Poezia "Një Ditë" e Natashës Lako përfiton një vëmëndje të veçantë si për temën dhe formën e realizimit, ashtu dhe për faktin se: ndonëse e shkruar dhe botuar në vitin 1979 në Revistën Nëntori (prej nga e publikoi së fundmi Petro Mejdi nga koleksionet e tij), ajo nuk është përfshirë në asnjë përmbledhje poetike të Lakos të asaj periudhe. Të vesh në diskutim vlerat artistike të saj është absolutisht e pa vend, të tjera duhet të kenë qenë arsyet e mospërfshirrjes së saj, të cilat kuptohen dhe ndjehen vetëm pas një leximi të vemëndshëm.
Kjo poezi shfaq një perspektivë introspektive mbi përjetimet dhe ndjenjat e grave nëpërmjet një sinteze që trajton tema që përfshijnë kohën, angazhimin dhe dashurinë. Hyrja në “vitet e shkuara” është gjetur nga poetja si një portë prej nga ajo hyri dhe, si në një kamp përqëndrimi pa dashuritë dhe ëndrrat të ngujuara e të copëtuara, fakt ky që jo vetëm e revolton por dhe e angazhon: “Do të punoj në emër të të gjithave/do të dashuroj me dashurinë e të gjithave”,duke përcjellur një mesazh që interpretohet si thirrje për të vlerësuar kohën dhe përjetimet e kaluara , për të reflektuar mbi dashurinë dhe përkushtimin ndaj të tjerëve, si dhe duke u angazhuar në emër dhe bashkë me të gjithë për të ndikuar në botën përreth dhe për të krijuar një impakt pozitiv. Mendoj se qysh këtu nisin problemet e kësaj poezie me kohën, të cilat ju ftojmë ti zbërthejmë në shoqërim gjatë analizës.
I-Vargu "Një ditë hyra në vitet e shkuara" është hapja e poezisë dhe përmban një ngarkesë emocionale dhe kuptimore për interpretimin e saj, ku aspekte që mund të analizohen për këtë varg janë:
-Ndonëse fjala "Një ditë" fillon poezinë me një moment të caktuar ku personazhi hyri në "vitet e shkuara" , kjo tregon një hap të rëndësishëm që ndërmori poetja pasi tregon një lëvizje kohore nga e tashmja në të kaluarën, hyrje që artistikisht mund të shprehë një moment reflektimi ose një kujtesë përjetimesh të kaluara.
-Simbolika e "vitet e shkuar" është e rëndësishme në kontekstin e poezisë sepse së pari: transmeton idenë e poezisë për përjetime të kaluara, por është dhe një farë mburoje e autores për temën që trajton. Poetja lehtësisht temën e sposton në një kohë të pacaktuar, por që gjithsesi është shumë larg kohës kur ajo shkruan poezinë (viti 1979). Arsyeja është shumë e thjeshtë, në vitin 1967 udhëheqësi i vendit mbajti një fjalim programatik duke u pozicionuar në mbrojtje dhe emacipim të femrës shqiptare, pra poetja duhej që kohën e hyrjes në vitet e shkuara (ku pa “Dashuritë të mbyllura /Ëndrra të coptuara”) ta spostojë para kohës së mbajtjes së atij fjalimi, ndryshe do kishte probleme.Teorikisht, me këtë varg (Një ditë hyra në vitet e shkuara") poetja paraqet një perceptim subjektiv të kohës duke i dhënë një qasje modernizmi poezisë, një aspekt që mund ti “shënohej” në “kartën e krijimtarisë” si shfaqje anti soc.-realizmi. Arsyeja e dytë është fakti se jo shumë larg ishte mbajtur Pleniumi famëzi i IV që shtroi shinat e soc.-realizmit mbi të cilat do ecte kultura, arti dhe letërsia dhe ishte e dukëshme që kjo poezi, në formë dhe përmbajtje kishte dalur nga shinat (binarët) e soc-realizmit. Po të ishte vetëm kjo, edhe i falej kësaj “çupke pe Korçe”, por “hataja” e poezisë vjen më pas.
-Vargjet "Do të punoj në emër të të gjithave/ Do të dashuroj me dashurinë e të gjithave" shfaqin një vendosmëri dhe dëshirë për të sjellë ndryshime pozitive në botë, duke përfshirë dhe shprehur dashurinë në një mënyrë universale. Analiza e këtyre vargjeve sjell disa interpretime:
-Vendosmëria për ndryshime pozitive në botë shprehet te fjala "Do të punoj". Kjo lidhet me dëshirën për të kontribuar në shoqëri në një mënyrë që sjell përparim dhe përmirësim për të gjithë dhe në veçanti të statusit të gruas, por ama fraza ka kuptimin që “do punoj unë”, dhe jo do punojë partia dhe udhëheqësi. Sigurisht që pyetja që kanë bërë redaktorët ka qënë përafërsisht: Kush është kjo çupkë që mënjanon udhëheqësin dhe del vetë në ballë të punës, kur për udhëheqësin në atë kohë këndohej kënga: Ti përpara, ne pas teje…?
-Ajo që ka rëndësi te vargjet e mësipërme është solidariteti dhe përkushtimi me dhe ndaj të gjithë individëve dhe grupimeve shoqërore, që shprehet me frazën: "në emër të të gjithave". Kjo paraqe një dëshirë të poetes për të punuar dhe përmirësuar statusin e vajzave dhe grave, ndonëse interpretimi shtrihet edhe në një dëshirë për të punuar për të përmirësuar të mirën e të gjithëve, duke përfshirë të pastrehët, të pambrojturit, dhe ata që janë në nevojë etj. Sigurisht që dhe te ky interpretim është e dukshme dalja nga soc.-realizmi.
-Poetja i jep dashurisë përmasat universale nëpërmjet përdorimit të fjalës "dashurinë e të gjithave" e cila përfaqëson një kuptim të gjerë të dashurisë. Kjo mund të interpretohet si dëshirë për të dhënë dhe për të pranuar dashuri nga të gjithë, pa dallim dhe kufizime, duke u shndruar në një shprehje përkushtimi për të krijuar një botë më të dashur dhe më të mirë për të gjithë.
-Autorja mund të shprehë dëshirën për shpëtimin dhe çlirimin e dashurive të të gjitha grave te vargjet e përmendura. Në këtë kontekst, vargjet paraqesin një thirrje për angazhim të përbashkët për të luftuar për drejtësi dhe lirinë e grave e vajzave, por dhe si shprehje solidariteti me gratë që përjetojnë diskriminimin, dhunën, ose të tjera forma të padrejtësisë sociale e shoqërore. Vargu" Do të punoj në emër të të gjithave " mund të paraqesë angazhim për të ndryshuar strukturat dhe normat shoqërore që cungojnë statusin e gruas, me synimin për të ndryshuar realitetin shoqëror dhe për të siguruar që të gjitha gratë të kenë të drejta të barabarta. Kjo thirrje, ndonëse është shprehur në vetën e parë (do punoj, unë) është një thirrje për veprim kolektiv dhe për të qenë zë për ndryshime pozitive në shoqëri. Kjo dëshirë për të punuar në emër të të gjithëve dhe për të “dashuruar me dashurinë e të gjithave” paraqet idenë e poezisë si mjet për të krijuar ndryshime pozitive në shoqëri dhe për të shkaktuar ndjenja të përshtatshme te lexuesit. Sigurisht që me termin "dashuri", poetja nuk nënkupton vetëm dashurinë mes dy partnerëve, por edhe dashurinë për për familjen, për karriere, për arsimin dhe për përkushtimin ndaj idealeve dhe pasioneve të ndryshme etj.
Pra, në esencë, poetja shprehet se poezia ka fuqinë për të ndryshuar perceptimet, për të ngritur ndërgjegjen dhe për të frymëzuar veprime të mëdha për të ndryshuar botën (reale apo shpirtërore), duke shprehur një besim të madh në fuqinë e fjalës së shkruar dhe aftësinë e saj për të ndryshuar realitetin. (Sigurisht që një hetues monist do mbushte nja dhjetë faqe material për akuzën me këto interpretime).
Unë nuk e di në se mospërfshirjen në vëllimet e botuara nga autorja këtë poezi e ka hequr redaktori apo nuk e ka përfshirë poetja, por kjo poezi tregon se kjo “çupkë” nuk ka qenë dhe aq në rregull “me vijën”, për fatin tonë të mirë.
II-Janë pikërisht vargjet "Do të punoj në emër të të gjithave / Do të dashuroj me dashurinë e të gjithave!" që na tregojnë se poezia “Një ditë”e Natasha Lakos i përket rrymës së poezisë progresive ose angazhuar. Kjo rrymë fokusohet në të drejtat sociale, politike dhe njerëzore dhe shpesh përdoret për të përfaqësuar ide dhe qëllime shoqërore. Poezitë e kësaj rryme shprehin qëndrime kritike ndaj padrejtësive dhe përkushtim ndaj një idealizmi për ndryshime pozitive. Në këtë rast, poetja shprehe një dëshirë për të punuar në emër të të gjithëve dhe për të gjithë, duke paraqitur angazhim për të ndryshuar dhe përmirësuar shoqërinë për të gjithë individët.
Kujtojmë se poezia progresive ose angazhuar është një formë e poezisë që përdor fjalë dhe imazhe për të shprehur qëndrime e qëllime sociale, politike e njerëzore dhe fokusohet në problemet shoqërore, padrejtësitë, dhe sfidat e shoqërisë, duke përpjekur të nxisë ndryshime pozitive dhe të zgjojë ndërgjegjen e lexuesve për të parë dhe njohur thelbësisht realitetin në të cilin jetojnë. Kjo poezi ka një qëndrim kritik ndaj sistemeve të padrejtësisë dhe pabarazisë dhe përpiqet të theksojë nevojën për drejtësi dhe liri për të gjithë individët dhe këtë përpiqet ta realizojë përmes imazheve, metaforave e simboleve që paraqesin situata të rënda sociale ose politike. Poezia progresive shpesh ka një qëllim të qartë e të dukshëm për të nxitur ndryshime në shoqëri, për të mbrojtur të drejtat e njeriut etj. Një shembull i njohur i poezisë progresive është Pablo Neruda, i cili përdorte imazhe për të shprehur solidaritetin me të pambrojturit dhe për të kundërshtuar padrejtësitë shoqërore. Kjo lloj poezie ka një impakt të madh në lexuesin e saj dhe mund të ndikojë në diskutimet dhe veprimet shoqërore.
Pra , veç sa thamë më sipër, nqse do ti evidentohej edhe qasja me rrymën e poezisë progresive ose angazhuar dhe fakti që nuk plotësonte asnjë kriter të realizmit socialist unë nuk dua të mendoj se çdo kishte ndodhur. Veçse unë ju them se është një poezi shumë e bukur, shumë e ngrohtë, tepër shpirtërore dhe e kuptu-eshme, ndonëse është një poezi moderniste.
III-Vargjet "Dhe gratë më treguan/Dashuritë e tyre të mbyllura / Ëndrat e tyre të coptuara" paraqesin një pamje të ndjeshme të përjetimeve të grave, duke përdorur metafora të fuqishme për të shfaqur ndjenjat dhe dëshirat e tyre. Fjala "gratë" në këtë varg përfaqëson një grup të gjerë, ku rrëfenja e tyre është qendra e idesë së vargjeve. Kjo fjalë krijon ndjenjë përgjithësimi e përfaqëson përjetime të njejta nga disa individë, si grup apo shtresë shoqërore. Metafora e "dashurive të mbyllura" sugjeron një ndjenjë të ndaluar. Kjo mund të interpretohet si ndjenja e e pashprehur ose emocione të ndrydhura, që nuk janë shprehur hapur. Fjala "mbyllura" tregon një ndjenjë të mbyllur, që mund të jetë si rezultat i ndryshimeve në jetë, apo kodeve zakonore e tradicionale të jetës, jo vetëm në kohët e shkuara. Po ashtu metafora e "ëndrave të coptuara" shfaq gjendjen e ëndrrave të coptuara, ku fjala "coptuara" paraqet imazhin e (ëndrrave) diçkaje të bukur (një trëndafil psh) të shkatërruar forcërisht si pasojë e goditjes apo dhunës sistematike të ushtruar mbi atë.
Pavarësisht përdorimit të metaforave (dhe figurave të tjera artistike) poezia "Një ditë" e Lakos karakterizohet më shumë nga natyra e saj imazhiste, ku përdorimi i imazheve dhe skenave vizuale është thelbësor për transmetimin e mesazhit poetik. Për shembull, fjalët si "Një ditë hyra në vitet e shkuara" dhe "Ëndrat e tyre të coptuara" krijojnë imazhe të forta dhe të ngjashme me realitetin, të cilat forcojnë përjetimet dhe ndjenjat që shprehen në poezi. Në këtë rast, përdorimi i metaforave dhe simboleve nuk është shumë thelbësor, ndërsa imazhet dhe shfaqiet vizuale janë ato që zbulojnë thelbin dhe emocionin e poezisë. Disa prej imazheve të poezisë që i japin natyrë imazhiste asaj, janë:
Imazhi:"Një ditë hyra në vitet e shkuara", është një imazh metaforik që përshkruan një përvojë personale ose kohë të kaluar. Imazhi: "Dhe gratë më treguan / Dashuritë e tyre të mbyllura" paraqet dashurinë si diçka të mbyllur, e përjashtuar apo e fshehur nga shikimi i botës. Imazhi: "Ëndrat e tyre të coptuara"përshkruan ëndrrat si të dëmtuara ose të shkatërruara, ndoshta si pasojë e goditjeve të forta. Këto imazhe janë të rëndësishme për të shprehur përjetimet dhe ndjenjat në poezi, duke i dhënë asaj jo vetëm një thellësi, por dhe një aspekt vizual që e bën atë më tërheqëse për lexuesin.
IV-Nuk e di në se qëllimisht apo rastësisht poetja Lako, në këtë poezi ka përdorur elemente të tradicionalitetit, ndonëse të përzier me qëndrim progresiv. Ajo përdor një strukturë të thjeshtë dhe të kuptueshme, e cila i përshtatet poezisë tradicionale. Megjithatë, përmbajtja e poezisë shfaq një angazhim të thellë për të ndryshuar dhe për të përmbushur qëllime të larta shoqërore dhe njerëzore, duke treguar kështu një qasje progresive.
Përfaqësimi i përmasave të larta shoqërore dhe njerëzore në një formë poetike të thjeshtë dhe të qartë ka një ndikim nga tradicionaliteti poetik në Shqipëri, por dëshira për të ndryshuar dhe përmbushur qëllime të larta sociale dhe njerëzore tregon një qasje progresive dhe përdorimin e poezisë si një mjet për të realizuar ndryshime në shoqëri.
Prandaj, poezia e Natasha Lakos ka një përzierje të elementeve të tradicionalite-tit me një qasje më progresive, duke paraqitur kështu një kuptim të thellë dhe të pasur nën dukjen e saj të thjeshtë.
V- Poezia e "Një ditë" shpreh një ndjenjë të thellë të universalitetit të dashurisë përmes qëndrimit të përkushtuar ndaj përmirësimit të situatave shoqërore dhe njerëzore. Duke shprehur dëshirën për të punuar në emër të të gjithave dhe me dashurinë e të gjithave, poetja thekson një përfaqësim të lartë të solidaritetit dhe një përkushtim ndaj një ideali të përbashkët njerëzor.
Nëpërmjet përdorimit të fjalëve të thjeshta e të kuptueshme, Lako shpreh një larmi ndjenjash dhe aspiratash që i përkasin çdo individi dhe duke u përqendru-ar në idenë e të punuarit në emër të të gjitha grave dhe dashurisë me të gjithë, ajo paraqet dashurinë si forcë e përbashkët që përmirëson jetën e të gjithë njerëzve, pa dallim etnik, kulturor, apo shoqëror.
Ky universalitet i dashurisë që përfaqësohet në poezinë e saj është thelbësor për arsyetimin e një bote të drejtë dhe të lumtur për të gjithë. Duke ngritur dashurinë si një forcë për ndryshim dhe përparim, poetja paraqet vizionin e një shoqërie që bazohet në solidaritet dhe respekt ndaj të gjithëve.
Për këtë arsye, përkushtimi i Natasha Lakos për të shprehur universalitetin e dashurisë në poezinë e saj ndikon në një kuptim më të gjerë të një qëndrimi human dhe një dëshirë për të krijuar një botë më të mirë.
Sarandë, më maj 2024
Natasha Lako
NJË DITË
Një ditë hyra në vitet e shkuara
Dhe gratë më treguan
Dashuritë e tyre të mbyllura
Ëndrat e tyre të coptuara
Do të punoj në emër të të gjithave.
Do të dashuroj me dashurinë e të gjithave!
Comments