top of page

Thani Naqo: GRIFSHAT MARTOHEN VEÇ NJËHERË


GRIFSHAT MARTOHEN VEÇ NJËHERË


tregim



-Hej, ti, me atë kokë të madhe sa Shkëmbi i Cjapit,”- më ndërmendi zëri i Grifshës.


-Hë, ta ka qejfi të bëhesh nusja ime? - e pyeta.


-Grifshat martohen veç njëherë herë, - u përgjigj ajo me zë të çjerrë dhe krenari.


-Hapma derën se do të t’them ca fjalë që më kanë mbetur pa t’i thënë.


-Derën nuk e hap. Jam ndryshe nga vejushat e tjera. Nuk i besoj asnjë mashkulli. Jam betuar që në shtëpinë time nuk do të shkelë këmbë burri! - u përgjigj ajo me inat.


Megjithëse m'u mjegulluan sytë nga ky përbetim, arrita të them me zë të dredhur:


-Të kam dashur më shumë se çdo djalë i fshatit.


-Të shkuara të harruara. Të parin pëlqeja Paganinin, - tha Grifsha dhe ngjeshi gjoksin pas kangjellave të ballkonit. - I dyti ke qenë ti, por si martohesha me ty? Unë edhe tani jam e shkurtër sa gjysma jote.


-Edhe se je e shkurtë, sa gjysma ime, ende të kam në zemër, - i thashë, por ajo më bëri shenjë me dorë të mos e ngrija zërin, nga që druhej se dëgjonin komshinjtë. Shpalosi një batanije dhe filloi ta shkundë e nervozuar pas hekurave të ballkonit. U mëshonte krahëve fort, fustani i çohej mbi gjunjë, kurse vithet i mbrapte si mëze marroze. Atëherë dallova se Grifsha ishte shëndoshur. Nga ngritja e gjoksit përfytyrova gjinjtë e saj të rritur si mollë Ranet. Mirëpo, që Grifsha ish shëndoshur dukej edhe nga gjunjët e rrumbulluara, që deri para pesë viteve, ishin me majë. Pulpat e plota sërish i qenë mbuluar nga qime të verdha, si të,gjyshes, mbasi, edhe ajo, gjyshja, kur qe vajzë, thoshin se ishte leshtatore. Flokët e Grifshës, të verdha e kaçurrela, në bajzëri ishin të përzhitura nga dielli, por që kur u martua në qytet, i qenë bërë të ndritshme e të verdha si fije floriri. Fytyra i qe stërzgjatur, tiparet dukeshin me të spikatura, kurse vetullat ishin po ato, të dikurshmet, edhe ato të verdha, të bashkuara e të papërvjelura. Sytë e saj m’u dukën sikur ishin mbuluar me pushin e kullumbrive kur i zë bryma. Ndërsa ajo shkundte kuvertën, mua m'u fanitën gratë përgojuese të fshatit që thoshin se Grifsha i kishte ngjarë gjyshes Grifshë, do mbante kosor në brez dhe do ta rrihte burrin dy e tre herë në ditë. Pastaj dolën fjalë se Grifsha nën sytjena vinte shugje prej leshdeleje, brekëve u qepte copa lëkure prej shqere, që vithet e mprehta t’i dukeshin të rrumbullta. Mirëpo Grifsha e dinte se ç’llomotisnin për të dhe në mbrëmjet e vallëzimit, vinte e veshur me pantallona dhe nuk lejonte që kavalieri ta afronte trupin e saj pas të tijit. I ati i Grifshës lëshonte qenin natën, që ai t’i vinte rrotull oborrit. por beqarët kokëshkretë miqësoheshin me qenin, ama ia kishin frikën kosorit dhe kobures. Ata kot që vinin rrotull shtëpisë se dritaret e dhomës së gjumit të Grifshës mbuloheshin me perde të sajuara nga kuverta ushtarake, sepse i ati i Grifshës ish magazinier në repartin ushtarak.


Unë e pata kapërcyer gardhin vetëm njëherë. Mbaj mend se ishte natë fundqershori; e diel. Kumbonin tingujt e kitarës të Paganinit dhe nga oborri i Grifshës vinte aroma e sapunit venus. Muret e banjës ishin të thurura me purteka, të veshura me baltë muzgë. Unë ngjesha syrin në një të çarë dhe pashë Grifshën lakuriq duke përdredhur trupin hollak sipas ritmit të kitarës. Cicat i kishte të vogla, sa një gjysëm vezë pule, me thitha si lajthi të pjekura, ama, siç thoshin, ishte vërtet me vithe majuce, siç thoshin përgojimet. Silueta lakuriq e Grifshës ishte aq ndjellëse dhe harmonike me fytyrën dhelpërushe, sa edhe tani, që ka mbetur vejushë, më fanitet si një ëndërr e magjishme. Kjo ndodhi atij behari kur erdha në fshat me lejë nga ushtria e Grifsha akoma s’i kishte mbushur të gjashtëmbëdhjetat. Mirëpo, gjurmët e këpucëve ushtarake më patën tradhëtuar. I ati i Grifshës më preu rrugën të nesërmen dhe më tha të ngrija këmbën. Unë nuk pranova të ngre këmbën dhe atëherë ai më tha me inat e sarkazëm:


“Edhe zbathur të kishe hyrë në oborrin tim, gjurmën e këmbës tënde do ta dalloja në njëqind milion gjurmë. E ke shputën sa pllazi i parmendës!”


Veç njëherë, në mbrëmjen e vallëzimit kisha marrë guxim që ta afroja sadopak trupin e Grifshës, por ajo më goditi me gju në mes të shalëve dhe mua më qenë errur sytë nga dhimbja.


-Ah, moj Grifshë, moj xanxare, - i thashë ndërsa ajo shkundte batanijen sipër kangjellave të ballkonit. Batanija fapfupte


ajrin, por fapfup bënin edhe tumba e flokëve dhe mjekra ime. Më së fundi Grifsha palosi batanijen dhe e ngjeshi pas gjoksit. Vështroi nga ballkonet e tjera të pallatit, u nder mbi kangjella dhe tha me zë të ulët:


-Nuk të kam marrë inat edhe se më puthe njëherë me zor. Ama, ajo, tetoja jote, shtriga Dabuckë, më bëri magji që unë të martohesha me ty. Në kamaren e portës ajo fshehu një tufë nga flokët e mia. Gavetën e kishte mbushur me hi që flokët mos i hante mola. Ti, ose Dabucka, m’i vodhët sytjenat që kisha varur në gardh për tu tharë; ato të kuqet, që unë mezi i pata blerë, pasi ishin njëqind e pesëdhjetë leka e duhej të punoja tre ditë që të blija një palë të tilla. Hajt, të shkuara, të harruara. Nuk mbahet inat tërë jetën për një palë sytjena dhe për një të puthur me zor, por ama, ta dish: magjia e Dabuckës më la me dhimbje koke. Në gjumë nuk më shfaqej Paganini, por ti. Ç’të them unë e shkreta? Mua akoma më vjen keq për ty. Unë të kam dashur si vëlla, por ti nuk më kuptove. Unë ta dua të mirën, prandaj dëgjoma këshillën: paratë e tufës së dhive, po të dish t’i futësh në Firmat Piramidale, me shtesat e tyre jeton si mbret. Ti më thua “hajde të shkojmë në Evropë,” por mua nuk më ka marrë koka erë të më treten kockat në dher të huaj. Ty të është bërë mendja “Vjenë” dhe Vjena të duket tepsi me lakror. Do të të qepet ndonjë gjermane a vjeneze dhe ato do të t’i hanë paratë dhe shpirtin. Për Paganinin janë hapur njëmijë fjalë. Edhe të mira edhe të këqia. Një arixhi e kishte takuar Paganinin në Spanjë dhe më tha: “ Paganini lyp para me kitarë dhe fle ku ta zërë nata.”


-Grifshë, po të pyes për të fundit herë: vjen me mua apo jo. Këtë ma shkoqit që ta fle mendjen njëherë e përgjithmonë. Përndryshe,


do t'i qepem ndonjë vjeneze, ose gjermane, bionde si ty, dhe ty do të të mbetet merak për tërë jetën.


Ajo më bëri shenjë të mos flisja; kishte hallin se dëgjonin komshinjtë. Pastaj, u nder mbi kangjella dhe përsëriti klithmën, atë klithmë të mprehtë e të çjerrë, që më ndjek nga pas nëpër rrugët e Vjenës:


-Mos i mprih dhëmbët pas meje!

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page