top of page

TALENTI I TË ÇMENDURIT


Vullnet Mato TALENTI I TË ÇMENDURIT Tregim Arrita në qendër të fshatit,në mesditën e vapës së korrikut. Ndalova disa minuta te salla e freskët e klubit, ku porosita një kafe. Pas pak hyri aty dhe personi që prisja. Ishte një mesoburrë i thatë, me flokët e ballit të degraduar në push të hollë, të verdhëremë. Ai i përshëndeti të gjithë me përzemërsi. Mua më shtrëngoi dorën fort dhe duke më vështruar buzagaz, u ul në karrigen përballë. Ishte drejtori i shkollës së mesme të zonës. Quhej Bezat. Në fillim kuvënduam mbarë e prapë, pastaj ai vijoi: -Do të të prezantoj sot njeriun më të çuditshëm, që kam parë gjatë viteve që punoj në këtë zone. Është një i çmendur, që pikturon dhe ka bërë shpikje aq të bukura, sa të lë me gojë hapur. S'ka bërë asnjë shkollë për atë punë dhe as ka dalë nga fshati për të parë ndonjë piktor diku gjetkë. Ai ka edhe një emër, që ua shton gazin njerëzve, quhet Gjelok Pula. Si duket, me emrin, prindërit e tij kanë dashur t'i kompesojnë mbiemrin e trashëguar. I kredhur, siç isha, në përfytyrimin e atij njeriu, më pushtoi një kureshtje e tillë, që më bëri të çohem menjeherë nga karrigia dhe u nisëm pa u vonuar të shkojmë në shtëpinë e tij. Pasi zbritëm shkarëzimin nëpër rrugicën e ngushtë, u gjëndëm në një vend të thelluar, që ngjasonte me sheshin në fund të shkallëve të një amfiteatri të lashtë dhe mes tij, ndodhej shtëpia dykatëshe e sapondërtuar e Gjelok Pulës. U ndala befas dhe e pyeta Bezatin: -Ky i çmenduri Pula, mos ndodh ndonjëherë t'i largohet mbiemrit, për t’u bërë gjeli agresiv i emrit të vet?..Bezati qeshi një grimë me këtë lojë fjalësh. -Jo. -tha pas pak. –Është i heshtur dhe i zymtë. Megjithatë mos e gërmo shumë se nuk i dihet!...Megjithatë Lëvizëm drejt ndërtesës me mure guri, ku një palë shkallë të jashtme ngjiteshin deri në katin e dytë. Trokitëm dhe njeriu i çuditshëm doli te dera me një vështrim indiferent, duke shtrënguar me të dy duart një tufë me lulëkuqe. Kishim përballë një burrec, të cilit nuk i zgjuam asnjë interes për t'i shkëputur sytë nga tufa e lulëkuqeve. Hetova me kujdes fytyrën e tij të parruar, me ca qime të hirta, flokët e dendur si shkurre, të lëshuar deri poshtë veshëve, vetullat e trasha si dy bishta dhie, sytë gri të futur thellë ballit me një vështrim të errët, të ftohtë, indiferent. Kishte veshur një bluzë tutash të dalëboje dhe pantallona doku blu, që i rrinin aq të gjera, sa dukej si i futur në thes. I dhashë dorën dhe i them me zë disi të druajtur: -Na kanë thënë se je artist nga duart, ke bërë disa shpikje e piktura të bukura. A ka mundesi t'i shohim nga afër!...Gjelok Pula nuk foli. U ndermend nje grimë, pastaj bëri një hap prapa dhe ne të dy e ndoqëm pas. Hymë në një corridor dhe ndalëm par nje dere të mbyllur. Ai futi dorën thellë në pantallona dhe nxori një çelës të çuditshëm, që e kishte bërë vet. Ishte një tub dy pëllëmbë, me dhëmbë metalik të salduar në krye e me një rreth mbajtës në fund. E ngjeshi thellë në derë dhe e rrotulloi me një kërkëllimë metalike të mbytur. Rregulloi një çast drejtpeshimin e vet mbi dërrasën ku kishte qëndruar, pastaj zgjati këmbën e djathtë, rëndoi mbi pragun e derës dhe priti, si përpara një enigme. Befas u dëgjua një gurgullimë e rëndë, që zgjati dy-tri sekonda. Dhe dera u hap krejt, duke u futur e gjitha në mur. Ishte diçka si te ajo porta magjike "Sezam hapu!" Mbeta i stopuar një grimë. Pataj vështrova përpjetë, midis një të çare në kasën e derës. Një mori trungjesh të lidhur me tela çeliku nën çati, kapërtheheshin me njëri-tjetrin dhe lëviznin poshtë e përpjetë, sa herë hapej e mbyllej dera. Pra, i çmenduri kishte zbatuar në mënyrë autodidakte ligjin e kontrapeshave, të cilat mbanin derën pezull dhe krijonin lëvizjen e saj para-prapa, sa herë shkelej pragu. Ky zbulim më la të shtangur. Në çastin kur hymë brënda dhe u ndie mbyllja automatike e dhomës, hodha sytë prapa derës. Atë çast vura re, se ajo nuk ishte një derë e thjeshtë dosido. Por kishte nga ana e brendshme një trajtim artistik të rrallë. E punuar e gjitha me dru arre, sipërfaqja e saj ishte ndarë në tri pjesë të barabarta. Në secilën prej tyre ishin vendosur nga tri zemra druri, duke formuar në këtë mënyrë nëntë katërkëndësha, që shkëlqenin nga lustra. Kur vuri re stepjen time, Gjeloku zgjati dorën serbes dhe takoi një çelës elektrik te cepi i murit. Në derë u ndezën menjëherë tetëmbëdhjetë rrathë me ngjyra, që u ngjanin stopave të automjeteve. Tani ajo dukej si ndonjë portë magjike, që të merrte sytë me vezullimin e saj. U përkula fare pranë dhe vura re, se rrathët e ndritshëm, ishin thembra të rrumbullakosura, nga ato pantoflet plastike të grave. Transparenca dhe kombinimi i kuadratëve të vegjël, të këtyre thembrave blu, të kuqe, jeshile, të verdha, rozë, saks, violet, krijonte një rëzëllitje ngjyrash, që do të mahniste edhe profesionistin më të specializuar të ndriçimit dekorativ. Të krijohej përshtypja sikur kishe hyrë në skafin e nëndetëses fantastike të Zhyl Vernit. Duke pikasur çmeritjen time, Gjeloku çmendurak takoi edhe një çelës tjetër. Befas u duk sikur në gjysmerrësirën e asaj dhome, lindi dielli verbues. Tavani, i ndërtuar i tëri me rrathë prej allçie të ngjyrosur e të ngritur në reliev, nga më i vogli në qendër, deri te më i madhi që pushtonte kupolën e dhomës, ishte plot me llampa elektrike të madhësive të ndryshme, të vendosura gjatë perimetrit të çdo rrethi. Ato vinin duke u hapur në mënyrë valëzuese, nga më e madhja pesëqint watëshe në mes, që ishte dielli, deri te llambushkat më të vogla në rrethin e fundit, të cilat, sipas Gjelokut, ishin yjet. Me atë harmoni ngjyrash, ndriçimi i fuqishëm i tavanit i bënte edhe muret të llamburisnin. Tani reflekset e dekoracioneve të shumta e plot ngjyra, që përhapeshin në të gjitha anët, të godisnin në sy me një shkëlqim lëbyrës. Të katër faqet e murit ishin ndarë në blloqe të barabartë kuadratësh vertikalë. Brënda tyre ishin pikturuar të gjithë llojet e zogjve, që këndonin në fshatin e Gjelok Pulës dhe të gjitha lulet e gjethet, që kishin çelur para syve të tij të mprehtë e të kujdesshëm. Motivet popullore, ornamentet floreale dhe gjithë lajlet e tjera simbolike, me linja aq të ndërlikuara, ishin punuar me ca nuanca ngjyrash tepër transparente, që binin në sy menjëherë për origjialitetin e tyre. Kjo më nxiti ta pyes: -Ku i ke gjetur këto ngjyra kaq të bukura?... Ai më hodhi një vështrim zhbirues dhe tha si me përtim: -Njashtu... I bëra vet... -Me çfarë i ke bërë?...-Njashtu. - tha sërish dhe heshti…-Mbase ruan sekretin e prodhimit. -më pëshpëriti Bezati te veshi dhe më ngjeshi supin. Mund të ishte edhe kjo. Veçse nuk po kuptoja ku e kishte hallin që s'po hapej në bisedë. Pata përshtypjen, se pyetjet e mërzisnin. Por në reagimet e fytyrës së tij të parruar, vihej re qartë, se i bëhej qejfi që punimet e tij, po na pëlqenin shumë dhe kuturisi të shpjegojë shkurt, se i përgatiste nga lulet e ndryshme, nga gjethet dhe rrënjët e bimëve, duke i zier me kripë e limontos. Për këtë qëllim e kishte mbledhur edhe atë tufën e madhe me lulekuqe, me të cilën doli në fillim te dera. -Or po ç'i do llafet, ky qenka mjeshtër! -tha befas Bezati. Unë buzëqesha dhe vijova të sodis fundin e mureve. Deri në lartësinë një metër e gjysmë nga dyshemeja, dhoma ishte veshur rretheqark me fileto ahu, të krijuara prej dërrasash të zgjedhura, me damarë të errët në formë rrëkera ujërash. Ato ishin kanalizuar hollë dhe llakuar me rrëshira pishash e kumbullash, që bënin të dukej sikur veshja e drunjtë, ishte mbuluar me një cipë të hollë qelqi. Mandej oxhaku ishte një mrekulli më vete. I punuar i tëri me gur të butë, kishte formën e një gjarpri të madh, të spërdredhur e pulla-pulla. Bishti i tij përfundonte në tavan dhe goja hapej mbi vatër sa gjerësia e saj. Gjuhën e këtij zvarraniku të gurtë, që i shëmbëllente një dragoi kinez plotë kolorit, e përbënin dy çengelët me zinxhirë të gjatë, ku vareshin kusitë dhe kuptimin e plotë, e jepte ndezja e zjarrit flakërues. E pyeta Gjelokun ku e kishte parë këtë tip oxhaku dhe ai tha: -Në mëndje... Çfarë nuk shihte ai, në atë mendjen e vet, ku fantazia pleksej me marrëzinë! Te vatra e shtruar me ngjyrim të kuq, përgatitur me çimento dhe tjegulla të shtypura, më tërhoqën vëmendjen dy kapakë alumini. Kur i zbulova vura re, se ishin dy tenxhere të vogla të ngjeshura rrafsh me vatrën. Fundet e tyre kishin nga një vrimë në mes, ku ishin lidhur tuba të padukshëm, për të përcjellë jashtë dhomës ujërat e shpëlarjes së filxhanëve të kafesë. Në të dy skajet e kornizës prej dru lisi të vatrës, gjendeshin dy butona të bardhë, të bërë nga kocka kali. Shtypa njërin dhe befas kanatet e dritares anësore ia bënë "shtrak", duke u hapur tërësisht, derisa i ndalën takuan takot prej gome në mur. Në mënyrë që kur të frynte erë e fortë e të kthente oxhaku, ajri i dhomës së zjarrit të pastrohej vet. Duhej një ditë e tërë për t'u njohur me të gjithë potencialin e krijimeve, ku kishte derdhur pasionin e vet Gjelok Pula, në arte, zeje, ndërtime, sajime, adoptime, shpikje dhe përdorime teknikash të shumëllojshme e origjinale. Ishte një tërësi voluminoze punësh, që shkonte nga kanapetë e rehatshme anësore, me mpleksje rrypash kamardarje, deri te krevatët perandorak për vete e për djalin, kokat sferike dhe gdhendjet artistike të të cilëve të habisnin. Më tej, binin në sy sëndyqet e valixhet e vizatuara me penela, të bërë nga bishti i kalit, me susta që hapnin vrikthi kapakët e tyre, me bravat e çuditshme të bëra prej gëzhojash të verdha. Si dhe një mori sendesh të tjera, të lindura nga mitra aq pjellore e fantazisë së tij. Elementet e rëndomtë të tokës, druri, metali dhe guri, pasi bini në duart e tij magjike, bëheshin elemente jetësor, me bukuri të veçantë dhe përdorim komod. Fillova të mendoj, si ishte e mundur që i çmenduri të bënte krijime të tilla? Arti i punëve të tij, kërkonte një mprehtësi mendore të tejkaluar, nga ajo logjika e rëndomtë për punë të zakonshme e njerëzve të kësaj krahine, ku ky person ishte shfaqur këtu si përjashtim. Mos vallë këtë përjashtim quanin ata çmenduri?... Dhe duke hedhur sytë një grimë mbi figurën e Gjelokut, aq në kontrast me punën, kureshtja për dhomat e tjera zuri të trokasë parreshtur në mendjen time. Gjeta rastin t'i them atij, se ende nuk isha ngopur plotësisht duke parë. Po të donte, mund të na çonte edhe në dhomën ngjitur. Ai u step dhe largoi fytyrën nga vështrimi im ngulmues. -Ajo s'bën të shihet, tha...Mirëpo njeriu është i prirë gjithmonë të shohë pikërisht ato që s’ bëjnë të shihen. Ndaj iu luta me zjarr të na e tregonte edhe atë dhomë. Me të njëjtin pasion e përforcoi kërkesën edhe Bezati. Atëherë Gjeloku bëri përpara mekanikisht, me një ecje krejt të pavullnetshme. Pasi hodhi disa hapa, më në fund shtyu edhe derën e dhomës tjetër. U duk menjëherë, se kjo ishte "studioja" e punës së tij. Një rrokopujë sendesh, një çrregullim total, një kaos i vërtetë. Nga mesi i dyshemesë, deri në tavan, ngriheshin në të dy anët rafte të gjatë e të shumtë të bërë prej dërrasash të lidhura me tela çeliku njëra përmbi tjetrën që, në mënyrë të shkallëzuar, formonin kënde të pjerrët. Në ato rafte të rëndomtë gjendeshin çikërrima e rrangulla të çdo lloji, që nga gozhdë të ndryshkura, copëra xhamash me ngjyra të mbledhura rrugëve, pantofle të vjetra, kanaçe, tela, kartona, llastiqe, predha kundërajrori të zbrazura, kallama kënete, copëra lëkurësh, lëkura gjarpërinjsh, krahë fluturash, dhëmbë ujku, pendë zogjsh, guralecë zalli, brirë lopësh, kocka kuajsh, guacka kërmijsh, bërthama frutash, gogla dushku, boçe pishash, deri te lëngu ngjitës i këmbëve të ziera të bagëtive, që e përdorte si tutkall. Aty përpara, dy dërrasa të brimuara e të kapura me vida i shërbenin si morseta për të punuar drurin. Objektet e shumta, çikërrimat e rëndomta dhe grahmat e rënda që përhapeshin prej tyre, më bindën, se krejt arsenali, mbi të cilin vepronin duart e tij transfomuse, përbëhej nga mjete rrethanore. Aty më shkoi ndërmend ta pyes: - Ç'mendon t'i bësh tjetër kësaj shtëpie fantastike?... -Açesor...-u gjegj pa u menduar gjatë, si herët e tjera… -Ashensor?! -ndreqa fjalën, -Po a e di ti, -i thashë, -se për të ngjitur një arkë në katin tënd të dytë, duhet së pari një elektromotor i fuqishëm?...Gjelokut i shkëlqyen sytë me një dritë sigurie të çuditshme…-E kam ble! -tha dhe më tërhoqi për krahu deri në fund të korridorit, ku një alamet pajisje të tillë e kishte mbuluar me një thes plastmasi nga të plehut kimik…-E si mendon ta bësh? -e pyeti Bezati…-Vajta pashë te turizmi…-u gjegj duke shprehur keqardhje. -Po ky që kam gjetur vërtitet shumë... Do t'i bëj një rrotë të madhe me dhëmbë, nga dru gorrice, që t'ja uli vërtitjen... Qesha, nga bindja se edhe kjo, që dukej si dëshirë prej të çmenduri, kishte një pikënisje logjike. Kur dolëm jashtë, gjinkallat vazhdonin të jehonin në kulmin e ekstazës së tyre, brenda hijeve të ngjeshura të gështenjave… Gjelok Pula, i çelur tashmë në krejt pamjen e vet, prej fjalëve inkurajuese, më tërhoqi mënjanë dhe më tha me një zë pëshpëritës, gati të dhimbshëm…- Pse më thua artist?... Të tërë tallen e qeshin me mua, më thonë "i çmendur” ... Më mallëngjeu e u ligështova shpirtërisht dhe i thashë duke i rrahur supet.-Tallen ata që janë prapa botës, që s'kuptojnë nga kjo punë e bukur që bën mëndja jote. Sytë e tij shkëlqyen papritmas me lotë gëzimi… -Mbase duhet të hysh edhe në muhabet me fshatarët. Jo vetëm të punosh i mbyllur. Mbaje veten si gjithë të tjerët! - i thashë me ton këshillues. -Ata nuk rrinë të parruar e të paqethur. Dhe nuk rrinë vetëm... U mendua një grimë herë dhe mandej m'i mori të dyja duart m'i puthi me dashuri. Ky njeri i çuditshëm dinte fare pak gjëra nga kjo botë. Sepse jeta merrte në sytë e tij trajta reale, vetëm kur, prej drurit, gurit dhe ngjyrave plot nuanca, bënte realitet të bukurën e fantazuar nga korja e trurit të vet. Po ta kishin dërguar me kohë në një lice arti, kjo mendje, në dukje e çalë, do të ishte tani një vlerë për thesarin e përbashkët, që quhet art. Dhe nuk mund të mos mendosh e të të vijë keq, sa shumë talente të pazbuluar vdesin rrëzë maleve, mes pyjeve, apo edhe ndanë fushave, pa i parë kurrë dyert e mëdha të shkollave artistike, në të cilat shpesh shkojnë ata që kanë tepër dëshirë dhe pak talent.

18 views0 comments

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page