F L I J I M I I B R I R Ë V E
Nga Timo Mërkuri
Poezia "Bariu i mirë" e Sadik Bejkos është një krijim modernist, që trajton një temë të veçantë, të cilën nuk e hasim në poezinë shqipe, pafuqinë e prijësve për të përmbushur misionin dhe sakrificën e tyre të pashmangshme. Poeti përmes simboleve të botës blegtorale si dashi, bariu dhe kopeja, shpreh shqetësime universale mbi udhëheqjen, përgjegjësinë dhe sakrificën, duke përdorur një qasje ekzistencialiste dhe filozofike. Ky tekst ndërthur elemente tradicionale me qasje moderniste, ku nëpërmjet simboleve të jetës blegtorale shtjellon probleme filozofike dhe sociale. Përmes një gjuhe simbolike dhe metaforike, poeti ndërton një rrëfim me ngjyrime tragjike, ku tradita bëhet mjet për të shqyrtuar krizën e modernitetit dhe udhëheqjes në shoqërinë njerëzore.
I- Le ta strukturojmë analizën ideo-artistike të saj në nivelet e: simbolika, toni, dhe mesazhi filozofik.
1. Në poezinë "Bariu i mirë" të Bejkos, dashi merr rolin e narratorit dhe përfaqëson një figurë simbolike që i kalon kufijtë e botës blegtorale. Ai nuk është thjesht një kafshë, por një lider, prijës apo kryefamiljar, që reflekton mbi rolin dhe përgjegjësinë e tij. Përmes rrëfimit në vetën e parë, dashi shpreh dhimbjen, vuajtjen dhe pafuqinë e tij për të mbrojtur kopenë nga rreziqet, duke u bërë kështu një zë filozofik që përfaqëson krizën e lidershipit dhe sakrificën.Poezia nis me një kujtim nga e kaluara, ku subjekti lirik shprehet se: “Mendoj se dash kam qenë, dikur /leshtor, pamjebutë e brifortë/Kështu them dhe besoj se/disi ndryshe prapë do të jem në botë” por tani është plakur dhe përballet me fatin e tij , ide që lidhet me konceptet e reinkarnimit, arketipeve mitike ose projeksioneve simbolike të vetes. Nga një perspektivë psikoanalitike, kjo shihet si një manifestim i dëshirës për të rifituar forcën dhe kontrollin, ose si metaforë për faza të ndryshme të jetës së njeriut, ku "dashi i fortë" përfaqëson një fazë të rinisë ose të fuqisë. Në letërsi, kjo interpretohet si një lidhje me arketipin e heroit luftëtar, që i referohet koncepteve mitike të fuqisë fizike dhe shpirtërore, ku heroi e sheh të kaluarën e tij në formë të idealizuar. Përmes figures së dashit, poeti pasqyron një përvojë të hidhur ku dashi ka drejtuar për një kohë të gjatë nën barinj të këqij,(profetë të rremë) të cilët kanë shpënë tufën në humnera dhe rreziqe. Kjo simbolikë mbart kuptime të thella të lidhura me sakrificën, përballjen me vështirësitë dhe autoritetin që bie mbi supet e një lideri. Ndërsa dashi është figurë e njohur në jetën blegtorale, në këtë poezi ai simbolizon një prijës që shpreson për ardhjen e një bariu të mirë, një figurë shpëtimtare që do ta çlirojë nga vuajtjet dhe përgjegjësitë e pafundme.
b.Në poezinë e Bejkos, ku dashi simbolizon kryefamiljarin, prijësin apo pushtetarin,figura e bariut ka një kuptim të thellë: ajo përfaqëson një forcë të lartë, shpirtërore ose morale, që udhëzon dhe shpëton. Bariu në këtë poezi mund të përfaqësojë disa role të mundshme: përfaqëson Zotin ose një fuqi hyjnore. Në traditën kristiane, Zoti përshkruhet si një bari, që kujdeset dhe udhëheq popullin e tij. Në Psaltin 23:1 thuhet: "Zoti është bariu im; nuk do të kem mungesë.", dhe tre 23.2 vijon: “Ai më shtrin në lëndina të blerta, më çon pranë ujrave të qeta” duke shprehur idenë se Zoti, si bari i mirë, siguron mbrojtje dhe kujdes për besimtarin. Në poezinë e Bejkos “bariu i mire” mund të jetë simbol i shpresës për shpëtim, figurë që vjen për të çliruar “dashin” nga vuajtjet e tij, ku djegia e brirëve në zjarrin e shenjtë mund të shihet si një rit shenjtërimi ose pastrimi shpirtëror. Ndaj them se ariu mund të përfaqësojë edhe një “udhëheqës shpirtëror”, një figurë morale ose drejtues që është më i lartë se prijësi.
c.Kopeja dhe qengjat përfaqësojnë masat e gjera, familjarët, pasuesit, që ndjekin prijësin të bindur në drejtësinë dhe aftësinë e tij ose populli. Kjo është një qasje klasike e botës blegtorale, ku qengjat, si dhe dhentë ndjekin njëri-tjetrin pa vetëdije dhe dashi ka për “detyrë” tu prijë në shtigje të sigurta, ndërsa bariu ka detyrë t'i mbrojë dhe drejtojë në mënyrë të përgjegjshme.
II- Këto figura nga bota blegtorale kanë një simbolikë në poezi të cilën Bejko e përdor për të krijuar një paralele midis botës rurale dhe shoqërisë njerëzore të njeriut. Në këtë rast, bota blegtorale bëhet metaforë për marrëdhëniet shoqërore, ku kryefamiljarët, udhëheqësit, prijësit dhe të udhëhequrit prej tyre lidhen në një cikël të përpjekjesh dhe sakrificash për mbijetesë apo përparim.
1. Në këtë kontekst, veprimet si “sakrifikimi i qengjave” janë pjesë e jetës blegtorale, por në poezi marrin një kuptim më të thellë moral dhe shpirtëror. Për shembull, sakrifikimi i qengjave për Pashkë tregon për përpjekjet që prijësit bëjnë për të mbrojtur pasuesit e tyre dhe për procesin e “pastrimit dhe transformimit shpirtëror” që ata kalojnë.
2.Në poezi Bejko përdor botën blegtorale për të krijuar “një urë midis jetës tokësore dhe sferave shpirtërore”.Nëpërmjet figurave blegtorale, ai eksploron tema universale të drejtësisë, sakrificës dhe shpëtimit shpirtëror. Jeta blegtorale bëhet metaforë për çështje të mëdha të pushtetit, udhëheqjes, drejtimit dhe përgjegjësisë, duke e lartësuar përvojën e përditshme në nivel poetik dhe filozofik.
III-Sigurisht që lind pyetja: pse Sadik Bejko u mor me temën e prijësit dhe përgjegjësisë, një temë e që ska tërhequr vemëndjen e poetëve më parë? Gjatë analizës së poezisë na lindi mendimi se poeti u muarr me këtë temë për të shtjelluar një problematikë komplekse dhe universale, që ka të bëjë me rolin e liderit dhe sakrificën e tij për të mirën e të tjerëve, sepse poeti gjithmon duhet të thotë diçka të re ose në një formë të re. Bejko në poezi I plotëson të dy këto kritere,ai sjell një përmbajtje të re në peizazhin e poezisë shqipe, ku fokusohet në një figurë simbolike (dashi, prijësi), si dhe përdor elemente tradicionale të jetës blegtorale për të trajtuar tema filozofike dhe ekzistencialiste.
Fakti që Bejko sjell diçka të re në poezi duket për disa arsye: 1.Duke vendosur në qendër të poezisë një prijës (dashi) që reflekton mbi rolin dhe sakrificat e tij, Bejko prek çështje si pafuqia, fati, vuajtja dhe përgjegjësia, duke e lidhur poezinë me filozofinë ekzistenciale. Kjo e bën poezinë të thellë dhe reflektuese, hap dialog mbi sfidat e liderit dhe absurditetin e detyrës së tij përballë botës. 2. Bejko merr figura tradicionale të jetës rurale ,dashi, bariu, kopeja dhe i përdor ato për të shtjelluar probleme bashkëkohore. Ai i përçon këto simbole në kontekst të gjerë, duke krijuar lidhje midis traditës dhe modernitetit Kjo përzierje e temave tradicionale me ekzistencializmin modern i jep poezisë një veçantësi. 3.Në poezinë shqipe, qasja në rolin e prijësit gjithmon ka qenë heroike. Bejko, nga ana e tij, shfaq prijësin si një figurë që ndjen pafuqinë e tij për të ndaluar fatin tragjik të ndjekësve. Kjo përmbysje e pritshmërive heroike sjell veç një forme të re edhe një ton kritik dhe reflektues, që ndihmon në zgjerimin e perspektivave poetike
IV-Në poezinë e Bejkos, mesazhi poetik ndërlidhet me kritikën sociale dhe filozofinë e udhëheqjes, pse trajtuar temën e sakrificës, bindjen e ndjekësve dhe përgjegjësisë së liderëve, tema që janë shprehur përmes simbolikës së dashit, bariut dhe kopesë.
Mesazhi kryesor qëndron në vuajtjen e prijësit (dashit) dhe sakrificën e tij për kopenë (popullin), duke nënvizuar pamundësinë e tij për të mbrojtur ndjekësit e tij nga dështimet e rreziqet që vijnë prej udhëheqjes së keqe apo verbërisë kolektive. Dashi (prijësi) përjeton dhimbjen për fatin e kopesë, ndërkohë që ajo ndjek rrugën drejt sakrifikimit. Vargje si: "Ç’t’i bësh? Qengjat vit për vit / m’i çonin drejt e në thikë." shfaqin ciklin e përhershëm të sakrificës të të pafajshmëve dhe pamundësinë e drejtuesit (kryefamiljari, prijësi) për ti shpëtuar. Nga ana tjetër vargjet: "Do vijë bariu im i mirë /do t’i ndezë, do t’i djegë brirët e mi / në zjarr të lashtë e të shenjtë." shprehin idejnë e një shëlbimi shpirtëror, ku bariu i mirë (figura e shpëtimtarit) do çlirojë prijësin nga barra e rëndë e udhëheqjes së pa-frytshme dhe do ti sjellë atij një përtejësi parajsore, sigurisht krahas shpëtimit të kopesë.
V-Ndjenja që zotëron në poezinë e Bejkos është vuajtja dhe pafuqia, e shoqëruar në fund me shpresën për shpëtim nga “bariu i mirë” (Zoti apo rilindje shpirtërore). Kjo ndjenjë e përzier mes dhimbjes e shpresës përcillet përmes simbolikës së dashit dhe bariut të mirë, duke u thelluar në imazhe të sakrificës dhe shfrytëzimit, por që më vonë marrin një kuptim të shenjtë e të ngushëllueshëm.
1.Në pjesën e parë të poezisë, ndjenja e pafuqisë dominon. Heroi lirik përshkruan dhimbjen e tij (si dash), duke përdorur imazhe të forta që tregojnë vuajtje të thellë. Kjo duket në vargjet:"Ç’të bëja? Kopenë ma shpinin/drejt në gryka ujku a buzë humnere", ku dashi shpall “dorëzimin e tij të plotë” përballë fatit. Ai është i detyruar ti udhëheqë delet nëpër rrezik, por është i pafuqishëm për të ndryshuar këtë rrugë të rrezikëshme që të çon në katastrofë.
2.Befas, ndjenja e shpresës fillon të shpërfaqet përmes figurës së “bariut të mire”, i cili sjell çlirim dhe rilindje. Kjo shpresë është e lidhur me një ndërhyrje të jashtme,madhore, që do të ndreqë padrejtësitë dhe do e çlirojë dashin nga dhimbja e tij:“Por do të vijë bariu im,/ në
faltore të madhe brirët e mi /do t’i varë lart, lart tek i latuari mur". Këto vargje shprehin një ngritje shpirtërore dhe një shpresë për një të ardhme më të mirë, ku ai do shpërbl;ehet nëpërmjet shënjtërimit të brirëve.
VI-Duke qenë poezi me elemente blegtorale, themi se dhe përdorimi i figurave nga bota blegtorale në poezinë e Bejkos është dukuri që pasqyron tradicionalitetin si bazë themelore për krijimin e një poezie me qasje moderniste, është një ndërthurje midis traditës dhe modernizmit, tipar themelor i poezisë moderniste. Këtu duhet të specifikojmë se elementët tradicionalë në poezinë e Bejkos janë elemente themelorë, elemente bazë mbi të cilët ngrihet poezia moderniste, ndryshe nga shumë poetë, që elementët tradicionalë i përdorin si sfond poetik në poezinë moderniste.
1.Poezia bazohet në figura nga bota blegtorale,si dashi, bariu, qengjat dhe kopeja, që janë thelbësore për jetën rurale dhe tradicionale shqiptare.Këto elemente me rrënjë në kulturën popullore, i japin poezisë ndjesi të fortë autenticiteti dhe zakonshmërie. Kështu:
a.Figura tradicionale që lidhet me forcën, lidershipin dhe sakrificën në poezi është dashi, por dashi është element blegtoral i njohur në shoqërinë tradicionale, madje është element aktiv edhe në këngët popullore, rrëfimet, vajtimet e përrallat.
b.Bariu është figurë arketipale në jetën blegtorale dhe përfaqëson pronarin, kujdestarin, rruajtjësin, udhëheqësin. Në poezi ai transformohet në simbol të lartë shpirtëror, hyjnor duke ruajtur ndërkohë lidhjen me mjeshtërinë e jetës dhe traditës blegtorale.
2. Duke përdorur këtë strukturë tradicionale, Bejko krijon një poezi që ndërlidh traditën me ide të reja moderniste, element i modernizmit: shfrytëzimi i traditës si pikë nisjeje për krijimin e diçkaje të re dhe për të trajtuar dilema dhe probleme universale.
a.Ndërsa figurat janë të rrënjosura në kontekst tradicional, veprimet dhe simbolikat e tyre shkojnë më tutje jetës rurale. Dashi dhe bariu nuk janë më vetëm figura blegtorale; ata bëhen “simbole të mëdha” të sakrificës, shpëtimit dhe transformimit shpirtëror. Kjo është karakteristike për poezinë moderniste, që përdor elemente të njohura për të eksploruar “kuptime të reja dhe abstrakte”.
b.Poezia sjell tension midis botës tradicionale dhe botës moderne, ku poetët përballen me ndryshime sociale dhe identiteti. Në këtë poezi, traditat e blegtorisë dhe udhëheqjes së tufës përzihen me kërkimin për “shpëtim moral dhe shpirtëror”, duke i dhënë një kuptim të ri modern botës tradicionale.
3. Poezia moderniste shpesh i referohet traditave për të krijuar një kontrast me realitetet e reja. Tek "Bariu i mirë," përdorimi i figurave blegtorale krijon një diskurs midis botës rurale dhe marrëdhënieve shoqërore e shpirtërore që shkojnë përtej saj. Përmes këtij kontrasti, poeti përdor strukturën e njohur të traditës për të ndriçuar problemet e thella të moderni-tetit, si: a.Lufta për drejtësi dhe udhëheqje të përgjegjshme, b.Sakrificat e kryefamiljarëve dhe prijësve,c.Përpjekja për shpëtim shpirtëror. Në këtë mënyrë, poezia ndërthur jetën rurale me simbolikën moderniste, duke krijuar dialog midis të kaluarës dhe të tashmes, traditës dhe modernitetit.
VII-U shprehëm se elementet tradicionale në poezinë e Bejkos përdoren për të krijuar poezi moderniste, duke mbartur simbolika dhe kuptime të thella. Thamë gjithashtu se figurat si dashi, bariu, dhe kopeja nuk janë thjesht përshkrime të botës rurale, por kanë një funksion simbolik dhe stilistik, shërbejnë për të ndërtuar kuptimin modernist të poezisë. Këto elemente mund të kategorizohen si:
1.Simbole poetike: pse figurativisht, dashi, bariu, dhe kopeja simbolizojnë ide më të gjera si udhëheqja, sakrifica, dhe ndjekja verbale e masave. Ata janë më shumë se elemente konkrete të blegtorisë; ato janë mjete për të krijuar domethënie universal. Psh te vargjet: “Mendoj se dash kam qenë, dikur / leshtor, pamjebutë e brifortë" dashi nuk është thjeshtë një kafshë, por përfaqëson prijësin, individin që drejton, mban përgjegjësinë dhe vuan për masën, apo te vargjet:” "Do vijë bariu im i mirë, /do t’i ndezë, do t’i djegë brirët e mi.", ku bariu, në kuptimin e tij, përfaqëson udhëheqësin shpirtëror, duke pasur ngjashmëri me figura hyjnore apo shpirtërore (ndërlidhur me konceptin biblik të bariut si kujdestar i popullit).
2. Elementet blegtorale përdoren për të krijuar metafora që shkojnë përtej botës tokësore, duke thelluar e zgjeruar kuptimin e poezisë. Psh te vargjet: "Qengjat vit për vit /m’i çonin drejt e në thikë" qengjat simbolizojnë popullin që vuan, që sakrifikohet pa e kuptuar se pse. Po ashtu te vargjet: “me viza gjaku rrëzë brirëve, /shkumuar buzët, ka rënë" brirët dhe gjaku shërbejnë si metafora për sakrificën, ndërsa plagët janë simbolika të dhimbjes e sfidave që përballon.
3.Këta elemente (blegtorale) përdoren si figura letrare, përmes të cilave poeti zhvillon imazhe poetike, që krijojnë atmosferë tradicionale, por njëkohësisht evokojnë kuptime që lidhen me jetën sociale dhe ndërgjegjen shpirtërore. Psh: te vargjet: "Kopenë ma shpinin, /drejt në gryka ujku a buzë humnere" kopeja është personifikuar si grup që ndjek verbërisht dikë, duke i dhënë kuptim njerëzor e përfaqësuar popullin që ndjek liderët pa e kuptuar rrezikun(është e njohur shprehja : populli është kope delesh). Ose te vargjet: "ma kanë qethur bashkën me gjithë lëkurë / e drejt mishit tim ndërsenin qentë." hiperbola e vuajtjes dhe sakrificës zmadhohet qëllimisht për të theksuar abuzimin ndaj individit (dashi) dhe për të shprehur ndjenjat e poetit për padrejtësinë dhe shfrytëzimin.
Pra, në thelb, shihet se simbolet poetike, metaforat e figurat letrare me origjinë botën blegtorale shfrytëzohen nga Bejko për të ndërtuar poezi moderniste, ku tradita shërben si bazë për të eksploruar problemet dhe dilemat shpirtërore, udhëheqjen, dhe sakrificën në shoqërinë njerëzore. Dhe duhet të pranojmë se Bejko është mjeshtër i shfrytëzimit të elementeve blegtoralë për krijimin e poezisë moderne, gjë që e kemi parë në disa raste.
VIII-Poezia "Bariu i mirë" e Sadik Bejkos përmban elemente universale që lidhen me përvojat e përjetshme të njerëzimit, duke tejkaluar kontekstin specifik blegtoral. Këto elemente të përbashkëta përfshijnë:
1.Tema e vuajtjes dhe sakrificës është një përvojë universale. Në poezi, subjekti lirik (dashi) paraqet ciklin e vuajtjes, ku është i detyruar të sakrifikohet vetë dhe të shohë sakrifikimin e qengjave. Kjo përvojë padrejtësie dhe shfrytëzimi lidhet me përvojat njerëzore në të gjitha kulturat dhe epokat, ku njerëzit ndihen të pafuqishëm përballë vuajtjeve që jeta sjell. Vargu: “Qengjat vit për vit m’i çonin drejt e në thikë" simbolizon padrejtësinë dhe pafuqinë për të ndryshuar fatin, një ndjenjë që ka prekur individët përgjatë historisë njerëzore.
2.Elementi i shpresës për shpëtim dhe transformimit shpirtëror është koncept universal. Në poezi, ardhja e bariut, si “ardhja e Krishtit” për të krishterët simbolizon çlirimin nga dhimbja dhe vuajtja, një akt që shpreh dëshirën njerëzore për ndërhyrje hyjnore për t’i çliruar nga vuajtjet dhe të sjellë drejtësi. Kjo duket te vargu: "Do vijë bariu im i mire/ do t’i ndezë, do t’i djegë brirët e mi/ në zjarr të lashtë e të shenjtë." Ku akti i djegies në zjarr të shenjtë përfaqëson “katarsisin”, një akt universal i pastrimit shpirtëror që njihet në shumë tradita kulturore dhe fetare.
3. Një tjetër element universal është: “cikli i padrejtësive” (që duket i pashmangshëm), dhe kërkimi për drejtësi. Poezia shfaq një situatë ku dashi dhe delet përsëritin të njëjtin fat vit pas viti, duke u sakrifikuar në një cikël të pamëshirshëm. Por, dashi pret për një moment çlirimi, gjë që shprehet te vargjet: "Të mos më verbohem kurrë më kopetë/ të mos m’i presin më qengjat e dhentë", varg që përmbledh shpresën universale për t'u çliruar nga ciklet e dhimbjes dhe padrejtësisë, që kanë prekur njerëzit në çdo kohë.
4.Figura e “bariut të mire” është universale, pse përfaqëson një figurë shpëtimtare, qoftë ajo hyjnore (Krishti), morale apo udhëheqëse. Në shumë kultura e tradita fetare, ekziston gjithmon një figurë që shfaqet për të ndihmuar ata që janë në vështirësi e për të sjellë çlirim. Bariu i mirë simbolizon drejtësinë e ardhshme, që do të vendoset për të ndrequr padrejtësitë e së kaluarës.
IX-Pas një udhëtimi analizues arijmë në përfundimin se poezi “Bariu i mirë” i Bejkos ka tipare të forta filozofike dhe ekzistencialiste, pasi trajton çështje që lidhen me qenien, përgjegjësinë, sakrificën dhe vuajtjen, që janë tema që qëndrojnë në thelbin e filozofisë ekzistencialiste, e cila fokusohet te vetmia, përballja me absurditetin e jetës dhe përgjegjë-sia e individit për fatin e vet dhe të të tjerëve.Në vargun:"Mendoj se dash kam qenë, dikur," dashi, si subjekt që reflekton mbi të kaluarën e vet, shpreh një vetëdije ekzistenciale për qenien e tij, duke u përballur me “kuptimin e ekzistencës” dhe pozicionin e tij në raport me të tjerët (kopetë). Këtu fillon të shihet elementi filozofik i “vetëreflektimit. Vargjet e mëvonshme:"Po ç’të bëja? Kopenë ma shpinin, /drejt në gryka ujku a buzë humnere/..." shfaqin një situatë të pashmangshme, ku prijësi është i pafuqishëm për të ndaluar fatin tragjik të pasuesve. Këtu reflektohet koncepti ekzistencialist i absurditetit, ku pavarësisht përpjekjeve, njeriu shpesh është i zhytur në situata të pa kontrollueshme prej tij. Kjo shpallje e pafuqisë është një temë qendrore në filozofinë ekzistenciale. Ndërsa te vargjet: "Do vijë bariu im i mirë,/.. "shpreh dëshirën për shpëtim përmes shenjtërimit, një element që përfshin një përpjekje për të kapërcyer absurditetin e ekzistencës përmes sakrificës dhe pastrimit, e cila i afrohet idesë ekzistencialiste të kërkimit të kuptimit të jetës permes vetë sakrifikimit. Kjo i jep poezisë ngjyrim filozofik ekzistencialist, ku ballafaqohet ndjenja e absurdit me dëshirën për transcendence. Kjo jo vetëm në teori, historia është plot shembuj abdikimi, vetëdorzimi, dorëheqje etj. madje pa pretenduar shenjtërim a shpërblim, vetëm që të shpëtohen pasuesit e pasardhësit.
X-Melodiciteti i poezisë së Bejkos është i ndërtuar me kombinim elementësh si rima, ritmi , përdorimi i zanoreve dhe ndërtimi i vargut, që kontribuojnë në krijimin e një fluksi të veçantë melodik të poezisë. Sigurisht që ky melodicitet, ndërsa ndikohet nga elementet blegtoralë, ndryshon në varësi të intensitetit emocional të poezisë, duke krijuar një efekt ritmik dhe tingullor që pasqyron gjendjen e subjektit lirik.
1.Rima në këtë poezi është jo e rregullt dhe ndonjëherë e lirë, por aty ku ajo shfaqet, krijon një lidhje tingëllore mes vargjeve, që ndihmon lexuesin të ndjekë strukturën dhe të ndjejë ritmin e brendshëm të poezisë. Poezia nuk ndjek një strukturë me rima të rregullta, gjë që është e zakonshme në poezinë moderniste, që synon të jetë e lirshme dhe e natyrshme në rrjedhën e vargjeve. Në disa vargje, rima, mund të themi se përshtatet lirshëm, duke ndihmuar që lexuesi të fokusohet më shumë te përmbajtja emocionale sesa te struktura teknike. Psh. frazat:“...brifortë” dhe “...në botë”,“...buzë humnere” dhe “... njëra-tjetre”. Të kuptojmë se ndërsa ritmi i poezisë është i lirë, është njëkohësisht i ndërtuar në bazë të një ritmi të brendshëm, i cili ndjek emocionet e subjektit lirik. Strofa e parë ka një ritëm më të ngadaltë e të qetë, që përçon ndjenjën e reflektimit dhe kujtesës, ndërsa strofat e mëpasme bëhen të tensionuara dhe të vrullshme, për të pasqyruar vuajtjen dhe sakrificën.
2.Zanoret sigurisht që kanë një ndikim të madh në krijimin e melodicitetit të poezisë, ku përdorimi i zanoreve të hapura dhe të mbyllura krijon kontraste tingëllore që ndikojnë në emocionet e vargjeve. Psh.: në vargjet: “leshtor, pamjebutë e brifortë”, përdorimi i zanoreve të plota “e” dhe “o” krijon një tingull të fortë dhe të rrumbullakët, që përçon ndjesinë e qetësisë dhe qëndrueshmërisë. Në vargun: “shkumuar buzët, ka rënë mbi lëkurën e vet”, tingujt më të zbutur të “u” dhe “ë” ndihmojnë në krijimin e një ndjesie melankolike. Në strofat që pasojnë, përdorimi i zanoreve të hapura, si “a” dhe “o”, krijon ndjenjë tensionimi dhe pafuqie, gjë që duket te vargu: “Qengjat vit për vit m’i çonin drejt e në thikë”, ku zanorja “a” përsëritet, duke krijuar një ndjenjë të hidhur që reflekton dhimbjen e sakrificës.
3.Melodiciteti ndryshon nga strofa në strofë në bazë të emocioneve që transmetohen. Strofa e parë është e qetë dhe reflektuese, pse përdor fraza të shkurtra dhe një ritëm të ngadaltë për të shprehur përvojën e kaluar. Ky qetësim melodik pasqyron një ndjenjë të largët dhe disi të vagëlluar të të kaluarës.
Në strofat e mesme, intensiteti melodik rritet dhe ritmi bëhet i ndërprerë dhe tensionuar, pse reflekton vuajtjen dhe krizën ekzistenciale të subjektit lirik. Psh, strofa e tretë dhe e katërt kanë ritëm më të vrullshëm, të krijuar përmes frazave të gjata që ndalohen befas, duke përçuar ndjenjën e shfrenimit emocional: “Ç’të bëja? Kopenë ma shpinin, drejt në gryka ujku a buzë humnere” këtu frazat e ndara dhe ndërprerjet rritin tensionin melodik, duke reflektuar një ndjenjë pafuqie dhe dëshpërimi.
Në strofat e fundit, melodiciteti kthehet në ton të qetë, por më solemn, si të shenjtë, duke pasqyruar shpresën dhe shpëtimin. Përdorimi i vargjeve të gjata dhe i frazave të lirëshme përçojnë një ndjenjën rilindjeje dhe transcendence:” Do vijë bariu im i mirë, do t’i ndezë, do t’i djegë brirët e mi në zjarr të lashtë e të shenjtë”, këtu frazat janë më të plota dhe rrjedhin pa ndërprerje, duke krijuar një melodicitet të butë dhe të lartë që reflekton pritjen për shpëtim.
Në përfundim themi se poezia "Bariu i mirë" e Sadik Bejkos shquhet për ndjeshmërinë dhe thellësinë me të cilën trajton tema të rëndësishme njerëzore. Ajo veçohet për përdorimin mjeshtëror të simboleve dhe figurave që e ngrenë poezinë mbi nivelin e thjeshtë rrëfimtar, duke i dhënë asaj një dimension universal. Kjo poezi reflekton aftësinë e Bejkos për të gërshetuar traditën me modernitetin, duke krijuar një vepër me vlera të qëndrueshme artistike. Bejko mbetet një poet që, përmes gjuhës së tij të pasur dhe të stilizuar, arrin të preki aspekte të thella të ekzistencës njerëzore dhe shpirtërore, duke e bërë poezinë e tij të veçantë në letrat shqipe.
Sarandë, më shtator 2024
BARIU I MIRE
Mendoj se dash kam qenë, dikur,
leshtor, pamjebutë e brifortë.
Kështu them dhe besoj se
disi ndryshe prapë do të jem në botë.
Dash, që kur i hanin brirët,
u binte kodrave me kokë,
tundte dhe lëkundte dhenë
dhe me viza gjaku rrëzë brirëve,
shkumuar buzët, ka rënë
mbi lëkurën e vet, i plasaritur thellë.
Po ç’të bëja? Kopenë ma shpinin,
drejt në gryka ujku a buzë humnere
e delet në verbëri… litar binin
në bisht të njëra-tjetre.
Ç’t’i bësh? Qengjat vit për vit
m’i çonin drejt e në thikë.
Për turp, dy - tri herë,
pasi m’i kanë çarë dhentë,
ma kanë qethur bashkën me gjithë lëkurë
e drejt mishit tim ndërsenin qentë.
Por do të vijë bariu im,
në faltore të madhe brirët e mi
do t’i varë lart, lart tek i latuari mur
e do t’i përul, do t’i përfal para erës së pyjeve,
para hënave, ujvarave si dikur.
Do vijë bariu im i mirë,
do t’i ndezë, do t’i djegë brirët e mi
në zjarr të lashtë e të shenjtë:
të mos më verbohem kurrë më kopetë,
të mos m’i presin më qengjat e dhentë.
Nga libri "Psalm për atin"
Comentarios