
Prof Dr Fatmir Terziu
Hyrje
Pedalimi femëror-misterioz i ndjenjave poetike të Julia Gjikës ndjek një itinerar të “qoshkëzuar” kulturologjik. Një itinerar me një kënd diametralisht të harmonishëm me stinët, ditët, kohën dhe vendin në të cilin ‘biciklizmi’ i saj maratonik kapërcen kufinj dhe gjen prehje tek dashuria, qoshka më diskursive e jetës në formën më të bukur të saj “grua”. “Muzg” është në këtë kënd. Në këtë kënd është autorja me një ndjesi moderne që vjen nga nocioni femëror. Në këtë nocion ajo pyet Z. Frojdin dhe në retorikën poetike të dialektikës pyetja “Çfarë do në të vërtetë një grua, Z. Frojd”, duket si një teoremë pitagoriane për poezinë femërore shqiptare. Një teoremë ku mungon ligjësia matematikore, por matematika filozofike e poetes është dhe ndjehet natyrshëm, ndjehet rrënqethshëm. Aty kjo teoremë vjen si një metaforë e thekur në stilin tradicional dhe e ushqyer mirë në populloren e fjalës popullore: “Perëndesh’ e bukurisë, nuk është mjaft.”
Idea e mitit, që përligj bukurinë dhe simbiozën e femrës
Në këtë mpleksje dikursive gjetja përkon me anën e dialektikës, që vjen pas kuptimit dhe fjalës së mbartur. Dy anët e ngjeshura në dy fjalë domethënëse, “perëndesh” dhe “bukurisë”, në një farë mënyre janë si dy perla poetike që edhe pse janë thënë e stërthënë në poezinë shqiptare, edhe nga vetë stili i Julias, ata qesëndisin larmishëm poezinë e saj. Këtu në mesin e kësaj larmie, postulati i Barthes “miti është gjuha dhe fjala”, (1980:23) natyrshëm përkon me anatemën poetike shqiptare ku shumëzimi i fjalëformimit kapërcehet nga kursimi fjalë-shprehës, që në këtë rast është figuracioni dhe fjala shumëkuptimmbartëse e përzgjedhur nga e talentuara Gjika. Duke iu larguar paksa idesë së mitit, që përligj bukurinë dhe simbiozën e femrës, jo vetëm në syrin e mashkullit por edhe në njësoren femërore, katërcipërisht mbartja e mesazhit të poezisë kalon në udhën e Stuart Hall, që shikon dekodimin dhe kodimin e fjalës si një baraspeshë me imazhin dhe konfiguracionin e krijuar në syrin dhe mendjen e lexuesit.
Duke lexuar “Muzg”, përditësimi, javëzimi, muajzimi, vitësimi dhe kohazioni, apo dhe gjeografizmi poetik duket se janë një anë dekoduese në tërësinë e mesazhit. Tek dhjetra poezi të saj, si “Të pashë brenda shpirtit”, “Një grua pikturon retë” apo “A e mban mend”, ky kod është një medallion qetësues e një model mesazhieri në derën e lexuesit që e bën ta presë krahëhapur.
Por kur fëmijëria vjen në stilin e Gjikës, si tek “Roza-Rozina”, cipërimi i nervit takon lotin dhe ndjenja pushton uraganin mendor që shtjellohet në humbjen e lojës, dhe sfidën moshore e parasheh në rrudha dhe thinja. Pastaj vjen “Monologu i Larës”, që harron sfidën fëminore dhe ciflon siluetën poetike të gazetares Lora Logan, një gazetare e dërguar në Irak, që mediton me veten e saj...
Ndjesia dhe ndjenja e vetvetes
Ndjenja e vetvetes në poezinë e Gjikës është afërisht me atë që njihet si historikisht e pakapshme në ndjenjën e poezisë së shkruar nga gratë poete, sigurisht më pak e përcaktuar kulturore, sesa në poezitë nga burrat. Megjithatë, ka përfunduar, në klimën e tanishme të leximit të së vërtetës, autobiografisë dhe dëshmisë, se pozicionimi i vetvetes si referent kulturogjik dhe mit-formues në poezi është bërë thelbësore për leximin tonë të poezive të autores, sikurse ndodh me poezinë “Gruaja”, ku përqendrohet me një vëmendje kritike ku “Burri ngre pesha të rënda/Forcën të tregojë ia ka ënda./Ai është trau i shtëpisë,/Do fëmijën e parë ta bëjë djalë,/Që në krah t’i dalë./Gruas, si merimangës,/Punët askush s’ia numëron,/Nga shpirti i saj jeta buron.”
Në fakt këtu është dhe ndjenja e “dëshmisë” e krijuar pjesërisht nga forcimi i ndjesive, ajo që ka lënë në hije dramatike larminë dhe gamën e larmishme të poezive të tilla të krijuara nga gratë. Kjo na qas atë që tashmë Muriel Rukeyserit, e parathortë si të tillë se “Nëse vetëm një grua do të thoshte të vërtetën për jetën e saj / bota do të ndahej e hapur". Si e tillë “Gruaja” në poezinë e Gjikës vjen plot ndjesi dhe njenha të vetvetes: “Nën qerpikë ruan thesare:/Dashuri, dhimbje,/Dyshime, vuajtje, vetmi,/Krenari,/Ndrydhur i mban,/Nga gëzimi, përloten syt’ e saj./Gruas, kur i kujton se sa vlen,/Më të hutuar kurrë s’e gjen.” Po kështu dhe tek poezi të tjera si “Kur nënat s’janë më”, apo dhe “Lamtumirë mësuese Beti”.
Në mbyllje
Poezia e e Julia Gjikës është kulturologjikisht një diskurs më vete që intrigon në ndalesa hapësire dhe kohe filozofike nën siglën femërore. Idea e mitit, që përligj bukurinë dhe simbiozën e femrës zënë një hapësirë të ndjeshme dhe kështu ndjesia dhe ndjenja e vetvetes bëhen një element më vete tipologjik.
Comments