top of page

Tek “Vetëtima”


Nga Petrit Malushi

. Kryeqytet. Në qendër. Ndërtesa, pallati i ri. Trembëdhjetëkatësh. Në të tetin, redaksia e të përditëshmes gazetë “Vetëtima”. Korniza duralumi ngjyrë kafe dhe xhama kristalorë ndanin sektorin e brendshëm, të jashtmin, kryeredaktorin, shefin e llogarisë, ekonomistin dhe faqosjen, në disa kutiza simetrike të xhamta. Dy zëvendëskryeredaktorët, nga një për çdo sektor, për lehtësi pune e komunikimi ishin të instaluar tek sektorët përkatës. Tavolina në formë “L” në të dy sektorët. Mbi to rreshtuar kompjutera. Ne, gazetarët pranë tyre. Unë tek i dyti i sektorit të brendshëm. Në të majtën time, zëvendëskryeredaktori, „Ai“ si bust, shefi im dhe i të tjerëve. Ish-brigadier dekori. Dikush e kishte futur këtu, në rrugën e shtypit, kur mbushi pesëdhjetë e nëntë vjeç. Në të djathtë, kolegu, gazetar si unë, me shkollë gazetarie, autor librash, krijues e botues qysh në gjimnaz.Të tjerët, në të tjerat tavolina. .

Edhe fare pak dhe mbushja të dhjetin vit. Unë, „Ai“, në të majtë mbi mua, kolegu, në të djathtë poshtë meje. E njëjta renditje për të tre, të njëjtat tavolina e kompjutera, e njëjta redaksi. Krejt ndryshe ishin gjërat e tjera. I majti, pagë më të lartë, fjalë më shumë, punë fare pak, nën kujdesin e kondicionerit, i freskuar në beharin e nxehtë, i ngrohur në dimrin e ftohtë, mbrojtur nga pikat e shiut dhe rrezet përvëluese të diellit. Në terren asnjëherë. Dy telefona, statiku dhe një celular në llogari të gazetës, aleatë të përhershëm për marrje informacioni. Kolegu në të djathtë pagë më të ulët, fjalë më pak, punë më shumë, nën pamëshirën e zhegut dhe akullimës, përherë në terren, në gjurmim të lajmit, të intervistës, prononcimit nga mëngjesi deri në mbrëmje, telefon me “mbushje xhepi”. I majti fytyrëvrarë, lëkurëashpër, duarnervoz mbi tastierë, buzëqeshjemunguar, fjalëshumë e fjalëgjembuar. Kafe, nga e gjithë redaksia pinte vetëm me njërin, por edhe ai, megjithëse shtinte tre tableta sheqer në filxhan, i dukej sikur i hidhte limontos. I djathti fytyrëëmbël, lëkurëbutë, duarlehtë mbi kompjuter, përherë i qeshur, fjalëpakë e paqësor.

Mbledhje mëngjesi. I imi vesh, i majti, dëgjonte zërin e ngritur: “Jeni pa nivel,…nuk dini të punoni,…kështu s’mund të vazhdohet,…po na rrezikoni gazetën ,… respektoni udhëzimet që ju japim në ndërtimin e lajmit, intervistës… zoti kryeredaktor propozoj freskim stafi,…nuk…s’… “. Lehtas, pa rënë në sy, krahun e djathtë ma prekte krahu i majtë i kolegut, që e kuptonte gjendjen time. Në veshin e djathtë më depërtonte ulët zëri i tij, fëshfëritës : “Broçkulla,…flet ai që s’shkruan, … që nuk ndërton një lajm,…që nuk është i profilit,…tirazhi po rritet,…hajde merre vesh, …punë e pleksur…kush e di në ç’maja rreh të dalë…”. . Mbledhje e pasdites. Kryeredaktori : “ Kujdes !... Shefi shqetësohet me të drejtë… Më të përgjegjshëm duhet të jeni… Për të mirën e gazetës dhe tuajën përpiqet… Ja, këtu e lini, këtu e gjeni…Ngujuar gjithë ditën në redaksi…Shikoni si është tretur...”. Zieja nga brenda deri në shpërthim, i trazuar : “Ah !... Të them lamtumirë !?... Në asnjë mënyrë !...Po familja !?... Fëmijët presin … të ushqehen, të vishen, të shkollohen…Këta kështu e kanë... Varu trastën... Lexuesit janë të kënaqur. Herë pas here më telefonojnë dhe shprenin konsiderata...” Zërin e brendshëm e mbytëte dhe e qetonte një zë i lartë, me nënkuptime të holla, po nga e djathta : “Shefi ynë ka të drejtë. Edhe vërejtja juaj qëndron zoti kryeredaktor. Ju falenderojmë për ndihmesën profesionale, veçanërisht…Duhet të përpiqemi më shumë,… të rritim nivelin,… për gazetën gjithëçka,…Mësimet tuaja për ne kanë vlera sipërore...”. Kryeredaktori : “Ja, kështu po…gazeta është në,… por duhet ngritur akoma …hajde vazhdoni … kapni lajmet,…mbushni faqet,… ”.

Dhe „për të kërcyer e ngritur më lart“ ia behën tre prurje të reja, skarcitete të redaksive të tjera. . Kështu, përditë e për javë, çdo muaj e çdo vit. Dëgjo ç’nuk të takon e fol ç’nuk dëshiron. Po afronte përvjetori i njëmbëdhjetë. Pritej festë. Por,…një pasdite !?… Ndryshe, krejt ndryshe ! Të gjithë kërrusur mbi tastierë. Trokëllima rap-rup-rup, rup-rap-rap. Nga e majta një zë i qëruar tingëlloi thatë, mbi goditjet e gishtave në tastierë : ”Më falni ! Jam ngarkuar t’ju përcjell se, botuesi dhe kryeredaktori, kanë vendosur në mënyrë të prerë, riformatimin e gazetës, në formë, përmbajtje dhe personel. Të gjithë paraqituni pranë llogarisë për të marrë informacion më të plotë në se jeni ose jo të prekur nga “riformatimi”. Lëvizje karrikesh, hapa e dyndje drejt llogarisë. Unë, kolegu në të djathtë e dy-tre të tjerë dolëm “të prekur”. Megjithatë, pas tri-katër ditësh u sistemuam sërish diku tjetër. „Prurjet e reja“ morën në dorë krejt redaksinë. . - Një gazetë “Vetëtima”,- iu drejtova shitësit te kioska poshtë pallatit, një të shtune, pas gjashtë muajsh. - U bënë ditë që s’del më. Ka falimentuar,- ishte përgjigja e gazetashitësit.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page