Thani Naqo: ME QË E NISËM, LE TA MBAROJMË
- Mar 24
- 1 min read

ME QË E NISËM, LE TA MBAROJMË
Nga Thani Naqo
E pranojmë në heshtje, tani është vonë,
s'ke ç'bën ti, s'kam ç'bëj as unë,
me që e nisëm, hajt ta mbarojmë,
sa mirë që jemi në të njëjtën udhë.
Sa mirë do ish të kthemi prap,
atje, ku u pamë për herë të parë.
Unë do them:
"gjej një tjetër, më ler rehat",
ti do thuash:
"je budall dhe i marrë."
Atje, ku u pamë, është shumë larg,
po të vdes në mes të rrugës,
unë do them:
"je nuse me fat,"
ti do thuash:
"kudo të shkosh, pa mua, do humbësh."
Sikur të shkojmë ca më tej,
ku ngjizëm fëmijët, e s'kishe kohë,
do më puthë njëra, tjetra përtej,
do bëjë ca shenja me sy e dorë.
E di, e di, tani është vonë,
ti s'ke ç'bën, s'kam ç'bëj as unë,
me që e nisëm, hajt ta mbarojmë,
sa mirë që jemi në të njëjtën udhë.
DISIDENCA
Netëve të zeza yjet xixëllojnë më shumë se kurrë,
por xixat s’ndriçojnë qiellin, as tokën,
as rrugën që më çoi në Perëndimin e Largët,
ku bëj duel me kaubojsit që ta shpojnë kokën.
Nuk dëgjoj dërdëllitjet për grushtin e shtetit,
s’u tkurra, as qava, se vdiq xhaxhi i ndritur,
yjet s’janë qirinj për vdekjen e mbretit,
zbulim: disidenca është pordhë e s'e kisha ditur.
Përtej këtij zbulimi, dyshoj se yjet,
nuk ndriçojnë as njëri-tjetrin, por veten,
prandaj, shpirtin tim, të arratisur,
e di ku është, çfarë bën e ku do prehet...








Comments