top of page

Timo Mërkuri: FJETJA QË MBIN NË MIT


Ilirian Zhupa dhe realizmi magjik në poezinë shqipe


Nga Timo Mërkuri

Poezia shqipe rrallë ka arritur të përthithë realizmin magjik në mënyrë organike dhe të natyrshme, pa e dhunuar gjuhën apo ndjeshmërinë e lexuesit. Kjo për shkak se vetë realiteti shqiptar, i ngarkuar me ideologji dhe plagë historike, shpesh ka kërkuar fjalë të drejtpërdrejta, rrëfime, dhe jo përfytyrime që fluturojnë. E megjithatë, disa poetë të veçantë kanë ditur t’i japin realitetit një përmasë tjetër: jo duke e shmangur, por duke e ndriçuar nga brenda, me dritën e mitit dhe ëndrrës. Kanë ditur ta shenjtërojnë të zakonshmen, ta përjetësojnë një imazh të përditshëm dhe ta ngjisin në simbol. Dhe pikërisht aty, në atë pikë ku toka përzihet me qiellin, lind realizmi magjik shqiptar.

Ky realizëm nuk ka nisur si rrymë e deklaruar, por si frymë e pashpjegueshme, si një hije që përshkon vargjet e poetëve që ndiejnë më shumë sesa thonë. Nga Lasgush Poradeci me "Valljen e yjve" që merr frymë mbi liqen, te Niko Kacalidha që zbret Krishtin në Leshnicë dhe gjyshen e tij e bën Shën Mëri, te Visar Zhiti që ndriçon qelinë me engjëj dhe dhimbje, e deri te Luljeta Lleshanaku e Agron Tufa, që mitizojnë heshtjen, malli-n e mungesën, kjo frymë ka gjetur strehë të thellë në disa nga faqet më të ndjera të poezisë shqipe.

Një nga kulmet e këtij vizioni éshtë pa dyshim poezia "Ëngjëlli që fle në fushë" e Ilirian Zhupës, ku përditshmëria nuk mohohet, por transfigurohet. Ky shkrim ofron një lexim të thelluar të poezisë, duke e vendosur në kontekstin e realizmit magjik dhe traditës poetike shqiptare.

1. Që në vargjet e para, poezia na shfaq pamjen e një vajze të lodhur që fle në fushë, por gjuha poetike e zhvendos këtë skenë nga tokësorja drejt nëntokës së mrekullisë:

“Vajza fle mbas pune në fushë, me këmbët mbledhur te gjoksi,

Flokët mbi supe fërgëllojnë si zjarre...”

Fjetja nuk është pushim; ajo është prag i shenjtërimit. Flokët si zjarre nuk janë stoli, por energji e padukshme, shenjë e pranishme e diçkaje të shenjtë. Vajza nuk fle si njeri i lodhur, por si qenie në kufi me qielloren.

“Duart e lodhura, të vrara, jastëkë i ka vënë te koka,

Thua përgjon fjalët që këmbejnë ëngjëjt e qiejve dhe toka.”


Realiteti i zakonshëm merr përmasë të mbinatyrshme. Vajza është urë mes qiejve dhe tokës. Kjo është thelbi i realizmit magjik: magjikja nuk bie nga qielli, por zbulohet brenda asaj që duket e zakonshme.

2. Zhvillimi poetik vijon me zhvendosjen e vajzës nga trupi biologjik në simbol që mbart qetësi të shenjtë. Ajo nuk është më thjesht njeri:

“Trupi i saj i braktisur, thua do humbë në dhera,

Të fshihet aty nga erërat e të shfaqet kohëve të tjera.”

Këtu kemi ciklin e rilindjes magjike. Një trup që zhduket, por nuk vdes. Vajza mbillet si farë dhe rikthehet në epoka të tjera, si figurë mitike, e përjetshme.

“Në mos iktë, frymëmarrja do e veshë me avull e mjegull,

Gjersa të ndjehet kur zgjohet, pemë e shkulur prej dheut.”

Frymëmarrja, mjegulla, avulli – elementë natyrorë që mbulojnë trupin si mantel shenjtërie. Ajo transformohet në pemë të shkulur, rrënjë që nuk e harron tokën, qenie që lodhet dhe ndriçon.

3. Vajza që fle nuk ka zë, por ajo flet me formën, me heshtjen, me shtrirjen mbi dhe. Poeti nuk e sheh si humbje, por si prani ciklike:

“Shoqe e marsit të brishttë, pas një lodhjeje të trishtë,

Si bari i hajthëm mbi tokën e ftohtë ka rënë përmbys.”

Nuk ëshstë vdekje por një lloj mbirjeje e heshtur, pra bar i hajthëm, por që mbin. Një trup i përkulur, por që nuk humb. Vajza është pjesë e ciklit natyror dhe shenjtërues, nuk ngrihet si hero, por rri pezull si shenjë.

4. Titulli është vetë poetika e realizmit magjik. Ëgjëlli nuk vjen nga qielli, por nga toka. Ai nuk fluturon, por fle. Është  ëngjëll shqiptar, punëtore fushe, por që mbart shenjtërën e dheut. Ai (engjëlli) nuk flet. Ai nuk predikon. Ai fle. Dhe me fjetjen e tij bekon tokën. Kjo është përmbysja e bukur e realitetit poetik: përditshmja shndërrohet në mrekulli që nuk çudit, por përngjan.

5. Në thelbin e saj, poezia “Ëngjëlli që fle në fushë” e Ilirian Zhupës ndërton një figurë që e tejkalon realen përmes një fjetjeje që nuk është më thjesht biologjike. Fjetja e vajzës është rit kalimi, një udhëtim i heshtur që shënon hyrjen në një dimension tjetër, ku koha nuk rrjedh më sipas ligjeve të zakonshme, por sipas ritmit të përjetësisë.

“Thua përgjon fjalët që këmbejnë ëngjëjt e qiejve dhe toka.”

Ky varg është një nga momentet më të thella të realizmit magjik në poezi. Një qenie e zakonshme që dëgjon të pazakonshmen, pa bujë, thelb i realizmit magjik. Vajza, që në pamje të parë është vetëm një punëtore e lodhur, shndërrohet në një qenie që dëgjon biseda të padukshme mes qiellit dhe tokës. Është e zakonshmja që përfshihet nga e pazakonta, pa zhurmë, pa deklarim, siç ndodh gjithmonë në realizmin magjik. Ajo fle, por nuk është më gjumë: është hyrje në një qetësi të shenjtëruar që i përket engjëjve, jo njerëzve.

Në këtë poezi, gjumi nuk është funksion fiziologjik, por akt metafizik. Ai është rrëshqitje drejt një bote tjetër, ku trupit i hiqet pesha dhe vendin e zë një prani e pastër shpirtërore. Dhe kjo ndodh jo përmes ndonjë ndërhyrjeje të jashtëzakonshme, por përmes një gjuhe që e përshkon me heshtje dhe dritë figurën e vajzës.

6. Në këtë poezi vetë poeti shfaqet si dëshmitar i së padukshmes, që e shfaq realizmin magjik si estetikë shpirti. Poezia nuk na jep vetëm një imazh të bukur apo të ndjeshëm. Ajo ndërton një vizion, një realitet paralel që është aq i besueshëm sa edhe vetë realiteti. Kjo është një nga veçoritë thelbësore të realizmit magjik: bashkëjetesa e së dukshmes me të padukshmen, pa sforcim, pa çudi, me një natyrshmëri që rrjedh nga vetë qenia.

“Në mos iktë, frymëmarrja do e veshë me avull e mjegull…”

Këtu, poeti nuk na flet për një figurë alegorike, por për një transformim real që ndodh para syve të tij poetik. Vajza nuk ka më trup; ajo është kthyer në një entitet tejdukshëm që ruhet nga fryma dhe nga mjegulla. Janë elementë të natyrës që sillen si personazhe, si forca që ndërhyjnë jo për të treguar mrekulli, por për të mbrojtur misterin. Ky është një nga tiparet më poetike të realizmit magjik: misteri nuk zbulohet, por ruhet.

Pra, poeti, në këtë rast, nuk është vetëm krijues, por dëshmitar i së padukshmes. Ai nuk shpik, nuk ndërton, por ndien. Ai e përjeton fëshfërimën e duarve, avullin që vesh trupin, heshtjen që flet më shumë se zëri. Dhe këtë e bën jo për të tronditur lexuesin, por për ta përfshirë atë në një kujtesë kolektive të shenjtëruar, ku figura e gruas fle në fushë, por ndriçon në frymë.

7. Vetë titulli i poezisë është një akt realizmi magjik. “Ëngjëlli që fle në fushë” nuk është një përfytyrim i përtejshëm, por një përmbysje e qëllimshme e figurës tradicionale të engjëllit. Ai nuk qëndron më në qiell. Ai nuk ka krahë. Ai nuk fluturon. Ai është shtrirë në fushë, i lodhur, i heshtur, i braktisur, por për këtë arsye; i shenjtë.

Ky engjëll është një grua shqiptare, një vajzë pa zë, pa fjalë, pa predikim. Dhe pikërisht për këtë, ajo mishëron më mirë se çdo metaforë të shenjtën tokësore. Është një engjëll që s’bekon me dorë, por me fjetje. Ai nuk vjen nga qielli për të shpëtuar tokën , ai është nga toka, për të shpëtuar kujtesën tonë të heshtur. Në këtë mënyrë, poezia e Zhupës i përket atij lloji të rrallë të realizmit magjik shqiptar, ku mitike dhe e zakonshmja nuk përplasen, por ndërthuren natyrshëm. Engjëlli nuk ka ardhur të shpëtojë, por të flejë, të marrë mbi vete lodhjen, të kthehet në tokë si farë, që një ditë të mbijë sërish në një kohë tjetër. Kjo është një nga gjestet më delikate të realizmit magjik: jo të bërtasë për mrekullinë, por ta fshehë atë brenda përditshmërisë, si diçka që e njohim por nuk arrijmë ta shpjegojmë.

Kjo është fuqia e vërtetë e realizmit magjik në poezinë e Ilirian Zhupës: të japë shenjtëri pa e emërtuar, të tregojë mrekullinë pa e theksuar, të ndërtojë mitin duke ruajtur frymën e njeriut të zakonshëm. Dhe këtë e bën jo për të na larguar nga e vërteta, por për të na kthyer në thelbin e saj: tokën, fushën, frymëmarrjen, dhe engjëllin që hesht.

8.Poezia e Ilirian Zhupës nuk është për të lexuar me mendje, por me kujtesën që rri pezull te nënat që flenën në fushë, te gratë që s’kanë pasur vargje, por që mbajnë jetën gjallë. Çdo lexim që mund ti bëhet kësaj poezie si një hymnizim i punës kolektive në ferma apo kooperativa, duke synuar që ta afrojë me soc.-realizmin është tërësisht jashtë temës së poezisë, dhe forcës së saj.

“Trupi i saj i braktisur, thua do humbë në dhera,

Të fshihet aty nga erërat e të shfaqet kohëve të tjera.”

Kjo është forca e vërtetë e realizmit magjik: të kthejë në mit atë që bota e ka harruar. Ta veshë me dritë të heshtur vajzën që fle në fushë. Dhe ta ruajë si shenjë që nuk shuhet, si shikim që s’zhduket, si frymë që mbin përjetë.

9.Realizmi magjik ka origjinën e vet në letërsinë latine-amerikane të shekullit XX, fillimisht në prozën letrare. Termi “realizëm magjik”u përdor për herë të parë në vitin 1925 nga një kritik gjerman (Franz Roh), por u bë i njohur ndërkombëtarisht në vitet ’40–’60 përmes autorëve si Gabriel García Márquez, Jorge Luis Borges, Alejo Carpentier, dhe të tjerë. Këta shkrimtarë përshkruan botën e tyre, të përfshirë nga mrekullia, besimet popullore, mitet dhe realiteti i ashpër politik  me një shikim që bashkonte realen dhe të mbinaty-rshmen pa ndarë kufi të prerë mes tyre.

10.Në poezi, realizmi magjik shfaqet me disa tipare të qarta si: a. Elementë mbinatyrorë trajtohen si të zakonshëm, pa shpjegim, pa çudi. b, Ndërthur  jetën e përditshme me mitin, legjendën, ëndrrën, shpirtëroren. c. Gjuha është poetike, por jo thjesht për zbukurim, ajo krijon realitete paralele. ç.Figura që kapërcejnë kohën dhe vendin, personazhe që janë njëkohësisht njerëz dhe simbole. d. Atmosfera që është shpesh e qetë, e heshtur, por e ngarkuar me fuqi të fshehta. Poezia e realizmit magjik nuk kërkon të bindë, por të zbulojë një të vërtetë më të thellë, që nuk matet me arsye, por përjetohet me intuitë.

Në poezi, realizmi magjik nuk pati një shpërthim të menjëhershëm si në prozë, por u formësua gradualisht, në vitet e pasluftës së dytë botërore, sidomos në vendet ku mitet popullore, historia dhe përvoja e dhimbshme kolektive kërkonin një gjuhë të re. Në poezinë evropiane dhe ballkanike, u shfaq si një përgjigje ndaj shterpësisë së realizmit socialist apo brutalitetit të përditshëm, duke ruajtur lidhjen me tokën, por duke i dhënë tokës frymë. Te poetët e mëvonshëm ballkanikë, përfshirë dhe autorë shqiptarë, realizmi magjik u përthith në mënyrë të natyrshme, sidomos kur përshkruanin figurën e gruas, fshatin, tokën, lodhjen dhe sakrificën, siç bën, për shembull, Ilirian Zhupa në “Ëngjëlli që fle në fushë”.

Në fakt “Ëngjëlli që fle në fushë” është më shumë se një poezi, është një tekst i iniciimit shpirtëror. Ajo nuk tregon, por përçon. Nuk ndriçon, por përhap një dritë të heshtur. Dhe në këtë dritë, lexuesi jo vetëm sheh vajzën që fle, por e ndjen atë si simbol të ringjalljes, të dashurisë që nuk flet, të shpirtit që nuk ikën. Poeti është aty si dëshmitar, si njeri që sheh të zakonshmen dhe përmes saj shpalos të shenjtën.

Kështu, poezia e Ilirian Zhupës bëhet pjesë e atij korpusi të veçantë të poezisë shqipe ku realizmi magjik nuk është vetëm stil, por mënyrë të qenuri, mënyrë të ndierit të jetës. Dhe vajza që fle në fushë është dëshmia më e qetë, më e thellë dhe më tokësore e një mrekullie që mbin në mit.

Poeti nuk krijon engjëj në qiell, por i zbrit ata në fushat tona, i vesh me avull, i lë të fërgëllojnë nën flokë, dhe i ngulit në kujtesën kolektive si pemë që e mbajnë këtë tokë. Prandaj kjo poezi është jo vetëm një shembull i rrallë i realizmit magjik në letërsinë shqipe, por edhe një dëshmi se si arti mund të ndërtojë përjetësi nga gjërat më të heshtura dhe më të thjeshta. Dhe kjo është fuqia e vërtetë e poezisë.


 Sarandë, më qershor 2025


ËNGJËLLI QË FLE NË FUSHË*

Vajza fle mbas pune në fushë, me këmbët mbledhur te gjoksi,

Flokët mbi supe fërgëllojnë si zjarre e prapë s’e mbrojnë nga i ftohti.

Duart e lodhura, të vrara, jastëkë i ka vënë te koka,

Thua përgjon fjalët që këmbejnë ëngjëjt e qiejve dhe toka.


I kam ndjerë si fëshfërijnë nëpër ajrin e qelqtë ato duar,

Përgjakur e skuqur nga një qiell i ngrirë, i copëtuar.

Trupi i saj i braktisur, thua do humbë në dhera,

Të fshihet aty nga erërat e të shfaqet kohëve të tjera.


Në mos iktë, frymëmarrja do e veshë me avull e mjegull,

Gjersa të ndjehet kur zgjohet, pemë e shkulur prej dheut.

Shoqe e marsit të brishtë, pas një lodhjeje të trishtë,

Si bari i hajthëm mbi tokën e ftohtë ka rënë përmbys.


*Kjo poezi është shkruar në vitin 1986. Kisha shkuar si gazetar në Fushën e  Konispolit për të pasqyruar fushatën e korrjes së misrit. Ditët e korrjes, gjithë Konispoli e rrethinat, burra e gra, vajza e djem, fëmijë e pleq, punonin e flinin në fushë. E kujtova këtë histori me një mikun tim nga Janjari dhe po e publikoj poezinë për të.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page