TI ERDHE TEK UNË


IRENA GJONI TI ERDHE TEK UNË


Ti erdhe tek unë... Tingulli i shpirtit, galaktikën e mat me sekondat për të qenë afër meje. Në mungesë të zërit, shpërthen meteorë që nga përplasjet e copëtimit të dritës, të artikulojë kumtin.

Rrokulliset humnerave të ajrit, Përleshet me thepat thikë të mungesave që të bëjë zë. Nga dhimbja ulëret kobshëm pa vaj.

Kumti ka ngelur hije e tingullit e nuk e largon dot kukuvajkën mbi kokën time, as korbin e shpirtëzuar në flokë e në zemër. As krizantemën e lulëzuar në katër stinë brenda gjëmës së shpirtit tim.

Loton me lotët e erës e se tret as dheu, se lartëson as qielli, s’e preh as ferr e parajsë pa kumtuar kumtin për mua.

I duhej një ëndërr me konture njeriu, Pikërisht ti ëndrra ime, pa ditur si e pse. Që nuk pyet: Çfarë gjuhësh flet i ikuri me të gjallin? Çfarë kodesh përdorin për të çkoduar njëri - tjetrin? Çfarë kutesh përdor për të të përzgjedhur profet kumtesh?

Vjen ti tek unë, si flamur triumfi i një kumti me një buzëqeshje hyjnore që ta dua. Që projekton në flatra distancash, një ditë shpirti enkas për mua, ushqyer që në amë me polen natë muzash e më rrëfen e më rrëfen një histori pa mbarim...

Lulnajat e gjithë pranverave m’i sjell në një buzagaz Me fustanin e tangove spanjolle, lidh fillin e këputur mes dy jetëve mes dy yjeve. Në vend të kukuvajkës e korbit, me frymën tënde bën që mes flokëve të mi të marr jetë një margaritë. Dhe përmes një përqafimi shpirti, ti ma len hapur portën e ëndrrës së të nesërmes...




P.s. I njëjti mall shpirti për buzëqeshjen e aromën tënde, për tingullin e zërit e ngrohtësinë e përqafimit tënd, për ajrin që lëviz nga prezenca jote e për gjithçka tënden. Ngelesh frymëmarrja ime e pulsioni i zemrës sime njëlloj edhe pas 9 vitesh...



18 views0 comments