Thoma Goga: “Hiqi thepin kobures, o trim...” - nga defteri i Çeços -
- Jun 25
- 5 min read

Fejton nga: Thoma Goga
“Hiqi thepin kobures, o trim...”
- nga defteri i Çeços -
Çeçua, që i ka dalë për zot stanit me dhënë e dhi, merakoset edhe për hallet e vatanit. Nashti ka filluar e kthehet shpejt në shtëpi, që të ndjekë haberet e akshamit. Po hera-herës merr briskun, që e mbanë lidhur me spango dhe i jep një të “kalitur” kalemit... Pastaj varda në defterin e tij. Ja se ç’shkroi mbrëmë:
...”Kur shoh gjithë atë milet në shesh, më vjen të vërvitem edhe unë vetë atje. Po ç’të bëj?! Punët në stanin tim kërkojnë punë. Ndaj shkojnë birinxhi, se i kam qendruar punës në kokë. Këtë përvojë ua kam molloisur dhe shokëve të mi nga Tërbaçi, Salaria, Dropulli, Shistaveci apo Devolli. Bëjmë edhe ne ca si “simite”, që sjellin bereqet e jo si ato “samutet” e europianëve. I kam shkruar disa herë karta edhe djalit të Taqkës. I kam dhënë dhe ca këshilla e porosi, po ai...si ai. Siç duket, ose nuk ja japin ata sejmenët e tij, ose ai nuk begenis të merret me “letra nga mileti”. I kam dërguar edhe një nga këshillat e mia, që e kam mësuar nga sovrani popull. Është fjalë e artë: “Po e hëngri mola trarin e madh, bie çatia”...Ndaj ruhu nga mola...
Nashti që jam duke parë haberet e akshamit, shikoj mizëri me njerëz. Nuk ke ku të hedhësh as koqen e mollës, siç thoshte një komentator sporti. Shikoj të rinj e të reja, pleq e më pleq se unë, nëna të reja me bebushkat e vegjël në dorë. I lexoj se çfarë shkruajnë dhe i dëgjoj se ç’thonë. Kërkojnë të mos e përdorësh pasurinë e popullit, sikur të jetë e jotja personale. Ke dhënë toka në bregdet? Ke dhënë. Ke dhënë kështjella e kala? Ke dhënë hidrocentrale, ke dhënë e po jep male, që i ke futur nëpër “paketa”. Sesi futen malet nëpër këto “paketa”, vetëm ti e di. Thua se këto “po shtojnë të ardhurat e popullit”. Po mileti sa vjen e varfërohet. Ndryshe fole kur të votuan, ndryshe del tani. Po thirrri fiqirit, o njeri. E ke mbushur dhe po derdhet kupa. Është mirë të zbythesh nga marrëzia jote. Ti përdore si të duash pasurinë që të ka lënë yt at’. Kjo që po ua jep “të fortëve”, është pasuri kombëtare. Këtë e dinë edhe ata bebet që protestojnë sot. Ja, më shiko mua. Gjyshi dhe plaku im më la stanin dhe këtë punë kam një jetë, që po e “tjerë” mirë. Dhe kurrë nuk i shes. Ata bebet e vogla, që po rriten në protestë, kur të hedhin shtat, do të të mallkojnë njëmijë herë. Dëgjove? Dëgjova, thuaj. Do të mallkojnë, se i ke lënë pa liri, pa atdhe. Si thua zotrote, të marrin udhët e botës edhe ata?!
Ustallarë dhe këta të televizorit. Në një cep protesta, në cepin tjetër ato takimet e tua me militantë e sojë e sorollop, që të mbajnë me gajret. Dhe ti bën ca deklarata si shaka pa kripë, për ata që janë mbledhur në shesh. Del e i numëron, sikur të jenë delet e mia. Jo ore, jo. Mos i numëro, se po ngrihen qytete, po ngrihen emigrantët. Mos i numëro se pastaj hesapi do dalë më shtrenjtë. “Hesapi i shtëpisë nuk del në pazar”, thotë një fjalë e sovranit. E atje është “Pazar i madh”. Mbase zotrote gënjen veten, kur hiqesh si i fortë. Edhe në atë antimitingun tënd bëre “garipin”.
Mblodhe militantët, patronazhistët dhe administratat me libër shtëpie nga i gjithë vendi, për të bërë karshillëk. Po të kishe dy pare mend, e kishe zbythur antimitingun në tjetër vend. Apo ai fjalimi yt, që na la pa mend...Mua m’u bë mishi koqe-koqe, po më vinte dhe për të pjerdhur. Se ta njohim mirë atë stilin tënd me “të të hedhur e përdredhur”.
Nejse. Me këtë që bëre, ta thom unë; protesta qytetare ka marrë më shumë “bateri”, o njeri. Nuk je më i fortë se ata që janë në shesh, jo. Je ca i gjatë, po forcën e sheshit nuk e njeh. Zotrote ke dhe një të keqe të madhe; matesh me hijen e mëngjesit. Kjo hije të gënjen. Vërtetë shkon deri në Bruksel, Paris, London, po hija, hije mbetet. Fshihet kollaj. Dëgjove? Dëgjova, thuaj.
Do rrëfenj një mesele, se më erdhi në shteg. Dikur, diku një burrë i mençur, me një barrë mend, ma ka treguar këtë mesele. E më dha porosi t’ja them njerëzisë. Ndaj e kam regjistruar edhe në defterin tim...
... “Shpejt, shumë shpejt, vite e vite të shkuara doli një gango, që më shumë dukej si lango dhe trembte dynjanë. Dilte nëpër krahinë me një pisqollë, që mbante në dorë. “Bam” këtu e “bam” atje me kobure. Hyri dhe në një klub fshati. “Bam, bam, bam”... në tavan. Të gjithë sa qenë aty ja mbathën vrapit. Mbeti vetëm një plak i thyer në moshë. Gango-lango “bam, bam bam”, kurse plaku, s’e prishi terezinë. “O çun, mërmëriti, merre më shtruar, o babam...Hiqi thepin! Hiqi thepin”. Po gango-lango edhe pse e dëgjonte, vazhdonte avazin me pisqollë në dorë. Pastaj i thirri mendjes. Si ka mundësi të dalë ky plak matuf më trim se unë? I shkoi në tavolinë plakut, që rrufiste një shqeto kafe. E plaku nuk pordhi fare nga koburja e tij.
- Pa ma thuaj dhe një herë atë që the, - i bërtiti plakut.
- Thashë që t’i heqësh thepin kobures, përpara se ta shkrepësh...
- E ç’do të thotë kjo?- pyeti gango-lango dhe shkrehu koburen në tavan.
- Kam hequr picir një herë,- foli shtruar plaku.- Këtë ngjarje e kam nga jeta ime.
- Pa hë të dëgjojmë atë mendjen tënde “pjellore”, o plakush, - ngriti zërin gango-lango.
- Dikur, kur jesha sa ti, mbase dhe ca më i ri, kesha dhe unë një kobure,- vazhdoi plaku.- E mbaja veten për gangster. Ja kështu si ti dilja fshat më fshat e i futa damllanë njerëzve. Po një ditë...Ah, për atë ditë! T’ja rrëfenj dheut. Ishin mbledhur djemtë e nënave. Më rrethuan, më kapën, më lidhën, më... më morën dhe koburen.
- E pastaj?- e ndërpreu gango-lango.
- Pastaj ma futën grykën e kobures m’u këtu, në vërën time,- u përgjigj plaku.- Po kjo ishte “mall”. Kur ma nxorrën, unë e di seç hoqa. Ja ai thepi që ngeci, ishte sebepi. M’u bë vëra e bythës sa gryka e topit...Ndaj, të keqe xhaxhai, nëse të dhimbset bytha jote, sa e ke akoma në dorë, hiqi thepin se nuk i dihet...”.
Nashti po të kthehem prapë ty, që je “shefi stanit” të madh. Zotrote mund të jesh i gjatë, po jo i madh. Bile-bile para atyre që janë mbledhur në shesh, je një “pikëz” ujë. Ata nuk pyesin për “pisqollën” tënde, se në dorë kanë “topa të rëndë”. “Topat” e miletit, që janë në shesh çdo ditë, po dëgjohen në Bruksel, Paris, Londër, Amerikë...Gjëmima e tyre lë më shumë gjurmë, se ajo hija jote...Dëgjove zotrote?! Dëgjova, thuaj.
Në fund të fundit, po të kujtoj dhe një herë këshillën time të fundit: Nëse ke dy pare mënd, shikoje e mendoje mirë atë punën e “thepit”...Se mileti nuk ka pisqollë, po “topa” të rëndë...
Dhe nashti nuk më mbetet merak, që nuk jam atje, mes miletit në shesh. Me këtë dy gisht kartë, zëre se jam në protestë...
Ju që më këndoni, u paça me shëndet. Çeço Çobani, dora vetë


![Shpresa Fundi Gjergji: PENTAGRAM në BBR[1] – Ku arti flet me zë radiofonik](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.png/v1/fill/w_442,h_250,fp_0.50_0.50,q_35,blur_30,enc_avif,quality_auto/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.webp)
![Shpresa Fundi Gjergji: PENTAGRAM në BBR[1] – Ku arti flet me zë radiofonik](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.png/v1/fill/w_292,h_165,fp_0.50_0.50,q_95,enc_avif,quality_auto/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.webp)




Comments