Thoma Goga: ”Gjahtarët” e konkurseve ...
- Jan 22
- 3 min read

- Fejton -
Ka plasur konkursomania. Për prozë e poezi. Për pleq, të rinj e fëmijë. Caktohen kritere, çmime, formalitet e ca “pordhalitete”...
Ja dhe konkursi i “gallatës”. Në fund të vitit që shkoi u zhvillua në Korçë ai i Letërsisë satiro-humoristike organizuar nga një kompani me presidente F. Nikolla. Interesimi ishte i lartë, megjithëse nën trysnin e kërkesave të organizatores, e cila donte edhe kallaballëk, për të arritur qëllimin e saj. Erdhën autorë të letërsisë satiro-humoristike nga të gjitha trevat shqipfolëse. Por era e keqe e mashtrimit po ndihej që në fillim.
Ndryshimi disa herë i kritereve dhe strukturës së çmimeve, më bindi se ishte paracaktuar fituesi. Për këtë flasin faktet. Më 15 prill 2025, kur u çel zyrtarisht ky konkurs, u shpërnda një komunikatë. Aty thuhej se do të kishte nga një çmim të parë për prozën, poezinë, fabulat (meqënëse ato shkruhen në prozë edhe në poezi), si dhe një çmim për komedinë/podkastin më të mirë. Gjithashtu përcaktohej afati i dorëzimit të veprave si dhe vendi kudo të zhvillohej konkursi. Po atë ditë u prezantua edhe një juri.
Por edhe këto u ndryshuan. Duke kaluar ditët e javët ndryshuan edhe anëtarët e jurisë, edhe struktura e çmimeve. Në një prononcim të kryetarit të jurisë F. Toçi, vetëm dy javë para natës finale, i cili nëpërmjet një video zbuloi strukturë tjetër. Ai prezantoi se do të kishte një çmim për veprat në prozë, një për ato në poezi si dhe një çmim kariere për autorin që ka patur aktivitet botimi intensiv vitet e fundit. Ky prononcim gjendet në instagram (në llogarinë e F. Nikolla). Duke ikur e duke “situr” pjesëmarrësit. Aq sa në natën finale kryetari tha se “do të kishte vetëm një çmim kryesor”. Mirë që nuk tha, se fituesi duhet të jetë me mustaqe, pasi këtë “kriter” vetëm një karikaturist e plotësonte. Si mund tw ndryshohen rregullat e lojës, pasi loja vazhdon dhe ishte ne fundin e saj?!
Kjo lojë e qelbur më kujton një ngjarje të viteve të shkuara. Një kryetar kooperative kërkonte nga brigadieri i blegtorisë një dash për ta çuar në ekspozitë për konkurim. Po dashi të ishte laraman. E meqë në tufë ishte vetëm një dash i tillë, kurorën e meritoi ai dash...
Kështu ndodhi edhe në këtë konkurim, ku fitues i paramenduar doli një karikaturist, që paraqiti një libër me poezi (?!), pasi kishin skaduar edhe afatet e dorëzimit. E pra, të shkelësh të gjitha kriteret vetëm e vetëm që t’i japësh çmimin e vetëm këtij “talenti”, që njihet si lekist dhe pazarxhi. E them këtë se akoma pa marrë diplomën në skenë, kujtoi “zarfin, zarfin”...Ishte po ky person, i cili e ka fituar një çmim në bienalen e karikarurës që u zhvillua vitin e kaluar. Deri këtu s’ka asgjë të keqe. Mbase Flora Nikolla i ka shumë borxhe këtij autori, po jo ta shpërblejë me forma të tilla abuzive. Po ta financonte nga llogaria personale dhe ta kishte tërësisht privat konkursin, mund t’i jepë mikut të saj çfarë të dojë.
Po e dini ku fle lepuri? Mos harroni se nën emrin e këtij konkursi xhvaten shumë fonde shtetërore nga bashkitë e zonës në qarkun e Korçës, apo dhe nga Ministria e Kulturës. Favorizimi i paramenduar i personave të caktuar dhe sjellja si pronare e këtyre fondeve, është fyrerje për të gjithë pjesëmërrësit e tjerë. Mbi të gjitha, është mashtrim dhe korrupsion për qëllime përfitimi. Dhe s’është hera e parë që ndodh kështu. Veprime abuzive u përdorën edhe në vitin 2023, në konkursin e dytë, ku çmimin e parë ja dha një miku të baba Nikos, që nuk u paraqit fare në konkursin - tender. Po të ishte baba Niko i “HOSTENIT” gjallë, edhe këtë fejton do e vinte në faqen e parë.
Më vjen keq edhe për kryetarin e jurisë, zotin F. Toçi, që shiti personalitetin e tij dhe bëhet palë me një mashtruese, duke u bërë pis nga balta e saj. Mashtruesja Flora Nikolla me dhelpëri shfrytëzoi edhe autoritetin e tij si ish-deputet. Mirë asaj aq ja pret kandari, po ty ku të çon mushka? Nuk është turp që mashtruat 30 përsona me dinjitet, të cilët erdhën nga ana e anës, madje edhe nga shtetet e rajonit?
Në fund një apel për bashkitë, që janë përzjerë në këto mesele, nën petkun e patriotizmit lokal. Ju hiqni nga goja të ardhurat e qytetarëve tuaj, që paguajnë taksat për të ushqyer mashtrimin. Kjo ka vite që penetron nën emrin e një konkursi me emrin e babait të saj, që për hir të së vërtetës, kështu nuk e nderon, por i nxjerr bojën. Mos t’u vijë keq kur të shkoni në dyert e SPAK-ut. Se organet ligjzbatuese për këtë janë, vetëm shteti të zgjohet nga gjumi e të mos bëjë sehir.









Comments