top of page

Timo Mërkuri: Lexim artistiko-filozofik i poezisë “Tungjatjeta! Në Sarandë!” të Fatmir Terziut

  • Jun 2
  • 6 min read

Timo Mërkuri: Lexim artistiko-filozofik i poezisë “Tungjatjeta! Në Sarandë!” të Fatmir Terziut


Nga Timo Mërkuri

Shumë qytete i lëmë pas në udhëtime, por k a dhe nga ato qytete që vazhdojnë të qëndrojnë brenda nesh. Saranda e kësaj poezie i përket këtij llojit të dytë. Ajo nuk shfaqet si një emër në hartë, por si një port i brendshëm kujtimesh ku poeti kthen herë pas here barkën e mendimeve të tij. Vitet kanë kaluar mbi qytet si era mbi sipërfaqen e detit: kanë ndryshuar pamje e konture, por nuk kanë mundur të fshijnë gjurmët e asaj kohe që vazhdon të jetojë në kujtesë. Për mua, “Tungjatjeta! Në Sarandë!” nuk është vetëm një poezi për një qytet bregdetar; është një bisedë e vonuar mes njeriut dhe kohës, mes kujtesës dhe jetës që vazhdon rrjedhën e saj. E pse jo, edhe një përshëndetje për miqtë e tij saranditë.

1. Qysh në vargjet e para poeti krijon një marrëdhënie të veçantë mes njeriut dhe natyrës. Deti nuk është thjesht sfond peizazhi. Ai merr pjesë në kujtimin e jetën së kaluar në qytet  dhe bëhet dëshmitar i saj.

“Për një kohë ishim aq pranë detit,

sa dallgët na njihnin me emër”

Në këtë figurë poetike natyra fiton afërsi njerëzore. Dallgët njohin persona, ndërsa pulëbardhat ulen mbi bisedat e dikurshme sikur të ishin roje të heshtura të një miqësie të vjetër. Saranda nuk shfaqet siç është në realitet, por siç jeton në ndërgjegjen e poetit. Ajo është bërë pjesë e botës së tij të brendshme.

Në fakt, kujtimet në këtë poezi nuk vijnë si një rrëfim i rregullt, linear. Ato dalin njëra pas tjetrës si guaska që dallga I ka nxjerrë në breg. Secila ruan brenda vetes një tingull të largët bisede, një copëz drite dhe një frymë jete që ende nuk është shuar.

2. Forca e kësaj poezie qëndron te aftësia për të nxjerrë emocione të mëdha nga detaje të thjeshta:.

“copëza muzike,

copëza vere,

copëza heshtjeje”

Këto vargje mbajnë brenda filozofinë e heshtur të jetës: njeriu nuk e kujton lumturinë përmes ngjarjeve madhështore. Më shpesh ai rikthehet tek ato detaje që dikur i kaloi përciptazi pa u ndalur gjatë mbi to. Një bisedë, një shëtitje, një gotë verë, një mbrëmje buzë detit.

Poeti i mbledh këto kujtime si dikush që ecën në breg dhe mbledh guacka deti. Secila duket e vogël, por kur bashkohen krijojnë mozaikun e një kohe që vazhdon të ndriçojë nga larg.

3. Në poezi heshtja nuk paraqitet si mungesë fjale. Përkundrazi, ajo bëhet  forma më e thellë komunikimi.

“ato heshtje që dikur

na mbanin zgjuar deri vonë”

Ky është nga ata vargje që të ndjekin edhe pasi e ke mbyllur poezinë. Ka çaste në jetën e njeriut kur afërsia nuk ka nevojë për fjalë. Heshtja bëhet një gjuhë më vete dhe në të ruhen emocionet që nuk arrijnë të marrin formë në ligjërim.

Heshtja në poezi është një dritë e butë që vazhdon të qëndrojë ndezur në një shtëpi ku kujtimet nuk janë larguar ende.

 4. Në mesin e poezisë vjen çasti i përballjes me kohën.

Nëpër rrugët ku ecnim mbinë hotele të reja,

ballkone të reja,

emra të rinj mbi dyer pafund”

Këtu koha shfaqet si një ndërtues i heshtur. Ajo ngre ndërtesa të reja, ndryshon pamje dhe fshin gjurmë të vjetra. Qyteti që poeti mban në kujtesë nuk është më plotësisht ai që sheh para syve.

Por përballë këtij ndryshimi qëndron një element i pandryshuar:

por deti mbeti po ai,

si një mik i vjetër që nuk harron askënd.”

Deti bëhet simbol i vazhdimësisë. Ai është rojtar i kujtimeve, një dëshmitar besnik që nuk e humb kujtesën e vet. Ndërsa qyteti ndryshon fytyrë, deti vazhdon të ruajë në valët e tij zërat, hapat dhe ëndrrat e dikurshme.

5. Malli përshkon të gjithë poezinë, por ai nuk ka ton vajtues. Është një mall i qetë, i pjekur dhe njerëzor.

“me kë i ndan ti tani

ato perëndime të arta?”

Kjo pyetje nuk kërkon përgjigje. Ajo është vetë shprehja e mungesës. Në të dëgjohet zëri i njeriut që e di se koha nuk kthehet pas, por që vazhdon të ruajë me dashuri atë që ka jetuar.

Kështu malli nuk paraqitet si plagë, ai bëhet dëshmi e faktit se disa përvoja vazhdojnë të jetojnë brenda nesh edhe kur kanë mbetur larg në kohë. Dhe këtë fakt Fatmir Terziu e ka treguar  realisht: albumi I tij poetik kushtuar Sarandës, njerëzve  dhe ambientit të saj, po ti mbl;edhë në nje libër, ju siguroj se do dalë një libër voluminoz dhe i këndshëm në të lexuar. Sidomos për ne sarandiotët. Kam përshtypjen se kjo poezi ka lindur nga një mall i mbartur gjatë, jo nga një emocion i çastit. E ndjej në vargjet e tij këtë.

6. Kulmi emocional i poezisë vjen kur poeti refuzon të ndahet nga qyteti i kujtesës.

“Por jo,

nuk dua të them lamtumirë.”

Pas kësaj vjen përshëndetja e trefishtë:

“Tungjatjeta!

Tungjatjeta!

Tungjatjeta, Sarandë!”

Përsëritje që ka forcën e një ritmi zemre. Nuk është një përshëndetje e zakonshme. Është një mënyrë për t'i thënë kujtesës se vazhdon të jetojë. Në vend të fjalës që mbyll, poeti zgjedh fjalën që hap. Në vend të largimit zgjedh vazhdimësinë.

7. Por doja të ndalesha dhe te një aspect më vete i kësaj poezie, e cila nga pikëpamja estetike, afrohet me atë linjë të poezisë moderne që e ndërton realitetin përmes kujtesës dhe përjetimit subjektiv. Nuk kemi përshkrimin objektiv të një qyteti, por rindërtimin emocional të tij.Saranda nuk paraqitet si hapësirë gjeografike, por si një vendbanim i shpirtit, për shkak të kujtimeve të shumta që I ka lënë poetit.. Bota e jashtme dhe ajo e brendshme shkrihen vazhdimisht me njëra-tjetrën. Dallgët njohin emra, pulëbardhat dëgjojnë biseda, deti nuk harron askënd. Kjo e afron poezinë me modernizmin lirik, ku realiteti filtrohet përmes vetëdijes së poetit.

Një tipar modernist është ndërtimi përmes fragmenteve. Kujtesa nuk ecën si një lumë i drejtë, ajo lëviz si dallgët e Jonit, duke ardhur dhe duke u tërhequr, duke sjellë herë një akullore që shkrihet më shpejt se koha, herë një stol pranë limanit, herë një anije që largohet me barrën e fjalëve të pathëna. Këto fragmente nuk janë rastësore; ato përbëjnë mozaikun e një bote të humbur që vazhdon të jetojë në kujtesë.

Por poezia nuk rrëshqet në hermetizëm.  Ajo ruan komunikimin e drejtpërdrejtë me lexuesin dhe ngrohtësinë e rrëfimit lirik. Për mua, poezia qëndron më pranë modernizmit lirik të kujtesës, me disa nuanca të ndjeshmërisë postmoderne, ku përvoja personale dhe identiteti emocional bëhen qendra e ligjërimit poetik.

Në këtë poezi Saranda nuk mbetet thjesht një qytet. Ajo bëhet një dritare e hapur në shtëpinë e kujtesës. Sa herë që poeti e hap atë dritare, hyjnë aroma e kripës, zëri i dallgëve dhe drita e perëndimeve të dikurshme dhe zëri I miqve të tij që e thërrasin të dalë me ta në një shëtitje mesnate. Kjo është arsyeja pse fjala “Tungjatjeta” tingëllon më shumë se një përshëndetje. Ajo ngjan me takimin e dy miqve të vjetër që koha i ka larguar për një kohë të gjatë, por nuk ka mundur kurrë t'i ndajë.

Sarandë, qershor 2026

Tungjatjeta! Në Sarandë!


Nga Fatmir Terziu


Për një kohë ishim aq pranë detit,

sa dallgët na njihnin me emër

dhe pulëbardhat uleshin mbi bisedat tona

si mbi shtylla të vjetra drite.

Për një kohë

rrinim në të njëjtin perëndim,

tek shkallët që zbresin drejt Jonit,

dhe kripa në flokët e tu dukej më e rëndësishme

se të gjitha hartat e botës.


Në mbrëmje

qyteti ndizte dritat një nga një,

si të numëronte yjet e humbur,

dhe ne kalonim duke mbajtur në xhepa

copëza muzike,

copëza vere,

copëza heshtjeje.

Më kujtohet një akullore që shkrihej më shpejt se koha,

një stol i zbrazët pranë limanit,

një anije që largohej ngadalë

duke marrë me vete

atë që nuk dinim ta thoshim.


Për një kohë

Saranda ishte aq e vogël

sa mund ta përshkonim me një buzëqeshje,

dhe aq e madhe

sa nuk i gjenim fundin ëndrrave.

Pastaj vitet kaluan.

Nëpër rrugët ku ecnim mbinë hotele të reja,

ballkone të reja,

emra të rinj mbi dyer pafund,

por deti mbeti po ai,

si një mik i vjetër që nuk harron askënd.


Tani,

kur mbrëmja zbret mbi gjirin blu

dhe dritat e Korfuzit dridhen larg,

pyes veten me kë i ndan ti tani

ato perëndime të arta,

ato heshtje që dikur

na mbanin zgjuar deri vonë?


Por jo,

nuk dua të them lamtumirë.


Tungjatjeta!

Tungjatjeta!

Tungjatjeta, Sarandë!


Sepse disa qytete

nuk ikin kurrë nga ne.

Ato mbeten

si një guaskë në faqe libri,

si një fotografi pa datë,

si aroma e detit në një pallto dimri.


Dhe sa herë që zemra lodhet,

hap dritaren e kujtesës

dhe dëgjoj përsëri dallgët.


Ato më thërrasin nga larg!

“Tungjatjeta!” Or burrë!

Sikur të mos ishim ndarë kurrë.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page