Kopi Kyçyku Kur më mori një intervistë poeti dhe prozatori i shquar, miku im i rrallë, Hiqmet Meçaj... ... thashë edhe këto: Para së gjithash ju falenderoj që patët mirësinë të më bëni vend në kuvend. Është nder e privilegj i vërtetë, kur dihet se bota shqiptare ka plot si unë, madje edhe më të përgatitur. Ju jam gjithashtu mirënjohës që, përmes kësaj ftese për dialog, po më jepni mundësinë të rrëfehem, pa mbajtur as më të voglën rezervë,të bilbilój (e krijova, më duket një fjalë të re!). Besoj se kjo hapje zemre nuk është më pak e efektshme se sa ajo që çdo besimtar bën para klerikut, me të cilin komunikon përmes një dritareje të vogël, në gjysmëterr. Për më tepër, dritarja nga e cila po rrëfehem, i ka hapur kanatat drejt një hapësire me përmasa sa rruzulli tokësor, gjithkund ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë. Duke i falenderuar paraprakisht vëllezërit e mi të gjakut e të gjuhës për durimin që shpresoj të tregojnë duke e çuar deri në fund leximin e këtyre faqeve, - meqë, siç vutë në dukje qysh në fillim mund të flas pa kufizim në kohë dhe në hapësirë, - i siguroj se dritarja nga e cila i shoh me sytë e shpirtit, u jep mundësinë të më këqyrin në dritë të vërtetë, pa truke apo iluzione optike. Por, para së gjithash e mbi të gjitha, kjo është një përpjekje, që besoj se do të ma qetësojë sadopak shpirtin e lënduar nga mendime e veprime, jo një herë të papeshuara, të miat, por edhe të të tjerëve. Nuk përjashtohet rasti që, gjatë këtij dialogu, ndonjëherë t’i mëshoj më fort nga sa duhet pikërisht aty ku s’duhet, ngaqë, siç thotë populli, qimja në sy të tjetrit na duket tra, ndërsa traun e syve tanë nuk para e shohim. Sidoqoftë, edhe në ndodhtë një gjë e tillë, nuk e ka burimin në paragjykime a prapamendime, përderisa nuk ndjek asnjë synim tjetër përveçse të tregoj me vërtetësi e me qartësi ato që ndodhen e ndodhin në zemrën e në ndërgjegjen time. Vetëkuptohet se, për shkak të kohërave të vështira që kemi kaluar, rrëfimi i kujtimeve nuk mund të mos përmbajë edhe doza pamfletore. Do të përpiqem të mbaj parasysh bindjen e indianëve: sa më tepër ligësi të durosh, aq më tepër e keqe vdes në botë. Për këtë shkak, por edhe me synimin që këto kujtime të përcjellin një kumt mirësie e mbarësie, disa personazhe të cilët kanë qënë e kanë mbetur të mbrapshtë jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj të tjerëve, madje edhe ndaj vetvetes dhe jetës në përgjithësi, do t’i emërtoj me rrokje, si të qenkshin gjysmënjerëz. Kësisoj përcjell një mesazh mirësie sepse lexuesi do të mbajë qëndrim vetëm ndaj sjelljes e veprimeve të papëlqyera, pa ditur se cilët fshihen pas tyre. Ndonjë „të paemri”, vulëhumburi, varrdhjeri, - me të cilin kam lënë në radhë të parë Zotin të merret, - as rrokjen nuk ia jap. Përndryshe rreziku i rënies në banalitet nuk është i vogël… Në këto çaste më vjen ndërmend proverba hebraike: „Më mirë të jesh në kafazin e luanit, se sa në kokën e dhelprës”. E, pra, di që nga çiltërsia buron një forcë e papërmbajtshme, e cila i shkund e i shkundullon shpirtrat e veckël, edukata e të cilëve merr fund njëheresh me sajimin dhe hallkëzimin e makinacioneve të rëndomta. Në rast se paskëtaj do të paditem për realizëm të skajshëm, e pranoj këtë rrezik, sepse, sido që të ndodhë, rreziku është më i fisëm se sa përulja. Paraqitja lakuriq e së vërtetës ngjan me një kryengritje a revoltë, që e fillojnë pak vetë. Kam pasur gjithmonë simpati të veçantë për „pakicat”, prandaj edhe nuk kam frikë të jem pjesëtar i një revolte të tillë. Dihet se kur një ide, - këtë herë ajo e së vërtetës, - ngadhnjen, menjëherë shfaqen, si kërpudhat pas shiut, grupe oborrtarësh, lajkatarësh e sahanlëpirësish. „Edhe ne kemi luftuar për të vërtetën” do të rrahin gjoksin me zë të lartë. Këta tipa mbartin tri sëmundje, që i kemi „peshqesh” nga pushtuesit gjatë shekujve: orientalizmi (dembelizmi), bizantinizmi(intriga, provokimi), bajraktarizmi (kapadaillëku). Të largohesh nga lufta është e ndershme vetëm atëhere kur çdo shpifje do të jetë zhdukur. Sot nuk lipset të shqetësohemi për shkak të disa plagësh dhe të ndruhemi se mos e çojmë tendencën në ekstrem. Qysh në krye të dramës së vet „Shampi”, autorja Zhorzh Sand (Aurore Dupin, baronesha Dudevant, e njohur si George Sand / Zhorzh Sand), shkrimtare franceze, 1804 – 1876), besonte se „e vërteta del më shpejt në dritë nga lëvizja e të gjallëve, se sa nga gjumi i të vdekurve”. Një brez i ri nuk e pason të vjetrin pa tronditje: duket se kanë perënduar ato kohëra kur, megjithse mbreti ishte duke dhënë shpirt, turmat vazhdonin të bërtisnin: „Rroftë mbreti!” Nuk më hiqet nga mendja porosia që jep Sharl Pegi: „Thuaj të vërtetën, asgjë më shumë se të vërtetën; të vërtetën marroke thuaje marrëzisht; të vërtetën e mërzitshme thuaje mërzitshëm; të vërtetën e trishtueshme thuaje trishtueshëm” (Charles Péguy / Sharl Pegi, shkrimtar francez, 1873-1914). Nuk është me më pak rëndësi të mos pretendosh se ato që thua ti janë e vetmja e vërtetë e kulluar, sepse „besimi që e vërteta është unikale dhe që ti je pronari i saj, është rrënja më e thellë e së keqes në botë” (Maks Born). Duhet të kemi burrërinë të pranojmë atë që nuk mund të ndryshohet; të kemi guximin për ta ndryshuar atë që mund dhe duhet ndryshuar dhe të kemi mënçurinë që dy të mësipëmet t’i dallojmë nga njëra-tjetra. Përsa më përket, me të njëjtën lehtësi që them fjalën e mirë, them edhe kritikën; shumë-shumë hesht (se murit nuk i bihet me kokë!) Këtu duhet shtuar se, jo rrallë ndodh që çka dëshiron zemra (nënvetëdija) me vrrullimet e nxehta, nuk e pranon koka (vetëdija) me arsyetimet e ftohta. Zemra dhe koka, pra, nuk para merren vesh me shoshoqen, prandaj edhe ndodhen larg njëra-tjetrës. Së fundi, të paktën këtë herë, jam i bindur se pikërisht ndershmëria dhe çiltërsia ndaj vetvetes, - që cilësohen vlera madhore, - më orientuan në mënyrë të natyrshme drejt dëshmive memorialistike. Ndjehem fatmadh që u linda në një kohë krejt të pazakontë (në zjarrin e luftës çlirimtare), pashë ndryshimin e sistemeve dhe ndrrimin e shekujve e të mijëvjetshave.
Коментарі