THIRRJE AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË...


THIRRJE AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË: MOS DERDHNI FONDE

TË TJERA PËR TË SHPËTUAR NJË KAUZË TË DËSHTUAR


DON’T THROW GOOD MONEY AFTER BAD


Nga Frank Shkreli


E vërteta është se e kam të vështirë të kritikoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, qoftë atë në Tiranë qoftë atë në Prishtinë. Më vjen keq sepse si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan, për 50-vjet tani, por edhe si një shqiptaro-amerikan që kam patur privilegjin dhe nderin të punoj nga afër me shumë diplomatë amerikanë të akredituar në trojet shqiptare për disa dekada dhe për të cilët ruaj gjithnjë kujtime shumë të mira dhe respekt. Kishim pritur për pothuaj një shekull – që Kombi amerikan, më në fund, të zyrtarizonte lidhjet historikisht mike me Kombin shqiptar, të ndërprera për një kohë të gjatë nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës. Falë nderës Zotit, sot kemi dy ambasada amerikane në trojet shqiptare: një në Tiranë e tjetra në Prishtinë -- në Kosovën e çliruar, falë, kryesisht, ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë. Për këto lidhje midis dy kombeve tona, unë si shqiptaro-amerikan dhe ne si komunitet këtu në Shtetet e Bashkuara, besoj se jemi shumë krenarë për punën e dy ambasadave tona në Tiranë dhe Prishtinë dhe në përgjithësi, gjatë tri dekadave të fundit kemi mbështetur veprimtaritë e tyre në të gjitha fushat, ose në ndonjë rast të pakëndëshëm edhe kemi heshtur për ndonjë gjë, për hir të rrethanave të mbrendshme politike në Shqipëri dhe në Kosovë.

Por, kjo nuk do të thotë se ne si taksapagues amerikanë, me origjinë shqiptare, nuk kemi të drejtë të bëjmë vërejtje e madje edhe të kritikojmë mënyrat se si shpenzohen fondet e miratuara nga Kongresi amerikan, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Shtetet e Bashkuara, nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, për disa vite tani, kanë mbështetur fuqimisht me fonde dhe me ekspertiza të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi”, e cila sipas disa ekspertëve ka dështuar tanimë dhe sipas të tjerëve, në minimum, është e vonuar dhe nuk po zbatohet, megjithë derdhjen e fondeve të mëdha në këtë fushë nga ana e Shteteve të Bashkuara. Nuk kam asnjë dyshim se qëllimet e ambasadës amerikane në Tiranë, historikisht, kanë qenë dhe janë qëllim-mira dhe pa hile. Por, ama sot në fillim të vitit 2020, pas shumë vjet përpjekjesh, duhet të pranohet se megjithë masat serioze të ambasadës amerikane për reformën në drejtësi në Shqipëri, ato përpjekje, sot për sot janë, fatkeqësisht, të deshtuara. Jo se ambasada amerikane nuk ka bërë mjaft në këtë drejtim, por për arsye se kjo klasë politike, duke filluar nga kryeministri e poshtë, nuk e do këtë reformë dhe as nuk do e zbatojnë edhe po të arrihet në letër.

Prandaj u habita kur pashë një njoftim në faqen fejsbuk të Ambasadës amerikane në Tiranë sipas të cilit, në bazë të një Memorandumi të nenshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, është arrijtur një marrëveshje, “për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme”, me qëllim për të zgjidhur problemin e Gjykatës së Lartë e cila sipas njoftimit të ambasadës na paska aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura, për tu shqyrtuar. Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt.” More, vërtetë ka njerëz që besojnë se pas historisë së dështimeve të deritanishme në reformën e drejtësisë në Shqipëri, tani do të identifikohet, “Një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë”, që do ta zbërthejnë njëherë e mirë sekretin e problemeve në sistemin juridik shqiptar, përfshirë dhe 35.000 dosjet e prapambetura dhe që nga puna e tyre të gjithë do të mbeten të kënaqur? Beson njeri? Ku ishin deri tani këta “juristë të zotë”? Mos janë edhe këta pjesë e atyre juristëve të “zotë” që e kanë sjellur sistemin e drejtësisë në Shqipëri në këtë katastrofë, në të cilin gjëndet tani! Keni ndonjë barometër të besueshëm për të matur pikëpamjet e shqiptarëve ndaj përpjekjeve për “reformën në drejtësi”, dhe ndaj juristëve të “zotë” shqiptarë në përgjithësi, megjithëse jam i sigurt se në radhët e tyre ka edhe të ndërshëm dhe profesionistë?

Vërtetë pret ambasada amerikane në Tiranë se me këtë Memorandum të nënshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, dhe me gjithë fondet amerikane që do të derdhën përsëri “për reformën shqiptare në drejtësi”, megjithëse shuma nuk përmendet në njoftim -- numri i këtyre 35.000 çeshtjeve të prapambetura, do të zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur, siç thuhet në njoftim!?

Është një thënje amerikane, “throwing good money after bad”, që në thelb i referohet një situate kur dikush shpenzon fonde shtesë, në përpjekje për të shpëtuar një plan të mëparshëm të dështuar. Si një taksapagues amerikan, më duket se kjo nismë nuk duhej të ndodhte në këtë rast. E kuptoj se në të kaluarën janë harxhuar shumë fonde qeveritare amerikane dhe shumë kohë është kaluar nga eskpertë amerikanë gjatë viteve në Tiranë dhe se është shumë e vështirë të pranohet se të gjitha ato shpenzime e mundime gjatë viteve kanë shkuar kot. Por shpenzimi i fondeve të tjera shtesë, siç propozohet me Memorandumin e lartë- përmendur, mund të jetë një aventurë tjetër e rrezikshme, jo vetëm e pa dobishme për objektivin e caktuar, por mund të jetë katastrofike për systemin e drejtësisë. Pas 30-vjetë përvojë në Shqipërinë post-komuniste, duhet të jeni të vetdijshëm se dollarët në vetvete nuk do të zgjidhin problemet në Shqipëri dhe aq më pak problemet në sistemin juridik të atij vendi. Po të kishte qenë një firmë private amerikane që do të kishte derdhur aq shumë fonde dhe investime pa sukses në fusha të ndryshme, sa ka derdhur qeveria amerikane në Shqipëri gjatë 30-viteve të marrëdhënieve dy-palëshe– dhe jo vetëm qeveria amerikane – një firmë e tillë do të kishte falimentuar me kohë.

Kur flasim për vlera të përbashkëta, shqiptarët mund të jenë pro-amerikanë, por jo kjo klasë politike, megjithëse, sa për sy e faqe, ata shprehen se janë më pro-amerikanët në botë dhe u pëlqen të dalin në fotografi me zyrtarë të lartë amerikanë. Pretednimet e tyre pro-amerikane janë një hipokrizi e shekullit! Të jesh pro-amerikan do të thotë të ndajsh të njëjtat vlera me Amerikën, përfshir sensin e drejtësisë dhe respektin për njerzit, të drejtat e tyre themelore, trajtimin e barabart dhe mirëqenjen e tyre. Janë pra një serë idesh e parimesh dhe vizionesh që përbëjnë vlerat e përbashkëta. Nëqoftse do të merret seriozisht kjo klasë politike shqiptare, ajo duhet të bëjë më shumë në mbështetje të këtyre vlerave të përbashkëta dhe jo vetëm të flasin për to.