top of page

TI GJITHNJË NIS NGA E PARA …


Odise Kote

KËN NGA MUROSJA MARGARITA …

Shtatë shekuj priti Margarita të dërgonte një shenjë, një Lilak, në portën e rëndë të Baladës. Të qarta, të pashmangshme, tingëlluan kambanat, tek një urë e vjetër, atje në Gjirokastër.

Fërfërimë fryme, ikën nga murosja Margarita, trup - mjegulla, balonë fëmije që lëviz si perde. Drithërohet ura - akord harpe, psherëtima, pështjellë muzike që e mban për vete.

Thanë ish një trim që i trazoi fatin, një fiskajë, dhe iku, pa pengesë droje, pa ngutin e dëshirës. I’u dorëzua trup e shpirt fanitjes së mbrame, elegances, mbetur tek e skuqura e fytyrës.

Thanë u zgjua kur i puthi sytë, ngjyrë gur - uji, kur qeshi, kaq befas, ngjyrë shurup trëndafili. Ngjyrë zjarri shkrepën, brofën kur i preku burri, dy gjiret e saj qumësht e shije trashëgimi.

Puthet në ag të ditës, gjest kaq pranë parajse, dhe ikën nga murosja Margarita, nën shiun ylber - ar. Të qarta tingëlluan kambanat, të pashmangshme, për zonjën e pushtetshme, të virgjërisë së saj…

TI GJITHNJË NIS NGA E PARA …

Ti gjithnjë nis nga e para, kujtim, flakë në shpirt, ndërruar të jenë kohët, stinët, lisat anëmbanë. Vjen si lindja, shkon si vdekja, çastet ç’i përndrit, arrati - afëri, shi rrëmbyer në tokë të tharë.

Kur në befje rrjedh si krua e s’ndal dot ngazullia, ti gjithnjë nis nga e para, flakë në shpirt e prush, Mëkat - epsh kafshuar, përvëlon, zhurit - bukuria, lakuriq, dëborë ëndrre, vezulli e zjarr përdëllues.

Gjëmon nga përbrenda, guf gjaku a kambana, përjetësisht i kthjellët, afsh bekuar, trup e frymë, Flakë në shpirt kujtimi, ti gjithnjë nis nga e para, mbështjellë me cipëz drite, hajthmëri e shenjtërim.

Ti gjithnjë nis nga e para, flakë në shpirt kujtimi, klithmë ëmbëlake kësaj bote, aromë delikate. Ajër që ngjiz poresh puthjen dhe krijimin, hënën ndriçimtare, loj' bari e vese pas mesnate …

Ti gjithnjë nis nga e para, flakë në shpirt kujtimi …

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page