TINGUJ QË NGUSHËLLOJNË TRISHTIMIN 



 Tregim nga Kozma Gjergji 


          Në vazhdim u duk sikur gjithçka që ndodhi midis Bertit e të dashurës rihyri në rrjedhën e mëparshme. Doli e gënjeshtërt. Djaloshi pa rënë në sy tërheq nga shtëpija gjërat më të domosdoshme. Nga frika e ndonjë situate dramatike largohet tinëz, duke i lën asaj një letër, në të cilën pasi e falenderon, rendit motivet që e shtynë të ikë, dhe në fund e lut për mirëkuptim e të mos ketë mendime të këqija ndaj tij. 

            Të nesërmen ajo e gjen letrën dhe nuk beson fare për ç'shkruhet. E lexon disa herë e s'përqëndrohet dot. Të gjitha pyetjet i mbeten pa përgjigjje. Kur nis të bindet që vërtet e ka braktisur, shëmbet në krevat. Është e tëra rrëmujë, mishmash, katrahurë. Mendon se tërë këtë e bëri ai shtrigu i trashëgimisë të pasurisë së të ëmës. Ai e helmoi kroin e lumturisë… Ai… 

            Nga zemërimi e dëshpërimi i vë flakën letrës. E vështron sesi ndriçon një çast dhe pastaj bëhet hi. Tamam si dashuria e atyre të dyve. S'thonë kotë që ëndrrat e bukura dhe dashuritë e burrave janë të shkurtra. O dashuri, dashuri, të njoha se ç'perëndeshë mizore je! Të joshë, mashtron e verbon me vetëtima vështrimesh dhe lajka të prarura, me përkëdhelje të ëmbëla e mërzi të purpurt, me… derisa të të shtiesh në dorë, pastaj s'kënaqesh të të marrësh dhe shpirtin!… Të duash do të thuaka të vuash!…. Lumturia qenka veç një iluzion!  Ai princi prej drite të kaltër mbi kalin e bardhë vezullues nuk ekzistoka, por dhe nëse ekziston është në gri, është më tepër një përfytyrim iluzor, imazh mashtrues, dëshirë gënjeshtare nëpër ëndrra dhe përralla… 

             Vajza është fare e re, e pa përgatitur për dhimbje të vërtetë. Prandaj dhe i duket pa shërim. Ndihet si ai fëmija që i është mbytur varka e parë. 

              Nis të mbajë ditar. E titullon "Biografi e një zemre të plagosur ". E fillon: "17 shtator. Sot jam një velë e shqyer në mes të detit, që s'fryn asnjë erë ta ndihmoi… " Të nesërmen shkruan në faqen tjetër: "18 shtator. Galopoj ngalakeq si kali qorr mbi akull… " Pas këtyre dy fletëve nuk e vazhdon më ditarin. 

              Ka zbritur mbrëmja. Në ajër lundron ende vështrimi i diellit që humbet përtej maleve. Asaj i kalojnë nëpër mend disa vargje:


                       I pabesë më dole Dilo, 

                       Më le, por ta dish: 

                       Dhe në gjumë do më vajtosh

                       Në març ndonjë shtrigë… 


            Nuk e përcakton dot nëse vargjet janë të ndonjë kënge apo i ka krijuar vetë trishtimi i saj. Gjithëfarë mendime ogurzeza i vërsulen. Do ta kish të lehtë sikur ta urrente Bertin, por s'mundet. Edhe më e helmuar do të ndihej nëse ai tregonte mëshirë e keqardhje, apo të shtirej se e dashuronte. 

             I shkrep të dëgjojë muzikë. Ndezë magnetofonin dhe vë diskun. Një valë tingujsh muzikorë mbushë dhomën. Ajo mbyllë sytë, përhumbet. Meloditë kanë magjinë t'i përcjellin diçka dehëse, trullosëse si narkotiku, t'ia ngushëllojnë trishtimin e çlirojnë shpirtin nga makthi, t'ia përkëdhelin dashurinë për jetën, të vizatojnë rrugëdaljet dhe me zëra të urtë e qetësonjës t'i thonë: "Këndo për inat të mërzis! Është e pafundme bota jonë! Shikoje si rilind çdo mëngjez më e bukur, më tërheqëse! Ditë e re, shans i ri!… "

             Vajza kujton plot çaste të bukura që ka kaluar dhe i kërkon ndihmë Shën Gjergjit të vrasë kuçedrën që i është vërsulur fatit të saj. 

             I shfaqet si mirazh i rrallë fëmijëria dhe bashkëmoshatarët tek vrapojnë si era fushës në festën pagane të pranverës. (Në çdo zemër ka një udhëtim në të kaluarën që ndihmon për të tejkaluar gjendjen e vështirë.) 

             Luajnë shpengueshëm gjithfarë lojëra deri kaluçin. Mbi kurrizin e sajë djemtë kapërcejn vrullshëm e i shkaktojnë dhimbje pa pikë mëshire. Por dhe ajo hakmerret me hiret e bukurisë, duke i torturuar e plagosur keqas në zemër. 

              Kanë veshur rrobat më të bukura dhe siç e do riti mbajnë verore në duar e në gush, të cilat janë gërshetim i fillit të bardhë-dritës me të kuqin e dashurisë dhe të gjelbërtin e jetës. Ndërsa këndojn e vallëzojn lidhin nëpër pemë gjerdanë me monedha si hëna e diej, kurse nëpër strehët e shtëpive vendosin vargje me unaza prej druri, që bekojn familjen për shumë begati dhe bijë e bija. Spektakli përfundon kur djemtë e vajzat, shoqëruar me urimet e duartrokitjet e të rriturve, heqin nga koka kurorat prej lulesh dhe nga brezi brezaret prej degëza të gjelbra pemësh dhe i hedhin në lumë. Lulet e tyre simbolikisht janë fëmijtë që pastrojnë, përtërijnë e shtojnë lumin njerzor. 

               Vajza, duke u çliruar gradualisht nga ankthi thërret: "Oh! Jetë të dua!" Dhe si të fshinte pluhurin e zi të qymyrit nga xhamat fshiu nga mendja mendimin për vetëvrasje. 


    NË KËSHTJELLËN ME MOZAIKUN E EROSIT 


                Zonjusha nuk ambientohet dot me gjendjen e re. I duket se s'mund të jetoi pa Bertin. Ende beson që nuk e ka braktisur dhe gjithçka ndodhi ishte vetëm një trill artisti. Shpreson se do të rikthehet. Ai s'mund ta lerë dikë tjetër të vazhdojë e përfundojë dashurinë. Por shpejt ndërron mendje. Nuk duhet t'i qëndrojë larg, se rrezikon që zjarri i dashurisë mund të shuhet fare. Mendon të zbuloi fillimisht ku gjendet e çfarë bën, pastaj të shkoj atje, ta përgjoi e ndjek nga afër dhe në çastin e duhur t'i shfaqet. E shqyrton edhe një herë këtë dhe e gjen plotësisht të drejt. Siguron adresën nga miqtë transavanguardistë dhe niset. 

              Gjatë udhëtimit me tren merret vetëm me mendimet e veta. E shkëpusin befas prej tyre ca krisma të forta bubullimash. Hedh vështrimin tek dritarja e vagonit dhe shikon me habi fytyrën e mërzitur të shiut, që shkruan me lotë ëngjëjsh në xhamat e avulluar elegji për ndarje, zhgënjime, pengje, për dashuri të humbura e të pathëna dhe ato që kanë vdekur në fshehtësi, për pendime gërryese…  Eh, shiu, shiu, poeti qiellor i mallit, puthjeve, dhëmbshurisë, melankolis, trishtimit… 

              Me të mbërritur në stacion mer taksi për tek hoteli afër atij ku ka bujtur Berti. Sistemohet. Bën kujdes mos t'i bjerë në sy. Ndjek nga larg çdo lëvizje të tij. Kënaqet teksa e sheh në shoqëri me artistë, sepse ia di planet. Mëson me gëzim që së shpejti do të shfaqet një premierë variete, në të cilën ai do të interpretojë dy role kryesore, atë të kllounit dhe priftit. Ngjarje e shënuar! Sa e kishin ëndërruar e dëshiruar të dy këtë shans! Uron e lutet për sukses. 

                 Erdhi shpejt dhe dita e shfaqjes. Reklamat e kishin bërë të vetën. Spektatorë kureshtarë e artdashës të shumtë e mbushën përplot sallën. U duartrokitën fortë disa nga këngët e pjesët komike e dramatike më të arrira, dhe u fishkëllyen e tallën ato më të dobtat. Për fat të keq Berti ishte tek të dytat. 

                 Vajza që mezi pret ta takoj, s'po gjen dot rastin, se ai ësh­të vazhdimisht i shoqëruar. Nuk i ndahet veçanërisht një femër me fytyrën si vepër arti. Bashkë hyjnë e dalin në hotel, në shëtitje, bare, restorante. Ndjen një mërzi vape. Ajri i duket i rëndë në frymëmarrje, orët më të gjata. Shkon të darkoi, por nuk i haet. Preferon veç kafe e pije. Blen një shishe me konjak e ngjitet në dhomën e prenotuar. Qëndron deri vonë duke rrëkëllyer gotat njërën pas tjetrës. Dëshpërimi ka gjithmonë etje për të pirë. 

Pështjellimthi shikon tek pasqyra ca reflekse të avilanosura. Kokën e ndien të rënduar. Shtrihet në shtrat. Gjumi i vjen tepër i shqetësuar. Përmes mjegullës së alkoolit arrin të shquaj një kështjellë madhështore. Ushton e tëra nga festa. Midis njerëzve të shumtë dallon Bertin. Përkrah i qëndron pikërisht ajo femra me fytyrën si vepër arti. Pranë tyre janë dhe miqtë transavanguardistë. Gradualisht i qartësohet që kjo festë është dasma e burrit të saj. 

                Në detin e hares kështjella noton si anije e ngarkuar me lumturi. Nën stuhinë gazmore të tingujve çifti bën ritualin: Nusja merr mollën, e ndanë në dy pjesë dhe gjysmën ia jep dhëndrrit, gjë që nënkupton se tani e tutje gjithçka në jetë do ta ndajnë bashkë. Nga ana e tij edhe dhëndëri mbushë dy gota me verë, e njërën ia jep nuses  për t'i pohuar, se nga sot e në vazhdim gjakun do ta përziejnë bashkë. 

               Trokitje gotash e urime nga të gjitha anët. Muzika ndizet edhe më shumë. Dhëndri e nusja dhe dasmorët dalin në valle. Zonjusha rri në përgjim. Sapo vallja përfundon dhe vallëzuesit zënë vendet, ajo shfaqet tek tavolina kryesore e vihet përballë çiftit. I drejtohet Bertit që ka shtangur. 

                -I shtrenjti im, erdha të të uroj… 

                Nxjerrë armën dhe qëllon mbi të. Ai rrotullohet e rrotullohet gjersa shëmbet në dysheme mbi mozaikun, ku siç i duket asaj, Erosi , Zoti i dashurisë i hedh shigjeta prej ari figurës së drerit me kokën e një djaloshi si të Davidit të Mikelanxhelos. Vajza provon në tërë qënien shijen e ëmbël të hakmarrjes dhe gëzimit të lig për vrasjen e asaj lumturie armike. 

                 Në çast zgjohet e tmerruar dhe sa s'po e lë fryma. Pi ujë e mezi e mbledh veten, duke u ndërgjegjësuar që është ëndërr e asgjë më tepër. Ëndrra bën tek ajo efektin e elektroshokut, e shkund fortë dhe sjellë në vete. Vendos të rikthehet tek shtëpia. Niset që herët në mëngjes me bindjen e re se tani duhet ta farkëtoi vet fatin dhe të ardhmen. Beson se jeta të jep gjithmonë mundësi për t'u përmbushur. 


                        Kozma Gjergji 



274 views4 comments

Shkrimet e fundit