Thjeshtësia madhështote në krijimtarinë e Kristofor Mërkurit




( Poeti që tjerr ende dhëmbjen për Nënën)


Nga Kristo Çipa “Mjeshtër i Madh”

Ku ta marr atë gur të bardhë shpirtëror që nxjerr lot dhëmbshurie për jetën dhe njerzit dhe që nuk ka marrë mbi faqen e tij natyrale asnjë shenjë të vetme të daltës majëhollë tl modernizmit? Ku ta gjejmë atë rrëfim ëngjëllor të pastër si ujët e gurrës për fatin dhe njeriun? Ku ta gjejmë forcën për të folur aq shumë e aq thellë për detin e Sarandësë dhe dallgët e shpirtit?- Lexoni vëllimin poetik të Kristofor. Mërkurit “Puthja e fundit”.

Ma dha “ vëllazërisht” në Pilur në një kohë të mbushur me rrëmujën turistike dhe zhurmërimin që bënin emigrantët me gurët e vendlindjes. E urova dhe e vura në raft për një kohë më të përshtatshme. Dhe vjeshta e mendimit erdhi e unë u poqa përsëri me “ Puthjen e fundit”. E lexova dhe e rilexova duke e parë fillimisht si një të panjohur dhe për herë të dytë si një të afërm shpirti që më bëri të qortoja veten pse e kisha aq larg vëmendjes kur ky është identiteti orgjinal i njerëzve të mi të gjakut dhe të penës. Është një vëllim që nuk të lodh me meditime por të kthjellon në mendime. Gjithëçka që lexon e kupton menjëherë dhe menjëherë e përthith. Në të gjithë vëllimin dhëmbja për ikjen e shpejtë të Nënës qysh pa gdhirë mirë dita e jetës është shoqëruese dhe të duket se shtëllunga e kësaj dhëmbjeje tiret hollë, bukur e ngadalë nga furka e muzës poetike pikuar nga vajtimet ligjëruese të gjyshes Fotinë. Nëse shpesh në krijimtarinë mijlravjeçare të popullit , Nëna ka ligjëruar me vaje, logatje e mërmërimë dhëmbjen e fëmijës së ikur parakohe, Kristofori me melodramën e tij jetësore i drejtohet Nënës:

Kush e lan, kush e veshi?

Kush i dha një palë shollë?

Se ata që shumë i deshi

Preheshin nl shën Kollë


Mjaftojnë ketëa katër vargje të thjeshta në madhështl por të dhëmbshura deri në palcë për të kuptuar honin e thellë të dhëmbjes për Nënën dhe fillin trashëgues të bonjakllëkut të asaj familjeje. Kristofori sa herë ka marrë penën në dorë i është çfaqur muzë, nëna e tij Nicë. Nëse Nica plakl e Kadaresë i hodhi tek këmbët eshtrat e kolonelit të zi, gjeneralit të ushtrisë së vdekur, Nica nënë e Kristoforit na shfaqet e veshur në rininë e saj e mbështjellur me mjegullën e bardhë dalë nga vesa e pikëllimit për të shkuar lart në qilimin e amanetit me profil kthyer nga meraku i përjetshëm Kristofori. Nga Nica e Kristoforit lexuesi mëson edhe toponomastikën e fshatit të orgjinës së saj Pilurit. Edhe pse në vëllim na përshkuhet Çentrali i vjetër dhe Saranda e dikurshme, Korami i Pilurit me rrugën e tij llahtarisht të rrezikshme përshkuhet aq realisht sikur të ketë shkuar vet me qindra herë. Por kjo kuptohet se ka shkuar Nëna Nicë në atë udhë dhe hapat e saj i dhëmbin në kraharor Kristoforit. Kambana e lisit madhor të kishës së shën Kollit aty ka qënë por tingulli i fundit rënë për Nënën Nicë është kumbimi i përmallshëm për Kristoforin. Në atë tingull ai mban peshë tallazet e jetës dhe bunacat e shpirtit dhe i transmeton aq thjeshtë e aq bukur sa duken se janlë darametet e tua që përshkruhen atje në vëllim.

Nuk dua të zgjatem shumë me analizën e hollësishme të vëllimit se aty ka xhevaire sa të duash por edhe vërejtje mund të bësh me racionalitet por unë u mrekullova me thjeshtësinë madhështore të Kristofor Mërkurit dhe ngjizjen që ajo bën me poezidashësin sa që shumë vargje e strofa janë bërë si të mijat dhe mund të “ grinden” me këdo për autorsin e tyre

Kristoforit i uroj suksese në penë dhe e uroj që tufën me borzilok e jargavanë të na i dhurojë ne pranverë e vjeshtë para dimrit të ashpër që ti kemi për zjarrin e shpirtit.


Pilur, më Tetor 2021