Timo Mërkuri: MODERNITETI I VONUAR I NATASHA LAKOS
Poezia "Druaj" e Natasha Lakos shpalos një vizion të thellë dhe të ndjeshëm të përjetimit njerëzor nëpërmjet imazheve të holla dhe të ngjashme me piktura, ku përdorimi i tyre (imazheve) të detajuara si "buzët", "lapsi", "kandili" e "pasqyra" krijojnë një peisazh emocional për lexuesin. Ky përdorim i imazheve vizuale forcon lidhjen e poezisë me artin vizual dhe skenat e përjetimit njerëzor bëhen më të dukshme përmes tyre. Gjithashtu, ndjenjat dhe përjetimet e heroinës shpalosen në një mënyrë të ndërthurur, duke i bërë ato të përfaqësojnë aspekte të përjetimit njerëzor. Nëpërmjet frazave si "çfarë kam për të fshirë atje dhe çfarë kam për të shkruar?" apo "njeriu ulet përpara pasqyrës që diçka të paguajë", poezia thekson kërkimin e vazhdueshëm të identitetit dhe vështirësië e përjetuara të ndjenjave nëpërmjet tij. Po ashtu, ndezja e shuarja e kandilit si metafora e jetës e dashurisë forcon mesazhin kryesor të poezisë: ndryshimi i përhershëm dhe kalimi i kohës, si një kosto që paguajmë në jetë, duke e lenë lexuesin me një reflektim mbi natyrën e përjetimit njerëzor dhe rëndësinë e shprehjes artistike në përballje me jetën dhe kohën.
Për nga rëndësia, ideja dhe struktura artistike e shprehjes, poezia "Druaj" e Lakos mund të quhet "Poema e buzëve të gruas" duke theksuar temën kryesore të përjetimit të saj nëpërmjet imazheve të buzëve dhe ndjenjave që ato shprehin. Ky titull mund të fokusohet si një element kryesor i poezisë që do ndihmojë lexuesin të kuptojë qëllimin dhe temën kryesore të tekstit poetik.
I-Fjala "Druaj" përsëritet në tekst si një thirrje, një ngurrim ose një këshillë, duke theksuar rëndësinë e kapërcimit të saj dhe shfaqjen e vetvetes. Kjo përsëritje forcon qëllimin e poetes për të adresuar një temë të rëndësishme dhe universale, madje, duke iu referuar përvojës njerëzore në kontekstin e jetës, poezia shndrro-het në një udhëzim të fuqishëm për lexuesit për të kapërcyer drojën dhe shfaqur veten në mënyra autentike e të vërtetë, ndërkohë që ndikimi i saj në strukturën poetike shfaqet:a)-Përsëritja e fjalës “druaj” shpreh figurën artistike të anadiplo-zës , një teknikë e përsëritjes së një fjale, fjalie ose një grup fjalësh në fillim dhe në fund të vargut të dy rreshtave pasuese. b)- Kjo përsëritje krijon një strukturë që thellon domethënien dhe përjetimet e saj në jetën tonë.c)-Teknika e përdorimit e anadiplozës “druaj” forcon temën e pasigurisë, ngurrimit, hezitimit që shfaqet në jetën tonë. ç)- Anadiploza forcon mesazhin kryesor të poezisë dhe e bën atë të ndjehet dhe më fortë për lexuesin,dhe d)- krijon lidhje të ngushtë mes vargjeve dhe forcon ndjesinë e ngurrimit, drojës që përshkon poezinë.
II- Përkundër ndjenjave të veçanta dhe formës së përjetimeveve personale të shprehur në poezinë "Druaj" nga Lakos, tema dhe emocionet që shpalosen janë të përgjithshme dhe universale. Kjo është e zakonshme në poezinë moderne, ku poetët shfrytëzojnë përjetimet personale për të shprehur gjendjet dhe ndjenjat e përbashkëta njerëzore. Poetja mund të druhet për shumë arsye lidhur me përjetimet e saj, qëndrimin ndaj jetës apo tema të tjera të veçanta që i trajton në poezi. Këtu shprehemi për disa arsye psikologjike pse poetja shfaq drojë dhe formën artistike të shprehjes së tyre në poezi:
- Vargjet e para të poezisë "Druaj" të Natasha Lakos: “ Druaj/Të gërryej buzët me laps,/çfarë kam për të fshirë atje/dhe çfarë kam për të shkruar?/Druaj”, tregojnë për një dilemë shpirtërore dhe një përpjekje për të përmbyllur atë, e paraqitur si një rrëfim. Kjo ndjenjë e pafundësisë dh pakuptimtësisë së mundësive që përjetohen në një moment të caktuar të jetës, shfaqet në tekst nëpërmjet metaforave të lapsit dhe buzëve. Fraza: “Të gërryej buzët me laps” përqendrohet në një veprim, në prag të kryerjes, por poetja heziton, druhet. Të kemi parasysh se ngjyerja e buzëve te femra shqiptare është një element estetik, një formë zbukurimi dhe vënie në dukje e pamjes së saj, atëherë pse poetja këtë gjest që femrat e kryejnë me finesë e dëshirë e quan ”gërryerje”? Sigurisht që poetja e përdor fjalën "gërryej" për të shprehur përdorimin e lapsit mbi buzët në një kontekst metaforik , madje kjo fjalë përdoret në një mënyrë që konsiderohet si përdorim metaforik i shprehjes, pasi ajo nuk e përdor fjalën "gërryej" në kuptimin literal, por më shumë në një mënyrë simbolike për të treguar një proces, siç është aplikimi i lapsit mbi buzët. Në shqip, fjalët kanë shpesh nuancat e tyre, dhe përdorimi i tyre mund të jetë më shumë për të shprehur një ndjenjë apo për të krijuar një imazh emocional sesa për të paraqitur një veprim fizik në mënyrë strikte. Përdorimi i kësaj fjale mund të jetë bërë për arsye se poetja mund të jetë e pasigurtë për veprimin pasues, psh daljen në bulevard, në një takim, në një aktivitet etj., pasiguri që shprehet për përdorimin e lapsit në formë të tensionuar, larg butësisë estetike.
-Vargu: “çfarë kam për të fshirë atje / dhe çfarë kam për të shkruar?” shpreh me një analogji një ndjenjë paqartësie në mendjen e poetes, e cila përballet me dilemën e zgjedhjes së fjalëve për të shprehur gjendjen e brendshme, ndaj ajo kërkon kohë për të reflektuar me kujdes. Përdorimi i frazës”për të fshirë” mund të ketë dhe interpretimin e fshirjes së një buzëqeshjeje që s’duhet ta shohë dikush, ndërsa përdorimi i frazës “për të shkruar” identifikon poeten, e cila ndjehet se si krijuese, kupton që fjalët mund të mos jenë të mjaftueshme për të shprehur atë që ndjen. Shikoni pak, fytyra e gruas dhe sidomos buzët e saj flasin atë që thotë shpirti i saj, aty shprehen ndjenjat e gëzimit, lumturisë, pranimit apo refuzimit, inatit a zemërimit. Madje dhe forma e të kuqit të buzëve, nuancat apo ngjyra shprehin mesazhe , të cilat sigurisht ndryshojnë në kohë dhe ambient. Thelbi i drojës së poetes shprehur te kjo frazë është pasiguria e saj për çështje të ndryshme, si përzgjedhja e fjalëve, transmetimi i ndjenjave të saj ose interpretimi i temave të ndjeshme, apo frika nga reagimi i dikujt me ndonjë përgjigje negative. Pasazhi jep një pamje të përpjekjeve të poetes për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet e saj me sinqeritet dhe në përputhje me perceptimin e saj për botën dhe për veten. Ajo ka nevojë që çdo fjalë dhe emocion të jetë i vërtetë dhe i përputhshëm me realitetin dhe perceptimin e saj të jetës dhe të dashurisë.
-Te vargjet:”Mbi buzët e gruas është shkruar për hetë të parë historia/të çmendet pastaj dashuria/Druaj”, droja e poetes Lako duke përdorur metaforën e buzëve që janë shfrytëzuar si një metaforë për fillimin e një historie të re, qoftë kjo histori e një marrëdhënieje, e një periudhe të jetës, ose diçkaje tjetër. Përdorimi i hiperbolës "të çmendet pastaj dashuria” te kjo shprehje, ajo shfaqet si diçka që bën një person të çmendet, duke shprehur një intensitet dhe ndikim emocional që (dashuria) mund të ketë mbi njeriun. Këtu personifikimi “druaj” e bën vargun të forcojë idenë e një përjetimi të ndjeshme e të kujdesshme, duke e bërë të përmbushë rol të veçantë në vargun e fundit. Frazave "Mbi buzët e gruas është shkruar për herë të parë historia" në një kuptimshmëri të drejtpërdrejtë mund të interpretohet psh si buzëqeshja që i jipet një djaloshi nga një vajzë, ku kjo është pikërisht historia e ndjenjave të vajzës. Kështu kuptimi i frazës: ” të çmëndet më pas dashuria” është tepër i dukshëm, por poetja dhe te kjo kuptimshmëri e drejtpërdrejtë transmeton psikologjikisht mesazhin për fuqinë e dashurisë në ndryshimin e një personi. Megjithëse dashuria mund të sjellë një ndjenjë euforie dhe ngazëllimi, ajo shkakton ndryshime të mëdha në identitetin dhe në jetën e një personi. Duke përfunduar me fjalën "Druaj" poetja, sa tregon ngurrimin e heroines, aq dhe fton për të qenë e kujdesshme për të marrë parasysh sfidat që shoqërojnë dashurinë. Kjo duket si një paralajmërim, por është në fakt dhe një inkurajim për të nisur marrëdhëniet me qasje të kujdesshme dhe të ndërgjegjshme.
- Vargjet:"Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur/nata pikon si kandil i shuar./ Druaj." nëpërmjet një mozaiku figurativ të përbërë nga krahasimi i ditës dhe natës me kandil të ndezur dhe të shuar, përdorimi i metaforës ku në këtë rast, dita dhe nata janë personifikuar si "kandil i ndezur" dhe "kandil i shuar", respektivisht që krijon një imazh të fuqishëm vizual dhe emocional, duke forcuar ndryshimin dramatik në ndjesinë dhe përjetimet e personazhit me kohën dhe rrethanat. Ky imazh metaforik përjeton një ndryshim nga dita në natë, dhe ky ndryshim interpretohet si simbol i transformimit në jetën dhe emocionet e personit.Shtojmë se në varg ka një përsëritje të tingujve me zëra të ngjashëm, duke krijuar një efekt të rëndësishëm zanor. Psh, tingulli "p" dhe "k" përsëriten në fjalët "pikon", "buzët", "kandil", duke krijuar një ritëm dhe harmoni të veçantë në varg, dmth aliteracion. Fraza: “Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur” sugjeron një ndjenjë ngrohtësie dhe energjie që shoqëron ditën, ku "Buzët" paraqesin një hapësirë të ndriçuar aktiviteti, ku emocionet e përjetimet janë të dukshme. Poetja mund të ndihet e sigurtë dhe e lumtur në këtë kontekst, duke përjetuar kënaqsi dhe lumturi në ditën e saj, ndërkohë që fraza:”Nata pikon si kandil i shuar” paraqet një kontrast të fortë me vargun e mëparshëm. "Kandili i shuar" e paraqet natën si një periudhë të errët, ku emocionet dhe ndjenjat mund të jenë më të fshehta dhe më të errëta. Nata kështu mund të përfaqësojë një kohë vetmie, reflektimi, pasigurie. Duke i krahasuar ditën e natën në këtë mënyrë, poetja tregon një pasiguri apo ngurrim në lidhje me ndryshimet e ardhshme të jetës. Kjo pasiguri mund të krijojë një frike te heroina, duke e shtyrë atë të shfaqë një drojë që e fton për kujdes. Në këtë kontekst, përdorimi i figurave të ditës dhe natës është një mënyrë e fuqishme për të paraqitur një ndryshim të madh dhe të ndjeshëm në përjetimet dhe emocionet e një personi.
- Vargu imazhzist "Njeriu ulet përpara pasqyrës që diçka të paguajë./Druaj" ku pasqyra shfaqet si metaforë që përfaqëson një mënyrë për të shqyrtuar ekuilibrin moral dhe për të përballur pasojat e veprimeve, por ndërkohë me të njejtat cilësi ajo personifikon një etnitet. Imazhi shfaq një veprim të zakonshëm, atë të "uljes përpara pasqyrës", por në këtë kontekst, ky veprim është i lidhur me një motiv më të thellë emocional dhe psikologjik. Duke e vendosur në kontekstin e poezisë së Natasha Lakos, mund të kuptohet se kjo ulje përpara pasqyrës është më shumë se thjesht një veprim fizik, ajo simbolizon një moment reflektimi dhe vlerësimi të identitetit. Heroina përballet me veten e saj para pasqyrës, duke tentuar të njohë, kuptojë dhe vlerësojë më mirë veten , veprimet e kryera apo ato që do kryejë, duke paraqitur një proces të analizës shpirtërore dhe vlerësimit të jetës së saj. Kujtoni psh, në momentet para një takimi të dëshiruar vajzat rrinë një copë kohe para pasqyrës, duke u rregulluar, medituar dhe analizuar veprimin që po ndërmarrin. Mirëpo kjo analizë shoqërohet me një kosto që në poezi përfaqsohet me frazën "që diçka të paguajë" pse ky proces reflektimi dhe vlerësimi nuk është pa pasojë. Njeriu edhe mund të ketë nevojë të "paguajë" për diçka, të ndajë një kosto për njohjen e vetes së vërtetë. Kjo përfaqëson ndryshime në mënyrën sesi heroina sheh veten e botën dhe mund ti sjellë pasoja të ndryshme në jetë. Përfundimi me fjalën "Druaj" vë në dukje ndjenjën e pasigurisë ose ngurrimit nga pasoja e këtij procesi reflektimi. Kjo fjalë bën që lexuesi të ndjehet si heroina të cilin lexon. Pra, në kontekstin e poezisë ky varg mund të interpretohet si thirrje për të kuptuar më mirë veten, por dhe për të qenë të vetëdijshëm për koston që paguan dhe duhet paguar në procesin e vetënjohjes.
-Vargjet imazhiste: "Mbi buzët e gruas do shkruhet gjithnjë e para historia/do çmëndet pastaj dhe vetë dashuria/derisa në formën e gezhojës të ketë mbetur/i kuqi i buzëve që do ketë shkruar patjetër.//Mbi buzët e gruas shkruhet dhe shkruaj./ Druaj…" ku lulëzojnë metafora “i kuqi i buzëve” për dashurinë dhe përdorimi i ngjyrës së buzëve si simbol i dashurisë forcon idenë e një marrëdhënie të thellë emocionale. Vargjet shfaqin një progresion kohor, duke filluar nga shkrimi i historisë mbi buzët e gruas dhe mbaruar me thirrjen për t'i dhënë rëndësi kësaj historie e të druhet nga gabimet e mundëshsme. Ky progresion kohor forcon ndryshimet e zhvillimet në marrëdhënien e gruas me veten dhe dashurinë. Vargjet vënë në pah ndjeshmëri-në e madhe ndaj buzëve si hapësira ku shkruhet dhe reflektohet historia e personit dhe (jo vetëm) ndjenjat e dashurisë. Analiza e këtyre vargjeve në kontekstin e poezisë sugjeron disa ide dhe mesazhe:
Buzët e gruas paraqiten si një hapësirë ku shkruhet historia e saj, ndjehen e përje- tohen emocionet e dashurisë. Buzët, si pjesë e fytyrës, përfaqësojnë dhe shfaqin intimitetin dhe lidhjen emocionale të saj me të tjerët, duke sugjeruar se përjeti-met dhe emocionet që ndjejnë njerëzit janë të “shkruara” në fytyrën e tyre dhe të lexueshme për të tjerët. Psh buzëqeshja e një gruaje e shkruar mbi buzët e saj flet më shumë se një libër historie, jo vetëm për dashurinë.
Për poeten,ideja që "historia shkruhet mbi buzët e gruas" përfaqëson një shprehje simbolike për fuqinë dhe ndjeshmërinë e identitetit të gruas. Kjo frazë përdor buzët si simbol i jashtëm i ndryshimeve dhe përjetimeve shpirtërore të një gruaje, (por jo vetëm).Buzët janë të përfshira në aktin e të folurit dhe shprehjes së vetes përmes fjalëve. Për poeten, buzët mund të paraqesin një mjet për të shprehur identitetin dhe për të komunikuar me botën.
Duke shkruar që "historia shkruhet mbi buzët e gruas", poetja mund të sugjerojë se buzët janë një “faqe e parë e librit të jetës”së një gruaje, hapësira ku ndjenjat dhe përjetimet e shpirtërore shfaqen dhe shprehen në një mënyrë të dukshme.Poetja fokusohet te"i kuqi i buzëve",si simbol i bukurisë dhe identitetit,detaj që sugjeron për një estetikë të bukurisë shpirtërore e të jashtme, që ka një ndikim thelbësor në mënyrën sesi personi përjeton veten dhe është i perceptuar nga të tjerët.
-Të kemi parasysh dhe faktin se Natasha Lako si një poete elitare ka standarde të larta artistike për veten dhe poezinë e saj, ndaj ngurrimi mund të vijë dhe nga dëshira për tu siguruar që çdo fjalë dhe ide të jetë e vendosur me kujdes dhe e shprehur me saktësi për të përmbushur synimet artistike. Pasazhi që shpreh këtë është pikërrisht fjala “Druaj”. Kjo fjalë shpreh nevojën për kujdes dhe përpjekje të mëdha në procesin e krijimit të poezisë, duke theksuar dëshirën për të arritur një standard të lartë artistik dhe për të shprehur çdo detaj me kujdes dhe saktësi për të përmbushur synimet artistike të saj. Kjo fjalë (Druaj) shpreh gjithashtu dhe ndikimin e kontekstit shoqëror, politik, ose kulturor në mënyrën se si poetja sheh dhe shpreh veten, ku ngurrimi vjen nga jashtë dhe e bën poeten të heshtë apo të kufizojë shprehjen e saj. Unë ju them lexuesve se pikërisht pse është një poete elitare Natasha Lako nuk mund kuptohet me një lexueshmëri të drejtpërdrejtë të fjalëve, ajo mund të admirohet për imazhet, siç admirojmë një kostelacion yjesh dhe, nëpërmjet kuptimshmërisë së këtyre imazheve lexuesi mund të njohë botën e saj poetike.
III-Poezia e Lakos, përmban elemente të modernitetit poetik, por përputhet me rrymën e modernizmit të vonuar në poezi, gjë që është e dukshme me praninë e karakteristikave të kësaj rryme në poezi. Para se të vazhdojmë me elementët që e adresojnë këtë poezi te rryma e modernitetit të vonuar le të sqarojmë se:
Modernizmi i vonuar është rrymë moderniste e një periudhe kohore që vjen pas periudhës së Modernizmit, (fillimi i të cilit shihet në fund të shek. 19 rreth viteve 1890 e cila si një lëvizje letrare fillon të qartësohet rreth viteve 1900- 1910 ) dhe shtrihet nga fundi i viteve 1920 deri në fundin e viteve 1950. Në këtë periudhë ka vijuar shkallëzimi i eksperimentimit të Modernizmit, duke patur një fokus të madh në reflektimin e pasigurisë dhe paqartësisë në një botë që po ndryshonte shumë. Në anën tjetër, Postmodernizmi është një rrymë që fillon rreth viteve 1950 dhe zgjatet në të gjithë shekullin e 20-të, rrymë që ndjek modernizmin dhe ndikohet nga ai, por ka një qasje të veçantë: ai ve në dyshim qëndrimet e mëpa-rëshme, përfshirë autoritetin, strukturën dhe të vërtetën absolute, ka tendencën për të eksperimentuar me forma të ndryshme artistike dhe për të përzier lloje të ndryshme kulture dhe stili. Krahasimisht me Modernizmin e vonuar, Postmode-rnizmi shpesh ka një qasje më radikale ndaj strukturës dhe autoritetit të traditës, duke e bërë atë më të paparashikueshëm dhe më të lirë në shprehje. Megjithatë, në disa raste, poetët e Modernizmit të vonuar dhe poetët e Postmodernizmit kanë ngjashmëri në mënyrën e tyre të trajtimit të temave emocionale e ndjenjave të individit në shoqërinë e tyre të ndryshueshme.
Të kuptohemi një gjë, në kontekstin e gjuhës shqipe,termi "moderniteti i vonuar" ka kuptimshmërinë e një arritjeje ose zhvillimi që ndodh në kohë më vonë sesa duhej të ndodhte dhe ka qasje analogjike me termin “dashuri e vonuar”. Nqse shohim kohën e tij (rreth v.1920 deri në v. 1950) shohim se modernizmi i vonuar kaloi në periudhën e tensionuar të pregatitjes dhe zhvillimit të luftës së dytë botërore, që ndërpreu modernizmin dhe dha i hapi rrugë lindjes së modernizmit të vonuar. Në Shqipëri,vdekja e parakohëshme e Migjenit në nisjen e udhëtimit të tij drejt modernitetit poetik ishte një goditje e madhe për poezinë shqipe. Lufta e dytë botërore dhe sidomos udhëheqja e kësaj lufte nga komunistët ftoi në skenën poetike artin tradicional dhe soc.realizmin ndërsa periudha pas luftës deri në vitet 1990 ishte thjeshtë bunkerizimi i letërsisë dhe arteve në soc. realizëm. Përpjekja për liberalizim në vitet '70 u godit me grusht të hekurt, jo metaforikisht por realisht, poetët kurajozë u burgosën dhe u internuan dhe pushteti ftoi në skenën e poezisë tradicionalitetin në aleancë me soc.realizmin, aleancë që jo vetëm frenoi modernitetin poetik por dhe vetë kujtimin e tij foshnjor të viteve 70 e aratisi, jo në harresë, por në frontin armik të luftës ideologjike. Për këto arsye, moderniteti i vonuar në kontekstin e letërsisë dhe kulturës shqipe përbën një qasje të veçantë, në përshtatje me kushtet dhe kontekstin e vet historik, shoqëror dhe kulturor.
Le të shohim disa element të modernitetit të vonuar të poezisë “Druaj” si:
-Poetja eksperimenton me formën dhe strukturën e modernitetit të vonuar në poezinë "Druaj" , që duket te përdorimi i një strukture të lirë dhe jo-lineare, duke lejuar një lëvizje të lirë të mendimeve dhe ndjenjave. Poetja përdor një stil të avangardës dhe lirikën e ndërthur me imazhe të ngjarjeve të ndryshme për të shkaktuar ndjenja dhe për të komunikuar mesazhin e saj.Psh: "Mbi buzët e gruas do shkruhet gjithnjë e para historia / do çëndet pastaj dhe vetë dashuria / derisa në formën e gezhojës të ketë mbetur / i kuqi i buzëve që do kete shkruar patjetër." ku poetja eksperimenton me strukturën e poezisë, duke përdorur një strukturë të lirë dhe jo-lineare për të shprehur ndjenjat dhe përvojat në një mënyrë të përmbajtur dhe të thellë.
-Poezia përfshin një reflektim mbi identitetin, ndjenjat dhe përjetimet personale. Kjo shfaqet në vargjet që shprehin ankthin, pasigurinë dhe kompleksitetin e jetës njerëzore. Psh: “Njeriu ulet përpara pasqyrës që diçka të paguajë." ku poetja shpreh një reflektim mbi identitetin dhe përjetimet personale, duke shfaqur një ndjenjë të përgjegjësisë dhe dëshirën për korrigjim të gabimeve të mëparshme.
-Poetja përdor metafora dhe simbole për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet në një mënyrë që shpesh është abstrakte, duke i dhënë thellësi dhe kompleksitet poezisë. Psh: “Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur/nata pikon si kandil i shuar."ku, poetja shfrytëzon imazhet e ditës dhe natës për të shprehur ndjenjën paqartësisë dhe pasigurisë. Përdorimi i këtyre imazheve për të shprehur një ndjenjë të ndryshueshme dhe të paparashikueshme të kohës përputhet me karakteristikat emodernizmit të vonuar, ku koha dhe realiteti perceptohen si të fragmentuar dhe të paqarta.
Të mos harrojmë se poezia shfaq një ndjenjë të paqartësisë dhe konfuzionit, e cila është një karakteristikë e Modernizmit të vonuar. Kjo ndjenjë e paqartësisë përjetohet në paraqitjen e përvojave dhe mendimeve të ngjarjeve të ndryshme në jetën e heroinës.
IV-Poezia e Natasha Lakos, si dhe krijimtaria e shkrimtarëve dhe poetëve të tjerë bashkëkohës, mund të shihet si një kontribut i rëndësishëm për të hapur rrugë për një periudhë të re letrare në letërsinë shqipe, një periudhë që mund të quhet si një pararojë e modernizmit në poezi. Natasha Lakos, me poezinë e saj "Druaj" sjell një qasje të re dhe të freskët në letërsinë shqipe, duke eksperimentuar me gjuhën dhe stilin për të shprehur emocione e reflektime shpirtërore, shfrytëzon simbole e metafora për të shprehur përjetimet njerëzore në një mënyrë që ka një ndikim emocional tek lexuesi.
Përveç kësaj, Natasha Lako mund të shikohet si një përfaqësuese e një brezi të ri krijuesisht shqiptarë që po hapin rrugën për një periudhë të re letrare. Ajo shfaq një qasje të gjerë dhe të avancuar ndaj letërsisë dhe kultures moderne, duke shfaqur aftësinë për të eksploruar tema të ndryshme e për të shprehur mendime të thella mbi realitetin dhe jetën njerëzore. Duke iu përgjigjur sfidave të kohës së saj dhe duke shfaqur një qasje të re dhe inovative në poezi, Natasha Lakos (dhe disa poetë të tjerë) ka ndihmuar në krijimin e një bazë për zhvillimin e letërsisë shqiptare moderne. Të kuptohemi, Natasha Lako nuk kopjoi modernitetin europian për tja veshur si kostum poezisë shqipe, ajo me talentin e saj e ngriti poezinë shqipe në nivelin e modernitetit europian, madje duke eksperimentuar dhe në disa rryma të këtij moderniteti. Natasha Lako gjithashtu me përkthimet e saj pruri poezinë moderne europiane në gjuhën shqipe, duke shpërbërë errësirën e soc.-realizmit. Ajo është një ndër pionierët që kanë çuar në krijimin e një peisazhi të ri letrar dhe kanë lënë gjurmë të rëndësishme për brezat e ardhshëm të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë. Ky kontributi i Natasha Lakos dhe poetëve të tjerë ka qenë i rëndësishëm për shkëputjen nga modelet tradicionale të poezisë dhe zhvillimin e një qasje më moderne dhe më të lirë ndaj formës dhe përmbajtjes së poezisë. Duke e parë atë në këtë dritë, poezia e Lakos shërben si pikënisje për një periudhë të re letrare që do karakterizohet nga eksperimentimi i mëtejshëm me forma dhe ide, duke sjellë një freski dhe një frymë të re në letërsinë shqiptare.
Për këtë arsye, mund të thuhet se Natasha Lakos dhe krijimtaria e saj, përfshirë poezinë "Druaj", janë shembuj të një pararoje të modernizmit në letërsinë shqipe. Ajo ka kontribuar në hapjen e rrugës për një lloj të ri të shprehjes letrare dhe në ndërtimin e një peisazhi letrar që shfaq karakteristika të modernizmit dhe të modernitetit të vonuar, duke i dhënë një ndikim të rëndësishëm zhvillimit të letërsisë shqipe dhe ka mbetur një figurë e orientuese në historinë e poezisë shqipe.
Sarandë, fillim prilli 2024
Natasha Lako
D R U A J
Druaj
Të gërryej buzët me laps,
çfarë kam për të fshirë atje
dhe çfarë kam për të shkruar?
Druaj.
Mbi buzët e gruas është shkruar për hetë të parë historia
të çmendet pastaj dashuria.
Druaj.
Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur
nata pikon si kandil i shuar.
Druaj.
Njeriu ulet përpara pasqyrës që diçka të paguajë.
Druaj.
Mbi buzët e gruas do shkruhet gjithnjë e para historia
do çëndet pastaj dhe vetë dashuria
derisa në formën e gezhojës të ketë mbetur
i kuqi i buzëve që do kete shkrusar patjetër.
Mbi buzët e gruas shkruhet dhe shkruaj.
Druaj…
Këmbë dhe duar.Toena, 1998
Comments