top of page

TIMO MËRKURI DHE SHTËPIA E MADHE JONIANE QË PRET E PËRCJELL POETË E MIQ.


Iliriana Sulkuqi

Ja tek mbërrita, nga oqeani në det, aty ku kujtimet jo vetëm të miat, por thuajse të të gjithë poetëve kanë lënë gjurmë që nuk mund të fshihen, si gjurmët buzë detit, nga një valëz e lehtë. Njeri dhe poet si Timo është fat t’i kesh pasur bashkëkohës dhe miq në jetë. Mëson jo vetëm nga poezia dhe studimet e tij, por më shumë nga mënyra sesa me dashuri, respekt e mirënjohje shkruan ai për kolegët e tij krijues, me sa fisnikëri dhe përkushtim. Duke e pasur brenda fletëve të antologjisë - MIRËNJOHJE për ZËRA QË MË NDJEKIN, njëherësh shpreh edhe mirënjohjen e të gjithë miqve dhe kolegëve të TIMO MËRKURIT! Faleminderit, i dashur Timo, për krijimtarinë dhe miqësinë tënde! Faleminderit, lexuesi im që dhuron kohën tënde, duke u ndalur këtu! ***

TIMO MËRKURI, Lindur në 1955 në qytetin e Sarandës ku edhe mbaroi arsimin e mesëm. Është dipllomuar në Fakultetin Ekonomi Kontabël në vitin 1978 dhe ka punuar financier në sistemin e bujqësisë, energjitik, doganor dhe në Bashkinë e Sarandës, prej nga dha dorheqjen në vitin 2015, për arësye shëndetsore. Bashkia e Himarës i ka dhënë titullin qytetar “Nderi i Himarës”, në Nëntor 2020, për kontributin e tij të spikatur në studimet në fushën e isopolifonisë dhe të traditës. Me krijimtari letrare është marë qysh në shkollën e mesme. Ka botuar 20 libra me poezi, prozë, studime dhe sprova letrare etj. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Banon në qytetin e Sarandës.

Librat e botuara deri më tani: 1. Bulevardi i dhimbjes, poezi “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë 2001. 2. Loti i detit, poezi “NERAIDA”, Tiranë 2003. 3. Klithma e pulebardhes, poezi “NERAIDA”, Tiranë 2004. 4. Anatomia e lotit, poezi“NERAIDA”, Tiranë 2008. 5. Poezi, poezi shqip-greqisht. “NERAIDA”, Tiranë 2008. 6. Madhëria e saj–kënga iso-polifonike. Sprovë mbi iso-polifoninë “NERAIDA”,Tiranë 2007. 7. Shënjtëria e isos.Sprovë mbi iso-polifoninë. “NERAIDA”, Tiranë 2008 Botimi i dytw “MILOSAO Sarandw, mw 2013 8. Vesa mbi këngë.Sprovë mbi iso-polifoninë. “NERAIDA” Tiranë 2009. 9. Thomai që mbolli kripë. Novelë. TOENA, Tiranë, 2011. 10. Epoka që verbon poetët. Ese, studime, analiza. “LULU”, SHBA 2012. 11. Kur flasim për Artin Jonian. Ese dhe vëzhgime kritike. “MILOSAO“, Sarandë, 2013. 12. ΔΑΚΡΥ ΤΗΣ ΘΑΛΑΣΣΑΣ. Antologji poetike greqisht. “MILOSAO“ Sarandë, 2014. 13. Vajz’ e valeve (Neço Muko, grupi i tij dhe kënga himarjote). Sprovë “MILOSAO“, Sarandë, 2017. 14. Identiteti Iso-Polifonik. Sprovë. “MILOSAO“, Sarandë, 2018. 15. Honestra e këngës himarjote Sprovë. “MILOSAO Sarandë, 2018 16. Ëndërime të mbytura në det. Poezi. “Beqir Musliu”, Gjilan. 2018 17. Letërsia si shpëtim nga “rrufetë zeusiane. Analiza.”Beqir Musliu”, Gjilan 2021 18. Balada shqiptare e murimit. Sprovë “Studio 2M” Durrës. 2021 Botimi i dytw “Beqir Musliu”, Gjilan 2021 19. Përmbledhje me këngë, vaje e bejte pilurjote:“Gjerdani i këputur”, “Te lisat në Shënkoll”, “Iso … more djema”… “MILOSAO”, Sarandë (2005) dhe “Ku hardhia pikon vesë” “MILOSAO”, Sarandë, 2012. ~~~~ -poezi-

Vajzat kanë mërguar

... e te pragu i shtëpisë sime një trëndafil i bardhë nusëron.

Mëngjeseve kur nisem për rrugë më përcjell me dënesa e lot.

E diç më thotë mes psherëtimave.

Por unë s'mund ta këpus se s'kam kujt t'ia dhuroj.

Shtëpia e refugjatit të humbur

Është një shtëpi aty në Jug, e vogël. Si shtëpia e kukullës. Me dritaret mbuluar nga qerpikët e pjergullës e me manin te pragu, që iu thanë pëllëmbët e gjetheve në degë pa e thënë urimin "Mirëseerdhe, bir".

Është një shtëpi aty në jug, e heshtur. Si një plakë e braktisur. E një vijë uji që kalon te pragu, si vija e fatit në një pellg, në pëllëmbë të oborrit mbledh gjithë yjet, por nuk ia zbardh dot ditët vetmisë.

O, kjo shtëpi e vogël në Jug, si një pikë loti nën qepallë, që është nga pak shtëpia e ne të gjithëve...

Njoftim i zakonshëm

Mos i mblidhni guaskat brigjeve të Jonit, këta arkivolë të vegjël të bardhë. Brenda tyre nuk do të gjeni perla dhe as shtëpinë e Afërditës.

Dhe po t'i vini pranë veshit zhurma që do dëgjoni nuk është këng' e sirenave, ju siguroj unë.

Por është klithma e fundit e refugjatëve të mbytur, që s'arriti dot gjer në shtëpi, por u struk këtu.

Mos i mblidhni guaskat brigjeve të Jonit që u ndrin te koka kandili i detit.

Sofra

E varfër sofra jonë, një fetë bukë lyer me dritë hëne dhe rreth saj një trumbë fëmijësh që çukisin përralla.

Shkojnë shpejt të flenë, që të përqafojnë babanë duke shaluar ëndrrat si një kalë me flatra.

Eh, Shqipëria ime atdheu i refugjatëve. ~~~~

Disa mendime për TIMO MËRKURI:

Niko Kacalidha “Mjeshtër i Madh” (redaktori i librit “Klithma e pulëbardhës”) Tani Timo Mërkuri, ky poet i vërtetë i dhimbjes së heshtur dhe ndërkohë i ulërimës, lindur poet mes fatit të veçantë të viseve të guackave, i hap ato me butësinë delikate të durimit, për të zbërthyer ca perla miligramesh dhe gjakos gishtrinjtë për bukurinë e flijimit, me sentence befasuese, i veçantë në llojin e vet, mes larmisë dhe imazheve mesdhetare. Ai në butësinë e tij vuan një dramë tronditëse dhe është gati ta prishë edhe shtëpinë e tij metaforike në breg të detit për hir të madhështisë sublime. 2004 Niko Kacalidha redaktor i librit “Loti i detit” Timo Mërkuri rron me poezinë si guri me durimin. Lakonik dhe konçiz, duke I numëruar vargjet me gishtrinjtë e dorës. Esenciaj në prezantimin e detajit poetic deri në thelbin e fjalës. 2003

Adriatik Kallulli

“Mjafton të lexosh qoftë edhe dy-tri poezi të tij që të dallosh individualitetin e rrëfimit, shprehur në figura që shkrepëtijnë. “Kjo valë deti/që vjen kokëulur si një çupëz fajtore” (6) “Ëngjëjt janë vrarë/dhe zoti/s’ka me kë na i dërgon ëndërat e bardha”(7), “Pranvera iku shpejt/Ndoshta s’donte të na linte lulet/për t’i bërë kurora mortore”( viti 97, fq 10), Kryevepra: “Vajza i punon në Milano”…dhe ai ndërtoi në qytet një shtëpi të re/ Të bukur/Vetëm dritaret i ka pak të vogla/ Si sy të ulur nga turpi”(12). Momenti drithërues: ”Vajzat e shtëpive tona”: Mos më flisni për dashurinë se më vjen të qaj/Kur i shoh si treten me shikimin nga deti” (21). Vargje që të bëjnë të mendosh thellë: “ Jam vetëm/Më i vetëm se vetmia/Nënë moj” (26), “Mos vallë banorët e qytetit janë të varfër si lypsarët” (30). Apo “Fshati i braktisur” …as përallat këtu skanë mbetur …(31)…”Poeti (e ka shiritin e zi) te një varg… Kryevepra tërë trishtim “Shtëpia ime në breg të detit” (43), vargu i thellë :”Njerëz të verbër më prinë në rininë time”(44) apo imazhi rrënqethës për hallë Sofinë : “Veshurë rrobën e zisë mbi vellon e nusërisë” (49) etj. Elegant, alegorik, beson se poezia është vetëm maja”. 2008

Qazim Shemaj Poezia e Timo Mërkurit është poezi me nerv, me dhimbje, me shpirt. Një nga mjetet e tij stilistikore të përdorura më me sukses në vëllim është personifikimi, shpirtëzimi i sendeve, objekteve, dukurive. “Heshtja pi duhan në dhomën e pritjes, vjeshta përdhunohet e hutohet si gjimnaziste, të dielat e marsit shkojnë rrugëve të qytetit veshur me të zeza”… Dhimbja e poetit Timo Mërkuri është njerëzore, e sinqertë, qytetare. Atij i dhimset sofra e varfër e Atdheut me një fetë bukë, lyer me dritë hëne, fushat e Vurgut që s’u pluguan, kujtimi i të vëllait, fshati i refugjatëve ku këngët lindin si fëmijë të vdekur dhe s’ka kush ti varrosë, atij i dhimbet Otrantoja me dallgët si duar fëmijësh dhe grash, varrezat e qytetit që po zgjerohen, mëmë Kania që i ka vënë çdo trëndafili nga një emër nipi dhe mbese, atij i dhimbset hëna, hëna e Atdheut, që largohet mbi dallgë dhe ai trëmbet mos hëna bëhet prostitutë. 2004

Odise Kote E kam pyetur disa herë veten se përse ky njeri që jeton në një trevë plot diell, këngë, det, horizonte e perëndime të zhytura magjishëm në ujra, në pasuritë e paimagjinueshme historike e arkitekturore, në poezitë e vëllimeve të botuara ka veç dhimbje, brengë, trishtim, e përgjigjen e kam gjetur disi tek një poezi, ndër më të bukurat e vëllimeve: “Liria më goditi si tokmak në kokë, E më la në mëdyshje më keq se diktatura... » Nga kjo pyetje më ndërmendet Pablo Pikaso me pikturën kushtuar mikut të tij të vetëvrarë, Kalxhemos, që portretin e tij ashtu dhe diellin e pikturoi me nga një vrimë plumbi. Anatomia e lotit ose si më pëlqen ta quaj, gjithë analiza spektrale e lotit të Timo Mërkurit nuk është gjë tjetër veç: Qortimi poetik i një shekulli shqiptar. 2012

GRAZIA STELLA ELIA (italiane) për ciklin poetik te antologjia “Na bashkon një det”., libër i përbashëkt i poetëve të jugut shqiptar dhe Italian. Timo Mërkuri. Poezia e tij tregon për një hir të veçantë në përshkrimin e njerëzve dhe gjërave; një “trëndafil i bardhë” që “nusëron”; një shtëpi e vogël në jug/si një lot nën qerpikë”; “guaskat gjatë brigjeve të Jonit” parë si arkivolë të vegjël të bardhë”, pastaj shumë dhimbje: deti është hidhëruar nga lotët e derdhur”.

Fatmir Terziu -Mjeshtër i Madh Imagjinoni dhimbjen e poetit. Imagjinoni! E ndarë në copëza. Grimëza të kripura rëre. Stërkalëza të akullta deti mes vapërisë zhuritëse. Dallgë jete në tretjen poetike. Tretje tejet njerëzore. E gjitha nën varg. E gjitha mes vargut. Mes vargut të lirë. Të lirë jo vetëm nga forma, por edhe nga dimensioni artistik i fjalës. Vargu i poetit nga Saranda, Timo Mërkuri...Vargu që ndërtohet mes ndjenjës, arsyes dhe thirjes. Vargu që kumtohet larg qelqërisë së Lotit, larg dhimbjeve që prodhon gjeografia e Globit. Dhimbje që vijnë në të fundit ditë të javës. …Të shtunën tipike të poetit që sjell përjetimin, që shfaq “dëshpërimin/me detin në sy”. Dëshpërimin që e ndjejmë, e përjetojmë, e dihasim, e transmetojmë me të gjitha format e shqisave. E mbajmë mend mbi të gjitha pas një leximi tërheqës. E shtrydhim në memorjen tonë kolektive. Në suazën e kaltër e të kripur Joniane... Poeti është aty. Është me fjalën e tij. Na dikton ‘Trishtimin e së shtunës’. ..na dikton me ‘vogëlsinë e tyre’ atë trishtim me të cilin lexohet e shtuna e asaj jave, atij muaji, atij viti, atij... Dhe kështu vetë hyrja në këtë poezi bëhet pjesë e jetëgjatësisë. E asaj jetëgjatësie të cilën vetë poezia e kërkon. ..që ai të mos ndodhë më, që ai të zhduket nga vendi në vargun e poetit, nga shpirti i trishtuar i tij: “E hidhur kjo e shtunë, shumë e hidhur/dhe e trishtuar ishte/gjer në dhimbje/kur i ulur në prag të vetmisë/i lodhur nga pritja”. …… “Poezia e tij …të bën të ndjehesh në kohën, vendin dhe hapësirën e duhur. Është një poezi që mbart tërë dimensionin shpirtëror të poetit mes të cilit jeta, suazat e saj dhe madhëria tejçuese e hapësirës jetike mbartin koloritin tipik sa jonian aq edhe Mërkurian. Timo Merkuri tek poezi të tilla si “Dhimbja” sjell për lexuesin pikërisht atë tejçim jetik që gjen hapësirën qytetëse si tektonikë filozofike e vargut: “Dhimbja është banore e qytetit tim,/në lagjen time e ka shtëpinë,/në jetën tonë hyri pa trokitur./Oh, ç’bujtëse e përzishme, e zymtë./Tani bisedat na ngjajnë me përshpirtje/dhe lulet në ballkon kanë aromë thimjani./Po kur do të ikë prapë në punë të saj/e trëndafili të bjerë era dashuri.”]

Anton Nikë Berisha Prishtinë Poezia e Timo Mërkurit dallohet, pos të tjerash, për dy veçanti të rëndësishme: nga një anë për ngjeshësinë – dendësinë e tekstit poetik të përftuar, dhe, nga ana tjetër, për dhembjen – vuajtjen e thellë që shprehet përmes tij. Të dy këta përbërës, të ngjizur me njëri me tjetrin, bëjnë konceptin krijues poetik të autorit, që lidhet pandërmjetësisht me qasjen e objektit poetik dhe me shtjellimin e tekstit, gjë që kushtëzon dhe komunikimin dhe ndikimin me marrësin. Edhe mendimi i Nënës Tereze, se vuajtja asnjëherë nuk do të zhduket krejtësisht nga jeta jonë dhe se ajo është një dhuratë e madhe e Zotit , dëshmon se poeti Timo Mërkuri jo rastësisht i është qasur dhe e ka bërë objekt të trajtimit poetik dhembjen në një përmasë sa të gjerë aq dhe të thellë. Dhembja është zëri i brendshëm i poetit që ngërthen (nënkupton) dhe zërin e njeriut të tij. 2018

Zejneper Alili Rexhepi Tetovë Si një rrëfimtar të përjetimit dhe realitetit, ku e gjejmë tok, zgjuarësinë dhe magjinë e fjalës, e njohim poetin sarandiot, Timo Mërkuri..., vepra e të cilit përshkruan zbarkimin e dhembjes në tempullin e lotit. Ndërkohë që, vargu i tij, nuk përmban vetëm emocione poetike, por edhe frymëzime kulmore, ku shfaqet mjeshtëria e artit dhe intelekti prej studiuesi e njohësi të mirë të rrethanave psiko-sociale, politike, ekonomike, kulturore…, si përkalime, nëpër të cilat lë gjurmë vendbanimi i poetit - Saranda, dhe më gjerë, trevat mbarëshqiptare.

Dr Bardhyl Maliqi Sarandë Timo Mërkuri u shfaq së pari si poet lirik, …, por një poet i veçantë ama, pa ujra në poezi, metaforik e simbolik njëherësh. Një poezi sintetike, pa tepri. Poezia e Timos është shumë e kuptueshme për njerëzit mendje hapur, si ..po mjaftohem me disa tituj librash, p.sh. libri i parë titullohet “Bulevardi i dhimbjes”, i dyti “Loti i detit”, cilido e kupton se për çfarë arti është fjala. Nuk ka nevojë për statistika, se rrugët dhe bulevardet tona ende janë të përgjakura prej ngjarjeve të ’97-tës, prej krimit dhe prej aksidenteve rrugore. Kështu, jo vetëm rrugët, por edhe deti qan nga mijëra të mbytur gjatë shtegtimit në rrugët detare apo tokësore të fatit. 2021 ….

Xheladin Mjeku (Kosovë). “e veçanta e kësaj që na preokupon në masë është “Anatomia e lotit”, një paraqitje prezentative e krijimtarisë së tij poetike, meqë këtu e gjejmë të veçantë, si një meteor që rrezaton në kohëra e situata të ndryshme me vargun dhe peshën e fjalës, deri në plotninë e kuptimit dhe mesazhit, me frymën e dashurisë për të bukurën, për vlerën e mirëpeshuar në gjetjen e rrugës së drejtë dhe plot vrull jete. […].pothuajse gjithë opusin e tij poetik e përshkon fryma origjinale e shprehjes dhe trajtimit tematiko-motivor të shkëputur nga perlat e atdheut, Saranda e tij plot diell[…]..” ~~~

Për shkrimet kritike dhe sprovat

Albina Idrizi (N/Kryetare e Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës) për shkrimin “Borxhi i pashlyer” kushtuar krijimtarisë së Ali Podrimes. “Kam menduar se ishte dhunti e disa njerëzve të shihnin, të nxirrnin e të vinin në pah më të mirën tek tjetri. Më vonë u binda se mrekullia, se e mira, qëndronte tek vetë ata dhe ishte gjuha e saj që fliste nga brendia e tyre dhe ajo vetëm sa përshkruan reflektimin e vet, aty ku gjen ngjashmëritë... Persiatja yte mbi kryeveprën e Podrimjes është më shumë se persiatje,,më shumë se analizë,,më shumë se…, thua je bërë njësh me dhimbjen e poetit,,

Petrit Ruka “Mjeshtër i Madh” NJË RAST I RRALLË QË NUK DUHET HUMBUR Është një gëzim i madh që në tërë këtë shkreti të madhe indiference ndaj folklorit, harresës së pafalshme ndaj pasurisë më të artë që ka ky komb, këngës popullore, ndeshesh (rrallë) me shkrime të mirëfillta studimore që të mbushin plot emocion, nderim dhe krenari që ka ende njerëz që u dhemb bjerrja e saj, e ruajnë, e mbrojnë dhe ia rizbulojnë vlerat asaj. Njëri prej këtyre "arkeologëve" të paepur drejt këtyre kalave të moçme shpirtërore plot mrekulli të panjohura, prej vitesh është Timo Mërkuri. Ka qenë një befasi për mua shkrimi i tij i fundit për një tjetër zbulim spektakolar përmes një kënge të vjetër për Hodo Aliun. Një këngë rrëqethëse që zbulon një botë të tërë... Ka mundur të nxjerrë flori prej pak vargjeve që unë i njoh prej një jete, por që prej Timos më sjellin një bukuri tragjike nga më tronditëset në historinë e këtij vendi. Duke e falënderuar me gjithë zemër ju ftoj të mos e humbisni një rast të rrallë për të cilin do të ndjehemi me fat që nuk e anashkaluat. Do t'ju bëj më të pasur ky lexim! Petrit Ruka

Pellumb Kulla -Mjeshtër i Madh I kemi njohur te dy autoret - poetin dhe studjuesin, jemi mrekulluar me mjaltin e tyre. Por ne menyre te veçante me risjelljen madhore te baladës nga Ruka dhe me studimin global, te gjere dhe te thelle te zotit Merkuri mbi te po perjetojme nje ngjarje kulmore ne fushen e letrave. Per kete po te ishim nje shoqeri njerezore siç e enderrojme do te duhej te binin kembanat e tere Ballkanit se paku. E me besoni nuk e tepëroj. E jo vetem per bukurite e vargjeve dhe per arsyet imet mahnitese te studimit. Por per eksplozionin e mendimeve mbi rrënimin e shenjterise se beses dhe premtimeve ne keto dy shekuj qe po jetojme. Ne keta pak rreshta lemë te te falenderoj thellesisht ty, Timo Merkuri qe me bere grusht e me mrekullove.. Ju bekofte Zoti!

Faruk Myrtaj […] eshte pergjegjesi e atyre qe merren me kenget, me kulturen, kur lejojne që popujt, brezat e rinj, te mos i dine kenget e tyre me te bukura! Le te jesh ne fund te botes emigrant, kete prurje te Timo Merkurit ta perthith menjehere shija e lindur ne kete gjuhe. … Nuk dime nese pasuri te tilla gjenden tek popuj qe mbajne kryet lart per kulture te hershme...por Timo Merkuri levduar qofte, sic edhe Petrit Ruka pak dite me pare, per prurjet. Sa per mirenjohje lexuesi, faleminderit Timo Merkuri... ……. “Timo, pasi hodhi me sukses harten e polifonise joniane, ne disa pjese, na e solli Agim Maton ne nje pjese te vetme! Dukej sikur e "paketoi" kembe-e-duar Agim Maton dhe ...ia dorezoi Presidences, si pushtet i pare ne Tirane: "Merreni, ja ku e kini!" Dukej sikur Thesin Poetik (me Ag Maton brenda) ua dorezoi atyre te Gardes qe ruajne Nishanin, pa u thene fjale tjeter. Nuk pati ngè t'i pyeste nese ata lexonin poezi, apo a kishin degjuar gje per Artin Jonian, apo per ate Njeriun qe zbret deri ne fundon e shtratit te detit, per te kercyar pastaj me shtysen e tij, deri ne lartesite e ajert mbidetare te Mesit te Dheut... Me siguri Timo e ka ditur se gardistet e rinj mund te mos kene te njejtat shije me Presidentin brenda mureve, por ka zera se dikujt prej tyre, qe e ndoqi pas nje cope here, si per ta pyetur se cfare kishte brenda Thesit, duhet t'i kete thene: Qeverite mund te rilindin sa here te duan, dhe te gjitha mund te premtojne se me to fitojne te gjithe, por AI Brenda Thesit eshte Jug... Pastaj Merkuri ka shtuar: Juga dhe Det, ka brenda... Agim Mato, tashme edhe zyrtarisht, eshte jo me pak se "Mjeshter i Madh"! 16.11.2014 Faruk Myrtaj per librin “Identiteti isopolifonik” ….”Por logatja nuk është plotësisht vajtim... Ajo qëndron në mes të vajtimit dhe këngës. Ajo është ura, nëpër të cilën logatësi kalon nga bregu i vajtimit në bregun e këngës. Në bregun e vajtimit ajo konsiderohet këngë dhe në bregun e këngës ajo konsiderohet vajtim. Eh, vete pershkrimi prej Timo Merkurit eshte iso e begate...Mrekullia e fjales i qaset asaj te zerit”...

Prof. Dr.Zejnepe Alili Rexhepi Tetovë “Të pranosh mahnitjen, gjatë leximit të librit “Kur flasim për Artin Jonian…”, është e pamjaftueshme ndoshta, përderisa në të, gjenë një formë rrëfimore të mrekullueshme, në të cilën spikat urtia e dijeve të thella të Timo Mërkurit”.

Vasil S Tole Akademik E vërteta është se, pena e Timo Mërkurit, më kaploi dhe më zgjoi kurreshtjen për të, kur lexova një artikull të tij mbi ison, i cili ishte botuar në gazetën “Iso-Polifonia”, në fillim të vitit 2006. Nuk është e tepërt të them se në këtë artikull, Timua, sipas këndvështrimit dhe shpjegimeve të tij, jepte mrekullisht bukur, ndër të tjera edhe lidhjen e origjinës së isos me të qarat kolektive mijravjeçare, gjë e cila ka qënë pohuar edhe prej nesh pas viteve 2000, gjë që ka hapur një kapitull të ri përqasjesh mbi origjinën e gjithë dukurisë së iso-polifonisë popullore shqiptare. Pas kësaj, si për inerci lexova librat e tij “Te lisat në Shënkoll”-2005 dhe “Iso more Djema”-2005 të cilët më konfirmuan faktin se Timo Mërkuri fsheh brenda shpirtit të ngrohtë të bregdetasit, edhe poetin dhe studiuesin e trashëgimisë iso-polifonike. Pse të gënjej! I madhi Konica mu faneps o Timo Merkuri kur po lexoja “Iso more djema”!

Stefan Martiko Mërkuri kapërcen vështirësi të shumta filologjike dhe gjeografike duke besuar gjithmon se kënga popullore fsheh ende visare të pazbuluara. I ndodhur mes poezisë së vet që e kultivon me një individualitet të spikatur, të duket se e ushqen atë po prej atyre burimeve që vetë është duke i zbuluar. Autori gjëndet pikërisht në kordinatën e nevojëshme të eksperimentit njerëzor të traditës dhe historisë së saj, aq i nevojshëm, aq i papërsëritshëm, një zë që duke qënë intuitive bëhet edhe nga më të besueshmit. Poeti i talentuar kryqëzon kështu veten ndërkohë që ushtron zejet e vjershërimit gjendet para një burimi të pashtershëm

Vladimir Muça Kritik Autori e ka kapërcyer me sukses provincionalizmin sundues , duke reflektuar me eseistikën e vështrimoret e tij konceptet globalizuese në artin e studimit, duke evidentuar lidhjet e ndërsjellta gjeografike, duke mos e kufizuar hapësirën jetike të artit në vijat kufitare shtetërore. 2013 Vasil S Tole […].Një nga këta misionarë të çështjes është edhe Timo Mërkuri. Me shumë dashuri dhe kopetencë, ai ja ka dalë të përcjellë për një auditor të gjërë vlerat dhe traditat e zonës së tij, e për më tepër, këto të ndriçuara nën dritën e kulturës muzikore iso-polifonike si “Kryevepër e trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit, UNESCO.[…] Gjirokastër. 14.3. 2010

Odise Kote Timo Mërkuri është padyshim "arkeologu" më i vetëdijshëm shqiptar që me pasion shkencëtari e dashuri mēmëdhetari, kërkon, sfilitet, zbulon, u jep shpirt, tinguj e jehona miteve, vajeve, gojëdhënave, polifonive e monofonive të fshehura në thellësitë e kohërave. Fat që e kemi një Misionar të tillë. 2020 Zef Skiro Di Maggio Ndër të parit që më dhuruan libra, kle (qe) Timo Mërkuri dhe i pari libër për të çilin dua të flas është: "Shenjtëria e isos" -sprova- Botim i dytë i plotësuar (Milosao, 2013).Libri, shkruar në një gluhë (gjuhë) që meriton gjithë mbiemrat më të bukur të fjalorit, flet për "këngën shqiptare", sidomos për këngën dhe kulturën iso-polifonike të Bregut të Detit (bregdetit të Himarës-Sarandës) 2017 ~~~~~

In English

TIMO MËRKURI

Timo Mërkuri was born on 1955, in Saranda(Albania), where finished and the high school. Was graduated in Economics in 1978 and worked as financier in the agrarian, energies, customer system. Also at the City Hall of Saranda from where resigned (health reasons) in 2015. City Hall of Himara accorded to him the title "Honor of Himara" in November 2020 for his appointed contribute in studying field of isopoliphony and traditions.From the high school has dealt with literary creativity. Has published 20 books with poetry, prose, studies and literary tests, etc. He is married and has two children. Lives in Saranda city.

THE GIRLS HAVE EMIGRATED

... and on the doorstep of my house an white rose looks like a bride.

Mornings, when I set off for the streets accompanies me with sobs and tears.

Something says to me sighing.

But I can't pluck it that I don't have no one to give it to.

THE HOME OF THE LOST EMIGRANT

There is a home in South, small. Like a doll's House. Windows covered by the eyelashes of vineyard, and the mulberry tree at the doorstep, that its palms of leaves on the brunches dried never saying "Welcome, son!"

There is a home in South, wordless. Like an old abandoned woman. And a line of water that passes to its doorstep, as a line of destiny in a pond, on the palm of yard gather all stars, but couldn't lighten the days of loneliness.

Oh, this little home in South, like a drop of tear under eyelid. which is a little the home of us all.

ORDINARY NOTICE

Don't pick up the shells on the Jones shores, these little white coffins. Inside them will not find pearls or the Aphrodite's home. And if you put them near ears the noise you which you will hear it's not a Syrens song, for sure.

But it is the last scream of drowned refugees that couldn't arrive till home, but settled here.

Don't pick up the shells of Jones shores at the head of which shines the jellyfish.

THE ROUND WOOD TABLE

Is poor our table, a piece of bread coated with light of moon and around it a flock of kids that pecking old wives tales.

Went early for sleep, to embrace the father riding the dreams like a winged horse.

Eh, my Albania the home of refugees. ( translated Ermira Çela ) ~~~~~ Iliriana Sulkuqi-MIRËNJOHJE për “ZËRA QË MË NDJEKIN…” Brooklyn, NY, mars 2022




33 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit