THJESHTËSIA, PASURI E ARTIT POETIK TË KADRI TARELLIT
Libri ‘Vjeshta në Vargje”.
Ka fare pak kohë që, në këto dit pranvere 2023, miku ynë Kadri Tarelli mundi të botojë librin e tij të pestë, “Vjeshta në Vargje”.
Është libër i bukur poetik i ngjeshur në vargje, plot ngjyra vjeshte, që ngarkon e shpërthen zemrën e gjysh Kadriut, në frymëzim për mjaltin e mjaltit, duke hapur faqen e parë me poezinë: “Dea dhe Dioni. Vargje për mbesë e nip”. Kënaqësi, për këtë këngë plot dashuri:
“Burim pene më vjen fjala,
Kur qesh nipi edhe mbesa.
Ngjyra deti më sjell vala,
Gurë të çmuar, zbulon vesa”…….
Vargu, tetë, nëntë dhe njëmbëdhjetë rroksh, në çdo strofë të mbush me frymëzim e ndjesi krenari dhe dashurie, duke shijuar lule lëndinash plot aromë.
Thëniet e korifenjve të shkrimtarisë dhe artit, si Platoni, Ciceroni, Pushkini, Esenini, Dostojevski, Adriano Çelentano, Naimi, Çajupi, Agolli, Ali Asllani, Arben Duka, Fatmir Terziu, Zylfie Gërvalla, Kopi Kyçyku, Artan Mullaj, etj, vendosur në krye të çdo poezie, janë një veçori që pasuron librin, si një portë e madhe kështjelle, që hap dy kanatat, duke të ftuar të hysh në oborrin e mrekullive të mendimit poetik, si pjesë e filozofisë së jetës.
Nuk e teproj te shprehem, sa dhimbje dhe ndjeshmëri kombëtarie ndjehet në poezinë kushtuar Çamërisë dhe Dardanisë, dy krahinave më të bukura e më të pasura të trojeve Illyrjane, titulluar “Çamëri dhe Dardani u prenë”, si pjesë e historisë sonë tragjike. Një plagë e thellë që lëngon e dhemb prej kohësh, si peshqesh i “Evropit”, për të shpërblyer e ushqyer fqinjët tanë lakmitarë.
Lexoni këto pak vargje:
“Çamëri perla Epirit,
trup shpirt ngulur në gur,
si feniks ngrihu prej hiri,
vendos krahun në flamur”.
Rima e vargut plot muzikë, peizazh vjeshte plot ngjyra (ilustrim vendosur edhe në ballinë), elegjia, humori, zgjedhja e përkëdhelja e fjalës, sarkazma, fabula, janë vlera, që hasen nëpër faqet e këtij vëllimi poetik të vogël, me rreth 80 poezi. Më ngacmon koj zgjedhje, poezitë nuk grupohen sipas tematikës, por janë të shtrira lirshëm, si lulet që rriten natyrshëm në lëndinë, duke na nxitur të kundrojmë secilën në bukurinë e vet, duke u ulur butë si bleta mbi petale, për të thithur nektarin.
E djeshmja, e sotmja dhe ajo që pritet nesër, “si varg i thyer” në poezi, kanë formësimin poetik me mjaft delikatesë, por edhe në përmbajtje, ku sintaksa e vargut ndërthuret hijshëm dhe ndjek pa sforcim mendimin që rrjedh natyrshëm. Besoj se kjo formë e bën leximin të këndshëm, dhe librin të pëlqyeshëm.
Miku i hershëm Kadri, të lumtë! Ke hedhur vështrimin panoramik me vargje të dala nga shpirti krijues, mbi gjithçka për-rreth nesh, duke gjetur të veçantat, që na ngazëllejnë apo na zhgënjejnë. Kjo është vlerë e mendimit dhe gjetjes artistike, të të bukurës, të shëmtuarës, të hidhurës dhe të ëmblës, të qetësisë dhe furtunës, të dritës dhe errësirës, të lodhjes dhe punës, të keqes e të mirës, tundimit dhe dëshirës.
Kujdesi për të shkruar shkurt dhe bindshëm, pa u hallakatur në mbrapahije, duke e veshur me shijë letrare, përbën stilin tënd të të shprehurit thjesht, dukuri që i jep vlerë librit dhe kënaqësi çdo lexuesit. Ja disa tituj që flasin qetësisht: “Shtrembër shoh tituj gazete”, “Pajtim ….. fjalë e huaj”, “Mësuam”, “Harruam fjalën: Të pres miku im”, “I dua njerëzit”, “Mësuesi hero, Haki Taha”. “Armiku jemi unë dhe ti”, etj. Për kënaqësi, pak vargje nga poezia “Ali Asllani porosit”:
“Hamë pimë dhe rrëmbejmë,
Nuk kursejmë çfarë të gjejmë.
Mos u lodhni të na shani,
Porosit Ali Asllani”……..
Larmia tematike e çdo poezie, është gjetje e bukur më vete, sepse ka brenda natyrë, ngjyra, dashuri, qytetari, atdhetari, nderim për miqtë krijues e artistë, ku nuk mungon edhe qëndrimi kritik artistik, shpesh me ironi dhe sarkazëm për problemet të përditësisë shoqërore. Ja disa tituj: “Bisedë me detin”, “Mjegull në Currila”, Mos e kërko hënën”, “Kaninë e bukur Kaninë”, “Drini i Bardhë po këndon”, “Sefer Tarelli. Elegji”, “Shpendi Topollaj. Kartolinë urimi”, ““Vivra”! Fisnike me rrënjë mbete”, ”Haxhi Ramës për ditëlindje”, ”Viron Kona, mbetur shpirt fisnik”, “Pashk Sinani, në 70-vjetor”, etj.
Si lexues, më pëlqen poezia e shkurtër, pasi mendimi dhe përfundim shfaqen në pak reshta, madje kjo bën të mundur që vargjet të mbahen mend lehtë, pse jo edhe të këndohen më muzikën e tyre të brendshme. Kjo mënyrë të shkruari, bën të mundur që të hiqet uji i tepërt dhe fjalët e panevojshme, që më shumë e turbullojnë poezinë, pa i shtuar asaj asnjë vlerë. Edhe kjo përbën vlerë për lexuesin, që kërkon të përthithë sa më bukur e më shpejt, mendimin të veshur me art fjale.
Ke kohë që ke ikur nga Devolli, që në vogëlinë e hershme. Je rritur e shkolluar në Durrësin tonë të lashtë e të ri, por nuk nguron të ngjyesh penën tënde në “baltën” e “Agollit” të madh, shoqëruar edhe me ndonjë gllënjkë raki të fortë mes miqsh e shokësh të mirë, mbase edhe shtruar këmbëkryq si qëmoti, me dolli që të përfshin në vrullin e valles “Devolliçe”, pa mburrje, si djalë i ri.
Më pëlqen ky libër i vogël në përmasa, pasi mund të mbahet lehtë në çantë apo në xhep, për t’u lexuar në kafe, autobus, tren dhe avion, pa qenë nevoja të ndjekësh radhën e faqeve, pasi çdo poezi është një zambak, gjemb dëllinje, lule bliri apo gjethe dafine.
Urime miku ynë i hershëm, koleg mësues dhe drejtues shkollash, tashmë i përfshirë në krijimtari, publicistikë, shkrimtari, poezi dhe kritikë letrare.
Presim të tjerë libra me po kaq vlera letrare dhe artistike.
Mundimi dhe frymëzimi është i yti, kënaqësia është e jona.
Pershendetje dhe falenderi autorit, qe mori mundimin te shkruaje per librin tim "Vjeshta ne vargje". Me vjen mire per frymezimin e tij nga vargjet e poezive te mia. I shpreh mirenjohje!