SHPENDI TOPOLLAJ
(Rreth romanit “Një ditë do takohemi!”)
Kushdo që nuk e ka njohur më parë, nuk do ta besojë kur ta takojë, se Dhimitër Trajani pas disa ditësh, pra në 28 Janar 2021, mbush plot 82 vjeç. Ca më shumë nuk e beson ai që i qëllon të lexojë romanin e tij të sapobotuar “Një ditë do takohemi!” Dhe e gjithë kjo vjen ngaqë si në të parë, si në energjitë e pashterura që përcjell, ashtu edhe në mënyrën djaloshare se si shkruan, njeriu do të krijojë për të tjetër imazh. I titulluar “Oficer Tankist i Klasit të Parë”, ai e nisi karrierën si pedagog në shkollën e Oficerëve dhe po e vazhdon si i tillë, por tani si inxhinier, në Universitet. Dhe dallohet si një pedagog mjaft i kualifikuar dhe i përkushtuar, jo thjesht për aftësitë e tij të spikatura në mësimdhënie, por edhe në veprën e gjërë studimore të botuar, si në fushën e mbrojtjes së vendit, në atë të shkencës bashkëkohore, por edhe në atë letrare. Sa për ilustrim po sjell titujt e librave voluminozë “Elektronika në Automjete” dhe “Konstruksione Inxhinierike të Automjeteve Moderne (Mekatronika)” dhe romanet e mirëpritura “Emigrantët” dhe “Qyteti i Serenadave”. Ajo që dua të theksoj, është fakti se duke ardhur nga radhët e ushtrisë, ky shkrimtar - shkencëtar na bën nder të gjithë neve që i kemi shërbyer Atdheut tonë me devocion e ndershmëri, por edhe vërteton se qënia nën armë, nuk e ka ashpërsuar aspak shpirtin e ndjeshëm human të ushtarakëve shqiptarë. I mëshoj këtij fakti pasi me dëshpërim vërej se ndodh që del dikush nëpër ekrane televizivë dhe në nxitim e sipër, shprehet pa respekt për vëllezërit e tij oficerë. Ka ndodhur që edhe burra të nderuar, deri politikanë, kanë thënë se oficerët që kishin studiuar në ish B.S. mezi e paskan pritur pas 21 Gushtit të vitit 1967, edhe pushtimin e Shqipërisë. Ose kur kanë dashur të shprehin ndonjë opinion për dikë, e kanë stigmatizuar si “skënderbegas”. Jo, miq! Nuk është aspak kështu. Kuadrot e ushtrisë janë nga bijtë më besnikë të Atdheut tonë dhe ata që kanë studiuar në bangat e lavdishme të shkollës ushtarake “Skënderbej” janë nga intektualët më të kulturuar, gjë për të cilën flet edhe botimi i mijra librave me poezi, prozë e dramaturgji. Ashtu sikurse artistët e shkencëtarët, pa folur për sportistët e dalë nga kjo shkollë që janë shndërruar në legjenda të sporteve tona, duke e ngritur flamurin tonë kombëtar në shumë fusha e stadiume jashtë vendit. Por nuk është ky momenti për t`u zgjatur rreth kësaj çështjeje, për të cilin më detyroi romani në fjalë me vlerat e tij artistike; ku gërshetohen aq bukur kompozimi, njohja e admirueshme e muzikës botërore, e historisë, mitologjisë dhe ajo letrare ndër shekuj, si dhe mesazhet që autori ka dashur të japë. Ngjarjet e romanit zhvillohen në dy plane; një dashuri mes magjisë së tingujve muzikorë dhe tmerreve që shkakton lufta. Të dashuruarit janë djaloshi italian Antonio Xhuvanio dhe vajza hebreje Rakela Abbey, të dy studentë në Konservatorin e Milanos. Ishte viti 1940 dhe lufta thuajse kishte nisur, sidomos pas 7 Prillit. Ata i bashkon si dhënia e një koncerti të përbashkët në kujtim të Pjetër Iliç Çajkovskit me pjesën “Valsi i Luleve”, ashtu edhe diskutimet e pafund për jetën dhe veprën e atyre që jemi mësuar t`i quajmë Mjeshtra të Mëdhenj të Muzikës. Pra të atyre që nuk i përkasin një kombi të vetëm, por gjithë njerëzimit. Në këtë këndvështrim, autori ka shpalosur një enciklopedi të tërë, ku lexuesi gjen plot kuriozitete, por që njëkohësisht, Dhimitri i ka vendosur në funksion të romanit të tij. Jo rastësisht ai ka zgjedhur Milanon, kryeqytetin e muzikës hyjnore, vendin ku ndodhet tempulli kryesor i saj, La Scala. Temat rreth të cilave të rinjtë diskutojnë; simfonitë, operat, romancat, ngjarjet intime nga jeta e kompozitorëve, frymëzimet e tyre apo zhgënjimet që i kanë ndjekur, janë manifestimi më emocionues, por dhe më elokuent i deklarimit të dashurisë dhe i besimit në forcën e pazëvendësueshme të saj. Se askush nuk mund ta bëjë të pranishme atë, më mrekullisht se ato ariet e paharruara që të ndjekin pas tërë jetën, të kënduara nga Karuzo, Xhili, Pavaroti, Kallasi, Kabale etj. etj. Ndaj thosh dhe Viktor Hygoi se “Ajo që nuk mund të thuhet dhe ç`ka s`mund të heshtet, e shpreh muzika”. Se muzika komunikon direkt me shpirtin njerëzor dhe askush më mirë se ai, e kupton atë. Por nuk ka qenë ky qëllimi i vetëm i autorit. Ai muzikën që përhap dashurinë për jetën, për të bukurën, për gëzimin, për paqen, ja kundërvë njëmijëenjë të këqijave që sjell absurdi i luftës. Vetë ai e qartëson këtë qysh në Parashkrimin e tij, ku thotë: “Në këtë roman i kam quajtur tingujt e muzikës “thirrje” për paqe dhe miqësi; një “zë” për respekt ndërmjet popujve! “Dhe luftrat do vinë duke u shuar, ashtu si zjarreve kur nuk u hidhen dru, për t`i mbajtur ndezur”. Kur dashuria për jetën, për njeri - tjetrin, do të lartësohen! Kur etja për pasuri, pushtet dhe lavdi do t`i takojnë gjithmonë e më shumë kohës të shkuar!” Ndaj dhe e shvendos historinë në kampin e Përqendrimit në Mat`hauzen, ku e kanë shpënë vajzën vetëm e vetëm pse është hebreje. Plot peripeci e ndjekin atë; vuajtje, provokime, përfshirje në orkestrën e kampit (çfarë shpikje hipokrite prej nazistësh!), mos njohje e profesorit të saj Aron që ishte kthyer në skelet, madje as e të vëllait Abadonit. Dhe mbi të gjitha, shqetësimi i saj për fatin e të dashurit që ishte thirrur në luftë kundër Greqisë dhe kishte përfunduar maleve të Shqipërisë. Në roman shfaqen personazhe dinjitozë që edhe në kushte mjaft të vështira ruajnë dinjitetin njerëzor. Të tillë janë rusja Ollga, profesor Aroni, milanezi, shok i Antonios, Leonardo që vajton dhe plagosjen e shokut, bën çmos ta shpëtojë atë dhe i ruan amanetin që ai kishte gdhendur në kondakun e pushkës dhe që është me interes ta japim të plotë:
Kjo pushkë kurrë nuk do qëllojë mbi trupa njerëzish!
Plumbat e saj, në ajër do fluturojnë!
S`do mbulojnë asnjë nënë me shami të zezë
Dhe asnjë lule dashurie nuk do të “këputin”!
Unë e dua paqen ndërmjet popujve dhe e urrej luftën!
Në këtë prag fillimi lufte, do thërras:
Atë që kam dashur ta interpretoj me instrument:
“Simfoninë e Nëntë” të Betovenit, Himnin madhështor
Sipas thirrjes së Shilerit: “Përqafohuni Vëllezër!”
Nuk i ka shpëtuar këtij autori, lidhja e muzikës me natyrën apo me poezinë dhe mendimet e filozofëve për liritë e njeriut dhe demokracinë. Ka plot citime, por kjo është shenjë e pjekurisë së tij, e plotësimit si shkrimtar erudit që i jep më shumë vlerë këtij libri. Se sipas Bejlit “Aftësia për të cituar saktësisht është një talent shumë më i rrallë nga ç`duket”. Ashtu sikurse vlerë i jep edhe bashkimi i dy të rinjve, atje ku u njohën dhe kur nuk e prisnin; në një sallë koncerti, ku ajo do të luante si atëherë, pesë vite më parë, por tani e pezmatuar, pasi e dinte Antonion të vdekur. Jeta ka të papritura, dhe nuk ka lumturi më të madhe se kur ato janë të gëzueshme. Mendojini ata duke luajtur sërish atë “Valsin e luleve”. E meritonte Rakela,vajza hebreje këtë lumturi, pas humbjes së prindëve, vajza që ka gjithë vëmendjen e autorit të romanit, për të cilën tregon gjithë simpatinë e vet kur thotë: “…ajo e përmend me krenari identitetin e saj hebraik; nuk është një “mit”, por një vajzë që mishëron tiparet e kombit të vet: zgjuarsinë, atdhedashurinë, vullnetin dhe pasionin për punën; një simbol i shpirtit të qëndresës ndaj vështirësive; që ka kurajo dhe gjen forca për t`i përballuar ato”. Një vajzë e asaj race që kur shumë të tjerë ua mbyllën portën, ne shqiptarët ua hapëm me dashamirësi e guxim. Dhe që këtë gjest njerëzor, këtë virtyt tonin e gjejmë edhe te faqet e këtij romani të kompozuar mjeshtërisht, nga një inxhinier, dikur Tankist i Klasit të Parë.
Urime Shpendi! Nje shkrim qe na njeh me mire me Ing. Tankist Dhimiter Trajani. E çuditshme jeta dhe kultura, kur mendoj se nje inxhiner futet te shkruaje aq bukur per muziken, Kam parasysh muziken Klasike, ku rrenjte dhe themelet i ka ne Milano. Kjo eshte merite e artit te bukur! Edhe nje here urime!