top of page

Timo Mërkuri SADIK BEJKO, KY DJALOSH I PËRJETSHËM



Nga Timo Mërkuri


Një shpërthim i ri poetik i Sadik Bejkos, por duhet të theksojmë se kjo poezi është një shpërthim djaloshar që të sjell para syve vetë atmosferën e pranvertë të çastit magjik.

Në poezi, dashuria përjetohet si shpërthim ndjenjash djaloshare, të freskëta, të befta, që e largojnë ndjenjën e vetmisë dhe mërzisë që shfaqet në fillimin e vargjeve. Vargu "Vetmi, jetimëri, lodhur.. pa të diela"me të cilën nis poezia krijon një ndjesi boshllëku dhe mungese gëzimi. Ai përmbledh një gjendje të trishtë shpirtërore, një vetmi të thellë, një ndjenjë braktisjeje që përjetohet si “jetimëri”. Këto fjalë krijojnë një atmosferë të zymtë, të mbështjellë në një lodhje të thellë, që nuk është vetëm fizike, por dhe shpirtërore. Po ashtu hprehja “pa të diela” është mjaft domethënëse, sepse e diela simbolizon jo vetëm një ditë pushimi, por edhe ditën që kryesisht të rinjtë ja kushtojnë dashurisë. Mungesa e saj nënkupton një jetë të privuar nga çastet e dashurisë, nga ndjesia e gëzimit, duke e thelluar ndjenjën e zymtësisë dhe rutinës së rëndë të ekzistencën e tij para dashurisë.Kulmin e arrin me përmendjen emetaforës "kufome gjumi"  e cila përcjell një ndjesi vdekjeje, të mungesës së gjallërisë, pasiviteti total për moshën e artë të rinisë. Kjo metaforë tregomn për një ekzistencë  monotone dhe të mbyllur në trishtim vetmie, ku çdo mbrëmje sjell vetëm një gjumë të rrëndë, pa ngrophtësi shpirtërore. Kështu “kufomë gjumi” shërben si një imazh I fuqishëm që kontraston me gjallërinë, energjinë dhe dritën që sjell dashuria në jetë. Klima poetike është dimërore,por papritur, mbërritja e dashurisë ndriçon e ngroh gjithçka. Hyrja e saj shfaqet me një befasi magjike,një "hir" që zbulon bukurinë e fshehur në shpirtin e dy të rinjve. Ky shpërthim ndjenjash është aq i fortë sa ndriçon një botë të re, të ndjerë në metafora të ngrohta e të ndritura. Duket sikur dashuria transformon ambientin rrethues, siç shprehet tek vargu "Trungjet e lagur të një vreshte na bëheshin si portikë me yje." Këto trungje, si "portikë me yje", krijojnë një hapësirë të shenjtë, të mbushur me shkëlqimin e momenteve të tyre të përbashkëta, duke i bërë vendet e zakonshme të duken madhështore dhe të gjalla.

Natyra është e gjallë në këtë poezi, dhe krijon peizazhe ndjenjash të bukura shpirtërore ku në të ftohtin "minus tre gradë", gjejmë "luzmë zjarri, frymë, feksje", si një jetë e ndezur, që thyen akullin për të jetuar. Ky kontrast, mes të ftohtit dhe zjarrit të brendshëm, i jep forcë poetike ndjenjave të Bejkos, duke përcjellur ndjesinë e fuqisë dhe pasionit të ri që dashuria sjell.

Në vargjet e fundit, poeti sjell një reflektim për atë që përfaqëson kjo përvojë dashurie: një jetë të dhuruar pa kushte, pa frikë për fundin e saj. Nuk ka premtime të përjetshme, nuk ka "si e kur, pa hamendje," por një përjetim i plotë i çdo momenti, me përkushtim dhe pa rezerva. Pyetja e fundit "ku ma çoi koha këtë mbrëmje?" reflekton ndjenjën e habisë dhe të humbjes në ndjesinë e thellë që kjo mbrëmje i ka lënë, si një kujtim që mbetet përjetësisht i skalitur në kujtesë.

Duke ndjerë se poezia është kujtim i një dashurie të moshës së rinisë, kujtimi i bukur i të cilës dhemb në moshën e shkuar, s’di pse mu kujtua një këngë popullore e viseve të mia ku heroi thotë: “Djalërinë kush ma shet/I jap njëmijë e dyzet/ Vetëmë për një sebep /Për miken që shkon e s’flet”, por befasohesh kur sheh se poeti quan të zymtë kohën e jetuar para dashurisë dhe jo kohën pas dashurisë, madje ai sikur ska fare kohë pas dashurisë, ai sikur ka jetuar vetëm kohën e dashurisë. Këtë përfundim e arrijmë pasi ai nuk qahet për më pas, ai nuk flet për një dashuri të humbur, ai pyet trishtue-shëm vetëm:”Ku ma çoi koha këtë mbrëmje”?


II- Thamë se poezia reflekton një përjetim djaloshar të dashurisë, por është e ndërtuar me vetëdije të distancës që jep mosha e sotme e poetit, sepse  poezia realisht mban 'datën" e krijimit kohën e sotme. Vargu "ku ma çoi koha këtë mbrëmje" përmban një notë reflektimi dhe mallëngjimi të qetë, një kthim prapa për të ripërjetuar intensitetin e ndjenjave të rinisë, por me një sy të pjekur. Pikërisht kjo pjekuri, përballë "marrëzive" të moshës së dashurisë fikson datën e poezisë. Vargu i fundit flet për një ndërgjegjësim se koha e ka kaluar atë moment të veçantë, duke i dhënë kujtimit një ndjesi të përjetshme, por njëkohësisht të largët. Vargu i fundit, është një përmbyllje e thellë dhe medituese që pasqyron ndërgjegjësimin e poetit për momentet e çmuara të dashurisë së rinisë, që tani shfaqen vetëm si kujtime të largëta. Përdorimi i fjalës "koha" krijon idenë e një force të padukshme që ka lëvizur përpara pa kthim, duke marrë me vete një moment të bukur, një çast të përjetuar me gjithë thellësinë dhe pasionin e tij.

Ky varg gjithashtu mbart një kuptim të hapur, gati filozofik: pyetja e nënkuptuar këtu nuk kërkon një përgjigje të thjeshtë, por një reflektim mbi kohën dhe mënyrën se si ajo formëson jetën dhe ndjenjat tona. Kështu, ky përfundim e bën poezinë të ndihet si një përsiatje mbi kohën dhe dashurinë, dhe mbi fuqinë e kujtimeve që, edhe pse të largëta, mbeten të pashlyeshme në shpirt

III- Në poezi ndjehet përzierja e së kaluarës me të tashmen: ndjenja nostalgjie për një dashuri pa komplekse, pa frikë nga fundi, "pa premtime, pa brengë." Ndonëse nuk kemi “kohë të tashme”në poezi, ajo ndjehet te ndërthurja e përjetimeve rinore me vështri-min e pjekur dhe  kontrasti delikat që ato sjellin, ku emocionet e zjarrta të së kaluarës janë "skalitur" në kujtesë, por me një pranim të butë të largimit të tyre. Kështu, poezia kthehet jo thjesht te një kujtim, por te një dialog me kohën, duke ndier nostalgjinë për fuqinë dhe çiltërsinë e përjetimeve të rinisë, ndërsa e njeh largimin e tyre të pashma-ngshëm nga eksplorimet e moshës së sotme.

Duhet të theksojmë se Bejko te poezia nuk sjfaq ndonjë brenge për kohën e shkuar, ai nuk kërkon “ta blejë djalërinë me njëmijë e dyzetë”, për “sebep të mikes që shkon e s’flet” sepse mikja është me atë shpirtërisht dhe tani në moshë të tretë. Sadik Bejko në rini ka dashuruar me pasionin e rinisë, forcën e shpirtit dhe çiltërsinë e zemrës, dhe këtë zjarr dashurie ai e ka mbartur brenda vetes nëpër kohë, ashtu siç mbartet zjarri në prush nga një vend në tjetrin, ngulitur thellë në vetëdijen e tij, që tani, nga largësia e moshës, e kujton me një intensitet të papërshkrueshëm. E përjetuar me pasion djaloshar, kjo dashuri është një forcë e brendshme që e pasuron shpirtin, një kujtim i rrallë që vazhdon të ndriçojë edhe në distancën kohore. Ndaj, poezia është reflektim mbi guximin për të dashuruar, për të përjetuar plotësisht, edhe në kohë të vështira, duke sfiduar përkohshmërinë e ndjenjave dhe mospërfilljen e kohës. Ndoshta vetëm tani, duke e parë nga distanca e kohës,Bejko e shfaq dashurinë si një akt guximi, dhe të mos harrojmë se flitet për një kohë monizmi që jo gjithmonë e lejonte shprehjen e ndjenjave të lira. Ky fakt i shton dimensionin heroik përjetimit  të dashurisë, qw ndodh në sfondin e vështirësive dhe kufizimeve të një periudhe të ashpër, pse ajo shfaqet si një sfidë ndaj normave dhe një përpjekje për të kapur çastet e ngrohta, të ndaluara e të rralla, që i kundërviheshin brengës e rutinës, që shpesh herë janë paguar shtrenjtë nga të rinjtë.

IV-Në këtë poezi Sadik Bejko shfaqet si "një djalosh i përjetshëm" sepse: pavarësisht se është shkruar nga perspektiva e një njeriu në moshën e rritur, ndjenjat dhe kujtimet e rinisë i ka ruajtur me një freski dhe pasion të pakompromentuar. Ai arrin t’i rikthejë ato me gjithë intensitetin, ndjeshmërinë dhe energjinë e viteve të rinisë, duke dëshmuar se dashuria dhe kujtimet e fuqishme mbeten të gjalla në shpirtin e tij, pavarësisht kalimit të viteve. Kjo aftësi për ta ndjerë dhe përjetuar dashurinë me një dritë të freskët tregon se poeti ka ruajtur në zemër një pjesë të rinisë së tij shpirtërore, që i jep një cilësi të përjetshme dhe të pakonsumuar nga koha. Bejko, përmes vargjeve, tejkalon kufijtë e moshës dhe të përkohshmërisë, duke u shfaqur si një njeri që dashuron me të njëjtën intensitet sikur të ishte ende i ri.Për më tepër, mënyra se si e risjell kujtimin dhe rikrijon emocionet e dashurisë rinore tregon një shpirt të gjallë dhe lidhje të thellë me të kaluarën e tij emocionale. Ky përjetim e bën poetin të ndihet jo vetëm nostalgjik, por ti duket sikur përjeton një ndjenjë jashtëkohore dhe tw paprekshme nga rrjedha e jetës. Pra, Bejko shfaqet si një djalosh i përjetshëm, sepse dashuria e tij për të shkuarën dhe për ato përvoja mbetet po aq e fortë dhe e paprekshme sa ka qenë dikur, duke përçuar idenë se ndjenjat e vërteta janë të pavdekshme. Nuk wshtw njw trill çasti krijimi I kwsaj poezie nga Sadik Bejko. Unw do tju sugjeroja qw ti lexoni imtwsisht dhe sidomos midis rreshtave krijimet e Bejkos, aty ai fsheh thesaret e tij.

Po ashtu shpalosja e ndjenjave, peizazhit, natyrës së gjallë e plot pasion, e bëjnë Bejkon të duket si një djalosh që ende ëndërron dhe përjeton me forcë të njëjtën ndjesi. Ai arrin të kapë esencën e asaj ndjenje rinore të pastër dhe të guximshme, si dikur, duke mbetur në një farë mënyre, i pa plakshëm në përjetësinë e dashurisë dhe në fuqinë e kujtimeve që  mbart. Vajzat njw dashuri tw tillw wndwrrojnw.

Kështu, Sadik Bejko nuk është thjesht një vëzhgues i largët i së kaluarës, por një përjetues aktiv i asaj kohe  rinore që nuk harrohet kurrë, i një zemre që ende rreh me pasion, një "djalosh i përjetshëm" që gjen përjetësinë në fuqinë e kujtimeve të tij të ndritshme dhe të ngrohta.


Sarandë, më nëntor 2024



Ku ma çoi koha atë mbrëmje

Vetmi, jetimëri, lodhur..

pa të diela. Javë pa të kremte,

Një kufomë gjumi ofronte çdo mbrëmje.

Në bef erdhe ti…dhe ç’hir zbuluam te vetja, te njëri-tjeri gjetëm kaq dritë e ëndje.

Jetimëri, pa dritë në të nesërme

Por ti, ti guxoje: pa pritur ia behje.

Trungjet e lagur të një vreshte na bëheshin si portikë me yje, qemere;


..në truall, natën, nën rrepe, në minus tre gradë…

lumi, pemët ndiznin mbi ne luzmë zjarri, frymë, feksje,


Përjetë ndanë atij lumi me degë akulli, e zhveshur, ti përjetë m'u skalite si në ar gdhendje; 


..mbi shkëmb, mbi shtrojën- gjethe

mund të të kem thënë fjalët më të ëmbla, më të ngrohtat të kësaj jete.


Ç'të kërkoja? Ty: arrati, ylber mbi ashpërsi lakuriqe, ty trupngrohtën plot frymë e dhele


Pa një peng, ma dhuroje në duar  krejt jetën tënde:

çdo puthje me ty mund ish dhe e fundit,

pa premtime, pa brengë, pa si e kur, pa hamendje.


Kur ndaheshim, ktheja kokën si në pus:

ku ma çoi koha këtë mbrëmje?

33 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page