Thirrma që trandën…


Kujtim Dashi

Thirrma që trandën…

-Fragment nga novela me të njëjtin titull-



…S’e vija në dyshim se më kishte përzgjedhur si një Demkë* me perspektivë në këtë fat të paracaktuar tinëzisht, duke më bërë gjoja nder mua, ta çlironte veten nga punët e lapsit e për të kompensuar njëfarësoj paaftësinë me damkë të atij stafi të ngushtë që drejtonte. Atë e kishte trashëguar apo dhe ripërtërihej dora-dorës vetvetiu si një vazhdë tradite shumëvjeçare, që s’kishin asnjë mundësi ta ndryshonin dot ardhëtarët përjashtues e kalimtarë si unë. Kur hapeshin vende të lira s’para e pyetnin fort shefin tim, ose kur rastiste të ndodhte, këtë e bënin sa me e lag gojën, veprohej sipas parimit e logjikës mëjepsetëjap, duke nxjerrë sekush përfitime për veten e vet nga këto emërime.

Rishtarë të përhershëm e të preferuar, pa frikën e ethet e konkurimit të hapur me të tjerë, ishin gjithmonë djemë e vajza të shokëve e miqve të nomenklaturës lokale, që silleshin në atë institucion si në një trampolinë të përkohshme, për t’i përgatitur për poste më të larta a vende pune më të rehatshme e të bereqetshme deri dhe në kryeqytet, si një mënyrë për të siguruar vazhdimësinë në pushtet të etërve të tyre. Kohën e kishin me tepri dhe mundësitë e pakufizuara për t’i peshkuar këto vende pëllumbash, që i quanin mes vedit. S’më qe thënë fare troç arsyeja e thirrjes sime, po kjo ishte e nënkuptuar dhe e përllogaritur mirë, madje e veshur me petkat e një bamirësie përjashtuese. Nderin që po më bëhej, duke më zbritur në qytet, madje dhe cen biografik dhe kaq shpejt, - lindur e rritur në qytet, po emëruar në fshatin më të skajshëm të malësisë, - duhej t’ua shpërbleja me mirënjohje e veç po me nder, duke u bërë si një instruktor i eprorëve të mi dhe i stafit tjetër. Kësisoj pa rënë në sy, fshehurazi barra ime ishte t’i vija mballoma të padukshme e purteka paaftësisë së të tjerëve, po, ama, ta mbaja mirë vath në vesh: të mos ndihesha fare, të mos përflisja miturisht, të mos ankohesha e të nxirrja në pazar punët e përbrendshme në asnjë rast, qoftë edhe atëherë kur do të më fshihnin thellë brenda listës së gjatë të ndonjë grupi pune, po që e tërë barra, dihej mirëfilli, do të binte mbi lapsin tim. Pjesëmarrjen në çdo lloj grup pune s’do të ma ndanin derisa të m’i jepnin duart, ose t’ia bëja bam unë vetë, të ikja nga sytë këmbët. Isha vetë sinonimi i grupit të punës. Lexohej lista e gjatë e grupit të punës dhe, kur bashkëanëtarët dëgjonin emrin tim, atëherë ndjeheshin të lehtësuar e nënqeshnin me shejtanllëk. Qëllonte që më jepnin edhe haxhet tek të tjerët. Do të shkosh te shoku…Po të çoj këtë të riun që kemi marrë tashti vonë, mbaje sa të duash, po ma trajto mirë, më përcillte shefi ynë dhe nënqeshte i kënaqur, pasi me siguri, nuk do të dilte pa ndonjë përfitim vetjak prej këtij shkëmbimi, si t’i jepte rrugën një argati…Zura të njoh edhe ndonjë tjetër që përfaqësonte grup pune në institucionin e tij dhe nisëm të shkëmbenim batuta, me të cilat na ushqente Demka…

Natyrisht duhet ta kuptoja dhe t’ia bëja shyqyrin, - më kishte këshilluar një kushëri i imi kriptoateist, - se isha më me fat se Të padukshmit, për të cilët shkruante një autore angleze. Sapo e kisha lexuar ato ditë librin dhe më kishte lënë pa mend. Edhe sepse ai iu kishte shpëtuar syrit vigjilent të censorëve e kishte mbërritur në duart e lexuesve. Autorja tregonte për një koloni shkrimtarësh në Klignankartholl, në të cilin ishin punësuar afro njëqind shkrimtarë të talentuar, të vjetër dhe të rinj, me fat dhe të mjerë, të cilët më parë ishin testuar nga një komision ekspertësh. Kushti i parë i kontratës rigoroze të puntorisë krijuese ishte zhdukja përfundimtare e emrave të tyre; ata nuk do të kishin më emra, por do personalizoheshin me numra, formula algjebrike, ose figura grafike si gj