PenQendra e shkrimtarëve të Kosovës, në Biblotekën“Fan Noli” të qytetit Gjilanit, në projektin “Ora e shkrimtarit” kishte protoganist shkrimtarin dhe poetin e mirënjohur kosovar Ibrahim Kadriu. Pyetjeve të shumta të masës së gjerë të të pranishmëve, Kadriu ju pëërgjigj me një esse, ku trajtoi çështjen e arsyeve që i shtyjnë autorët të shkruajnë. Sigurisht që pyetja e titulluar: “Pse shkruaj” e esses, ka tipar universal, pavarësisht se Kadriu e trajtoi në planin personal, por që u ndje në fjalimin e tij dhe u kuptua më qartë në lexim se karakteri personal që ai i dha, ishte porta e hyrjes në universalitetin e saj.
I-Në fjalën e tij, publikuar me shkrimin “Pse shkruaj” Ibrahim Kadriut shqyrton motivet dhe arsyet që e shtyjnë drejt atë shkrimit letrar, të cilat janë shumëdimensionale dhe lidhen sa me përvojat personale, me nevojat e brendshme shpirtërore dhe estetike, aq dhe me realitetin social e historik.
1.Një nga arsyet kryesore që Kadriu përmend është çlirimi shpirtëror. Ai e përjeton procesin e shkrimit si mënyrë për t'u çliruar nga barra e rëndë mendore dhe shpirtërore që e ndjek për ditë të tëra përpara se të arrijë të shkruajë. Pikërisht shkrimi i jep atij ndjenjën e çlirimit nga realiteti emocional i ngarkuar, të cilin ai e transformon në tekst letrar. Shkrimi për Kadriun është rrugëdalje nga tensionet shpirtërore, që lindin nga përjetimi i temave dhe motiveve që e preokupojnë.
2.Element i rëndësishëm është inspirimi i jashtëm, që vjen nga realitetet shoqërore, historike dhe politike. Këto rrethana ndikojnë tek shkrimtari, e provokujnë atë të ndërtojë një botë (të re) të vetën letrare ku reflektohet vëzhgimi i tij ndaj shoqërisë dhe ngjarjeve të mëdha reale historike. Në këtë kuadër, Kadriu shpreh se shumë shkrime të tij lindin nga këto ngacmime të jashtme, që ai përpunon në formë artistike për t'i komunikuar me lexuesin.
3.Një aspekt tjetër që Kadriu thekson është kënaqësia estetike që ai merr gjatë procesit krijues, veçanërisht në ndërtimin e karaktereve dhe situatave. Ai shpreh ndjenjën e fuqisë që i jepet në rraport me personazhet e tij, të cilët ai i portretizon “sipas dëshirës” së tij, duke u dhënë jetë dhe formë nëpërmjet penës. Ky proces, edhe pse emocionalisht i rëndë, i jep autorit ndjenjën e plotësisë dhe krijimit të botës së tij letrare, ku ai është "Zoti" i krijimit të njeriut, në trajtën e personazheve. Krahasimi me Zotin nuk është dhe aq i pavend, Zoti e krijoi botën në shtatë ditë, (kohë e gjatë për atë të mirrej me punë) dhe njeriun e krijoi nga balta dhe i dha frymë nga fryma e vetë. Qasshëm me Zotin edhe shkrimtari e krijon botën e tij në një kohë të gjatë dhe personazheve u jep frymë nga frym(ëzimi)a e tij.
4.Në aspektin filozofik, Kadriu e konsideron shkrimin si akt të përjetimit të realitetit dhe të historisë, pse nëpërmjet tij, ai bëhet pjesë e ngjarjeve historike që përfaqësojnë momente kyçe të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Kjo lidhje mes të kaluarës, të cilën e sjell në kohën e sotme është udhëtim në kohë, ku shkrimtari jeton së bashku me personazhet dhe përjeton ndjenjat e tyre,duke krijuar lidhje të fuqishme me lexuesin.
5.Më në fund, Kadriu përmend se shkrimi është mënyrë për të reaguar ndaj problemave aktuale, duke përfshirë reflekset negative të shoqërisë, si snobizmi, injoranca dhe servilizmi etj. Shkrimtari nuk mund të jetë indiferent ndaj realitetit që e rrethon, ndaj përmes veprës letrare, ai përpiqet të ndriçojë këto probleme dhe të shfrejë ndjenjat e tij ndaj padrejtësive dhe absurditeteve shoqërore.
II-Në shkrimin e tij "Pse shkruaj," Ibrahim Kadriu u qaset disa prej motivimeve moderne të të shkruarit, të qasëshme me ato që kanë përmendur shkrimtarë dhe poetë europianë e botërorë. Edhe pse Kadriu realisht si te shkrimi i mësipërm ashtu dhe në krijimtarinë e tij ndan përvojën si autor që ka përjetuar padrejtësi dhe realitete të ashpra, shkrimi dhe elementët modernë të krijimtarisë së tij prekin disa nga temat që shkrimtarë të tjerë kanë përmendur për arsyen e shkrimit, por gjithmonë në një kontekst të tij të veçantë.
1.Duke e konceptuar të shkruarit letërsi si akt rezistence, ofrohet një prej arsyeve kryesore që Kadriu përmend për të shkruar, e formuluar si përballimi me vuajtjen dhe padrejtësinë. Kjo përkon me motivimet e poetëve si Pablo Neruda etj , që kanë shkruar për të mbrojtur identitetin dhe rezistuar ndaj shtypjes. Në këtë kontekst Kadriu përdor shkrimin si mjet për të përballuar realitetin e tij personal dhe politik, një akt që ndan me poetët që e shohin shkrimin si një formë rezistence dhe kundërshtie ndaj padrejtësive.
2.Duke e konceptuar shkrimin si një formë ekzistence dhe kuptimi, në mënyrë të tërthortë, Kadriu lidhet me idetë ekzistencialiste të Sartre-it dhe Camus-it, që e shikojnë shkrimin si një mënyrë për t’i dhënë kuptim një bote që duket e pashpresë dhe kaotike. Përmes fjalës së tij, ai i jep një zë vuajtjeve dhe përjetimeve, të cilat do të mbeteshin të heshtura e të braktisura. Përmes fjalës, ai krijon në vepra një botë ku “e para është fjala dhe fjala është Perëndi”. Kjo qasje përputhet shkrimtarët ekzistencialistë që përdorin krijimtarinë për të eksploruar kuptimin e jetës në situata të vështira.
3.Duke e konceptuar shkrimin si mjet për të tejkaluar frikën dhe vështirësitë, Kadriu, në stilin e tij, i qaset atij (shkrimit) si mënyrë për të përballuar frikën dhe vështirësitë e jetës së përditshme, duke ju përafruar shkrimtarëve që e shohin shkrimin si mekanizëm për të përballuar traumën dhe kaosin shpirtëror e shoqëror, psh figura të tilla si Rainer Maria Rilke apo Paul Celan.
Të kuptohemi, Kadriu nuk u referohet drejtpërdrejt këtyre autorëve, por shkrimi i tij "Pse shkruaj" përmban elemente të ngjashme në thelbin e tyre. Në vetvete Kadriu shkruan për të ruajtur kujtimet, për të dhënë zë përvojave të shtypura dhe për të gjetur një mënyrë për të përballuar realitetin, dhe ndan paralele me poetët modernë që përdorin shkrimin si mjet për të kuptuar botën dhe për të luftuar kundër padrejtësisë.
III-Realisht Ibrahim Kadriu nuk u qaset shkrimtarëve e poetëve europianë vetëm nëpër-mjet shkrimit “Pse shkruaj”, por edhe me krijimtarinë e tij moderniste, e cila qëndron denjësisht në podiumin e nderit të letërsisë europiane. Kështu:
1.Shkrimtarë europianë si Albert Camus dhe Jean-Paul Sartre kanë reflektuar mbi absurdin e ekzistencës njerëzore, ku individi përballet me mungesën e një kuptimi të qartë në një botë indiferente ndaj fatit të tij. Kadriu u afrohet këtyre ideve psh. në përshkrimin e tensioneve e përballjeve me fatkeqësitë në poezinë e tij "Vetë i dyzeti" (pa përmenduar raste të tjera) ku individi përballet me një realitet të paqartë e të padrejtë.
2.Poetë si Pablo Neruda etj janë fokusuar në temën e rezistencës dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar përballë shtypjes. Kadriu, duke pasqyruar jetën e tij e të bashkëko-mbësve nën regjimin serb, ndan një ndjenjë të ngjashme në përballjen me padrejtësitë dhe përpjekjet për të mbrojtur identitetin dhe lirinë. Madje edhe te "Vetë i dyzeti", ndjenja e peshës së rëndë mbi individin, që përpiqet ta përballojë, mund të shihet si një formë e rezistencës ndaj shtypjes.
3.Shkrimtarë si Thomas Mann dhe Dostoevsky kanë eksploruar natyrën komplekse të qenies njerëzore, përmes krizave morale dhe shpirtërore. Në poezinë dhe prozën e Kadriut, ndjenja e luftës shpirtërore dhe peshës së situatave të padrejta përmban në vetvete dimension humanist. Poezia e tij shpesh flet për vuajtjen dhe luftën e individit për mbijetesë, duke vënë në qendër njerëzoren në një botë të papajtueshme.
4.Shkrimtarë si Erich Maria Remarque në "Asgjë e re nga fronti i Perëndimit" ka treguar brutalitetin e luftës dhe mjerimin që ajo sjell. Kadriu i qaset këtij shkrimtari përmes përshkrimit të tensioneve politike e shoqërore dhe nxjerr në pah çmimin njerëzor të konfliktit dhe përpjekjen për t’i mbijetuar asaj. Të kemi një gjë parasysh, Ibrahim Kadriu u qaset këtyre shkrimtarëve sin ë aspektin tematik ashtu dhe në atë artistike, e krijuar në mënyrën që tu qaset ideve
Në këtë mënyrë, Ibrahim Kadriu, ndonëse i vendosur në kontekst shqiptar, u qaset ideve universale përmes përvojës së tij personale, duke ndarë elemente të njejta me shkrimta-rët dhe poetët e mëdhenj europianë që kanë reflektuar mbi lirinë, identitetin, absurdin dhe natyrën njerëzore.
IV- Në shkrimin e tij “Pse shkruaj”, Ibrahim Kadriu trajton tema të thella lidhur me arsyet për të cilat shkruan, duke e parë shkrimin si detyrë morale dhe akt të përballjes me historinë dhe realitetin shoqëror. Ai vendos përgjegjësi të madhe mbi shkrimtarin për të treguar të vërtetën, dhe kjo qasje përputhet në disa pika me qëndrimet e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë si Kadare, Agolli, Kuteli, Camaj dhe Azem Shkreli, ndonëse secili prej tyre ka një qasje unike ndaj shkrimit dhe rolit të shkrimtarit. Kështu:
1.Kadare jo pak herë ka trajtuar procesin e të shkruarit si akt të ballafaqimit me historinë dhe mision për të sfiduar realitetin. Kadare ( po ashtu si Kadriu) ka qasje me aktin, kur shkrimtari shfaqet si dëshmitar i epokave dhe i realiteteve të dhimbshme. Ai e sheh shkrimin si një armë kundër shtypjes dhe shkombëtarizimit, ku shkrimtari mbart përgje-gjësinë për mbajtjen gjallë të kujtesën kombëtare dhe për të dëshmuar kundër tiranisë. Kadare, në shkrimet e tij mbi letërsinë, ka folur për rolin e shkrimtarit në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe përgjegjësinë morale për të folur për të vërtetën, ide kjo të cilës i qaset Kadriu.
2.Dritëro Agolli, me tonin e tij më tokësor dhe të përzemërt, e ka parë shkrimin si mjet për të qenë pranë njerëzve të thjeshtë dhe për të përçuar përvojat e tyre. Agolli është ndikuar nga jeta rurale e përditshme, dhe e ka parë shkrimin si formë për të kapur vuajtjet dhe vështirësitë e popullit. Për Agollin, shkrimi është akt solidariteti me popullin dhe mënyrë për të trajtuar padrejtësitë e ndershmërinë e jetës. Kësaj ideje i qaset vizioni i Kadriut për shkrimta-rin si zëdhënës të realitetit shoqëror.
3.Po të shohim Kutelin do vërejmë se ai e ka parë shkrimin si akt të ruajtjes së trashëgimi-së kulturore dhe mënyrë për të mbajtur të gjallë frymën dhe zakonet e popullit shqiptar. Ai e ka përqafuar shkrimin si një dokumentim i shpirtit kombëtar, duke e pasur të fortë ndjenjën e përgjegjësisë për ruajtjen e identitetit nëpërmjet gjuhës dhe tregimeve popullore. Ngjashëm me Kutelin, i cili ka ndjenjë të thellë të përgjegjësisë shoqërore dhe kombëtare që shkrimtari duhet të mbajë, veçanërisht në kontekste të vështira historike është dhe Ibrahim Kadriu.
4.Camaj është zë më i veçantë, ku letërsia e tij përqafon një dimension ekzistencialist dhe shpirtëror, por gjithashtu është i lidhur me mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar. Për Camajn, shkrimi është formë për të mbijetuar dhe ruajtur identitetin, sidomos në emigracion dhe përballë asimilimit kulturor. Ashtu si Camaj, që e sheh shkrimtarin si një rojtar i gjuhës dhe kulturës, duke e parë letërsinë si vend rezistence kundër harresës e mungesës së identitetit, ashtu është pozicionuar dhe Kadriu në krijimtarinë e tij.
5. Azem Shkreli, e ka parë shkrimtarin si një zë që kundërshton padrejtësitë dhe tiraninë. Për Shkrelin, shkrimtari është një figurë që i përket të dy botëve: botës së individit dhe botës së shoqërisë, duke marrë rolin e mbrojtësit të drejtësisë dhe të së vërtetës. Në disa nga shkrimet e tij, ai flet për letërsinë si akt moral dhe ekzistencialist, ku shkrimtari nuk mund të qëndrojë indiferent përballë dhimbjes e padrejtësisë. Për Shkrelin, shkrimtari është jo vetëm dëshmitar i jetës, por dhe mbrojtës i saj dhe kjo e përbashkët me Kadriun pasqyron vizionin e tyre për rolin moral të shkrimtarit në shoqëri..
Ajo që ka më shumë rëndësi është se: këta autorë shqiptarë ndajnë me kolegët e tyre ndërkombëtarë motivimet për shkrimin si një akt rezistence, ekzistence dhe një mjet për të përballuar dhe kuptuar vuajtjet, historinë dhe fatet personale e kolektive.
V- E parë në këtë aspekt, shkrimi "Pse shkruaj" i Ibrahim Kadriut tingëllon si një manifest shkrimtari. Në këtë shkrim, ai jo vetëm që përpiqet të shprehë arsyet e brendshme pse ai shkruan, por dhe të artikulojë një vizion më të gjerë për rolin e shkrimtarit në shoqëri. Si shumë manifeste të tjera letrare, Kadriu reflekton mbi detyrimet dhe përgjegjësitë e shkrimtarit në raport me historinë, të vërtetën dhe përjetësinë e gjuhës. Duhet të citojmë se shkrimi i Kadriut përfshin tema universale si vuajtja, përballja me padrejtësinë dhe nevoja për të dhënë zë ngjarjeve të rëndësishme, të cilat e bëjnë këtë tekst të ndihet si një deklaratë mbi misionin personal dhe profesional të autorit. Kjo qasje është tipike për një manifest shkrimtari, ku ai jo vetëm që reflekton mbi arsyet personale, por përpiqet të ndërtojë një teori të përgjithshme të shkrimit dhe ndikimit të tij.
1.Ky shkrim i Ibrahim Kadriut duhet përshëndetur për vizionin e tij dhe për mënyrën si e artikulon rolin shoqëror dhe historik të shkrimtarit (dhe poetit). Ai ofron një perspektivë ku shkrimtari nuk është thjesht krijues estetik, por një dëshmitar dhe mbartës i historisë, që ndien detyrën për të thënë e mbrojtur të vërtetën dhe reflektuar mbi realitetin e tij, përballë sfidave dhe padrejtësive.
Ky vizion i Kadriut duhet vlerësuar për angazhimin që shfaq për misionin shoqëror të shkrimtarit, një mision që i kalon kufijtë e artit për hir të artit dhe kthehet në akt moral dhe përgjegjësi etike. Ai shfaq ndërgjegje të fuqishme, ku fjalët bëhen mjete për ndryshime shoqërore, për të sfiduar padrejtësitë dhe ruajtur kujtesën historike. Në këtë mënyrë, Kadriu mishëron figurën e shkrimtarit që bashkëjeton me kohën dhe historinë, dhe që përpiqet ta ndikojë atë përmes veprës së tij.
Pikërisht ky lloj manifesti përmban dimensionin universal dhe i jep shkrimtarit rol luftëta-ri për të vërtetën dhe drejtësinë, dhe duhet përgëzuar për këtë qëndrim të guximshëm dhe të ndershëm, që i jep letërsisë një funksion transformues në shoqëri. Veç duhet të dimë që këto akte janë vepra të njerëzve dhe krijuesve të mëdhenj.
Sarandë, më tetor 2024.
Comments