ndiej një uri prej ujku. "

Tek e sodiste me një kënaqësi të pafshehur e disi të shfrenuar, ai nisi të kujtonte muajt e parë të martesës, kur ajo lëvizte nëpër shtëpi si flutur, duke kënduar me zë të ulët dhe duke u përpjekur t'i hapte punë vetes edhe atja ku nuk ishte e nevojëshme. E ëma e tij i thosh gjithmonë : " Të këndoftë zemra moj bijë, se na solle gëzimin dhe jetën në shtëpi! "

Atij i gufonte shpirti kur shihte që nuse e vjehrë, duheshin si nënë e bijë. Kur pat lindur Korabi, ato të dyja u lidhën edhe më tepër me njeratjetrën, po ikja e papritur e djalit, plakës ia afroi ditët dhe vdiq dy muaj pas tij. Ishin dy humbje të njëpasnjëshme dhe të dyja të rënda, si për Ilionin, ashtu edhe për të shoqen. Pastaj kish arritur sëmundja e tmerrshme e saj dhe jeta e tyre nisi rrokullisjen e pandalur në një pjerrinë pa fund. Veç ditën që çeli trëndafili tringjyrësh rrëshqitja ishte ndërprerë për të lënë diku, në një shtroerë të qetë një jetë të rikthyer.

Trëndafili tringjyrësh dukej se po zbonte edhe sëmundjen e gruas.

E shihte ashtu, të gjallëruar Ilioni dhe nuk rreshtëte së lumturuari. " Sigurisht, ajo po shërohet- mendonte, duke u përpjekur të bindëte veten për këtë - Në jetë ndodhin edhe mrekullira dhe kjo që kam para syve është një nga ato! "

Ilioni ngarkoi sërish dy shportat me tufat e trëndafilave në biçikletë dhe doli në rrugë.

Edhe sot kishte pak kalimtarë, të cilët ecnin si të përhumbur dhe të hutuar, pa kthyer kokën nga njeriu me biçikletë që priste me padurim t'u jepte atyre trëndafilat " Korab". Vetëm kur disa vajza kaluan bri tij dhe vunë re çudinë që mbante mbi shpinën e saj biçikleta, u ndie një britmë habie dhe të gjithë kalimtarët kthyen kokat. Vajza që kish thirrur pa vetëdije mori një tufë trëndafilash, e tundi në ajër dhe tha me zë të lartë :

- Pa shihni, shihni ç'mrekulli ka sjellë ky zotëria!

Tanimë ishin afruar të gjithë dhe mbetën pa fjalë, jo vetëm nga pamja dhe aroma e trëndafilave, po edhe nga që ato po ua falnin pa para.

Ilionit iu desh të shuante edhe kurreshtjen e kalimtarëve. U shpjegoi që trëndafilat ishin shpikje e tij në kujtim të djalit, emrin e të cilit e mbanin ata.

Erdhën edhe kalimtarë të tjerë, po nuk vonuan të arrinin edhe policët. Ishin po ata të ditës së djeshme.

Njerëzit u shpërndanë të frikësuar. Ligji... Me atë nuk bëhej shaka. Herën e parë të gjobisnin dhe me një dorë të rëndë madje, që të përcëllonte kurrizin, me njëqindmijë lekë.

Në rast përsëritje të merrnin në polici dhe të proçedonin penalisht.

Në rrugë mbetën vetëm Ilioni me biçikletën ku pat mbetur vetëm tufa e fundit e trëndafillave dhe dy policët që po e vështronin rreptë, sikur të ishte kapur duke kryer ndonjë krim. Një copë herë ata nuk folën, pastaj njeri prej tyre mori tufën me trëndafilat tringjyrësh nga koshi dhe duke e tundur atë me kërcënim para fytyrës së Ilionit, këlthiti me një zë të hollë e të çjerrë, që i ngjante mjaullitjes së një maçoku në një natë shkurti :

- Të paralajmëruam që të mos dilje më për të shitur trëndafilat e tu në këtë tmerr pandemie të covid 19. Je në këtë botë ti or mik?

Ilioni u përpoq të shpjegohej:

- Trëndafilat nuk kanë virus dhe unë nuk po i shes, po i fal për aesyen që u thash edhe dje.

Polici, që vijonte t'i tundëte me kërcnim tufën e trëndafilave para fytyeës ia ktheu me të njëjtin ton :

- Ku ta dimë ne që nuk e kanë koronavirusin këta trëndafilat e tu? Shkencëtarët e gjithë botës, akoma nuk janë të sigurt për asgjë, nga na dole ti më i mençur se shkencëtarët? Botës i ka rënë një zjarr që po djeg gjithçka, njerëzimi është strukur në shtëpi nga frika e këtij virusi vdekjeprurës, kurse ti nuk do t'ia dish për asgjë dhe del si pa të keq nëpër qytet për të shpërndarë këta trëndafila? Po sikur të jenë të infektuar me koronavirusin? Kjo do të thotë, as më shumë e as më pak, që t'i po përhap me vetëdije Covid19.

Si e pa që Ilioni nuk foli fare, polici tjetër i rrëmbeu nga dora tufën e trëndafilave shokut të vet dhe e flaku atë në rrugë.

- Ti më duket se e ke një dërrasë mangët - i tha ai- Kur i gjithë njerëzimi po përjeton ankth, frikë e tmerr nga vdekja që troket dyerve të shtëpive, zotria jote del e më shpërndan trëndafila me ngjyrën e flamurit francez. Nga Franca të kanë ardhur?

Ilioni sërish nuk foli. Ç'hynte në këtë mes flamuri francez? Ai hodhi vështrimin mbi trëndafilat që qenë shpërndarë në rrugë dhe iu duk për një çast se dikush kish hedhur trupin e coptuar të të birit së bashku me ata trrëndafila në atë rrugë të shkretë, braktisur nga jeta njerëzore, ku vdekja sundonte si Zot i pamëshirshëm dhe i gjithëpushtetshëm, i vetëm dhe mizor.

E vetmja fije jete në atë botë të krisur e të marrosur nga pandemia, ishin ata trëndafila tringjyrësh me emrin e bukur " Korab". . .

Trëndafila në kohë pandemie!

Fund

Pajtim Xhelo, 10 korrik 2020

71 views

Shkrimet e fundit