TINGËLLIMAT E VETMISË


Timo Mërkuri

TINGËLLIMAT E VETMISË

Mbi librin me sonete në proces botimi “Shtjellë e vetmisë” të Anton Nik Berishës.

Nga Timo Mërkuri

Dimë që fjala “sonet” rrjedh nga fjala italiane "soneto" dhe nënkupton një "këngë të vogël" dhe se se fjala e origjinës “sonetto” përkthehet “tingull” prandaj sonetet quhen edhe  “tingëllima”, por shtojmë faktin që “soneti” në letërsinë europiane është përhapur në saj të poezisë italiane dhe sidomos pas suksesit shpërthyes të veprës “Il Canzoniere” të Françesko Petrarkës. Teknikisht soneti shpjegohet si një vjershë lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në katër strofa, dy të parat prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tre vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme.

Në letërsinë europiane njihen sonetet e Petrarkës dhe të Shekspirit si kulme të kësaj gjinie, madje me termat “sonet petrarkian” dhe “sonet shekspirian” përdoren sepse Petrarka dhe Shekspiri përfaqsojnë dy format e ndryshme të soneteve të krijuara në Europë. Petrarka ka shkruar gjithsej 366 poezi lirike nga të cilat 317 janë sonete që u botuan në vëllimin poetik “Il Canzoniere” ndërsa Shekspiri ka shkruar gjithsejn 154 sonete rreth vitit 1590 dhe 1600.

Në letërsinë shqipe soneti është shfaqur në periudhën e Rilindjes, si ndikim i letërsisë italiane me krijimet e L.De Martino, Filip Shiroka, Zef Serembe, Gjergj Fishat, Llazër Shantoja, Ernest Koliqi etj duke aritur kulmin me Ndre Mjedën në tre poemat e tij sonetike (tingëllimat) “Lissus”, “Scodra” dhe “Liria”. Mjeda realisht ka përdorur vargun njëmëdhjetë rrokësh, varg i quajtur tipik italian por që dalur prej penës së tij ka një elegancë dhe tingëllimë të pashoqe, shqiptare.

Anton Nikë Berisha

Të shkruarit me “tingëllima”, “sonete” kërkon një përvoje poetike në një nivel të arirë artistik për të kapërcyer vështirësitë e shumta si në teknikën e krijimit ashtu dhe në artin e të shprehurit poetik. Për këtë arsye Petrarka apo Shekspiri dhe pas tyre poetë të tjerë e kanë përdorur “sonetin” për të treguar “nivelin superior”, “superioritetin e arirë” të tyre poetik. Përvoja e deritanishme ka treguar se jo çdo poet arin të krijojë “sonete” të një niveli të admirueshëm artistik. Por sikur të mos mjaftonte vështirësia e krijimit, sonetet për vetë natyrën e tyre kërkojnë edhe një lexues të kualifikuar, lexues që nuk mjaftohet vetëm me leximin e vargjeve por synon përjetimin e tyre. Ndoshta pikërisht kjo vështirësi e dyfishtë ka sjellur edhe mungesën masive të soneteve në letrësinë bashkëkohore.

Por pikërisht në këtë kohë mungese, kur gati po harohet “shija e lartë artistike” e “soneteve”

krijuesi i shumanshëm Anton Nik Berisha surprizon duke shkruar e dorzuar te Shtëpia Botuese

“Argeta LMG” Tiranë librin me sonete “SHTJELLË E VETMISË”. Pas vëllimit “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes” autori ka dëshiruar të shprehet poetikisht në një nivel më të lartë artistik, por pa ju larguar vetvetes. “Është një lloj vazhdimi, një lloj ballafaqimi me veten e me të tjerë siç do shprehej Martin Camaj”... më thotë autori në një bashkbisedim telefonik. Niveli i tij krijues, i dëshmuar në një sërë veprash letrare e studimore e ka përballuar denjësisht vështirësinë e shkrimit të “soneteve”, duke na dhënë 35 krijime brilante që hapin një faqe të re dhe tepër interesante në letërsinë shqipe, duke mbushur njëkohësisht edhe një boshësi në letërsinë bashkëkohore tonën. Unë do të thoshja se ky vëllim poetik i ri i Anton Nik Berishës nuk është një “trëndafil në gotë” që zbukuron studion e autorit por është një trëndafilishte e vogël me 35 trëndafila të porsaçelur në “lulishten e poezisë shqiptare” që përhap aromën e rinisë së saj.

Por ka edhe një anë tjetër interesante ky libër në proces botimi. Ndërsa Petrarka i shkroi “sonetet” me adresim dashurie, Shekspiri ja adresoi si këshilla një djali të ri, Rilindasit tanë ja dedikuan atdhedashurisë dhe lirisë, Anton Nik Berisha këto 35 sonete ja adreson filozofikisht ndjenjës ( Shtjellave) të ...”Vetmisë”. “Vetmia mund të jetë një dënim i tmerrshëm ose një shpëtim i mrekullueshëm” citon autori Bernardo Bertoluçi ose Fabricio Karamanja (Fabrizio Caramagna) kur shprehet metaforikisht: vetmia është një det që asnjëherë nuk mbërrin në asnjë breg, një urë që s’del në asnjë rrugë dhe një ngjyrë që nuk e mbërrin asnjë dritë”. Me pak fjalë- thotë autori në parathënien e tij- vetmia ngërthen cilësi e kuptime të shumta: është ndjenjësim, gjendje e veçantë shpirtërore e mendore...Shprehet kryesisht në dy rrafshe kryesore: kur jemi vetëm e kur jemi të vetmuar. Vetmia është vuajtje shpirtërore, dhembje; është brengë e pashuar, po dhe shpëtim, prehje e pazëvendësueshme. Përngjan në lavdinë: duhet të mbahet gjithmonë nën përkujdesje, të mbahet në zapt për të mos marrë përmasa të mëdha, për të mos mbisunduar mbi dukuritë e tjera të njeriut për arsye se mund të shkaktojë pasoja. Thuhet se është më e tmerrshme se vdekja!..(fq 6).

Dhe unë që e dija vetminë si një meditim e qëndrim i mënjanuar, nuk di në bëra mirë apo keq që lexova këto “sonete” të bukura. Kam frikë mos “bie në dashuri” me vetminë, sidomos kur lexoj vargje të tilla si: Krijesë e hirit hyjnor përftuar urtisht/nga mendja e të Tejlartit, Zotynë/ që i dha jetë fjalës, të menduarit (fq 14)Yllësi e zhytur në vorbullën e kureshtjes/ si të veprohet më lehtë, sa më mirë,/me ngrohtësinë e vajzës dehur nga epshi/ kur e ndien të dashurin apo e ëndërron. (fq 33), Ti e ndez etjen për shtegtime të reja/edhe nëpër rrugët që shkojnë e nuk kthejnë (fq 32), Mbretëreshë që i mjafton vetvetes, /çiltëria vetë është pasuria jote,/shprehur me zë o me heshtje të plotë/që dëshmohet me shenja të veçanta; (fq 17).

Është një vëllim poetik që kërkon vëmëndje “vetmie” në leximin e vargjeve, kërkon meditim mbi vargjet për të kuptuar strukturën e mendimit të formatuar në strofa katër dhe tre vargëshe dhe mbi të gjitha kërkon një kulturë leximi dhe një nivel të lartë kulturor të lexuesit. Vetëm atëherë mund ta ndjesh finesën artistike, aromën dehëse poetike dhe elegancën e ecjes së mendimit nëpër vargje. Te ky libër shprehja “poezia është për elitën” shndrohet në formulimin “sonetet janë për superelitën”.

Unë mund tju them se leximi i këtyre 35 soneteve të Anton Nik Berishës dhe përjetimi i tyre do ti japë hapësirë më të madhe mendimit, një thellësi të re gjykimit dhe një largësi e dritësi shumëngjyrëshe shikimit tonë poetik.

Sarandë, më 23 Prill 2020

58 views

Shkrimet e fundit