
Tregim nga faruk Myrtaj
Doktor Shaba njihej si gojështhurur e grindavec me tërë dynjanë, por gjithnjë në humor të mirë. "Topolak qe rrokulliset si kakërdhi bizhdollani" thoshte për të plaka e Nunajve, pa shkuar ndërmend se një ditë do të përfundonte në duart e tij.
Po të mos i ishin shterur fuqitë dhe të mos i qe bërë sikur dëgjoi pranë hapat e Xhebrailit, për t’i marrë në dorëzim shpirtin, ose po t’i ndodhej ndonjë tjetër doktor aty afër, plaka s'do pranonte as edhe nisjen me urgjencë per te doktor Shaba. Në moshën që rrëfenin shkresat dhe ankesat e saj, ngaqë i kishte bërë ditët e Perëndisë, vajtja për vizitë deri në qytet i dukej lodhje dhe shpezë e madhe. Vizitat atje qenë shtrenjtuar, shtrenjtuar edhe varret, aq sa njerëzit pranonin djegien e kufomës se sa të varroseshin ngjitur me tjetrin, kur as e njihnin as e dinin sesi kishte jetuar...
Tek e fundit, doktor Shaba ishte ashtu siç e njihnin. As fshihej as shitej ndryshe. Fjalën e lëshonte troç. Plakës së Nunajve s’i prishej punë. “Në moshën që jam, troç dua të ma thonë...”. "Se mos ta thotë troç edhe ndonjë fjalë të ligë!”, - e ngacmoi i nipi, ardhur nga kurbeti posaçërisht për gjyshen e vet.
“Hajde, plake, xhishu nga mesi e lart, nxirri sisët...se s’ka ngè t’i shikojë njeri”- ishin fjalët e para të kakërdhisë së bizhdollanit. 'Deri kaq s’e kisha pritur'- tha më pas plaka. Por ishte qetësuar, kur edhe i nipi po qeshte me lot, si të bëhej fjalë për ndonjë lojë me kukull prej lecke, jo me gjyshen e tij.
Doktor Shaba vizitonte vetëm me veshë. Dhe me maja gishtash. Pa aparate. Nuk lëshonte kollaj recetë. 'Ilaçet janë thikë me dy presa, në të dy anët presin atë që i përdorë. E shihni tërë këtë bark që mbaj unë me vete? Doktor jam, por s'i bëj dot derman! Mendoni sikur të hedh brenda kësaj voze edhe ca uthull!'
Vuri veshin në gjoksin e varur të plakës, lëvizi gishtat në brinjët e saj sikur desh ta guduliste dhe, si t'i lexonte fatin në filxhan, tha: 'Mish i huaj është. Duhet operuar në Qytet, Klinika 6. Gjashtë muaj jetë i ka prej meje. Pas gjashtë muajve do vini prapë te doktor Shaba...po të jem gjallë!'
Plaka ishte në siklet, por nisi të qeshte. Nipi, që deri aty kishte qeshur, u bë serioz. A thua s'i dilnin llogaritë me kohen që i duhej të vente e të vinte sërish përtej kufijve. Qëndroi më pas, për të folur me doktor Shabën.
Kur doli jashtë, gjyshja e pyeti: “Në kam ndonjë gjë të ligë, ma thuaj, or bir...” “S'm’i mori lekët. Do m’i japësh pas gjashtë muajsh, më tha.” “Ishallah e tund këmbën ai përpara meje! Edhe unë shpëtoj, edhe lekët s’prishen kot”, - tha plaka. “S’e prish dot gojën si doktor Shaba, ti, gjyshe. I ka lezet shakaja që atij s’ia merr njeri për keq!” Plakën e hipën në makinën e nipit, e çuan në qytet dhe Ia hoqën mishin e huaj. Pas gjashtë muajsh nipi e solli sërish, se doktor Shaba ishte gjallë.
“Të erdhi mirë, duket, të xhishesh prapë tek unë, o plakë?!”
Doktor Shaba vuri veshin te vendi ku dëgjoi zhurmën gjashtë muaj më parë dhe e gicilisi sërish në brinjët. Plakës nuk iu mbajt e qeshura dhe i tregoi munxët kakërdhisë së bizhdollanit. Duke parë nga nipi, doktor Shaba i tha plakës të vishej, të hante një çikë më pak dhe të grindej më pak akoma me nuset.
“Gjashtë muajt që më dhe, mbaruan, doktor...” - i tha plaka, duke vështruar gjyslykët e tij të mëdhenj si poça fenerësh.
“Gjashtë muaj, kaq kisha në dorë unë! Tani do vdesësh si gjithë të tjerët...!”
Krijime të tilla në këtë kohë stresuese janë terapia më e mlrë. Humori, gazi i jetës, vijnë natyrshëm përmes situatës e dialogut të zgjuar e me kripë. Vetëm me pak viza arrihet të skicohet karakteri i doktor "Shejtanit" dhe plakës… Më e rëndësishmia është që tregimi të bën të qeshësh. Shëndet e me të tjera realizime z.Myrtaj!