top of page

Timo Mërkuri: PËRTEJ NATËS DHE DASHURISË



Nga Timo Mërkuri

Poezia “Më more për dore dhe më the” e Natasha Lakos, e shkruar në vitin 1985, bart një mesazh të fuqishëm ekzistencial: dashuria e dy njerëzve nuk është thjesht një ndjesi kalimtare, por një hapësirë metafizike ku koha, vdekja dhe jeta humbasin kufijtë. Këtu, dyshja poetike nuk gjendet në udhëtimin e zakonshëm të njeriut – nga jeta në vdekje apo nga vdekja në jetë – por në një dimension ku ata janë më të lashtë se vdekja dhe më të rinj se jeta. Kjo është një thyerje e guximshme e normave poetike të kohës, një kapërcim i realizmit socialist që kërkonte figura të kuptueshme, të ngurta, të lidhura me botën materiale. Natasha Lako e ngre poezinë në një rrafsh tjetër: aty ku ndjesia është udhërrëfyesja e ekzistencës dhe ku fjala poetike bëhet hapësirë lirimi.

Mesazhi i saj është i qartë: dashuria, si përvojë njerëzore dhe shpirtërore, e kapërcen natën, frikën, madje edhe vetë vdekjen. Ajo është e vetmja hapësirë e mbijetesës së vërtetë. Poezia nuk thotë kurrë “ne do të jetojmë gjithmonë” – ajo thotë: ne tashmë jemi përtej kohës, përtej ligjit të vdekjes dhe lindjes.

1.Leximi estetik

Në vargun e parë, “Më more për dore dhe më the: Nata nuk fsheh asgjë përveç ne të dyve”, kemi hyrjen e butë, njerëzore, ku dashuria ndriçon natën. Nuk është një natë që mbulon, që tremb, që fshin gjurmë, por një natë që e pranon dhe e ruan intimitetin e dy njerëzve. Vetëm dyshja është e vërteta, gjithçka tjetër zhduket.

Figura e urdhërores në vijim, “Kapërceje atë si një kalë të zi”, i jep poezisë dinamizëm, një lëvizje të brendshme. Nata këtu nuk është më sfond i qetë, por një pengesë që duhet kaluar. Kjo metaforë, e pazakontë në letrat shqiptare të kohës, mbart një melodi të fortë ritmike: tingulli i “k” dhe “z” krijon një rrokje të ashpër, sikur imitimi i galopit të një kali të zi që çan errësirën. Melodia e brendshme nuk është vetëm tinguj, por edhe gjendje: një ftesë për guxim dhe për tejkalim. Në vargjet:

“Nuk vijmë as prej vdekjes në jetë si Kostandini te Gerantina,

As prej jetës në vdekje si Virgjili te Beatriçja”,

poetja dialogon me traditën mitike e letrare evropiane. Ajo e njeh rrëfimin e ringjalljes dhe të shndërrimit në përjetësi, por zgjedh ta përjashtojë. Dashuria e tyre nuk është as e krishterë, as danteske; ajo nuk ka nevojë për të kaluar nëpër botët e tjera. Ajo është e vetëqëndrueshme, në këtë botë, në këtë hapësirë, këtu dhe tani.

Kjo çon tek thelbi filozofik i poezisë:

“Jemi më të lashtë se vdekja vetë

Dhe më të rinj se vetë jeta.”

Këtu ndodh një përmbysje e madhe: dashuria përjetohet si një realitet arketipal, që ekziston përtej çdo matjeje. Është më e vjetër se vdekja, sepse ka ekzistuar para se njeriu të njihej me fundin; është më e re se jeta, sepse në çdo çast rilind, e freskët, e papërshkrueshme. Dhe në mbyllje, përsëritja:

“Jemi vetëm ne të dy, ne të dy, ne të dy.

Kapërceje këtë natë, si një kalë i zi.”

Ky refren i ngjan një lutjeje, një muzike që mban frymën e gjithë poezisë. Përsëritja nuk është thjesht ritmike, por melodike, si një rrahje zemre që e përforcon ndjenjën e unitetit. Figura e kalit të zi, e përsëritur, merr një përmasë universale: është vetë nata, jeta, frika, fati ; gjithçka që dashuria mund ta kapërcejë.

Kështu, leximi estetik na çon në një përfundim: kjo poezi është një himn i intimitetit dhe përjetësisë së dashurisë, ku fjala poetike nuk është vetëm figurë, por edhe muzikë e brendshme, një melodi që nuk shpjegon, por përjeton.

2. Leximi artistik i poezisë “Më more për dore dhe më the”

Natasha Lako e ngre këtë poezi mbi figurat artistike, të cilat nuk janë vetëm zbukurime, por vetë trupi i mendimit poetik. Ato krijojnë një hapësirë ku ndjenja merr formë, ku dashuria bëhet e prekshme, dhe ku fjala fiton dritë e muzikë. Çdo figurë është gur i një mozaiku që, kur shikohet i tëri, shndrit me një tis poetik të papërsëritshëm.

a. Simboli i natës

Vargu: “Nata nuk fsheh asgjë përveç ne të dyve” na vendos përpara një simboli të përjetshëm: nata. Në traditën letrare, nata shpesh përfaqëson frikën, të panjohurën, vdekjen, apo harrimin. Por këtu ajo kthehet në një simbol të intimitetit. Nuk është as terr, as ndarje, por një mbrojtëse e dashurisë, një kupolë që fsheh gjithçka tjetër përveç dyshes së dashuruar. Ky përmbysim është thelbësor për poetikën e Lakos: simboli nuk mbetet i ngurtë, ai ringjallet me një kuptim të ri.

b. Metafora e kalit të zi

-Në thirrjen urdhërore: “Kapërceje atë si një kalë të zi”, nata merr trup. Ajo nuk është më abstrakte, por një pengesë e përfytyruar si kalë i zi. Këtu kemi një metaforë të fuqishme: kali është errësira, frika, fati që duhet kapërcyer. “E zeza” i jep peshë dramatike figurës, ndërsa vetë veprimi i “kapërcimit” e kthen dashurinë në një akt dinamik, që çan terrin dhe kërkon guxim. Metafora lidhet drejtpërdrejt me simbolin e natës: të dy bashkohen për të krijuar një imazh të plotë, një skenë vizuale ku njeriu përpiqet të kalojë pengesën e botës.

-Këtu lind natyrshëm një pyetje: Pse kali duhet të përfaqësojë pengesën? Kjo pyetje e drejtë natyrshëm na çon tek kujtesa e letërsisë shqipe. Në poezinë dhe epikën tonë, kali është pothuaj gjithnjë shok udhëtimi, mbështetje dhe shpëtim. Ai është krahu i dytë i heroit, frymë dhe forcë që e shoqëron, e bart dhe e ndihmon të dalë nga të papriturat dhe rreziqet. Këngët tona popullore nuk e përfytyrojnë kurrë kalin si pengesë, përkundrazi: ai është mjet që të afron me lirinë dhe fatin. Por te vargu i Natasha Lakos: “Kapërceje atë si një kalë të zi” kali nuk vjen si shok, as si besnik i rrugës. Ai vjen si vetë rruga e errët, si trupi i natës që duhet kapërcyer. Pra, jo kali në kuptimin e tij arketipal, por ngjyra e tij, e zeza ( jo më kot Lako citon ngjyrën e zezë) e lidhur me natën, me ankthin, me errësirën e bën të duket pengesë. Poetja nuk e zhduk kuptimin tradicional të kalit, por e vesh atë me një tjetër përmasë, e transformon. Këtu nuk kemi mohim, por rishkrim poetik. Në këtë mënyrë, figura merr një dyzim estetik: nga njëra anë, kali mban brenda kujtesën e forcës, shpejtësisë dhe të lirisë; nga ana tjetër, duke u shndërruar në metaforë të natës, te kjo poezi, ai bëhet një pengesë imagjinare që duhet kaluar me guxim. Në thelb, kemi një simbol të ndërthurur: nata përfytyrohet si një kalë i zi që duhet kapërcyer, dhe ky kapërcim është vetë akti i dashurisë dhe i besimit tek “ne të dy”. A e kini parasysh, në një natë të errët edhe shkurret na duken si kafshë të egra, të zeza.

Kështu, poetja krijon një skenë lëvizjeje: nata është trupëzuar, është bërë një kalë i zi, një figurë që nuk mund të të mbajë dot peng në errësirë, sepse dashuria i jep njeriut fuqinë për ta kaluar. Figuracioni nuk është i ftohtë, është i gjallë, një imazh që sheh njeriun duke marrë vrull, si të ishte vërtet para një pengese fizike, dhe duke e kapërcyer në fluturim.

- Le ta shohim këtë  skenë: nata dhe kali i zi – pengesa që kapërcehet

Në vargun “Kapërceje atë si një kalë të zi”, kali nuk është vetëm kafshë; ai është nata e errët, trupi i padukshëm i sfidës që duhet përballuar. Nuk është shok, nuk është mburojë; ai është pengesa e vetme që qëndron përballë çiftit, sfida që vetëm duart e bashkuara të të rinjve mund ta kapërcejnë. Ai bëhet kështu figurë e lëvizjes së brendshme: secili hap që ata bëjnë mbi të është një akt besimi dhe bashkësie. Figura e tij ndërthur imazhin e natës me një pengesë që duhet tejkaluar, duke e kthyer aktin e dashurisë në një veprim të qartë dhe të prekshëm.

-Përmendja në poezi e Kostandinit dhe Gerantina; Virgjili dhe Beatriçja  është një dialog me traditën. Kur poetja thotë:“Nuk vijmë as prej vdekjes në jetë si Kostandini te Gerantina,/As prej jetës në vdekje si Virgjili te Beatriçja,”ajo përdor këto figura si referenca të njohura mitike dhe letrare për t’i përjashtuar. Dashuria e tyre nuk ka nevojë për udhëheqës jashtëvetor; nuk kërkon Virgjilin apo Kostandinin për t’u kaluar nga një dimension në tjetrin. Në këtë mënyrë, kapërcimi i natës të errët (si kali i zi) bëhet veprim ekskluziv i dyshes së dashuruar: dashuria është vetë mjeti, forca që i çon përtej pengesës, përtej errësirës, përtej çdo norme narrative të trashëgimisë europiane.

-Vargjet:“Jemi më të lashtë se vdekja vetë / Dhe më të rinj se vetë jeta” tregojnë se kapërcimi nuk është thjesht fizik; ai është përjetim metafizik. Lashtësia dhe rinia nuk janë të matshme; ato përfaqësojnë rrjedhën e përjetshme të dashurisë, një gjendje ku koha nuk ka fuqi, dhe ku secili çast rilind në bashkimin e tyre. Ky kapërcim i natës (si kali i zi) nuk është vetëm simbol i sfidës, por edhe i përjetësisë që krijohet brenda bashkimit të dyshes.

-Ndërkohë përsëritja:“Jemi vetëm ne të dy, ne të dy, ne të dy. Kapërceje këtë natë, si një kalë i zi.”është kulmi i skenës. Ky refren nuk është thjesht ritmik; ai bekon aktin e kapërcimit. Kali i zi, i lidhur me natën, bëhet simbol i sfidës së përbashkët: kapërcimi nuk është individual, por bashkëpunues. Dashuria është instrumenti i vetëdijshëm i kapërcimit dhe përsëritja e frazës e forcon këtë akt sakral,  e ngre çastin e zakonshëm në një përjetësi intime.

Pra, pyetja e mësispërme na çon në përfundimin se: kali nuk është mohim i simbolikës  tradicionale, por një rimarrje e saj në gjuhën e modernizmit poetik. Ai nuk është më vetëm shok i heroit epik, por është bërë shëmbëlltyrë e natës, që kapërcehet jo me shpata e trimëri, por me duart e lidhura mes tyre të dy dashnorëve.

c. Imazhi mitik

Në vargjet: “Nuk vijmë as prej vdekjes në jetë si Kostandini te Gerantina,

                     As prej jetës në vdekje si Virgjili te Beatriçja”,

poetja e shtron poezinë mbi krahasimin me mite e tradita të mëdha letrare. Këtu nuk kemi vetëm një referencë, por një imazh mitik: figura të njohura të dashurisë e të udhëtimit shpirtëror që vihen përballë dashurisë së tyre. Poetesha nuk i imiton, por i përjashton. Ky përjashtim është një akt estetik më vete: dashuria e tyre nuk ka nevojë për shembuj, ajo është një udhëtim origjinal, pa ndërmjetës. Imazhi mitik nuk është për t’u ndjekur, por për t’u tejkaluar.

ç. Personifikimi i dashurisë si kohë

Në kulmin e poezisë, tek vargjet: “Jemi më të lashtë se vdekja vetë

                                                               Dhe më të rinj se vetë jeta”,

dashuria merr tiparet e kohës. Ajo nuk është më ndjenjë mes dy individëve, por një qenie më vete, që i tejkalon kufijtë e lindjes dhe vdekjes. Ky është një personifikim madhështor: dashuria paraqitet si një realitet arketipal, që ekziston përpara çdo gjëje, madje duke spostuar tezën biblike “E para ishte fjala”  dhe ajo, dashuria rilind gjithnjë. Këtu ndërthuren metafora dhe antiteza, duke krijuar një imazh të fuqishëm filozofik.

5. Përsëritja si figurë dhe muzikë

Në fund, poezia përfundon me një refren: “Jemi vetëm ne të dy, ne të dy, ne të dy.

                                                                                 Kapërceje këtë natë, si një kalë i zi.”

Kjo përsëritje është një figurë në vetvete, sepse nuk ka funksion vetëm ritmik. Ajo është një imazh i muzikës së dashurisë, një rrahje zemre e përforcuar që sjell thellësinë e intimitetit. Figura e kalit të zi, e rikthyer në fund, nuk është vetëm metaforë e pengesës, por simbol i çdo nate që dashuria mund ta kapërcejë. Këtu, ndërthurja e figurave (simboli i natës, metafora e kalit, përsëritja melodike) krijon një arkitekturë të plotë artistike.

Të gjitha këto figura nuk funksionojnë si elemente të veçuara, por si fijet e një pëlhure të hollë, ku ndërthurja e tyre i jep veprës unitet dhe kuptimin e plotë poetik. Ato krijojnë një hapësirë ku dashuria nuk është thjesht ndjesi, por realitet i vetëqëndrueshëm. Natasha Lako e ngre figurën artistike deri në qelizë, duke e bërë fjalën të marrë frymë e të lëvizë, kjo është arsyeja që na shtyn ta lexojmë këtë figurë deri në qelizë. Estetikisht, kjo është një poezi që tregon se dashuria është e aftë të shndërrojë errësirën në dritë dhe natën në një kalë që kapërcehet.

4. Poezia e Natasha Lakos nuk duhet lexuar thjeshtë si një rrëfim dashurie; ajo është një meditim mbi ekzistencën dhe marrëdhënien e njeriut me kohën, vdekjen dhe përjetësinë. Çdo figurë dhe varg i poezisë nuk shërben vetëm për ndjesinë estetike, por për të ngritur pyetje filozofike: çfarë do të thotë të ekzistosh, si lidhet dashuria me kohën, dhe si përjetohen sfidat e jetës dhe vdekjes në një hapësirë intime. Le ti shohim këto element  filozofike të poezisë në analizën tonë dhe konkretisht:

a. Në poezinë e saj dashuria shfaqet si hapësirë metafizike. Kështu  vargu: “Më more për dore dhe më the: Nata nuk fsheh asgjë përveç ne të dyve.”  është filozofik sepse tregon se dashuria nuk është vetëm ndjesi e kalimtare, por dimension ku ekzistenca e individit merr kuptim të thellë. Nata, simbol i errësirës dhe i padukshmes, nuk mund të fshehë të vërtetën e dy të dashuruarve, ndaj dhe poezia reflekton mbi përjetësinë e të qenit dhe vlerën e intimitetit si hapësirë të vërtetësisë.

b. Figura e kalit të zi duhet të lexohet si sfidë ekzistenciale te vargu: “Kapërceje atë si një kalë të zi.” pse ai është figurë metafizike: ai nuk është pengesë fizike, por simbol i sfidës që ekziston brenda çdo përvoje njerëzore. Kapërcimi i tij është akt ekzistencial: tregon se dashuria nuk realizohet thjesht si ndjesi, por si veprim i vetëdijshëm mbi frikën, mbi kufijtë e kohës dhe të vdekjes. Filosofikisht, kjo përshkruan fuqinë e individit për të kapërcyer pengesat dhe për të përjetuar unitetin me tjetrin si akt të vetëdijesuar mbi ekzistencën.

c. Natasha Lako refuzon  ndërmjetësat dhe traditën në dashuri. Kjo duhet lexuar te vargjet: “Nuk vijmë as prej vdekjes në jetë si Kostandini te Gerantina, / As prej jetës në vdekje si Virgjili te Beatriçja.” Këto vargje kanë kuptim filozofik pasi tregojnë pavarësinë e heronjve të poezisë: përvoja e dashurisë nuk varet nga ndërmjetës të jashtëm apo narrativë të imponuara nga tradita. Dy individët janë vetë udhërrëfyes të kapërcimit të pengesave, duke treguar se vetëdija dhe zgjedhja janë thelbësore për jetën dhe përjetësinë, jo autoritetet ose normat e jashtme.

d. Te antiteza :“Jemi më të lashtë se vdekja vetë / Dhe më të rinj se vetë jeta.”poezia prek temën filozofike të përjetësisë dhe relativitetit të kohës. Dashuria dhe bashkimi i dy individëve nuk matet me kohën biologjike apo me kufijtë e jetës dhe vdekjes; ato janë gjendje shpirtërore që ekzistojnë përtej ligjeve të zakonshme. Antiteza tregon se përvoja njerëzore mund të kapërcejë kohën e zakonshme, duke u bërë një përjetësi e brendshme. Besoj se të gjithë ne që kemi dashuruar e kemi përjetuar këtë përjetësi, që nuk lidhet me matjen e kohës, por me përjetimin shpirtëror. Një minutë pranë të dashurit ka peshën e një jete, ndërsa një jetë pa të është bosh.

e. Në poezinë e Lakos vetmia dhe uniteti  shfaqen si themele filozofike te vargjet: “Jemi vetëm ne të dy, ne të dy, ne të dy./ Kapërceje këtë natë, si një kalë i zi.” sepse theksojnë se ekzistenca nuk ka kuptim të plotë pa marrëdhënie të thella. Vetmia e çiftit nuk është izolim, por hapësirë ku ndodh përjetësia, ku dy individë kapërcejnë sfidat e errësirës së jashtme e të brendshme së bashku. Përsëritja e frazës krijon një ritëm meditative  e melodik, duke simbolizuar përjetësinë dhe bashkimin e ndërgjegjeve.

f. Të gjitha figurat – nata, kali i zi, mitet e refuzuara dhe antitezat kohë – ndërthuren për të formuar një vizion filozofik mbi ekzistencën: dashuria bëhet instrument i kapërcimit të frikës, kohës dhe vdekjes, duke e bërë përvojën njerëzore të qëndrueshme dhe të përjetshme. Çdo figurë nuk është thjesht estetikë; ajo është mungesa e së zakonshmes që lejon reflektimin mbi vetë jetën dhe vdekjen.

Pikërisht ky lexim provon se poezia e Lakos është një meditacion filozofik mbi ekzistencën, dashurinë dhe përjetësinë, ku çdo figurë, metaforë dhe varg ka një funksion të qartë: të na bëjë të reflektojmë mbi kufijtë e kohës, fuqinë e dashurisë dhe pavarësinë e subjektit në përballimin e sfidave të jetës.

5.Leximi modernist

Poezia e Lakos vendos dashurinë dhe përjetimin njerëzor në qendër të një hapësire ku koha dhe vdekja humbasin kufijtë. Ajo nuk kërkon të tregojë histori kronologjike, nuk ndjek rrjedhën logjike të ngjarjeve; përkundrazi, krijon një hapësirë për ndjesinë dhe përjetimin subjektiv, tipik i poetikës moderniste. Aty ku ndodhet dyshja poetike, çdo element ka peshë simbolike dhe funksion filozofik, duke e bërë lexuesin të ndjejë më shumë sesa të kuptojë me logjikë.

a.Vargjet:“Më more për dore dhe më the: Nata nuk fsheh asgjë përveç ne të dyve.”na futin menjëherë në botën e përjetimit të brendshëm, ku fragmenti ka forcë më të madhe se rrëfimi i plotë. Nuk ka tregim të zakonshëm; ka vetëm ndjesinë e çastit, intimitetin e dyshes dhe prani të momentit. Kjo qasje i afrohet T. S. Eliot-it, i cili përdor fragmentet për të shprehur shpërndarjen e vetëdijes dhe kohës.

b. Te vargu: “Kapërceje atë si një kalë të zi.” Thamë më sipër se kali nuk është thjesht kafshë; ai është simbol i sfidës, i pengesës që duhet kapërcyer, i errësirës që provokon guxim dhe besim. Përdorimi i kësaj metafore e afron Lakos me poetët modernistë evropianë si Rilke, ku figura shërben për të treguar dimensione të brendshme të ndjenjës, përtej realitetit të zakonshëm. Kali i zi nuk është objekt; është mjet për të shprehur aktin ekzistencial të dashurisë.

c. Përsëritja dhe ritmi i brendshëm te vargjet:“Jemi vetëm ne të dy, ne të dy, ne të dy. Kapërceje këtë natë, si një kalë i zi.”nuk është vetëm një efekt melodik dhe muzikor; është ritëm meditativ që tregon, përqendrimin dhe vazhdimësinë e përjetimit emocional. Kjo qasje i afrohet Ezra Pound-it ku frazat e shkurtra dhe të përsëritura krijojnë efektin e kohës së ngrirë dhe të përjetuarit të brendshëm, tipik për modernizmin.

d. Nëpërmjet vargjeve:“Nuk vijmë as prej vdekjes në jetë si Kostandini te Gerantina, / As prej jetës në vdekje si Virgjili te Beatriçja.” Lakos tregon njohjen e traditës, por refuzon t’i ndjekë rrugët e imponuara. Modernistët evropianë shpesh përdornin referenca të njohura si material simbolik, jo si udhërrëfyes. Poezia e saj i afrohet kësaj qasjeje: dashuria nuk ka nevojë për ndërmjetës; ajo krijon rregullat e veta brenda subjektivitetit të dy individëve.

e. Subjektiviteti dhe kapërcimi i kohës nëpërmjet vargjeve “Jemi më të lashtë se vdekja vetë / Dhe më të rinj se vetë jeta.”  është tipike për modernizmin: subjektiviteti e bën kohën relative. Për dyshen, dashuria kapërceu kufijtë e lindjes dhe vdekjes, duke e bërë përjetimin të qëndrueshëm dhe të brendshëm. Poetë si Rilke ose Kavafi eksploruan këtë ndjesi të përjetësisë në një kohë subjektive, ku përvoja individuale merr përparësi mbi rrjedhën kronologjike.

6. Poezia si akt guximi në vitin 1985

Në vitin 1985, fjala poetike në Shqipëri duhej t’i shërbente kolektivitetit, tribunës dhe parullave politike. Poezia shihej si zë i masës, si jehonë e punës dhe e heroizmit socialist. Në këtë terren të ngurtë, Natasha Lako guxoi të shkruante ndryshe, duke e kthyer poezinë në strehë intime të dy njerëzve që duhen. Kjo ishte kundërvënie e heshtur, por e fortë, ndaj normave të realizmit socialist, dhe ajo ndodhte në katër drejtime të qarta.

Së pari, poetja vendosi në qendër ndjenjën intime, jo kolektivin. Në vend të turmës që duhej të marshonte e të këndonte për fitoret e socializmit, ajo sjell dy duar që kapen në natë, dy shpirtra që gjejnë njëri-tjetrin larg retorikës së tribunës. Ky kthim nga kolektivi tek individi ishte një akt i rrallë i lirisë shpirtërore dhe kundërvënie e parimeve të soc.-prealizmit..

Së dyti, Lako përdor simbolikë personale dhe universale, jo simbole ideologjike. “Kali i zi” nuk është hero epik, por pengesë intime që dashuria duhet ta kapërcejë. Edhe Kostandini e Gerantina, Virgjili e Beatriçja nuk shfaqen për t’u ndjekur si shembuj, por për t’u kapërcyer, duke shpallur dashurinë si përjetim të lirë, jo si skemë të imponuar. Këtu qëndron edhe thellësia artistike: metafora është e brendshme, jo e jashtme; ajo buron nga shpirti dhe jo nga dogma.

Së treti, poezia refuzon mesazhin didaktik. Nuk ka mësim politik, as deviza morale e ideologjike, por ka një thirrje njerëzore për të jetuar ndjenjën. Ajo nuk kërkon të edukoje lexuesin me “virtyte socialiste,” por e fton ta ndiejë jetën në përmasën më të thjeshtë dhe më të thellë të saj, dashurinë. Ky është një refuzim i qartë i literalitetit ideologjik.

Së katërti, poetja sfidon vetë kohën ideologjike. Në vend të “kohës heroike” që predikonte realizmi socialist, ajo shkruan: “Jemi më të lashtë se vdekja vetë / Dhe më të rinj se vetë jeta.” Ky është një univers i përmbysur: dashuria nuk i bindet historisë dhe ideologjisë, por i përket përjetësisë, një dimension ku koha dhe vdekja humbasin pushtet. Kjo është filozofia e saj poetike: të vërtetat e ndjenjës janë më të forta se koha dhe ideologjia.

Në këtë kontekst, poezia e Natasha Lakos nuk është vetëm një shprehje estetike; ajo është një akt rebelimi. Ajo sfidon normat e kohës duke vendosur subjektivitetin mbi kolektivitetin, metaforën mbi literalitetin, dhe përjetimin mbi realitetin ideologjik. Me figura të guximshme, simbolikë të thellë dhe një ritëm të brendshëm që përçon pulsimin e çastit, Lako krijon një hapësirë poetike ku dashuria dhe jeta përjetohen në dimensionin më të lartë të mundshëm, përtej çdo kufiri të imponuar.

Sot ne e lexojmë dhe analizojmë poezinë “Më more për dore dhe më the” me qetësi, por poetja nuk ka qenë aspak e qetë kur e botoi. Çdo varg dhe metaforë që sfidonte normat e kohës ishte një akt guximi, një përballje me rrezikun e diktaturës. Në heshtjen e saj të guximshme, kjo poezi qe një thirrje për të vendosur subjektivitetin dhe përjetimin personal mbi kufijtë e realizmit socialist. Dhe pikërisht kjo e bën sot poezinë e Natasha Lakos një dëshmi të rrallë të lirisë së brendshme që arti mund të ruajë edhe në kohët më të ngurta.




Sarandë,  korrik-shtator 2025


Më more për dore dhe më the


Më more për dore dhe më the:

Nata nuk fsheh asgjë përveç ne të dyve.

Kapërceje atë si një kalë të zi.


Më more për dore dhe më the:

Nuk vijmë as prej vdekjes në jetë si

     Kostandini te Gerantina,

As prej jetës në vdekje si Virgjili te

     Beatriçja.


Më more për dore dhe më the:

Jemi më të lashtë se vdekja vetë

Dhe më të rinj se vetë jeta.


Më more për dore dhe më the:

Jemi vetëm ne të dy, ne të dy, ne të dy.

Kapërceje këtë natë, si një kalë i zi.


1985

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page