Timo Mërkuri: NDËRGJEGJA QË SHPËTON KOHËN
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 3
- 9 min read

Nga Timo Mërkuri
Robert Martiko, në krijimtarinë e tij më të fundit, ka zgjedhur të ecë në gjurmët e një misioni që nuk është më thjesht estetik , por është njëkohsisht etik, filozofik, shpirtëror. Ai nuk shkruan për të zbukuruar botën me metafora, por për ta çuar lexuesin drejt një shkundjeje të ndërgjegjes, siç shkundet plepi kur era e fortë e tund trungun gjer në rrënjë e megjithatë ai mbetet i drejtë.
Poezia e tij nuk kërkon vetëm të prekë ndjeshmërinë, ajo kërkon të zgjojë njeriun e fjetur brenda njeriut. Aty ku shumë poetë mbështillen me velin e ëmbël të figurës poetike, Martiko përdor figurën për të zbuluar, jo për të fshehur. Ai thotë atë që të tjerët e nënkuptojnë, por e thotë me një tis drite të ftohtë, si reflektimi i një kandili të vetmuar në një dhomë mendimi.Në një farë mënyre, Martiko sillet në poezinë bashkë-kohore si një Diogjen me kandil, që kërkon njeriun, por tani jo në rrugët e qytetit, por në errësirat e shpirtit modern. Ai na vë përballë një revolucioni që nuk ngre barrikada, por thyen pasqyrat e vetëkënaqësisë, të heshtjes, të indiferencës. Në këtë kontekst, poezia bëhet trung i djegur që mban zjarrin e heshtur të ndërgjegjes dhe Martiko nuk është më vetëm poet, por zjarrmëtar i një drite që nuk kërkon duartrokitje, por ndriçon brenda njeriut. Në një kohë ku shumë oratorë mbulojnë zbrazëtinë me zhurmë fjalësh, ai zgjedh të flasë pak, por me forcën e zërit të brendshëm të ndërgjegjes kur gjithçka tjetër hesht. Dhe ndoshta, pikërisht kjo është domosdoshmëria që ai shpall: poezia duhet të mos e kursejë ndërgjegjen. Duhet ta trazojë atë. Duhet ta ndriçojë për ta shpëtuar.
I-Po kush është Tomas Moori, “hijen” e të cilit poetizon Robert Martiko? Sigurisht vlen të dimë se Tomas More ka jetuar në vitet 1478–1535, dhe ishte një nga figurat më të ndritura të humanizmit evropian, autor i librit të famshëm “Utopia”; një vizion filozofik për një shoqëri ideale. Por jeta e tij nuk mbeti vetëm në fushën e ideve , ajo u bë provë e asaj që njeriu mund të qëndrojë i drejtë edhe kur bota përreth shtrembërohet.
Ngjarja që çoi në ekzekutimin e tij ndodhi në Angli, gjatë mbretërimit të Henrikut VIII, në gjysmën e parë të shekullit XVI. Kur mbreti kërkoi të ndahej nga gruaja e tij, Katerina e Aragonës dhe Papa refuzoi të miratonte divorcin, shpërtheu një “furtunë” kishtare me pasoja të thella, pse Henriku VIII shkëputi Kishën e Anglisë nga autoriteti i Papës dhe e shpalli veten Kryetar të Kishës Anglikane, përmes Aktit të Supremacisë (1534). Sipas këtij Akti të gjithë shtetasit, përfshirë zyrtarët dhe intelektualët, duhej të njihnin këtë akt dhe ta mbështesnin martesën e mbretit me Anne Boleyn. Tomas More, në atë kohë Lord –kancelar i mbretërisë dhe zë i ndërgjegjes filozofike e morale e kundërshtoi Aktin dhe refuzoi të betohej.Duhet te dimë se Tomas More nuk e kundërshtoi mbretin publikisht, por as nuk pranoi të betohej për ligjshmërinë e këtij Akti, I cili në fakt ishte një vendim personal I mbretit për të realizuar kurorëzimin e tij të ri me Ana Boleën. Ai refuzoi të pranojë se një mbvret mund të vendosë mbi ndërgjegjen fetare të gjithë kombit, ndërkohë që ai besonte se pushteti I ndërghjegjes dhe I besimit nuk I përkiste politikës së mbretit. Duhet të dimë se ai nuk ishte i lidhur me Papën si autoritet politik, por si simbol i një rendi shpritëror. Kundërshtimi i tij nuk ishte rebelim por një formë e rallë e qëndresës morale. Nuk ngriti krye, por as nuk u përkul. Me heshtje dhe qetësi, qëndroi në anën e bindjes së tij të brendshme. Për këtë heshtje të qëndrueshme, u akuzua për tradhti të lartë, u burgos dhe u dënua me vdekje më 6 korrik 1535 me ekzekutim me prerje koke në Kullën e Londrës.
Kjo figure, e palëkundur në ndërgjegje, e qetë në flijim, e heshtur në protestë, (shumë larg konceptit tradicional shqiptar të heroit qëndrestar) është ajo që Martiko risjell në vargje, jo si shenjtor, por si provë që e vërteta dhe njeriu i drejtë mund të mos shpëtojnë trupin, por shpëtojnë kohën. Në leximin e këtij shkrimi dhe të poezisë vlen të dihet se Tomas More nuk ishte klerik. Ai ishte jurist laik, mendimtar humanist dhe shtetar i lartë i Anglisë. Megjithëse ishte një katolik i devotshëm, ai nuk mori urdhër fetar dhe nuk ishte prift apo ipeshkëv. Pavarësisht kësaj, jeta e tij ishte thellësisht e përshkuar nga besimi dhe kishte marrë një arsim teologjik dhe filozofik të thellë. Në rini kishte menduar të bëhej murg, por zgjodhi jetën familjare dhe shërbimin public dhe ariti një titull të lartë : Lordi Kancelar i mbretërisë. Por ne le të bëjmë një lexim filozofik të poezisë së Robert Martikos:
1. Poezia “Hija e Tomas More” sjell në qendër jo thjesht figurën historike të një martiri, por hijen e tij, një formë e lehtë, e heshtur, por e pashuar. Hija nuk është thjesht pasojë e dritës që bie mbi një trup, por e kundërta, ajo që del në pah kur dikush përballon dritën pa u tërhequr. Martiko e përzgjedh hijen si figurë qendrore sepse ajo nuk zbehet nga koha; ajo mbetet, ndjek dhe dëshmon. Tomas More nuk është më trup në këtë poezi; është një kujtim që refuzon të tretet, një ndërgjegje që endet pas nesh. Poeti e hap poezinë jo me një shpërthim, por me një heshtje. Figura e Thomas More-it nuk flet, nuk proteston, por qëndron, thjesht dhe vendosmërisht:
“Nuk foli kur duhej të thyhej.
As nuk ngriti zërin.
Thjesht qëndroi
si një gur që nuk merr formën e lumit.”
Kjo është një metaforë e fuqishme që e shndërron martirin në një gur rezistence, i pathyeshëm përballë rrjedhës, përballë presionit. Nuk ka këtu retorikë, as dramë, vetëm një qëndrim i qetë dhe i pashkëputshëm, që vetë përmbajtja e bën të madh.
2. More, në momentin e ekzekutimit nuk ulërin, nuk kërkon shpëtim, nuk ngre grushtin. Ai nuk bërtet për ndihmë, por lutet në vetmi , jo mbretit, por Zotit. Martiri në këtë poezi është një burrë që qëndron më këmbë në heshtje, ndërsa mbi të thërrmohet makina shtetërore. Fuqia e tij nuk vjen nga masa, por nga vetmia e ndërgjegjshme, që e zgjedh dhimbjen si rrugë të shpëtimit moral. Është një qetësi që e bën tiraninë të kriset nga brenda, sepse ndjen se nuk ka fuqi mbi dikë që ka zgjedhur të mos frikësohet. Dhe poeti Martiko në vend që ti ngrejë monumente, zgjedh të flasë për hijen e tij. Ajo është e lehtë, por në të njëjtën kohë e rëndë me domethënie. Një hije që endet mbi Londër, më peshë se çdo pushtet:
“Në qiellin e Londrës,
hija e tij është më e lehtë se retë,
por më e rëndë se çdo urdhër mbretëror.”
Kjo hije nuk është thjesht kujtim, por kujtesë morale, më e fortë se dekretet e një mbreti. Ajo rrëshqet mbi Kullën në të cilën u ekzekutua si një shpirt që s’e zë balta e tokës, por mbetet pezull, për të dëshmuar.
“Rrëshqet mbi Kullën,
ku fjalët e fundit nuk ishin kundërshtim,
por lutje.”
Kjo lutje në vend të protestës është zemra e moralit të More, ai nuk e përdor fjalën si armë, por si akt pajtimi me veten.
3. Poezia vë në lëvizje një mekanizëm të thellë filozofik: ajo nuk ndjek dritën e triumfatorëve, por kundërdritën e atyre që u shuan për të mos u thyer. Martiko zgjedh ta ndriçojë More jo me lavdi, por me një dritë të ftohtë si agimi, që nuk të ngroh, por të zgjon. Në këtë udhë, morali është më i fortë se fitorja, dhe fjala e thënë në dhimbje ka më shumë peshë se urdhri i ulëritur në sallat e pushtetit. More e humbi botën, por nuk e humbi shpirtin. Në një epokë ku mbijetesa shpesh kërkon shitjen e vetes, ai zgjodhi humbjen, si mënyrën e vetme për të ruajtur lirinë e brendshme:
“Ai e humbi këtë botë
duke mos e shitur shpirtin e vet.”
Ky nuk është thjesht flijim, është refuzim për të bërë kompromis me një botë që e mat vlerën me fitore. Në këtë mënyrë, humbja fizike bëhet fitore etike. Ai nuk shkoi në parajsë për të shpëtuar veten, thotë poeti,një varg që godet thellë në shpirtin e lexuesit: “Ai nuk ishte prej atyre që shkojnë në parajsë /për të shpëtuar veten.”
4. Poeti e vendos hijen e More-it në qiellin e Londrës, por ajo nuk është vetëm lart në re, ajo është më tepër në hapësirën e ndërgjegjes njerëzore. Qielli këtu është metaforik dhe etik, dhe hija nuk endet kot, por qëndron si provë:
“Tani ndodhet atje lart
jo si shenjtor,
por si provë
që ndërgjegjja mund të mos shpëtojë trupin,
por e shpëton kohën.”
Ky është thelbi i poezisë. Shpëtimi nuk është trupor, as individual, por historik. Trupi vdes, por ndërgjegjja e pacënuar i jep kuptim një epoke.
5. Martiko nuk e mitizon More-in si shenjtor, por e paraqet si një shqisë të gjallë të ndërgjegjes në historinë njerëzore. Ai nuk e ngrit në qiell për lavdi, por e vendos atje si dëshmi që koha e drejtë nuk është ajo që fiton, por ajo që mbijeton me dinjitet.Poeti nuk ndërton kult, por kujtesë. Dhe kjo kujtesë është ajo që i jep peshë edhe kohës sonë, sepse hija e tij endet ende, aty ku njerëzit përballen me pushtetin dhe ndërgjegjen.
“Ai nuk ishte prej atyre që shkojnë në parajsë
për të shpëtuar veten.
Ai e humbi këtë botë
duke mos e shitur shpirtin e vet.”
Këto vargje e zhveshin figurën e Thomas More nga çdo ngjyrë mitike apo heroike sipërfaqësore dhe e paraqesin atë si njeriun e zakonshëm me kurajë të pazakontë, që nuk bëri pazar me ndërgjegjen për të ruajtur jetën apo pushtetin.
6. Ajo që e bën poezinë kaq të fuqishme është fakti se qëndresa nuk bëhet me fjalë të mëdha, por me heshtje të rëndë dhe të kthjellët. More nuk kundërshtoi, nuk predikoi, nuk u martirizua për t’u admiruar. Ai vetëm nuk pranoi të bënte një hap mbrapa, dhe kjo e ktheu në një dritë që i mbijeton shekujve. Thomas More ishte një mendimtar i epokës së vet, që kishte ndërtuar një filozofi të jetës e të drejtës, përmble-dhur jo në fjalë, por në heshtje, në qëndresë, në flijim. Ai nuk e kundërshtoi mbretin për shkak të një dekret kishtar, ai e kundërshtoi sepse ajo që i kërkohej binte ndesh me ndërgjegjen, me arsyen dhe me të vërtetën që e kishte ndërtuar si themel të vetes. Ai nuk tha “jo” në emër të Romës, por në emër të njeriut. Dhe këtë “jo” e tha pa e thënë:
“Nuk foli kur duhej të thyhej.
As nuk ngriti zërin.
Thjesht qëndroi —
si një gur që nuk merr formën e lumit.”
Kjo është filozofia e Tomas More: të mos pranosh formën që koha e padrejtësisë do të të japë, edhe kur gjithë të tjerët përshtaten. Ai e dinte që nuk do të shpëtonte trupin, por nuk pranoi të humbiste shpirtin. Dhe për këtë besoi se sakrifica e tij, edhe po të mos i shërbente vetë atij, do t’i shërbente një dite të nesërme më të kthjellët. Sepse idetë, ato që nuk vishen me interesa dhe nuk shiten për favore, janë si drita që s’i druhet kohës.
7.Poezia shfaqet si lutje, jo si britmë. Martiko shkruan me një dritë të ftohtë, pa pateti-zëm. Ai na kujton se revolucioni i ndërgjegjes nuk ka nevojë për sheshe e brohoritje, por për qetësinë e një shpirti që nuk thyhet.
“Rrëshqet mbi Kullën,
ku fjalët e fundit nuk ishin kundërshtim,
por lutje.”
Ku lutja nuk është nënshtrim, por qëndrim i lartë moral. Jo drejt mbretit, por drejt Zotit dhe vetes.
Poezia “Hija e Tomas More” nuk është thjesht një kujtesë për një emër të madh, por një ndalesë e heshtur përpara figurës së njeriut që nuk e ndërroi ndërgjegjen me shpëtimin. Ajo nuk vjen si himn, as si thirrje, por si një ndriçim i brendshëm, i qetë, i palëkundur, që s’ka nevojë për lartësi qiellore për të ndriçuar. Hija e Thomas More nuk endet si relike e së shkuarës, por qëndron si praninë e pashuar të së drejtës që s’u ble, të zërit që nuk bërtiti, por që, në heshtje, peshon më shumë se çdo brohoritje.
E parë në këtë aspekt, poezia e Robert Martikos shndërrohet në një përmendore të padukshme, jo prej guri, por prej qëndrimi; një lutje që nuk kërkon dëgjues, një dritë që mban përballë zbrazëtinë e lavdisë, dhe një kujtesë e thjeshtë e fortë: se ndërgjegjja, në fund, është ajo që i jep kuptim kohës, jo trupit. Ndoshta vlen te themi se figura e Tomas More është vlerësuar gjerësisht në botë dhe veçanërisht në Angli, si një nga figurat më të ndritura të ndërgjegjes njerëzore, për shkak të qëndresës së tij morale përballë pushtetit absolut dhe refuzimit për të shkelur bindjet e tij, edhe me çmimin e jetës., Konkretisht: Në vitin 1935, Tomas More u shpall shenjtor nga Kisha Katolike dhe në vitin 2000 u shpall patroni i politikanëve dhe qeveritarëve nga Papa Gjon Pali II, për shembullin e tij të ndershmërisë dhe integritetit. Një statujë madhështore e tij ngrihet jashtë Gjykatës Mbretërore të Drejtësisë në Londër, ku paraqitet me mantel gjyqtarësh, duke theksuar rolin e tij si Lord Kancelar dhe mbrojtës i drejtësisë. Po ashtu në vendin ku u ekzekutua, Toëer Hill, ndodhet një pllakë përkujtimore dhe bust që nderon Thomas More si martir të ndërgjegjes. Ka shkolla. Bibloteka, rrugë dhe qendra komunitaare që mbajnë emrin e tij. Në Chicago dhe Dallas ndodhen buste dhe portrete përkujtimore të tij. Kjo poezi e Robert Martikos i shton një shtresë të thellë poetike figurës së Tomas More, duke e paraqitur jo vetëm si një person historik, por si një hije që qëndron përtej kohës, simbol i qëndresës së heshtur dhe i ndërgjegjes së papërkulur. Ajo e bën figurën e tij një dritë të brendshme që sfidon çdo pushtet, duke i dhënë përjetësi dhe shpirt të gjallë një modeli të moralit të palëkundur.
Sarandë, më korrik 2025
HIJA E THOMAS MORE
(në qiellin e Londrës)
Nuk foli kur duhej të thyhej.
As nuk ngriti zërin.
Thjesht qëndroi —
si një gur që nuk merr formën e lumit.
Në qiellin e Londrës,
hija e tij është më e lehtë se retë,
por më e rëndë se çdo urdhër mbretëror.
Rrëshqet mbi Kullën,
ku fjalët e fundit nuk ishin kundërshtim,
por lutje.
Ai nuk ishte prej atyre që shkojnë në parajsë
për të shpëtuar veten.
Ai e humbi këtë botë
duke mos e shitur shpirtin e vet.
Tani ndodhet atje lart —
jo si shenjtor,
por si provë
që ndërgjegjja mund të mos shpëtojë trupin,
por e shpëton kohën.
Comments