top of page

Timo Mërkuri: Terziu ndriçon artin poetik duke e pasuruar me ndjeshmëri bashkëkohore



 

Fatmir Terziu ka publikuar kohët e fundit disa cikle me poezi për Sarandën në një kohë të shkurtër prej një jave, duke i cilësuar si dedikime në kontekstin e Manifestimeve poetike Trirema Joniane që organizon Klubi i krijuesve Jonianë të këtij qyteti, ku ai ka qenë i ftuar në disa edicione rresht. Sigurisht që në këto manifestime veç prezantimit të krijimeve poetike janë kryer dhe biseda mbi poezinë, shkëmbime mendimesh si dhe vizita nëpër resurset turistike dhe historike të Sarandës, të cilat ajo i ka të shumta.

Shoqata e krijuesve Jonianë e ka vlerësuar dhe nderuar poetin, kritikun dhe shkrimtarin  Fatmir Terziun me disa çmime, madje deri me Kurorën e Artë me gjethe ulliri, Institucioni i Bashkisë dhe titullarët e kanë pritur dhe nderuar me Mirënjohjen e qytetit, televizion lokal e ka prezantuar në edicionet e tij dhe vetë Terziu ka krijuar miqësi të shumta e të sinqerta me krijuesit dhe qytetarë të Sarandës. Veç këtyre tre cikleve, Terziu vite më parë ka shkruar librin Joni poetik në dy vëllime, i cili është promovuar së pari në Sarandë, u ka kushtuar disa krijuesve saranditë poezi të ngrohta, ka shkruar e botuar disa cikle poetike po për Sarandën, njerëzit dhe natyrën të cilat gjithashtu janë botuar nëpër libra. Me të drejtë Fatmir Terziu vlerësohet si Miku i Sarandës dhe banorëve të saj. Po të mbledhësh krijimtarinë e Fatmir Terziut me temë sarandite me siguri bëhen disa vëllime më vete.

I-Këto tre cikle poetike të njëpasnjëshme të Fatmir Terziut mund të cilësohen si një akt i thellë dhe intensiv i krijimtarisë që paraqet ndërlidhjen e veçantë të poetit me Sarandën, si dhe një përkushtim ndaj mjedisit dhe artit të saj. Ato përbëjnë një shprehje artistike që tejkalon kufijtë e poezisë si formë e veçantë, pasi krijojnë një dialog të midis natyrës, artit dhe njerëzve të këtij qyteti.

1. Sigurisht që poeti krijon një dialog me Sarandën, pasi ajo, nuk është vetëm një qytet bregdetar, por një burim i pashtershëm frymëzimi që përshkon të gjithë krijimtarinë e poetit, madje ka zenë vend në artet e shumë krijuessve shqiptarë dhe të huaj. Terziu i kthehet natyrës së Sarandës në një seri ciklesh poetike, si për ta përjetësuar dhe për t'i dhënë zë peizazheve të saj, detit Jon, dritës dhe ngjyrave që mbushin këto poezi dhe dashurisë që ndjen për atë. Përmes një gjuhe të ngarkuar me simbolikë dhe ndjeshmëri të lartë, ai arrin të mbërthejë në vargje momentet e bukurisë dhe fragilitetit që Saranda ofron.

2.Krijimi i cikleve poetike njëra pas tjetrës, për një periudhë të shkurtër kohore, përveçse shfaq një vullnet të jashtëzakonshëm dhe intensitet krijues, tipike kjo për Terziun është dëshmi e një lidhjeje të fortë shpirtërore të poetit me këtë hapësirë gjeografike dhe kulturore. Ky intensitet krijues dhe kjo krijimtari e gjerë jo vetëm që nuk e shteron poetin, por e pasuron atë, duke sjellë  varietete tematikash dhe ndjenjash që përfshijnë dhe reflektime mbi artin dhe krijuesit saranditë. Përtej poezisë, Terziu ka shkruar studime dhe analiza mbi krijuesit e kësaj zone, duke u bërë kështu një zë kritik dhe studiues që angazhohet jo vetëm poetikisht, por edhe intelektualisht.

3.Studimi i vazhdduesshëm i Terziut mbi Artin Jonian përbën themel të rëndësishëm në poezinë e tij.Ky dialog me traditën poetike joniane dhe veçoritë e saj është tregues i angazhimit të tij me historinë dhe kulturën shqiptare në tërësi dhe të këtij rajoni, në veçanti. Për më tejë, përmes poezive, Terziu ndriçon këtë art dhe e risjell në kohët moderne, duke e pasuruar me ndjeshmëri bashkëkohore. Kjo ndërthurje e traditës dhe modernitetit në krijimtarinë e tij është thelbësore për të kuptuar se si poeti arrin të mbajë një rrjedhshmëri të vazhdueshme në të gjitha format e shprehjes së tij artistike.

4.Duke shkruar jo vetëm për natyrën, por dhe krijuesit saranditë,Terziu krijon një peizazh jo vetëm fizik por edhe shpirtëror. Kështu  poezia e tij shtrihet përtej kufijve të personalitetit të tij krijues, duke reflektuar dhe vlerësuar kontributin e artistëve të tjerë të kësaj hapësire, dhe duke ofruar kështu një pasqyrë të plotë të artit jonian dhe identitetit kulturor të Sarandës.

Në këtë mënyrë duhen parë këto tre  cikle poetike të Terziut që shfaqin  lidhje të ngushtë midis krijimtarisë individuale dhe një hapësire të veçantë gjeografike e kulturore, duke e bërë poezinë e tij një homazh ndaj natyrës dhe artit të Sarandës.

II-Cikli i ri i poezive nga Fatmir Terziu, ofron një shfaqje të hollësishme, të ndjeshme e plot ngjyra e dritë të natyrës dhe elementeve të Sarandës, dhe i shndërron ato në simbole poetike.Terziu krijon në vargjet e tij një botë ku deti, qielli, guralecët dhe dashuritë  shpirtërohen dhe bashkëjetojnë në harmoni të përjetshme. Përmes figurave stilistike dhe një ndjenje të fortë lidhjeje me hapësirën, këto poezi marrin një dimension të veçantë, ku natyra dhe emocionet njerëzore ndërthuren në mënyrë të pandashme. Le ti shohim poezitë e këtij cikli me radhe:

1. Te poezia “Edhe deti tekanjozet” vargjet personifikojnë detin, duke e shndërruar atë në një qenie që përjeton emocione njerëzore. "Si një sy i lodhur nga dhimbjet, / fsheh në retinë lotët e tij," përcjell një ndjesi trishtimi dhe ndjeshmërie, ku deti duket sikur përjeton dhimbje shpirtërore Ky personifikim i detit krijon një përvojë ku natyra shfaqet para syve të poetit e ndjeshme dhe e gjallë, duke reflektuar gjendjen shpirtërore të tij. Lidhja e poetit me Sarandën reflektohet këtu përmes mënyrës se si ai ndien detin si një partner që ndan emocionet dhe përjetimet e tij.

2. Poezia: “E dirigjuar” shfaq  lëvizjet natyrore si një simfoni të harmonizuar. "Batica e ngre të zotin e hutuar / guralecët mësojnë të zgjohen nga gjumi" këtu vërehet një tjetër personifikim i elementeve natyrore, ku batica dhe guralecët veprojnë sikur të ishin pjesë e një orkestrimi të drejtuar. Si një vëzhgues I hollë Terziu  përdor figurat për të shfaqur lëvizjet e natyrës, si "dirigjuar", që e bëjnë detin dhe bregun pjesë të një ansambli artistik, duke krijuar një perceptim të natyrës si diçka të organizuar, të bukur dhe organikisht të lidhur  me përvojën njerëzore.

3.Në poezinë “Siç shihet nga Lëkurësi” poeti shfaq një peizazh të dashurisë midis detit dhe tokës. "Deti ngre dolli shkumë me të dashurën në breg", dmth me Sarandën, duke sjellur një imazh të gjallë të lidhjes romantike midis detit dhe qytetit. Ky element i natyrës, ku "deti" dhe "dashura" e tij, Saranda bashkëveprojnë në ceremoni të përjetshme, është një metaforë e dashurisë së poetit për natyrën e Sarandës. Ngjyrat në vargjet "Grija e blusë dhe grija e jeshiles" krijojnë një kontrast të fuqishëm vizual, që të kujton një pikturë të lëvizshme natyrore, ku përhumbja dhe dashuria ndërthuren me peizazhin. Duhet ta duash shumë një qytet që të dallosh dhe veçanti të tillë si nuancat e ngjyrave, që të sjellin në kujtesë nuancat e syve të vajzës në takimet e para të dashurisë.

4. Sinqerisht më befasoi poezia “Fraksion kohe” për temën ashtu dhe për stilin e saj, ku për herë të parë e shoh poetin të shfaqë një lojë delikate me konceptin e kohës dhe hapësirës. "Guaska del / me një të katërtën e shpejtësisë së dritës" është një metaforë që shfaq, (gati në vizualizëm) një lëvizje të shpejtë dhe të papritur, duke shprehur momentin e jetës që vjen e shkon në një çast. Në këtë poezi, koha dhe dashuria ndërlidhen, siç tregon vargu "Dashuritë lindin Jonit prore", duke krijuar një ndjenjë sa përjetësie, aq dhe kalueshmërie të njëkohshme. Poezia përdor referenca muzikore me "pesë minutat e këngës së Agron Berishës", duke e lidhur përjetimin e momentit me muzikën si pjesë të qenësishme të  përvojës njerëzore.

5. Te poezia“Vendin e fronit”Terziu eksploron një kontrast mes natyrës dhe pushtetit, me një atmosferë plot me simbolizëm. "Në Sarandë, nën shi, ka gjithnjë diell" përcjell një ndjenjë optimizmi dhe qëndrueshmërie, ku dielli bëhet një simbol i përhershëm i shpresës dhe jetëgjatësisë. Kjo ndjenjë ka diçka nga realiteti i qytetit, i cili i ka të pakta rastet e një shiu të rrëmbyeshëm, me vetëtima e bubullima. Këtu dhe kur bie shi, të duket sikur je nën dritën e diellit. Ne që banojmë në këtë qytet e shohim këtë varg si një figurë reale dhe jo si imazh poetik. Ndërkohë, retë që "largohen, megjithatë, pa mbikëqyrje" krijojnë një imazh të ndryshimit të natyrshëm të ritmeve të jetës. Përdorimi i metaforës së fronit në vargun "skicojnë në Qafë Gjashtë vendin e fronit" përforcon idenë e një lufte mes forcave natyrore dhe pushtetit të vendosur nga njeriu, duke e parë natyrën si një mbretëri të lartë dhe të fuqishme. Veç të mos harrojmë se në Qafën e Gjashtës është rrënoja e Manastirit të dyzet shenjtorëve dhe dhomat e nëndheshme të murgjve, ndaj ky varg mund të shihet dhe në tjetër kuptimshmëri.

III-Poezitë e Fatmir Terziut për Sarandën përshkohen nga përdorim i thellë dhe i ndjeshëm i figurave artistike të zgjedhura që reflektojnë ndjenjat e tij të holla për  bukurinë dhe fragilitetin në hapësirën sarandite. Përmes simboleve, metaforave, personifikimeve dhe imazheve të gjalla, poeti arrin të shfaqë jo vetëm peizazhin natyror, por edhe lidhjen e tij emocionale me qytetin dhe natyrën. Në një analizë të këtyre figurave shprehemi se:

1. Simbolet e detit dhe elementeve natyrore në poezitë e Terziut përfaqësojnë diçka më të thellë sesa një përshkrim i thjeshtë i mjedisit. Deti në vargjet e tij është simbol i fuqisë së madhe, por edhe i qetësisë dhe fragilitetit të natyrës. Në poezinë “Edhe deti tekanjozet,” deti paraqitet si simbol i emocioneve të fshehta të poetit: “Si një sy i lodhur nga dhimbjet,/ fsheh në retinë lotët e tij”,ku deti, ndërsa simbolizon bukurinë e jashtme, fsheh brenda fragilitetin dhe dhimbjet e padukshme, një metaforë e brishtë për ndjeshmërinë e poetit ndaj botës përreth. Ky fragilitet për bukurinë është element që nuk shfaqet shpesh në poezinë shqipe, ca më tepër me këtë ndjenjë, ndaj mendoj se ky është një tregues i ndjeshmërisë poetike të autorit, që gjeti rastin të shprehej në qytetin e Sarandës.

2.Metaforat janë të pranishme në çdo poezi të ciklit, dhe shërbejnë si mjete për të shprehur përjetimet e poetit në mënyrë të ndërlikuar dhe të ndjeshme. Në poezinë “Siç shihet nga Lëkurësi,” metafora e "gjerdanit të artë" që i lidhet detit krijon një imazh të fuqishëm: “dhe gjerdani i artë po i lidhet me shpejtës/përhumbjes, prej pijes.”k u, poeti përshfaq detin në mënyrë metaforike, duke i lidhur elementet natyrore me idenë e përhumbjes në bukurinë dhe ndjeshmërinë e tij për të përjetuar natyrën si frymëzim të pavdekshëm.

3.Poezitë janë të pasura me personifikime, që u japin natyrës dhe elementëve të saj tipare njerëzore, duke e sjellë atë më afër ndjenjave të poetit. Në poezinë “Vendin e fronit,” natyra merr një jetë të vetën:“Në Sarandë, nën shi, ka gjithnjë diell,/pasi i soset durimi Jonit.”duke krijuar njuë kontrast midis shiut dhe diellit, duke përdorur këtë imazh për të shprehur ndjenjën e durimit të natyrës dhe kthimit të bukurive pas ndonjë kohe të keqe. Shprehja “ i soset durimi Jonit”nënkupton që Joni, det edhe pse i qetë dhe i durueshëm në mot të keq në gjirin e Sarandës, më në fund arrin një pikë dhe durimi i soset dhe kthen prapë diellin, duke larguar retë. Poeti përdor personifikim duke i dhënë detit cilësi njerëzore. Pra, këtu, natyra shfaqet si qenie me vullnet të lirë dhe durim, e cila përfaqëson qëndrueshmërinë dhe fuqinë që poetit i frymëzon Saranda.

4. Imazhet që Terziu krijon e mbushin poezinë me atmosferë të gjallë e të prekshme, duke sjellë para syve të lexuesit një Sarandë të ndritshme, plot ngjyra e detaje. Kështu, në poezinë “Fraksion kohe,” përdorimi i imazheve krijon ndjesinë e  lëvizjes së përhershme: “Guaska del/me një të katërtën e shpejtësisë së dritës.” Ky imazh afron një përvojë të ndjeshme të kohës dhe hapësirës, duke theksuar se si poetika e tij është e mbështetur mbi vëzhgimin e detajeve të vogla që përcjellin delikatesën dhe fragilitetin e bukurisë natyrore.

5. Përmes këtyre figurave artistike, Terziu krijon një përshkrim të ndjeshëm të bukurisë së natyrës së Sarandës, një bukuri që është e brishtë dhe e ndjeshme ndaj ndryshimeve të jashtme. Vargjet e tij shpesh ofrojnë  ndjenja kalimtare, sikur bukuria e natyrës është e kërcënuar nga ndryshimi e koha, siç shihet në poezinë “Fraksion kohe”:“Koha nuk pret pa të puthur sikurse e sheh:/Dashuritë lindin Jonit prore.” Këtu, koha dhe dashuria janë të lidhura ngushtë me fragilitetin e bukurisë, ku përjetimi i natyrës së Sarandës mbetet gjithnjë i përkohshëm dhe i çmuar, ashtu si bukuria e një vajze e cila duhet puthur sa është e re.

IV-Poezitë e cikleve të Terziut, mund të shihen si pjesë e disa rrymave moderniste, duke përfshirë imagjinizmin dhe simbolizmin, si dhe elemente të ekspresionizmit. Këto rryma poetike, të cilat karakterizohen nga thyerja me format tradicionale të poezisë dhe nga një qasje më personale dhe e lirë ndaj formës dhe përmbajtjes, janë të dukshme në mënyrën se si Terziu përdor figurat stilistike dhe strukturën poetike. Rrymat poetike, si:

1. Imazhinizmi, një rrymë moderniste e përqendruar te krijimi i imazheve të qarta dhe konkrete në poezi është I pranishëm në ciklet poetike të Terziut nëpërmjet imazheve të gjalla që shfaqin natyrën dhe detin, duke i dhënë rëndësi vizualizimit dhe përqendrimit në një çast të veçantë. Poezia "Edhe deti tekanjozet" përmban një imazh të fuqishëm vizual: "Si një sy i lodhur nga dhimbjet, / fsheh në retinë lotët e tij", ku poeti përdor një metaforë për të personifikuar detin si një sy që përjeton ndjenja njerëzore. Imagjinizmi kërkon t'i japë lexuesit një përjetim të drejtpërdrejtë të skenës, pa ndërmjetësime të ndërlikuara, dhe kjo është e dukshme në fokusin te çasti dhe ndjesia në këtë poezi. Po ashtu, në poezinë "Fraksion kohe", Terziu krijon një imazh të fuqishëm të lëvizjes me vargjet: "Guaska del / me një të katërtën e shpejtësisë së dritës" ku, fokusi te një element i vogël dhe konkret (guaska) dhe përshkrimi i lëvizjes së saj krijojnë një ndjenjë të qartë dhe të përqendruar të imazhit.

2. Simbolizmi, një rrymë tjetër e rëndësishme moderniste, që e vë theksin në përdorimin e simboleve për të shprehur ide dhe emocione të thella, është e pranishme në poezitë e këtij cikli. Terziu përdor elemente të natyrës si simbolika për emocionet dhe përjetimet e tij personale. Në leximin e  poezisë "Siç shihet nga Lëkurësi", "deti" dhe " e dashura në breg" simbolizojnë një lidhje të përhershme dhe harmonike mes natyrës dhe qenieve njerëzore. Këtu, deti dhe bregu mund të simbolizojnë unitetin dhe dashurinë që poeti ndjen për Sarandën dhe natyrën e saj. "Gjerdani i artë" që lidhet me përhumbjen nga pija është një simbol që sjell ndjenjë përjetësie dhe humbjeje në një moment të çastit, duke përforcuar atmosferën e kësaj poezie. Simbolizmi gjithashtu shfaqet në poezinë "Vendin e fronit", ku "froni" simbolizon diçka të lartë dhe madhështore. Në vargun "skicojnë në Qafë Gjashtë vendin e fronit", poetit duket sikur e sheh natyrën si mbretërinë e saj, dhe figurat e fronit dhe yjeve krijojnë një ndjenjë pushteti natyror dhe të një force më të lartë që është përtej forcave të njeriut.

3. Ekspresionizmi është një rrymë moderniste që përqendrohet te shprehja e ndjenjave dhe përjetimeve të fuqishme emocionale përmes shfaqjeve të çrregullta dhe të thella të realitetit dhe në poezitë e Terziut, gjejmë një shprehje të qartë të emocioneve, përmes natyrës së fuqishme e të ndjeshme që shfaqet. Kështu, në poezinë "Edhe deti tekanjozet", shprehja e dhimbjes dhe lodhjes së detit përkon me ndjenjat e poetit, duke e vendosur atë brenda një realiteti të personalizuar dhe të fuqishëm emocionalisht. Kjo lidhje intime mes ndjenjave të poetit dhe elementeve të natyrës krijon një atmosferë ekspresioniste, ku gjithçka rreth poetit është e gjallë dhe e ndjeshme ndaj përjetimeve të tij personale.

Poezitë e Fatmir Terziut u qasen këtyre rrymave moderniste për shkak të thyerjes së linjave tradicionale dhe përqendrimit në përjetimet personale dhe individuale të botës. Nuk gjejmë një rrëfim linear ose të rregullt në ato, përkundrazi, poeti krijon fragmente të ndjenjave dhe momenteve, të cilat lidhen me simbolika dhe imazhe konkrete që flasin për përjetime emocionale dhe intelektuale. Siç e thamë, për poetin Saranda nuk është thjesht një peizazh, por një burim frymëzimi dhe emocioni që merr formë përmes imazheve të fuqishme dhe shprehjeve simbolike.

V-Poezitë e Fatmir Terziut lënë përshtypjen e një melodiciteti të thellë shpirtëror, duke krijuar ndjesinë që më shumë se lexohen, ato "këngëzohen." Kjo ndjenjë vjen si rezultat i një kombinimi të veçantë të elementeve stilistike dhe të figurave poetike që mbushin vargjet me ritëm dhe harmoni të brendshme. Ekzistojnë disa faktorë që kontribuojnë në këtë përjetim melankolik dhe melodik, dhe kjo lidhet ngushtë me mënyrën se si Terziu krijon vargje me tonalitete të ngrohta, të qarta dhe të qeta.

1. Së pari ndikojnë ritmi dhe kadenca e vargjeve, ku:ritmi është një nga faktorët kryesorë që ndikon te melodiciteti i poezive të Terziut. Vargjet kanë një strukturë të organizuar, ku ritmi rrjedh natyrshëm dhe krijon një kadencë të brendshme, si një valë e qetë që lëviz ngadalë dhe pandalshëm. Kjo qasje me valët e detit na krijon përshtypjen se poeti ka “fiksuar” në manjetofon zhurmat e qytetit, për ti sjellur përsëri nëpërmjet vargjeve. Ky ritëm i qëndrueshëm krijon ndjesinë që poezia nuk është thjesht për t’u lexuar, por është një melodi e cila duhet ndjerë. Është e natyrëshme që në bulevardin e qytetit të shohish ndonjë person që këngëzon me vete melodi , duke mos folur për grupe që këndojnë në bordurat e boulevardit. Poezia "Vendin e fronit" ilustron mirë këtë element: "Në Sarandë, nën shi, ka gjithnjë diell, / pasi i soset durimi Jonit, / retë largohen, megjithatë, pa mbikëqyrje, / skicojnë në Qafë Gjashtë vendin e fronit" Këtu, struktura e vargjeve krijon një ritëm që lëviz me qetësi dhe njëfarë graviteti. Fjala e fundit e çdo vargu bie me një kadencë të tillë që ngjan me një përfundim melodik, duke e kthyer poezinë në një këngë të qetë natyrale.

2.Aliteracioni dhe asoneca, ripërsëritja e tingujve në vargje, kontribuojnë në krijimin e një harmonie akustike dhe ndihmojnë në zhvillimin e një melodie të brendshme në poezitë e Terziut. Përsëritja e tingujve, veçanërisht tingujt e butë dhe zanoret, i japin vargut ndjesi ritmike dhe të ngjashme me muzikën. Kështu,në poezinë"Fraksion kohe", vargjet: "Guaska del / me një të katërtën e shpejtësisë së dritës / e ngurta e fsheh, / në shkumën e bardhë të syrit"përdorin tingujt e përsëritur "sh" dhe "g" që krijojnë një ndjesi të qetë dhe valëzuese, duke imituar lëvizjen e butë të detit dhe duke nxjerrë në pah përjetimin melodik të poezisë.

3. Në shumë poezi të ciklit, natyra shfaqet jo vetëm si peizazh i jashtëm, por edhe si një burim i melodisë së brendshme të vargjeve. Terziu shpesh i shfaq elementet natyrore si pjesëmarrëse në një simfoni të heshtur, duke përdorur metafora që evokojnë tingujt natyrorë dhe harmoninë e tyre. Po të shohim poezinë: "E dirigjuar", batica dhe guralecët duket sikur formojnë një orkestër të natyrës: "Ndërsa batica e ngre të zotin e hutuar / guralecët mësojnë të zgjohen nga gjumi / dhe nuk qenka kjo e dirigjuar?" ku poezia të jep ndjesinë se natyra është në lëvizje të vazhdueshme dhe harmonike, e dirigjuar në heshtje nga forca që nuk shihen. Ky "dirigjim" i natyrës sugjeron një muzikë të brendshme që përshkon të gjitha elementet e saj.

4. Teknika e zgjedhjes së fjalëve të buta, që shpesh mbajnë ngarkesë emocionale të qetë e të thellë, ndihmon në krijimin e ndjesisë melodike. Fjalët që përshfaqin elemente natyrore , si "lotët," "baticën," "shkumën," dhe "diellin," përdoren në mënyrën që krijojnë një tingull të butë dhe të harmonizuar, duke i bërë vargjet të rrjedhin natyrshëm. Në poezinë "Edhe deti tekanjozet", fjala "lotët" lidhet me një dhimbje të heshtur, por të bukur, që rezonon në mënyrë melodike: "Si një sy i lodhur nga dhimbjet,/ fsheh në retinë lotët e tij." Zgjedhja e këtyre fjalëve të buta, të mbushura me emocione të brendshme, krijon një ton të qetë dhe të ndjeshëm, i cili përforcon ndjesinë që poezia këndohet. Kjo nuk k apse të na habisë, në qytetin e Sarandës dhe rethinat e tij vetëm fjalë të buta, të ngrohta dhe të ëmbëla mund të përdorësh.

5. Struktura e vargjeve të shkurtra dhe përdorimi i pauzave në poezitë e Terziut ndihmojnë në krijimin e efektit melodik. Pauzat krijojnë ndjenjë pritjeje dhe shpërbëjnë lëvizjen e qetë të vargjeve, duke u ngjitur dhe zbritur si një melodi, e cila ndalon si për të marrë frymë dhe më pas vazhdon rrjedhën e saj. Në poezinë "Siç shihet nga Lëkurësi", ka pauza që ndërtojnë tension të brendshëm të ngjashëm me atë që mund të gjendet në muzikë: "Deti ngre dolli shkumë me të dashurën në breg:/ Grija e blusë dhe grija e jeshiles /rendin ti vendosin kaish në mes / korijes." Pauza në mes të vargjeve krijojnë një ndjenjë lirimi dhe lidhje të butë mes vargjeve, lëvizje ritmike që të kujton një melodi të vazhdueshme dhe të heshtur. Edhe pak dhe ky tekst mund të këndohjet dhe me këngë isopolifonike bregase.

VI-Një element që bie në sy në poezitë e cikleve  që Fatmir Terziu ka shkruar për Sarandën është përdorimi i ngjyrave të gjalla dhe paraqitja e natyrës me ndjenjë freskie dhe ajër të pastër, si vetë fryma e qytetit dhe rrethinave të saj. Sigurisht që ambienti ndikon te frymëzimi I poetit, I jep atij dritën dhe ngjyrën e tij për ta përdorur në vargje. Ndaj themi se aspekti I ngjyrave dhe dritës është thelbësor në krijimin e ndjesisë së harmonisë dhe qetësisë, ku peizazhi natyror bëhet jo vetëm një sfond për veprimin poetik, por një pjesëmarrës aktiv në përjetimin estetik dhe emocional të poezisë.

1. Ngjyrat luajnë një rol kyç në poezitë e Terziut, duke krijuar një panoramë të qartë dhe të ndritshme, ku natyra është gjithnjë në dialog të qetë dhe të bukur me njeriun. Poetika e Terziut përqendrohet në nuancat e dritës dhe errësirës, duke krijuar kontraste midis ngjyrave, të cilat sjellin përpara lexuesit një ndjesi qartësie dhe qetësie. Në poezinë "Fraksion kohe", lexojmë: "Në skicën e ditës, dielli skicon një rreth, / deti shndrit me ngjyrën e tij të përhershme, / e blertë dhe e kaltër përplasen në ajrin e ndritshëm."ku  ngjyrat e blertë dhe e kaltër, që përplasen në ajër, krijojnë një imazh të gjallë dhe të ndritshëm. Ky përshkrim i ngjyrave dhe ndriçimi i tyre i jep poezisë tonalitet të pastër, pasi  e lidh natyrën me ndjenjën e frymëzimit e përjetimit të qetësisë.

2.Poezitë e Terziut janë plot me ajër të pastër, i cili shfaqet jo vetëm si simbol i freskisë natyrore, por edhe si  gjendje shpirtërore. Ajri i pastër, i përmendur në vargje, ndihmon në krijimin e ndjesisë të hapësirës së lirë dhe të pastërtisë, si vetë natyra e Sarandës dhe mjediset e saj. Ajri bëhet një medium për të thithur ndjenjat e qetësisë, dhe përmes tij, lexuesi përjeton një pastërti shpirtërore. Por jo vetëm për faktin se përmendet ajri në vargje, më tepër ai ndjehet në poezi si përbërës i saj, pse kur lexon vargjet e Terziut të duket se ngopesh me ajër të pastër plot me oksigjen. Në poezinë "Vendin e fronit", poeti shkruan: "Nën qiellin e hapur, fryn ajri i pastër i mëngjesit, / dielli ngroh dhe era shtyn retë tutje." Ajri i pastër në këtë varg shprehet në një frymëmarrje të hapur, që lidhet me lirinë dhe gjallërinë e peizazhit, jo vetëm te vargu i parë ku shprehet “fryn ajri i pastër i mëngjesit”, por dhe te pjesa e dytë e vargut ku përmendja e fjalës “ajër” mungon, por gjithsesi përjetohet. Ky përjetim i ajrit të freskët dhe lëvizjes së natyrës krijon një ndjesi të një kohe të pafundme dhe të qetë, ku njeriu është në harmoni me elementet natyrore, tipar ky i një poezie të freskët dhe origjinale.

3.Saranda, me rrethinat e saj të pasura me det, kodra dhe ajër të pastër, është më shumë sesa një mjedis i bukur; ajo është burim frymëzimi për poetin. Terziu e sheh natyrën si një burim frymëzimi dhe forcë krijuese, që ndikon në shpirtin e tij dhe mënyrën se si ai i krijon vargjet. Përshtypja që natyra, qyteti (dhe njerëzit) i japin poetit përkthehet në një ndjenjë freskie dhe gjallërie që përshkon poezitë e tij. Në poezinë "Edhe deti tekanjozet", Terziu shfaq lidhjen intime me detin dhe qiellin, duke shkruar:"Deti griset në vijën e horizontit / sikur kërkon një prekje të qiellit, / fryma e Sarandës e mban gjallë këtë mrekulli." ku Saranda shfaqet si vend që frymëzon jo vetëm peizazhin natyror, por edhe peizazhin shpirtëror të poetit. "Fryma e Sarandës" është ajo që mban gjallë përjetimin poetik, dhe krijon një ndjenjë të bashkëpunimit midis natyrës dhe shpirtit të njeriut.

4.  Dhe së fundi, përdorimi i ngjyrave në poezitë e Terziut nuk është vetëm për të shfaqur natyrën, por dhe të shprehë emocionet shpirtërore të poetit, pasi ato bëhen metafora për ndjenjat e gëzimit, qetësisë dhe melankolisë, duke krijuar ndjesi të përzier emocionale që rezonon me lexuesin. Në poezinë "Siç shihet nga Lëkurësi", ngjyrat përdoren për të shprehur një gjendje të veçantë emocionale: "Grija e blusë dhe grija e jeshiles / rendin ti vendosin kaish në mes / korijes." ku kombinimi i ngjyrave blu dhe jeshile, të përziera me nuancat gri, krijon një atmosferë të qetë, por të ngarkuar emocionalisht. Me këto cilësime poeti krijon një efekt visual ku shfaq nuance delikate dhe të ndërmjetme të ngjyrave blu dhe jeshile. Këto “gri” të këtyre ngjyrave të tjera janë simbole të një përzierje apo të një zhdukjeje të qartësisë së ngjyrave të gjalla, duke sjellë në vëmëndje ndjesi të thella dhe të qeta. Kjo shpreh ndjenjat e poetit i cili e sheh bukurinë e qytetit jo vetëm te ngjyrat e forta por edhe te nuance e zbehta dhe të heshtura të natyrës. Duhet të jesh një vëzhgues i hollë që të konstatosh këtë fenomen. Por ka dhe një kuptimshmëri tjetër, Saranda është qytet bregdeta ku e gjelbëra e malit dhe bluja e detit takohen dhe “grija” e tyre përfaqson vijën bregdetare ku ato elemente natyrorë bashkohen, duke formuar peisazh të harmonizuar. Në thelbin poetik këto ngjyra simbolizojnë jo vetëm peizazhin natyror, por edhe ndjesitë shpirtërore të poetit që pasqyrohen në peizazhin e përshkruar.

Në përmbyllje, poezitë e Fatmir Terziut për Sarandën shfaqin një lidhje të thellë mes poetit, natyrës dhe njerëzve të këtij qyteti. Saranda nuk është vetëm një destinacion turistik, por një burim i vazhdueshëm frymëzimi që ndikon si në shpirtin ashtu dhe në krijimtarinë e poetit. Përmes përshkrimeve të ngjyrave të gjalla, ajrit të pastër dhe ritmit të jetës, Terziu kthen natyrën e këtij vendi në një fushë të ndjesive dhe përjetimeve të tij më intime. Këtu, poeti gërsheton përvojat personale dhe miqësitë e tij me peizazhin, duke krijuar një poezi të gjallë që e lidh ngushtë natyrën me dimensionin njerëzor.

 

Saranda është për Terziun një nimfë e bukur

 

Jemi mësuar tashmë me shpërthimet poetike të Fatmir Terziu për përjetimet e tij në qytetin e Sarandës dhe ardhjen e tyre si dallgë Joni plot ngrohtësi e çiltërsi. Duke qenë pjesë e manifestimeve poetike Trirema Joniane, që organizonte Klubi i Krijuesve Jonianë të qytetit të Sarandës, Terziu ka fituar një ndjeshmëri të veçantë për qytetin dhe krijuesit e tij, përfshirë dhe poetët që kanë ikur nga kjo botë, si miku i tij i afërt, Agim Mato.

1. Te poezia "Joni në Sarandë": Poeti na jep një përshkrim të Jonit, por vala e Jonit dhe shkumbardhësia e tij nuk janë thjesht fenomene natyrore. Ato përfaqësojnë përvojat dhe emocionet që Terziu ka përjetuar në Sarandë, veçanërisht gjatë pjesëmarrjes së tij në "Trirema." Valët e Jonit i shfaqen si një "pajë," një dhuratë shpirtërore që mbart frymëzimin krijues. Shkumbardhësia, me penelatën e saj, simbolizon fuqinë e parë të dashurisë për këtë qytet dhe për poezinë. Saranda është për Terziun një nimfë e bukur, një burim qëndresës dhe bukurie artistike, e ngjashme me atë që shpreh ky aktivitet krijues.

2. Poezia "Limanin e gjerb": poezi shpreh lidhjen intime të poetit me limanin e Sarandës, i cili është vendtakim i qetë, por i mbushur me kuptim për poetët. Diskursi poetik për Terziun është një aspirancë që "gatuhet" ngadalë, duke reflektuar përvojat e tij në "Trirema." Anijet në liman përfaqësojnë poezinë që mban plagë, përkujtim për përvojat dhe kujtimet që poetët jonianë kanë ndarë në këtë festival. Limani, me simbolikën e tij të paqes dhe reflektimit, është një vend ku poeti mund të gjerb dhe të futet në poezi me trishtim, ndërsa i kujton miqtë dhe poetët që kanë kaluar në këtë rrugë artistike. Sigurisht që është vend real me ngjarje e përjetime reale, të shkrira mjeshtërisht në poezi.

3. "Bukovilja": Bukovilia, një bimëme lulëzim gjithëvjetor në klimën e ngrohtë të Sarandës, shërben si simbol për dashurinë dhe takimet e poetëve jonianë. Ajo përfaqëson ndjenjën e vazhdimit të lidhjeve poetike, një përjetim që Terziu e ka përfituar përmes manifestimit "Trirema." Këtu, pulëbardhat që ndjekin vargjet e poezisë janë metafora për krijuesit që përpiqen të kapin aromat e frymëzimit artistik. Ky zjarr që ndriçon mbi bukovile është zjarr i përjetshëm i dashurisë për artin dhe miqësinë krijuese, një zjarr që ndriçon çdo takim të syve të poetëve në Sarandë.

4. "Trirema": Trirema, si titull i kësaj poezie, i referohet në mënyrë të drejtpërdrejtë Manifestimit poetik "Trirema" në Sarandë, një aktivitet i cili mbledh poetë nga të gjitha anët për të shkëmbyer krijimtarinë e tyre. Për Terziun, ky manifestim është një simbol i fuqisë së largësisë, por edhe i afërsisë poetike. Udhëkryqet e jetës, me pesha dhe dilema të mëdha, kërcënojnë çdo ditë, por "Trirema" ngre një përmendore për poezinë, një mrekulli që kalon përtej çdo sfide. Poezia dhe arti mbeten të përjetshëm, duke sjellë një ndjenjë pavdekësie për poetët e bashkuar nga deti Jon dhe Saranda.

5. "Në kujtim të poetëve të ikur": Kjo poezi është një homazh prekës për poetët që kanë kaluar në amshim, si Agim Mato, një nga figurat qendrore të poezisë joniane dhe mik i afërt i Fatmir Terziu . Saranda nuk është thjesht një qytet, por një vend ku kujtimet e poetëve mbeten të gjalla. Mato dhe poetë të tjerë të ikur janë bashkuar në kaltërsinë e përjetshme, dhe vargu i tyre nuk është zhdukur nga kujtesa joniane. Kjo poezi është një reflektim mbi pavdekësinë e poezisë dhe të trashëgimisë që krijuesit lënë pas, të cilët gjithmonë do të jenë të pranishëm në Sarandë, një qytet që vazhdon të frymëzojë edhe përtej jetës. Me këtë rast një falënderim më shumë për poetin Terziu specifikisht për këtë poezi.

6. "Pakujdesi të rërta": Dy plagët e pakuptueshme janë dhimbjet e fshehura që shoqërojnë çdo krijues, plagë që nuk janë të dukshme për të tjerët, por mbeten thellë në shpirtin e tij. Rëra e Jonit që ka mbetur në çorap bëhet simbol i kujtimeve të vogla, por të paharrueshme, që poetët përfitojnë nga pjesëmarrja në "Trirema." Kjo kujtesë është një përvojë e thellë dhe personale për Terziun, e lidhur ngushtë me qytetin dhe kujtimet e tij me miqtë e ikur dhe të pranishëm. Këto detaje të vogla simbolizojnë ndikimin e madh që Saranda dhe ky aktivitet krijues kanë lënë në shpirtin e tij.

Poezitë e Fatmir Terziut mbi Sarandën, lidhur dhe me kontekstin e Manifestimit poetik

"Trirema", ofrojnë një tablo të gjerë të përvojave artistike dhe shpirtërore që poeti ka përjetuar në këtë qytet. Saranda për Terziun është më shumë se një vend gjeografik; është një hapësirë e gjallë ku poezia dhe kujtimet bashkohen për të krijuar një trashëgimi të përjetshme. Përmes këtij cikli poetik, Terziu nderon jo vetëm qytetin dhe natyrën e tij të bukur, por edhe krijuesit që kanë kaluar dhe kanë ndihmuar në formësimin e kësaj trashëgimie të përbashkët poetike.

Për mua ky cikël është së pari një portret shpirtëror i vetë poetit Terziu, portret të cilin ne e ruajmë në kujtesën tonë dhe e shohim çdo ditë te fjalaelirë dhe Albanian Post dhe që na trondit me ciklet e poezitë e tij të shpeshta që na kujton se një mik të shtrenjtë e kemi matan detit, në një ishull , që ne e mbulojmë emrin e tij me dashuri dhe për qënien e Terziut aty.

Për ciklin e parë poetik të Fatmir Terziu për përjetimet e tij në dhe nga Saranda, në komentin që bëmë u shprehëm se na erdhi si një dallgë Joni. Nuk ishim gabuar në cilësimin tonë dhe mqse dallgët vijnë njëra pas tjetrës, ja ku erdhi dhe dallga e dytë nën okeljon: Një cikël tjetër nga Joni i ditëve të Triremës Poetike". Ky cikël shfaq një frymëzim të thellë poetik, ku Joni dhe Saranda janë më shumë se peizazhe, ato janë burim meditimi dhe frymëzimi për poetin. E parë në kontekstin e një analize artistike themi se : Në këtë cikël, natyra dhe përvoja njerëzore ndërthuren në mënyrë delikate, ku detajet e përditshme marrin një dimension filozofik dhe ekzistencial. Nëpërmjet figurave artistike dhe simbolikave, Terziu krijon një botë ku realiteti dhe imagjinata bashkohen në mënyrë poetike, duke i ofruar lexuesit një përjetim emocional dhe estetik.

1. "Xhirot e Jonit": Poezia hapet me një imazh të fortë, ku "stërkalat e uritura" personifikohen, duke reflektuar mungesën dhe dëshirën për të depërtuar në rrënjët e jetës. Speciet e kequshqyera mund të simbolizojnë elemente të brishta dhe të pafuqishme që jetojnë në një botë të ashpër, duke kërkuar burimin e mbijetesës. Flatrat e pulëbardhave janë një metaforë për lirinë dhe përpjekjet për t’u ngritur mbi kufijtë fizikë, ndërsa nata që i pikturon mbi telajon e Jonit shpreh një ndjesi të thellë meditimi dhe reflektimi mbi jetën. Penelimi me dritat e neonit krijon një kontrast mes natyrës dhe urbanizmit modern, ndërsa takat e gjata, ison dhe këngët nënkuptojnë elemente të përditshmërisë që bashkëjetojnë me natyrën. Ky imazh artistik krijon një tablo ku qytetërimi dhe natyra ndërthuren në mënyrë harmonike.

2. "Poshtë palmës": Poezia shpreh një moment intim, një çast qetësie dhe introspeksioni. "Për disa minuta askush nuk më ka prekur" reflekton një ndjesi vetmie dhe izolimit, por jo domosdoshmërisht në kuptimin negativ; përkundrazi, është një çast ku poeti gjen paqe në vetmi dhe krijimtari. "Një ëndërr më ka strukur në poezi" përfaqëson shpërthimin e frymëzimit poetik, ndërsa "dyshemeja e sekretit tim ka mbetur e pashkelur pikërisht nga Ti" shpreh një ndjesi të papërmbushjes, një ndjenjë që poeti ndan me dikë që nuk ka arritur ta prekë në atë moment intim. Kjo poezi krijon një atmosferë delikate, duke ndërthurur përjetimet personale me ndjesinë e misterit dhe fshehtësisë.

3. "Në plazh":Këtu, udhët dhe qyteti shndërrohen në simbolikë për përvojat e jetës, të cilat nuk ndjekin gjithmonë rrugët e zakonshme. "Udhët nuk shtrihen mbi udhë" krijon një imazh paradoksal që sfidon logjikën, por pasqyron ndërlikimet dhe papriturat e jetës. "Në sqetullën e ngrohtë të qytetit të urtë" shfaq një ndjesi qetësie dhe sigurie, ndërsa "një shezllog me një unazë në gishtin e madh" mund të simbolizojë stabilitetin dhe angazhimin, duke sugjeruar një moment reflektimi në jetën e përditshme. "Tymi i një anijeje" bëhet kryefjala e këtij udhëtimi figurativ, duke përfaqësuar lëvizjen dhe kalimin e kohës. Ky simbol i anijes dhe udhëtimit është një metaforë për jetën, me të gjitha ndryshimet dhe kalimet që ajo sjell.

4. "Fruta deti": Poezia e përditshmërisë këtu ndërthuret me filozofinë dhe meditatën. "Ky restorant nuk është një Sinagogë ku të pyes veten pse u ndodha në det" shpreh një ironi të hollë, ku realiteti i një restoranti përballet me pyetje ekzistenciale. Frutat e detit nuk janë thjesht ushqim, por një metaforë për përvojat që deti i jep njeriut – një "arkeologji e hapur" ku zbulohen thellësi të reja të jetës dhe identitetit. Terziu këtu krijon një kontrast të gjallë mes asaj që është e zakonshme dhe asaj që është e thellë, duke e kthyer përvojën e thjeshtë të një vakti në një përvojë të zbulimit të vetes dhe historisë.

5. "Miqtë e Jonit": Poezia përmbyll ciklin me një reflektim mbi miqësinë dhe lidhjet që ndodhin nëpërmjet poezisë. "Me një varg, por poezi të ngjeshura me vakum mjeshtërisht" përfaqëson fuqinë dhe përqendrimin e ndjenjave dhe mendimeve të shprehura përmes vargjeve poetike. Miqtë dhe vargjet e tyre, "një det në mendjen time", përbëjnë një dimension të gjallë ,një Zanafillë që rikthen një fillim të ri poetik. Këtu, vargjet nuk janë thjesht fjali të shkruara, por një mënyrë për të ndërtuar miqësi të thella dhe përjetime shpirtërore.

Ky cikël poetik i Fatmir Terziut mbart një ndërthurje të bukur miqësive të përjetuara, natyrës, përjetimeve të jetës së përditshme dhe filozofisë ekzistenciale. Nëpërmjet figurave artistike dhe gjuhës së hollë poetike, ai krijon një botë ku përvojat e zakonshme të jetës së përditshme shndërrohen në momente frymëzimi dhe introspeksioni. Një ndikim i fortë i Jonit dhe Sarandës vërehet në të gjitha poezitë, duke i dhënë ciklit një karakter të veçantë që përqendrohet në marrëdhënien mes njeriut dhe natyrës, si dhe mes poetit, miqve të tij në Sarandë dhe lexuesit kudo në botë.

 

Sarandë, më tetor 2024

 

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page