QASJA MODERNISTE E NJË TREGIMI
Nga Timo Mërkuri
Tregimi i Fatmir Terziut, "Uji i syve është më i bukur se lumi" spikat për disa veçori. Janë këto veçori që e bëjnë të veçantë dhe të paharrueshëm. Këto veçori janë të ilustruara përmes pasazheve të tregimit, duke dhënë një ndjenjë të thellë dhe prekëse për lexuesin.
Së pari, tregimi shqyrton thellësisht temën e vetmisë dhe të kujtimeve. Protagonisti përballet me kujtimet e fëmijërisë ndërsa përjeton vetminë në të tashmen. Pasazhi "Kam lexuar shumë tekste prekëse për vetminë. Vetminë e fatit si mënyrë jetese. Tekstet më kanë çuar gjatë leximit, ose në depresion, ose në dëshirën shtazarake për të vrapuar dhe për t'u fshehur nga një fat i tillë" tregon qartë këtë ndërlidhje mes së kaluarës dhe së tashmes dhe se si kujtimet e fëmijërisë ndikojnë në përvojat aktuale të protagonistit.
Së dyti, tregimi krijon një kontrast të fuqishëm kulturor mes jetës në Ballkan dhe asaj në Angli. Në pasazhin "Ngaqë u shfaqa në këtë shoqëri të sofistikuar si një elektron i lirë i fryrë nga Ballkani në këtë ishull të rregullt, në dy muajt e para të ardhjes sime në South Yorkshire... nuk e kuptova kush ishin këta njerëz dhe pse i përkisnin Ianit," ky krahasim thekson ndryshimet në stilin e jetesës dhe pritshmëritë shoqërore, duke ofruar një perspektivë të re dhe shpeshherë humoristike mbi këto dallime.
Simbolika dhe metaforat janë gjithashtu elementë të rëndësishëm në tregimin e Terziut. Krahasimi mes lotëve dhe lumit, siç shihet në frazën "Uji i syve është më i bukur se lumi," nxjerr në pah bukurinë dhe rëndësinë e ndjenjave personale, duke theksuar se emocionet e brendshme janë më të vlefshme se përjetimet e jashtme. Kjo frazë përdoret nga protagonist në një moment të vetë-reflektimit, duke treguar përpjekjen e tij për të kuptuar dhe për të përballuar emocionet e tij.
Paraqitja e personazheve dhe ndërveprimeve shoqërore është një tjetër aspekt që e bën tregimin të veçantë. Personazhi i Ianit dhe rrethi i tij social përshkruhen me detaje të hollësishme, si në pasazhin "Ian, një shok anglez i saponjohur... mësues në një shkollë me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe menaxhues i aftë diadaktiko-pedagogjik, ishte i shkalthët për festat e tij spektakolare." Ky përshkrim tregon një botë të sofistikuar dhe shpesh të çuditshme për protagonistin, duke nënvizuar absurditetin dhe sipërfaqësinë e marrëdhënieve moderne.
Stili i narracionit është i rrjedhshëm dhe introspektiv. Mendimet dhe ndjenjat e protagonistit ndërthuren me përshkrimet e mjedisit përreth, duke krijuar një ndjesi intime dhe personale që e lidh lexuesin me tregimin. Kjo përshkruhet në pasazhin "Sapo kisha filluar të qetësohesha me uiski nga trauma intelektuale që më kishte shkaktuar biseda, kur më përfundoi një surprizë tjetër," ku narratori kalon nga përshkrimi i ndjenjave personale te ndërveprimet shoqërore.
Në fund, kthimi i protagonistit në kujtimet e fëmijërisë dhe urtësinë e gjyshes së tij sugjeron se ndonjëherë paqja dhe kuptimi mund të gjenden duke u kthyer te rrënjët tona dhe te urtësia e thjeshtë e së kaluarës. Fraza "Kështu, fillova të përsëris: - Uji i syve është më i bukur se lumi! Dhe përsëri: - Uji i syve është më i bukur se lumi!" thekson këtë ide, duke treguar se kthimi te kujtimet e fëmijërisë mund të ofrojë qetësi dhe kuptim.
Pra, tregimi i Fatmir Terziut është një eksplorim i ndjeshëm i vetmisë dhe marrë-dhënieve shoqërore, që kombinon simbolikën e pasur, humorin dhe introspeksio-nin për të krijuar një vepër letrare të paharrueshme.
***
II- Kemi thënë se Fatmir Terziu si krijues përdor një stil modern sin ë poezi ashtu dhe në prozë dhe jemi shprehur për nivelin e krijimtarisë së tij. Por menduam të ndalemi te qasja modern që shfaq te ky tregim Terziu përmes disa karakteristikave të veçanta. Është io njohur fakti se modernizmi në letërsi shquhet për thyerjen e formave tradicionale dhe eksperimentimin me strukturën, stilin dhe temat. Ja si pasqyrohet kjo qasje në tregimin e Terziut:
1.Tregimi ka një strukturë jo-lineare, ku rrëfimi kalon nga kujtimet e fëmijërisë te përjetimet aktuale dhe reflektimet e protagonistit, duke krijuar një ndjesi fragmenti - mi dhe introspektive, karakteristikë tipike e modernizmit. - Filimi i tregimit përqendrohet në kujtimet e fëmijërisë dhe mjaurrimat e maceve, duke kaluar më vonë te përjetimet aktuale në Angli dhe ndërveprimet shoqërore.
2.Modernizmi shpesh përqendrohet te ndjenjat e alienimit dhe vetmisë. Protagoni-sti i këtij tregimi përjeton një ndjenjë të thellë vetmie dhe izolimi në mjedis të huaj. Vetmia përshkruhet si një përvojë ekzistenciale dhe një temë qendrore e jetës së tij. – Paraqitja e leximit të librave për vetminë dhe reflektimet mbi fatin e tij tregon një introspeksion të thellë dhe një ndjenjë të alienimit shoqëror.
3.Tregimi ofron një kritikë të nënkuptuar të shoqërisë moderne dhe marrëdhënieve sipërfaqësore të saj. Ndërveprimet e protagonistit me njerëzit në Angli shpesh janë të mbushura me absurditet dhe sipërfaqësi, duke reflektuar një kritikë moderniste ndaj shoqërisë bashkëkohore. Vetë përshkrimi i festave të Ianit, me ushqime dhe pije të bollshme, por pa thellësi emocionale, pasqyron këtë kritikë.
4. Tregimi përdor simbolika të thella, si krahasimi i lotëve me lumin, për të shprehur ndjenja dhe përjetime shpirtërore. Kjo thellësi simbolike është tipike për modernizmin, ku shprehjet metaforike përdoren për të eksploruar ndjenja të ndërlikuara dhe abstrakte. Fraza "Uji i syve është më i bukur se lumi" sugjeron se ndjenjat personale dhe emocionale kanë një bukuri dhe rëndësi të veçantë që tejkalon përvojat e jashtme.
5.Stili i tregimit është i rrjedhshëm dhe shpesh i fragmentuar, me kalime të papritura mes përshkrimeve dhe refleksioneve. Kjo teknikë narrative krijon një ndjesi të çrregullt (të fragmentuar)dhe të ndërlikuar, duke reflektuar gjendjen e brendshme të protagonistit.Kështu psh, kalimi nga përshkrimi i një mjedisi social në reflektime të thella mbi vetminë dhe kujtimet e fëmijërisë krijon një stil të ndërlikuar dhe introspektiv.
Në përmbledhje, qasja moderniste e tregimit të Fatmir Terziut pasqyrohet përmes një narrative fragmentare, introspeksionit të thellë, kritikës sociale, përdorimit të simbolikës komplekse dhe eksperimentimit me gjuhën dhe stilin. Këto elemente e bëjnë tregimin një shembull të shquar të modernizmit në letërsi.
Sarandë, më korrik 2024
TREGIMI:
Tregim nga Fatmir Terziu: Uji i syve është më i bukur se lumi!
Nëse e mbaj mend nuk është gjithçka ajo që më kujtohet. Ndoshta ngaqë mjaullima është e lidhur me fëmijërinë. Ndoshta, ngaqë ajo kohë tashmë ka ikur, dhe mjaullima ndodhi në një kohë tjetër.
Sa të ngjashme dhe të pafajshme janë mjaullimat, - i thashë vetes.
Ndoshta ngaqë e nisa ta kuptoja më shumë mjaullimën. Mjaullimë macesh në vetmi! Më saktë një mace që më mjaulliu si një zbulim shoqëror për vetë mjaullimën dhe shpëtimin në rrënjë... të vetmisë. Dhe ajo ndodhte ndërsa i isha mbështetur vetmisë në një jastëk të sojit tjetër përgjatë kohës së një leximi në vetmi të vetmisë.
Kam lexuar shumë tekste prekëse për vetminë. Vetminë e faktit, por dhe drejt fatit, si mënyrë jetike e një jetese. Tekstet më kanë çuar gjatë leximit, ose në dhimbje, sa herë në depresion, ose më tej në dëshirën shtazarake për të vrapuar dhe për t'u fshehur nga një fakt i tillë. E kjo nuk u pëlqehet asapak botës përtej syve të lodhur nga mbyllja.
Dua të them, askush nuk dëshiron të jetë vetëm, apo jo? – i flisja hapësirës tekanjoze që ikte e vinte si një perde mëndafshi në atë tejekzistencë. Matrica sociale ka futur në mendjet të tilla konceptin e kompromisit. Kompromis, pra, ose gjoja si një shpëtim nga tmerri i të qenit vetëm. Kjo do të thotë të tolerosh me stoicizëm anglez marrëzinë mbytëse, të kthehesh me një buzëqeshje idiote në biseda të ndryshme fjalësh të hedhura si ping-pong në gjimnastikën gazmore të fytyrës, sepse kështu kërkon integrimi yt shoqëror. Për të mos thënë që ka raste shumë më të rënda të depersonalizimit.
Ian, një shok anglez i saponjohur, në ditët që u vendosa në Mexborough, mësues në një shkollë me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe menaxhues i aftë diadaktiko-pedagogjik, ishte i shkalthët për festat e tij spektakolare, në të cilat na kishte bërë prej muajsh me një këmbëngulje thuajse si zyrtare. Aty, në mënyrë të pashmangshme përfundonim në një turmë prej të njëjtëve, 100-120 vetë, të njohurit e tij, të cilët pinin rreth tre fuçi birrë dhe hanin gjellëra „indiane“ që nëna e tij gatuante, duke ngrënë mes komplimenteve që lëshonin, copa qepe të papërpunuara të përziera me të. Një e ngrënë me lotë, nga djegësia që kishin tërë ato ushqime. Çdo fjali e dytë ishte një lloj lavdërimi i amvisës, e cila, me gjithë punën e saj të madhe, kishte gjetur kohë t'i sigurojë njerëzit me kontakte shoqërore.
Ngaqë u shfaqa në këtë shoqëri të sofistikuar si një elektron i lirë i fryrë nga Ballkani në këtë ishull të rregullt, në dy muajt e para të ardhjes sime në South Yorkshire, pra në vigjilje të festës, nuk e kuptova kush ishin këta njerëz dhe pse i përkisnin Ianit. E njoh nga një linjë tjetër disi fetare, jo nga ata që i kisha njohur më parë, por të reja ishullore, dhe si e kam pritur në shtëpinë time ku ime shoqe gatoi kadaif nga supermarketi turk në Donkaster, tashmë jam i sigurt se askush tjetër nuk e ka pritur më mirë, se ai ndjeu habi, ose të paktën atë ditë që mësova se si bien mace dhe qenër nga qielli, pra binte shi i madh. Ai muaj ishte gjithashtu arsyeja pse ai përpiqej të më bashkoj me të gjithë ata që bëheshin pjesë në salla dhe fusha të blerta, në të vetmen mënyrë që i detyrohet nga sistemi këtu, përmes pijeve, barbekjuve, dhe dhuratave. E fundit që mora prej tyre ishte absolutisht mahnitëse, një veshje autentike japoneze me pantallona samurai për zotërrinj në një lino shumë të veçantë, të cilat ndoshta duhet t'i vesh kur shkoj për të ulur konkurrencën. Do ta bëja, por duhet të jem i ngopur vërtet!
Që të mos keqkuptohem, dua të theksoj se nuk jam i vetmi objekt i marrjes dhe dhënies së dhuratës dhe se në të njëjtin pozicion janë edhe miqtë më të ngushtë të Ianit, në krye me Xhoanën, gruan e tij. Nuk ka njeri më të kujdesshëm dhe më të kënaqur njerëzisht se ai! Ky ekzemplar i papërsëritshëm është aq i sigurt saqë përfundimisht ndërpret punën e tij për të shijuar festivitetin e ngopjes së vetmuar në jetën e tij të mbrojtur dhe të llustruar me delikatesë. Për të kënaqur tekat e tij, i ati skocez i martuar me një indiane të bukur, një gjeneral lufte, bleu një shtëpi në atë zonë, me një oborr të madh dhe një park me pemë të lashta, ku, në kundërshtim me klimën puritane, vendosi një pishinë dhe paisje kopshti për mijëra paund. Në një seksion të veçantë të garazhit, jahti i papërfunduar i "shpikësit" u vendos prej vitesh, i tharë nga mungesa e riparimit dhe i plasaritur si një gjetje arkeologjike nga një anije fenikase në thellësitë e kripura të Detit Mesdhe. Modele të vogla aeroplanësh me telekomandë të prodhuar në shtëpi, krijimet e këtij talenti vendas, po bredhin pa shpresë në livadhet e gjera pas shtëpisë. Dhe në to, me këmbënguljen elektrike, një marrëzi tjetër teknike - kositësja e lëndinës pa tela e ngatërruar në barin deri në bel në xhunglën e lumturisë së tij të pashpjegueshme, si një përplasje e përditshme. Askush nuk e pastron fushën. Jashtë dhe brenda kësaj shtëpie të braktisur, rrjetat e përhapura si perde orientale me shkëlqim, mobiljet prej lëkure mbledhin pluhur nga pakujdesia, midis librave dhe këpucëve të shpërndara, pas sulmit të një lëvizjeje tjetër.
Së fundmi vizitova çiftin e kënaqur, të cilët me qetësi vazhdonin të jetonin mes arave të korrura dhe mbetjeve nga festa e vitit të kaluar. I kam shumë zili! Asgjë nuk është në gjendje t'i shkundë, përveç një pijeje të rëndë, ose një tërmeti, kaq i rrallë në këto gjerësi gjeografike. Arsyetimi i tyre është i hekurt dhe më hedh në një depresion jetëshkurtër, por shumë të thellë.
Kur e pyetën pse e humbi macen e saj me një sy, pasi pretendoi se ishte shumë e sjellshme me kafshët, Ian u përgjigj me vetëdije të plotë se Kota (kështu quhet kafsha) është jashtëzakonisht delikate dhe e brishtë në natyrë dhe nuk mund të përballojë përgjegjësitë e një familjeje. ? Dhe për të qenë të drejtë, ishte mjaft logjike që ajo kopjoi edhe vëllain e saj - macen Frank. E shihni, që ajo iku të mos ishte vetëm në vuajtjet e saj. Ky folës bëri pyetjen përkatëse, pse në emër të barazisë së maces, Ian nuk shkon përpara dhe nuk i heq njërin sy Frankut, që të ketë harmoni të plotë në jetën e tyre të torturuar moralisht? Në të cilën, Ian e akuzoi atë për cinizëm, zemërbutësi dhe keqkuptim të plotë të problemit.
Epo, gratë kurrë nuk e kuptojnë saktësisht se çfarë i duhet një burri!
Sapo kisha filluar të qetësohesha me uiski nga trauma intelektuale që më kishte shkaktuar biseda, kur më përfundoi një surprizë tjetër. Me kënaqësi të pambuluar, Ian tregoi historinë e mëposhtme prekëse. Ai dhe shoku i tij dhe Aleks morën pjesë në një seminar mbi komunikimin social në veri të Anglisë, ku morën pjesë tetëdhjetë gra dhe gjashtë burra. Një moment kyç në këtë përpjekje doli të ishte vallja e kuçekut, e cila ishte e detyrueshme për pjesëmarrësit në takim. Pas performancës në grup të kësaj nisme pro-sociale, frenimet e të gjithëve ranë në mënyrë magjike dhe ata u kënaqën me biseda të të gjitha llojeve, nga sëmundjet e tyre të kafshëve shtëpiake deri tek epshet e tyre rozë të të gjitha llojeve. Një orkestër indiane performoi drejtpërdrejt muzikën magjike dhe zonjat e të gjitha moshave, madhësive dhe peshave i thyen me rigorozitet energjitë e tyre në vallëzimin shërues për të arritur nirvanën e zhbllokimit të tyre shoqëror.
Mirëpo…! Dhe ne ballkanasit duhet të mendojmë mirë para se të hedhim ikukçen e çalgatës nga repertori i këngëtarëve tanë, sepse e shihni, sapo e kemi humbur dhuntinë e fjalës, nga mungesa e nxitjes për biseda të sinqerta!
Por, pasi shkëmbeni përvojë dhe arrini shkallë në marrëdhëniet shoqërore, apo jo?! – as vetë nuk. edi se kujt i shfryhesha.
Unë vetë, pasi dëgjova historinë tronditëse, nuk mund të flija për tre ditë dhe blloku im emocional u shemb si pas një goditjeje elektrike. U përpoqa të dëgjoja Kozma Dushin, në dilemën e tij, ishe ti apo …, por përvoja më la plotësisht pa fjalë. Për të gjetur shpëtimin, vendosa të provoj taktikat e mantras, të cilat janë shumë të njohura në shoqëritë e zhvilluara dhe ndihmojnë në rivendosjen e ekuilibrit të brendshëm.
Me sa di, më duhet të përsëris të njëjtën frazë me vete derisa të arrij relaksim dhe një ndjenjë lumturie. OK, por pas kaq shumë sulmesh jetësore, e vetmja deklaratë shpëtimtare që më ra në kokë doli të ishte thënia e parë dialektore që mbaja mend nga gjyshja ime shumë vite më parë. Asgjë intelektuale, sublime, apo edhe fetare nuk më erdhi në ndihmë. Kokëfortë dhe këmbëngulës, përfundimi përfundimtar i gjyshes sime më ndoqi me një besim të paarsyeshëm se është ajo që do të më shpëtojë nga dëshpërimi. Kështu, fillova të përsëris:
- Uji i syve është më i bukur se lumi!
Dhe përsëri:
- Uji i syve është më i bukur se lumi!
Por unë jam mirë! Psikologët kanë të drejtë që kthimi në pafajësinë e fëmijërisë neutralizon tmerrin e së tashmes që lexohet në vetmi nga vetmia. Dhe do të shtoja se kthimi në rrënjë shpëton gjithmonë! Provojeni vetë. Ndihmon shumë! Unë isha i larë i tëri kur ndjeva jastëkun të rrëshqiste si një pupël e lehtë mbi re të dendura… Aty kisha filluar të shtrydh kujtimet mbi mend-afsh.
Comentários