top of page

Thjesht, kur dhe një poezi bën romanin!


Thjesht, kur dhe një poezi bën romanin!

„Si shkas nga poezia "Libri i fiseve" e poetit Fatmir Terziu“

Lela Dardha Kokona


Po marr shkas të shkruaj për këtë varfëri mardhëniesh, e cila për mua dhe për disa të një moshe disi të kaluar, na shqetëson shumë. Ai shqetësim ka lënë gjurmë si tek të gjithë edhe tek vet autori i kësaj poezie. Ka mall për njerëzit e tij, shoqërinë, për atë kohë të shkuar të Edenit të tij. Është një mëndjelehtësi, indiferencë, e cila të çon në pragun e vetmisë. Por ai që zgjedh fillimin e një rruge, zgjedh dhe vendin se ku të shpie ajo rrugë.

Poeti, Fatmir Terziu ka etiketuar sidomos rininë e sotme, apo të afërmit të cilët nuk dinë të planifikojnë as të ardhmen e tyre, pa synime, pa objektiva ku si zgjidhje kanë vetëm mërgimin. E përshëndet fqinji në ashensor gjithë përzemërsi, ndërsa ai lëviz vetëm vetullat me kokë ulur, pra thotë me vete "na çave kokën". Shpirti mund të flasë dhe me anë të syrit, të puth dhe me vështrime, por njeriu i ngre sytë larg duke i përqëndruar në shikimin e atij që kërkon të komunikojë. Ato vetulla nuk të përcjellin emocion, janë sytë që tregojnë interesim, vlerësim, edukatë.

Ai përcjellë negativitet tek tjetri, shpreh mungesë të theksuar edukate, apo "dashuri ", ndërsa ai, komshiu, i afërmi të vlerësonë peshën e gjykimit që ke. Nuk është gjuha e trupit, por fjala ajo që krijon mardhëniet, të krijon emocione. Komunikimi është ndërtuesi i shoqërisë, pa komunikim nuk ka mardhënie. Të krijon dyshim ajo shprehje e syve ulur poshtë, mospërfillës. Vetmia që kanë zgjedhur disa, është e egër për Terziun, e gërryen, e ndjen në frymëmarrje. Të tillë njerëz përçmojnë njeriun e thjeshtë , e shohin nën këmbët e tyre.

Një thënie thotë: "Njeriu nëse është ai që ka dhe e humbet atë që ka, kush është ai?". ( askushi). Nuk i vlerësojnë nga formimi , nga idetë që kanë por nga veshjet luksoze. Pra këta të tillë kanë humbur thelbin e jetës , sikur janë në një vakum. Kanë një llum iluzionesh në mëndje dhe njohja e realitetit është pavetëdija tyre.Janë njerëz që mbahen nën hijen e tjetrit, fisit, prindit, ndërtojnë një mit, mjaftohen me vlerat e atyre që i kanë fituar me punë e djersë, dinjitet. Harrojnë të thonë se kush janë, s'kanë vlera, janë pa personalitet. Kjo mardhënie tashmë ndjehet edhe tek të afërmit e gjakut tonë. Edhe se jetojmë në kohën e shpikjeve të përditshme, të cilat na mundësojnë mardhënie ndërnjerëzore në të gjithë botën, telefon, celular, internet për kontakte të shpejta dhe të lehta, prap njeriu ndjen vuajtjen nga vetmia e izolimit. Varfëri mardhëniesh, kontakte të ftohta... Njeriu ka nevojë për një dorë humane të vendosur mbi sup apo një shtrëngim dore njëri - tjetrit. Vërtetë pandemia ka shkaktuar situata të vështira. Na ka ndikuar dhunshëm në ndryshimin e sistemin tradicional të vlerave tona si shoqëri e cila na ka vënë kufi në mardhëniet tona në sjellje sociale, por nuk na ka marrë buzëqeshjen për njeri - tjetrin, as dashurinë dhe respektin, zemrën e dhimbsur të cilën mund ta shprehim fare mirë me mjetet komunikuese që kemi . Kuptohet, që asgjë nuk do të jetë si më parë, por jo të mohojmë njeri - tjetrin, fisin, rrënjët tona ...

Ju përgëzoj për këtë poezi brilante, Fatmir Terziu, ku na bëtë pjesë e këtij diskutimi në këtë kohë të trazuar ndjenjash... Është një thirrje për reflektim. Thjesht kur dhe një poezi bën romanin!

Ja dhe poezia e F. Terziut:


“Libri i Fiseve”

Nga Fatmir Terziu


Diku në bibliotekën më të vjetër të kohërave

ndodhej “Libri i Fiseve”.

Shkruhej me mall, me zell, me dashuri, me pak fjalë

fiset ishin bashkë,

edhe kur ishin afër, edhe kur ishin larg,

edhe pse nuk kishin atëherë ndonjë celular.

Ky libër ka kohë që është hequr nga raftet

ka mbetur diku në një qoshe me pluhur,

thonë se atij i janë fshirë faktet,

dhe nuk është më ndonjë libër i duhur.

Teksa rrëmoja diku në një qilar. Zbulova

që në faqen e tij të parë

se dikur fiset ishin plot pa aritmetikë

mbushnin dasmat përplot me njerëz të gjallë,

tani fiset kanë marë arratitë,

me ta mund të piqesh rallë, mjaft rallë.

Në qoshen ku tashmë ndodhet libri

mëkat nuk është ta themi hapur

nuk ka qasje as vera, as dimri,

mijëra libra si ai vazhdojnë të mbeten flakur.

Enigma rritet dhe thinjet mes tyre

si flokët e lyera të zonjushës që i flak

kapakët e varrur si qerpikët e saj të syve

fisi si fletët e tij me varak.

Në raftin ku ndodhej dikur moteve ky libër

tani është vënë një tjetër i radhë

flet për njeriun që u bë dimër,

si akull i ftohtë, nuk ka më mall.

Miq të rrjeteve sociale, të këtyre shtigjeve

Ju gjaku i (pa)harruar i kohëve moderne

ju lutem duke shpëtuar “Librin e Fiseve”

shpëtojmë dhe dalim edhe vetë nga kjo gjendje.

81 views4 comments

4 Comments


Timo Merkuri

Në raftin ku ndodhej dikur moteve ky libër tani është vënë një tjetër i radhë flet për njeriun që u bë dimër, si akull i ftohtë, nuk ka më mall...... Eshte e vertete mik i nderuar qe "ka egzistur" ky liber i fiseve, jo vetem ne kujtesen tone por i shkruar ne kenget tona, ne doket tona zakonore, ne ritualet tona, madje edhe ne vajtimet tona e ne dashurite tona, ne puthjet tona e ne heshtjen tone.. Ka egzistuar ky liber i arte, i shenjte si Bibla. Por ata qe sdinin ta lexonin, qe sdonin ta lexonin, qe sdonin te vijonte te shkruhej me teje ja grisen fletet e ja dogjen ne zjarrin qe i vune atdheut. A e di Fatmir…

Like

Minush Hoxha

Nëpërmjet një fjalori të thjeshtë dhe për këte poetik e të afërt, z. Fatmiri ia doli që të shtrojë evoluimin e njeriut-shoqërisë njerëzore dhe tek shqetsohet /me arsye/ për fatin e tij, i bënë një lutje me përkulje: ,,Ju lutem duke shpëtuar “Librin e Fiseve” shpëtojmë dhe dalim edhe vetë nga kjo gjendje". Veçori që bie në sy: thjeshtësi në të shkruar dhe msazh i thellë filosofik e human.

Like

Isuf Miha

Të përgëzoj nuk ka fjalë më magjike se ajo : " Nuk jam aq i pasur sa të blejë të kaluarën "

Like

Agim Basha

Sa thjesht dhe sa bukur....Libri i fiseve na vjen në mendje përmes këtij rrëfimi poetiko-profetik...(profetin për atë që shoqëria njerëzore do ta dojë dhe mbase do ta ringreje atë libër nga pluhuri i harresës...)-Sepse,sado që të eci dhe zhvillohet teknologjia...njerzit do të duan të bëhen përsëri bashkë...do duan të shijojnë dhe ndajnë gëzimet dhe trishtimet njerëzore se bashku....Bukur.Urime Fatmir!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page