top of page

TI NUK DO TË BËHESH ΑSNJËHERË I PASUR



«Është punë me fitime të mira, i tha zotëria, vërtetë ka erë të rëndomtë, por mësohesh. E bënte im bir para se të shkonte në Francë për studime. Para tim biri, punoja unë dhe do vazhdoja, po nuk ma lejon mosha! Vjen të bëjmë një rrugë?»

Si dolën nga zyra, u drejtuan për te mjeti; i pastër nga jashtë, por sa u afruan, era e fekaleve të riut i çau hundët. Me gishtat e njërës dorë zuri vrimat e pjesës së dalë, ndërsa me dorën tjetrën, zuri gojën.

«Do mësohesh!» i dha kurajë zotëria dhe e ftoj të ulej në ndenjësen e ndihmësit. «Procesi i drejtimit të automjetit dihet; ajo që duhet të mësosh, janë pozicionet e thithësit të fekaleve; kur të zbresim në vendin e ngarkimit, do të mësoj dhe lidhjen e tubave nëpërmjet hallkave metalike. Duhet të kesh kujdes, sidomos kur fut tubin në depozita, se mund të biesh brenda.»

Kaloi java e parë, në javë e dytë, djaloshi nisi punën i vetëm. Për muajin, zotëria mbeti i kënaqur. I riu kujdesej për automjetin, ishte i shpejtë në punë dhe sillej mirë me klientët. Që të mos braktiste punën, zotëria nuk e paguante çdo fund jave, por çdo fund dite; bile për ta kënaqur i dhuronte një dhjetëshe, të pinte ndonjë birrë në lokalin atje afër.

Një ditë, i tha se do të ngarkonte në një hotel të madh, ndaj duhej të ishte më i shpejtë dhe më i kujdesshëm se çdo herë tjetër. «Pronarin e hotelit e kemi klientin më të mirë; na jep tri ngarkesa në vit dhe më kryesorja, është shumë i pasur.» Nga të gjitha sa tha zotëria, i riu mbajti fjalën e fundit; ishte ëndrra e tij më e hershme.

Kur mbërriti në vendin e ngarkimit, mbeti i mahnitur. Një hotel me gjashtë kate, me shkallë që zbrisnin gjer në anë të detit; pemët përpara ndërtesës të krehura bukur dhe bari i qethur përkëdhelte pushuesit gjer në syrin e këmbës.

Si zbriti nga mjeti, iu afrua një xhip nga ku doli një burrë i shëndosh, me veshje linoje dhe i mbathur me këpucë meshini të errët. «Ja këtu» sqaroi i porsaardhuri , «do të shtrish tubat,» dhe i tregoi kapakun. «Dua të mos mbetet asgjë në fund të depozitës!»

I riu si futi tubin në thellësinë e fekaleve, ngriti dorëzën e thithësit; nuk vonoi dhe niveli nisi të binte. Ndërsa sytë i kish te tubi, mendjen nuk e hiqte nga fjala e fundit që përmendi zotëria.

«Si munde të bëhesh aq i pasur?» Pyeti me kurajën e moshës, kur pronari i hotelit u afrua. «Dua të bëhem dhe unë i pasur!»

Pronari qeshi dhe si u mendua, vendosi t’ i përgjigjej. «Me punë, me shumë djersë dhe gjak, me durim dhe këmbëngulje, me guxim dhe sakrifica, kur duhej, i pamëshirshëm ndaj vetes dhe të tjerëve.»

Në depozitë, niveli i fekaleve kish arritur te gjysma dhe era e keqe bëhej më mbytëse.

«Të bëj një pyetje të mirë?» Vazhdoi bisedën pronari, i shtyrë nga interesi që tregoi i riu. “Ti ç’ bënë për tu bërë i pasur?»

«Unë përpiqem të kursej nga prurjet e mia, shpjegoi. Ja, p.sh. Nga paga kursej një të katërtën e të ardhurave, zotëria çdo ditë më falë një dhjetëshe për kënaqësi; unë nuk pi birrë siç më thotë, por e vendos në kursimet e mia. Në shitore, shkoj të shtunën kur nisin ofertat; pas orës dy në tregun publik bëj pazar me fshatarët, ndërsa të dielave, vizitoj dyqanin e veshjeve të përdorura. Ç’ mund të bëj tjetër?»

«Mund të bësh, si s’ mund të bësh! Të rrëmbesh, çdo mundësi që të jepet. Ja p.sh. Meqenëse interesohesh për tu bërë i pasur, unë do të krijojë një mundësi fitimprurëse. Tani që depozita u boshatisë, dikush duhet të hyjë brenda, me çekiç e daltë të kruaj fekalet që janë ngjitur mureve të depozitës. Ajo punë bëhet brenda tri orëve. Mund ta bësh? Për tri orë do të jap aq para, sa ti fiton gjithë muajin.»

Fitimi vërtet ishte i mirë, shumë i mirë, por i riu nguroi t’ i përgjigjej. Po sikur t’ i zihej fryma nga mungesa e oksigjenit? Do të duronte dot stomaku, erën e rëndomtë të ndotjes? Dhe tjetra: Veten nuk e kish përfytyruar asnjëherë, me çekiç dhe daltë të kruante fekalet e thata në muret e nëndheshme të depozitës.

«E kuptova,» i tha pronari si pa hezitimin dhe shkoi e mori prej xhipit kokoren plastike, kominoshet dhe çizmet. Duke zbritur shkallën brenda depozitës, u kthye nga i riu dhe i tha: «Ti, nuk do të bëhesh asnjëherë i pasur!»

Vasil Klironomi.

1 Comment


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Sep 12, 2023

Që para se ta lexoja tregimin e mikut të çmuar Vasil Klironomit, përjetova gëzimin e veçant të rikthimit të tij në "Fjala e lirë". E konsideroj fat miqësinë me një artist si z.Klironomi, prandaj uroj: Qoftë i bekuar ky rikthim e vazhdim i bashkëpunimit.

Teksa lexoj krijimin, për vetë temën, më ndërmenden piktorë të talentuar, që në mjerimin e dikurshëm, realizonin në kanavacë e sargji tejet të rëndomta e të vjetra vepra të mrekullueshme. Tregimi sfidon opinionin mbizotërues që absolutizon se prapa çdo pasurie qëndron medoemos një krim, dhe kështu i ngre kult hajdutërisë, kurse, na pohon autori, i pasur e i suksesshëm bëhesh edhe duke kryer pa e përbuzur çdo lloj pune.

Një tregim lakonik dhe ekspres…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page