top of page

Thellësia e thjeshtësisë”


Po pi kafe dhe po lexoj disa perla urtësie poetike nga libri i shkencëtarit të njohur shqiptar ENVER ISUFI librin: “Thellësia e thjeshtësisë” një njeri që përveç shkencës është i aftë të na sjellë mëngjese poetike befasuese... Është më i ri se unë. Një dekadë pas meje i bie të ketë mbaruar Universitetin tonë të jetës Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë, siç shënohet në diplomat tona... Dje i urova 69 vjetorin e datëlindjes. EDHE NJËQIND KOLEGU IM. Vite të shëndetshme, vite shkence, vite poetike... Shijojini duke pirë kafe këto rreshta që të çojnë “Thellësive të thjeshtësisë”. Mos harroni. Është nder ta keni në bibliotekën tuaj...

Abdurahim Ashiku Mëngjes Athine, 18 shkurt 2021


NË VEND TË NJË ”KAFEJE” ME LEXUESIN

Të dashur lexues!

Ky libër përmban vjershat e tre librave të botuar respektivisht në vitet, 2012, 2013, 2017 me të njëjtin titull: “Thellësia e thjeshtësisë”. Vjershat e para janë shkruar qysh kur isha student në Fakultetin e Agronomisë. E kujtoj edhe sot, se vjersha e parë ishte “Grerëza dhe bleta”. Një numër vjershash i kam shkruar kur isha me studime jashtë vendit (shumicën e kohës së studimeve e kam kaluar në Gjermani). Atje, jashtë vendit , mungesa e familjes, fëmijëve, kolegëve, ngarkesa shkencore dhe vetë largësia nga Atdheu, krijuan tek unë momente stresi. Tek poezia, gjeta “ilaçin” tim. Pas viteve 1990, u bënë dy gjëra bashkë: u zgjerua shkalla e lirisë si dhe bollëku i lëndës së parë për krijimtarinë. Në këtë periudhë lindën me shpejtësi fusha të reja si; prona të reja, biznese e parti të reja, shoqata e ligje të reja, profesione dhe baza jetese të reja, miqësi të brendshme dhe të jashtme të reja, koncepte e stile jetese të reja, vese e morale të reja, të drejta njerëzore por edhe padrejtësi të reja. Në këtë periudhë , madje lindën dhe shumë fjalë të reja. Disa e pasuruan gjuhën tonë, shumë të tjera e ndotën atë. Krahasuar me periudhën e para viteve 1990, në ekonominë dhe jetën tonë, ashtu siç lindën disa mrekulli, lindën shumë paradokse e përjetuam edhe disa tragjedi. Shqipëria kurrë nuk ka pasur më parë në historinë e vet, një periudhë historike me kaq dendësi ndryshimesh ekonomiko- sociale. Në këto kushte, si shumë qytetarë të tjerë, edhe unë reagova dhe vazhdoj të reagoj me mjetin e poezisë, si tribunë për të thënë mendimet e mia modeste. Poezia dhe kënga janë dy rrugët më të shkurtra dhe më racionale për të transmetuar mendimet tek qytetarët , pikërisht ashtu siç i ndjejmë, ashtu siç i perceptojmë dhe interpretojmë. Në vitin 2012, kur u prezantua libri im i parë, një mik i pranishëm në sallë pyeti: “A do të vazhdoni të shkruani libra të tjerë me këtë stil të shkruari, si tek ky libër që prezantove?” Unë u përgjigja: ”Libri i parë ishte “kati i parë i ndërtesës”. Kësaj i vendosa “soletën”. Nëse përshtypjet e lexuesit do jenë të mira, unë do të hedh edhe “katin e dytë”. Kështu bëra, e hodha “katin e dytë” me botimin e librit të dytë, sepse nga lexuesi kuptova që “themelet” e librit të parë ishin mjaftueshëm të thella. Pas kësaj unë botova librin e tretë dhe lexuesit më inkurajuan më shumë. Gjatë dy viteve të fundit, përgatita edhe 40 vjersha të reja, dhe vendosa t’i përmbledh në një libër të vetëm të tre librat e botuara nga viti 2012 deri në vitin 2017. Disa nga vjershat e librave të parë i kam hequr, dhe disa prej tyre i kam “gdhendur” diçka më mirë. Kisha menduar që ky libër të ishte në duart e lexuesve mundësisht brenda vitin 2020. Vjershat paraprakisht ia kam prezantuar lexuesve të vëmendshëm, kudo që jam takuar me ta. Fatmirësisht vjershat i mbaj mend përmendësh, dhe kjo më ka lehtësuar prezantimin e tyre në çdo mjedis, si në kafene, në punë, udhëtime, etj. Ato të cilat paraprakisht janë pranuar si të vlefshme, i kam përfshirë në librat përkatës. Lexuesi ka qenë i shpenguar të m’i komentojë vjershat, ashtu siç ai i ka kuptuar dhe ashtu siç i ka shijuar. Në librin e dytë iu drejtova lexuesve me këto vargje:

“Çdo vjershë e imja, është si një bimë patate

Do të më vinte shumë hidhur,

Nëse patatet nuk do të kishin lidhur

Unë shpresoj se ju nuk keni për të dalë bosh

Diku do vilni një trastë, diku një kosh

Të lutem shumë i dashur lexues

Të ma thuash hapur, kur të më takosh.“

Duhet të shpreh edhe një fakt tjetër. Ishte nxitja e poetit Demir Gjergji, i cili pasi bëri vlerësimet letrare të dy librave të parë, më dha siguri të vazhdoj të shkruaj. Ai më shprehu opinionin e tij, se këto vjersha kanë qenë të papritura për mua, prandaj shkruaj me këtë lloj thjeshtësie dhe qartësie. Lexuesit duan ide, dhe përfundime, nuk duan shumë akrobaci fjalësh. Pasi diskutuam disa tituj për librin, Demiri për një moment tha; në fakt këtij libri i shkon titulli “Thellësia e thjeshtësisë” Edhe mua më ngjiti ky titull dhe i thashë Demirit:” Le të vendosim propozimin tuaj”. Kështu u bë. Këtë titull nuk e kam ndryshuar edhe në librin e katërt. Nuk do ta ndryshoj edhe nëse botoj ndonjë libër tjetër me vjersha. Vendosa të shkruaj më i lehtësuar, kur i gjeta vetes edhe një justifikim moral: amatorët janë trima, profesionistët janë frikacakë .Thashë me vete: ”Boll jam frikacak në shkencën e agronomisë, ku unë jam profesionist dhe kam frikë të gaboj; nëse gaboj në poezi, lexuesi do të jetë më tolerant ndaj meje”. Kështu vendosa ti botoj vjershat e mia të para. Një nxitje e madhe për mua ishte shkrimtari i madh Dritëro Agolli. Fuat Memelli, mik shtëpie në familjen Agolli, më tha se të dy bashkë do bëjmë një vizitë te familja e Dritëroit. Gjetëm kohën dhe në Shkurt të vitit 2011, e realizuam këtë vizitë. Fuati e çoi fjalën për të më prezantuar mua edhe si dashamirës i poezisë. Ai shtoi se Enver Isufi, nuk është vetëm agronom i mirë, por shkruan poezi, dhe shkruan bukur. “ Po mirë bën” - tha Dritëroi. Fuati më nxiti mua të recitoj përmendësh disa prej vjershave, të cilat na fakt dilnin nga tematikat bisedës që ne po zhvillonim. Unë recitova disa prej tyre. Dritëroi dëgjonte me dorën në faqe me kokën ulur duke ndjekur me vëmendje tekstin që unë recitoja. “Dëgjo, iu drejtua Fuatit, këto janë vërtetë të bukura, dhe tek secila tingëllon diçka si shprehje popullor”. Mbaj mend një shprehje të tij: “Fuat , vjersha të tilla duken të thjeshta, por duan kulturë për t’i kuptuar. Shkruaj, më tha, shkruaj për çfarë mendon dhe ashtu siç e mendon”. Unë atë ditë i lashë Dritëroit broshurën time me titull “Intervistë me bimën e ullirit ” Në bllokun tim të autografeve që unë e quaj “Golden bllok”(Blloku i artë) ai më la një tekst me firmën e tij, ku përmend bimën e ullirit. Mbaj mend duke shfletuar bllokun tim me autografe, ai tha:” Ja shiko firmën e Sali Verdhës, komisarit të Çetës së Pezës, nuk iu ka dridhur dora fare; shiko si kam shkruar unë gjithë dridhje”. Kur hapi faqe të tjera të bllokut, pa tekstin dhe firmën e këngëtarit të madh Sherif Merdani, dhe tha:”Shiko, shiko çfarë shkrimi të mrekullueshëm paska Sherifi!” Për kuriozitetin e lexuesit këtë tekst të autografit të shkruar nga dora e Dritëroit, e kam vendosur në fund të këtij libri. Pas 3-4 ditëve që kisha qenë për vizitë te Dritëroi, ai më telefonoi. Për mua ishte telefonatë e pa pritur. Isha në mbledhjen me stafin dhe dola e fola në telefon në oborrin e institutit. “Alo, jam Dritëroi, Dritëro Agolli . U emocionova shumë. E lexova intervistën tuaj me bimën e ullirit. Së pari më pëlqeu gjetja juaj për të intervistuar një bimë si ulliri. Në atë intervistë kishte agronomi, histori, fantazi, humor. Më pëlqeu shumë. Tek unë mund të vish kur të duash, por vetëm të më lajmërosh një ditë më parë, sepse kam disa orare për marrjen e ilaçeve”. Mbaj mend që i thashë:” Më erdhi keq zoti Dritëro, që nuk isha i përgatitur t’i incizoja këto fjalë që dëgjova nga goja juaj”. Vizitën tjetër në familjen e Dritëroit e kemi realizuar përsëri me Fuat Memellin, pasi Dritëroi ndërroi jetë. Na priti Sadija.Kujtoj gjithmonë sjelljen e saj si një mikpritëse tradicionale , duke qëndruar në këmbë me tabakanë e kafes, ku filxhanin e shoqëron gjithmonë gota e rakisë. Rakia në shtëpinë e Dritëroit, siç e di çdo shqiptar, nuk ka munguar asnjë ditë. Biseduam gjatë atë ditë. Kishte lexuar edhe shumë vjersha nga dy librat e mi të parë, të cilët ne ia kishim dërguar paraprakisht. Mua dhe Fuatit na dha librin e saj të sapobotuar me titull: DRITËRO & SADIJE AGOLLI “Dashuri në moshën e Krishtit” . Në faqen e parë të librit të saj, të cilin ma dhuroi, Sadija, më la një mbishkrim,. tekstin e të cilit bashkë me fotot e realizuara në atë vizitë, për kureshtjen e lexuesit i vendosa në fund të këtij libri , të cilin ju keni në duar. Këto momente dhe të tjera të ngjashme me to, më kanë shtuar mua sigurinë për të shkruar poezi.

Botimi i librave me poezi, ka ardhur pas shumë botimeve profesionale në fushën e agronomisë. Specialitetet më të trajtuara në studimet dhe botimet e mia janë në specialitetin e mbrojtjes së bimëve dhe në sistemin e bujqësisë biologjike. Botimet janë “paketimi” i mendimeve për marketing. Unë mendimet dhe studimet e mia profesionale i kam “paketuar” në formën e artikujve, fletëpalosjeve, prezantimeve, broshurave, revistave, librave, leksioneve për specialistët dhe studentët, videove profesionale, emisioneve televizive, shtypin periodik, mediet sociale, në Webseitin tim, e deri në bisedat e lira me kolegë, miq, shokë dhe të interesuar në fushën time profesionale. Janë të gjitha këto kanale komunikimi, ku unë kam fiksuar përvojën time. Nuk jam shkrimtar, nuk e quaj veten as poet. Titullin shkrimtar dhe poet, nuk e jep ndonjë komision shkencor. Këto tituj fitohen siç fitohet një “Brand Name” i ri i çdo malli, të cilin pasi e kanë provuar, konsumatorët e lakmojnë ta kenë në përdorimin e tyre vetjak. Unë për një gjë kam qenë dhe jam i qartë për lexuesin e nderuar: Fjalët për ju duhen shkruar si arrë e qëruar. Çfarë do të ishim librashkruesit pa lexuesit?. Librabërësit janë si kuzhinierët; Për shijen e gjellëve, duhen pyetur të tjerët.

Enver Isufi, Gusht, 2020

38 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page